E premte, 29.03.2024, 10:33 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Shqipëri - Pavarësi

E shtune, 28.11.2015, 06:15 AM


Shqipëri - Pavarësi

Nga Elvi Sidheri

Kemi flamurin më seksi, mënjanë që më të hijshëm në planet!

Kemi një territor sado të vogël, por plot me detra, liqene, lumenj (edhe ndonjë kënetë), male e fusha; kemi 5 fe dhe një kredo kombëtare thuajse të mbinatyrshme “shqiptarizme”; kemi mëkatet dhe magësitë tona; sa ç’kemi edhe mijëra vite që frymojmë pandërprerë mbi të njëjtat troje duke folur vazhdimisht në të njëjtën gjuhë, qysh kur stërgjyshërit tanë të emancipuar (që kishin mbretëreshë... pra Teutën;  e jo mbret mashkull si gjithë bota e kohës)... ende quheshin Ilirë!

Kemi patur Gjergj Kastriot; Pirro; Gent e Gjergj Elez Ali; kemi asgjë e shumëçka, dhe pas 103 vitesh pavarësi; kemi akoma këtë SHQIPËRI!

Ndoshta ti nuk do të jesh ai vendi i përkryer që çdo banor i yti sot do të dëshironte; ndoshta nuk do të kesh atë standartin tejet të lartë të jetesës që... të themi, vendet nordike apo Australia u ofrojnë banorëve të tyre, por ti je dhe mbetesh sërish ky vendi ynë, toka ku balta, sadoqë aq e shijshme dhe e ëmbël sa mjalta nuk mund të jetë tamam, prapëseprapë, është dheu ku prehen eshtrat e të parëve tanë, ku u pat derdhur gjaku dhe mundi i stërgjyshërve dhe prindërve tanë, vendi ku kemi hedhur hapat e parë, ku jemi rrëzuar dhe sërish jemi ngritur në këmbë; duke rigjetur ngaherë forcë tek ti o Anteu ynë i hidhët, o truall i zymtë sa edhe i hirshëm.

Ti që na ke parë të lindim, ty moj tokë e jona që të kemi sharë e ndoshta mallkuar, ti që me frytet e tokës tënde na ke mëkuar; në fushat e tua kemi vrapuar, jemi dashuruar; kemi puthur dhe jo rrallë mbarështuar; brezat e të ardhmes duke pritur që pas nesh ty të të duan dhe urrejnë po aq sa neve; sepse ti moj Shqipëri, mbetesh, ke qenë dhe kurrë s’do të reshtësh së qeni një tokë dritëhijesh, “bardhë e zie” dhe kontradiktash të përjetshme me të cilat mbruhet nga nata e kohëve karakteri gjysëm-fatalist e gjysëm jetëdashës gjer në skaj, i shqiptarit të lashtë, mesjetar e këtij “homo albanensis-it” të plogët 2015-as shqiptar.

Ti Shqipëri vërtetë është e vështirë që shqiptarit të sotëm t’ia ndezësh aq fort ndjeshmërinë (lëre më krenarinë përkatëse) kombëtare, aq sa ta pohojë faktin se falë teje atij i mbushet kraharori me “nder”, por gjithësesi emrin “shqiptar” vetëm ti mund të na e japësh.

Dhe ti je tepër bujare në këtë aspekt.

Nuk kursen askënd ti nga ky nder që ngërthen krenarisht në vetvete ky emërtim.

Në e meritofshin apo jo të shumtët (e padenjë) të quhen “shqiptar”; ti nuk pyet, por të gjithëve ua mundëson këtë privilegj.

Sepse të jesh sot shqiptar është pikërisht diçka e tillë, megjithëse shumëkënd kjo gjë mund ta bëjë ta vërë buzën në gaz...

Të jesh shqiptar do të thotë të kesh pikësëpari një “Identitet” të mirëpërcaktuar dhe të mirëskalitur me gërma të mëdha nga dalta e shekujve dhe mijëvjeçarëve në shkëmbinjtë e maleve të këtij trualli ku ende shkelim, jetojmë, duam dhe luftojmë përditë, njëlloj si paraardhësit tanë, shpesh duke u përballur me të njëjtat probleme jetësore si edhe arbërit apo ilirët para nesh përgjatë historisë sonë të tejgjatë.

Të jesh shqiptar do të thotë të kesh rrënjë (fort të thella faktikisht), të kesh një tokë tënden, të kesh trashëgimi të të parëve, gjak të ngjizur në ngjyrat e flamurit tënd kombëtar, të kesh një të ardhme për të mos ua çuar dëm brezave të ardhshëm, fëmijëve të tu, të kesh një vizion që sheh veçse nga Perëndimi, të kesh një vetëdijësim për vlerat e tua unike që i detyrohen vetëm qenësisë tënde shqiptare...

Shqiptari i sotëm mund të jetë i nëpërkëmbur, i përçmuar apo i vobekët, por në thelbin e gjenit të tij më unik, strehohet sekreti i shqiptarësisë që i bën ballë shekujve, thëllimave të acarta historike apo mbrapshtive kalimtare.

Shqipëria pra, është më e madhe se të gjithë ne, është më e madhe edhe se tërë shtrirja e saj më e gjerë (e dikurshme) gjeografike, me Trieste apo Nish e Janinë qoftë.

Shqipëria nuk është një koncept, gjeografik, mendësor, apo njerëzor.

Shqipëria nuk është as vetëm një parim.

Shqipëria jonë është një përjetim, një ndjesi e pashoqe, një ndjeshmëri që pahasshme tjetërkund përveçse mbi këtë dhé, nën këtë qiell, duke thithur këtë ajër, duke parë këto male, duke shkelur këtë llucë, duke u kredhur në këto ujëra, joniane, adriatike, pogradecare apo drinase e shkodrane qofshin.

Shqipëria është një krijesë tokësore, Shqipëria është një baraspeshë e pakrahasueshme e esencës së dheut dhe njerëzve të saj.

Neve jemi të formësuar nga ky dhé, ndërkohë që kjo tokë është formësuar sipas egos, jehonës së zërit tonë, pasojave të bëmave tona, gjakut që na është përtharë në flamur, krenave të dyfishta të simbolit tonë dhe mendjes sonë përherë të mëdyshur (jo rastësisht shqiponja dykrenare pra!).

Ne pra, jemi toka jonë, dhe trualli ynë amëtar jemi vetë ne!

Ne jemi Shqipëria jonë; Arbëria jonë, Iliria jonë, Dardania jonë, Epiri ynë i lashtë; dhe Shqipëria është të gjithë ne!

Kështu ka qenë dhe do të jetë, dhe për sa kohë kjo “vëllazëri” mes shqiptarësh (pa dallim feje, krahine dhe ideje) të vazhdojë e pacënuar nga valët e aktualitetit agresiv bashkëkohor, sa edhe prapanik; atëherë edhe vetë njehësimi i pandryshueshëm “Shqipëri-shqiptarë” ka për të vijuar të mbesë i njëjtë.

103 vite pavarësi fundja janë vetëm maja e ajsbergut të kuptimit të fjalës “Shqipëri”!

O sa mirë me festu sërish përvjetorin e lirisë dhe pavarësisë sonë!

Edhe 1000 vite Shqipëri!



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora