E enjte, 18.04.2024, 09:07 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Mjafton një pllakë

E hene, 28.09.2015, 08:44 PM


Mjafton një pllakë

Nga Elvi Sidheri

Tek na vjen ky fund-shtator kaq i freskët, mbas një vere aq të vapët; duket se për çudi, mendjet njerëzore, shqiptare, sërish kanë marrë kot, dhe një pllakë është bërë strumbullar i përvijimit të rradhës të shpërfaqjes të së ashtuquajturës: “Homo albanensis thagmensis vetë-përçmensis”!

Unë nuk kam vajtur personalisht, akoma, gjer nën muret e kështjellës së Lezhës; por ky fakt megjithatë, nuk më bën ta injoroj faktin, se kjo kështjellë, ndodhet prej shumë qindvjeçarësh, pikërisht në njërin ndër qytetet më të lashta dhe të dëgjuara përmes historisë së gjatë shqiptare.

Kështjella e Lezhës, e Lissus-it të lashtë, aty ku patën frymuar dikur ilirët, e ku më pas, në një zonë të zotëruar nga Republika “Serenissima” e Venedikut, të ndodhur fatlumësisht jashtë kthetrave gjakatare osmane; burri ynë më i epërm i të gjitha kohërave, Gjergj Kastrioti, i mbiquajturi Skënderbe; pati mbledhur Lidhjen e Lezhës, ku qenë ulur të kuvendonin së toku, tërë princërit arbërorë të kohës, si kurrë më parë, dhe më vonë, në historinë e koklavitur iliro-arbërore-shqiptare.

Në Lezhë pra, jo tjetërkund.

Paskëtaj, si u pat mbledhur ky kuvend, krerët e kësaj lidhjeje arbërore, patën njohur si udhëheqës tyrin Gjergjin nga familja fisnike princërore e Kastriotëve, të birin e Gjonit; dhe ai më pas u pati prirë atyre në përpjekjen vetëmohuese luftarake 25 vjeçare arbërore, kundër hordhive më të tmerrshme dhe mizore që Europa pati njohur, qysh nga koha e Atila hunit në shekujt e parë pas Krishtit (një gjysëm-kushuri i lashtë ky, i osmanëve që në mesjetë thyenin rregullisht hundët poshtë mureve të Krujës dhe fortesave të tjera të pathyeshme arbërore).

Më vonë, si i pat mbyllur sytë në shtratin e tij Gjergj Kastrioti, i cili në të gjallë të vet; qe shndërruar në llahtarin më lebetitës për qindra-mijëra pjesëtarët e hordhive pushtuese-shfarosëse osmane që u patën derdhur si një llum i pandalur acid drejt trojeve arbërore; njëfarë sulltanuci osman (që rrekeshin ta quanin të Madhërishëm); rrugës së vet për në Vienë; pati bërë siç duken bathët, edhe një ndalesë andej nga Lezha tashmë e pushtuar nga ushtarët e hordhive të tij barbare; dhe atypari pati vendosur që t’i bënte një rikonstruktim kështjellës së këtij qyteti arbëror.

Ajo që ndërkaq, patjetër që ky sulltan (i Madhërishmi) nuk është se atëherë pati mundur ta imagjinonte dot; ishte se ndër të tjera, mënjanë që lidhur me figurën e tij, do të thureshin legjenda pafund, do të, për shembull, xhirohej edhe një alamet seriali 500 vjet më vonë, ku do të himnizohej dashuria e tij legjendare me Rokselanën e hirshme, konkubinën e krishtërë, që pati arritur të bëhej “zonjë e rëndë” e perandorisë osmane, në agun e zgjerimit të saj të gjithanshëm; gjithashtu ndërkohë, gjithmonë 500 vjet më vonë; do të ngrihej dikush dhe do të shpluhuroste një pllakë ripërkujtuese të rikonstruksionit të kryer mbi këtë kështjellë nga sulltani në fjalë.

Kështjella e Lezhës, megjithë rëndësinë e saj historike dhe strategjike për kohën kur pati jetuar dhe kryer bëmat e tij Sulejmani i Madhërishëm; gjithësesi, nuk përbënte asfare majën e synimeve të këtij sulltani dhe të ndihmësit të tij kryesor, Vezirit të Madh, shqiptarit me origjinë nga Parga, Pargali Ibrahim Pashait.

Sulejmani dhe Pargali Ibrahim Pashai, synonin Vjenën, ndoshta edhe vetë Romën dhe fronin e Papës, e Lezhën e kishin vetëm një halë të vockël në sy, ashtu si tërë kështjellat e tjera të nënshtruara, të shkretuara e të rrënuara arbërore.

Kështu që, në vetvete, ky rikonstruksion, nuk përbën “asgjë”; është pra veçse një ngjarje pa pikën e rëndësisë, sa i përket historisë osmane dhe arbërore, e aq më tepër asaj europiane të kohës.

Në vitin 1522, kohën kur duan të thonë se Sulejmani i Madhërishëm, paskërka rikonstruktuar Kështjellën e Lezhës, patën ndodhur ngjarje ku e ku më të rëndësishme sesa kjo sipërmarrje “gurësh dhe llaçi” osman nëpër muret e një fortese të pushtuar arbërore.

Ndaj dhe, nuk do mend se të përkujtuarit kaq përdëllyes e një ngjarjeje të tillë, duke zgjedhur edhe që të ekspozohet mu në hyrje të kështjellës së Lezhës, një pllakë e shkruar në osmanisht, në vitin 2015; pra plot 103 vite pas mëvetësimit të Shqipërisë, pikërisht nga kërrma gjysëm kutërbuese, që akoma gjallonte në atë kohë nën emërtimin “Perandori Osmane”; minimalisht, të le me gojë hapur nga habia; me një shije të shpifur nga neveria; me një dozë të fortë tërbimi, nga pakënaqësia.

A e dimë fundja në mënyrë të saktë, se sa herë gjatë historisë së saj mijëravjeçare, është rikonstrukuar, dhe nga kush në secilin rast përkatës, kështjella e Lezhës?

Përse nuk figuron nga një pllakë për secilin rikonstruktues me rradhë, sipas kohës dhe periudhës historike kur është kryer çdo rikonstruksion; duke përfshirë këtu edhe ndonjë të tillë syresh të kryer padyshim edhe në vitet e regjimit monist?

Kur na u dashka të durojmë “çnderimin” që i bëhet historisë shqiptare, me anë të një pllake të tillë “osman-prapanicë-lëpirëse”, atëherë e sigurt që askujt nuk do t’i bënte përshtypje edhe ndonjë pllakë tjetër, ku të përkujtohet ndonjë rikonstruksion i kryer mbi muret e kësaj kështjelle në kohë të Partisë dhe shokut Enver!

Fundja, nëse Elbasanin, nën emrin e sotëm, se dikur edhe ai u pat quajtur denjësisht “Skampa”, e njohim sipas një deformimi të emërtimit osman të dhënë nga sulltani Mehmet II në vitin 1467 (“Ilbasan”, pra “fortesa”)... dhe rrjedhimisht, s’kemi ç’t’i bëjmë këtij emri, që tanimë ka lëshuar rrënjë në popull prej shekujsh; me Lezhën dhe kështjellën e saj, megjithatë gjërat janë krejt ndryshe.

Ajo pllakë, për aq rëndësi sa ç’ka; plaset diku në muze, ku gjindja fare mirë mund të mësojë lidhur me faktin se Suljemani i Madhërishëm, pati vendosur në vitin 1522, që ta rikonstruktonte këtë kështjellë, për të mbrojtur sa më mirë interesat e perandorisë së tij pushtuese.

Pikë!

Por kurrësesi, një objekt i tillë, nuk ka aspak vend në ballë të kësaj kështjelle!

Kurrë, në asnjë mënyrë!

Akoma nuk kemi një varr të vërtetë e të denjë për vetë Gjergj Kastriotin; shpata dhe përkrenarja e tij vijojnë të ruhen në Vienë; mauzoleu i Heroit tonë kombëtar, dergjet si mos më keq; vetë kështjella e Lezhës, sigurisht që ka parë edhe ditë më të mira sesa këto të sotmet; dhe ndërkohë; na rezultuaka se problemi kryesor për të, na paskësh qenë mungesa e kësaj pllake atypari.

E pabesueshme!

Po si nuk i ra dikujt mendja, që meqënëse pikërisht në Lezhë, u pat mbajtur edhe Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës më 2 mars të 1444-ës, ato mure të kështjellës krenare të këtij qyteti, të visheshin me stemat e secilës familje princërore shqiptare të kohës në fjalë?

Qenë më pak të denjë vallë Arianitasit, Skurajt, Dukagjinët, Balshajt, Topiajt; Zahariajt; Crnojeviçët; Muzakajt, Kastriotët etj, sesa një copë pllakë pa vlerë që duhet veç si dokumentim i ca palo punimeve rikonstruktuese, vetëm për faktin se në të është shkruar osmanisht, me shkronja arabe, dhe është përmendur një sulltan turk?

Këtu është puna pra?

Gjërat duhen thënë troç nganjëherë, dhe të mos fshihen prapa skuthizmave tipike orientalo-osmane; si lartësimi gjer në qiell, i një relikeje të tillë vlerë(as)pak, si lloji i kësaj për shkak të së cilës lindi gjithë kjo gurgule për të cilën po flasim.

Ndër të tjera, osmanët, pushtuesit turq pra; patën pushtuar (pas masakrës masive përkatëse) edhe vetë Krujën e pamposhtur më 1478-ën, dhe dyshoj fort që përgjatë 434 viteve sa e mbajtën të pushtuar atë; të mos e kenë rindërtuar së paku një herë të vetme.

Si nuk është kujtuar ndokush që edhe aty pra; krahas muzeut të Gjergj Kastriotit, monumentit të tij madhështor, kështjellës së tij legjendare ku u patën thyer njëri pas tjetrit sulltanër e hordhi osmane, ku qenë plandour përdhe në këmbët e asaj fortese mijëra jeniçerë e ushtarë osmanë, mes një rrethimi dhe tjetrit; ku pati ngadhënjyer pafund shpirti i paepur arbëror, përmbi jataganët dhe topat osmanë; të vendosin edhe ndonjë pllakë përkujtimore për “nder” të sulltanit përkatës (Mehmeti II), që pasi pati pushtuar Krujën dhe therur tërësisht popullsinë e saj; më vonë edhe qe “kujdesur” për të rikonstruktuar muret e këtij qyteti të shenjtë për historinë tonë kombëtare?

Padyshim që çdo kështjellë shqiptare e pushtuar me dhunë dhe mizoritë më çnjerëzore nga armët osmane, duhet të ketë kaluar nëpër disa rikonstruksione nga ana e këtyre të fundit.

Kështu mund të ketë ndodhur në Berat; (le të përkujtojnë edhe Hamza Kastriotin aty, kryetradhëtarin e historisë shqiptare, krah Ballaban Pashës dhe Esat Pashë Toptanit); në Petrelë; Rodon; Shkodër e kudo tjetër.

Do të mbijnë gjë “pllakat përkujtimore” të sulltanëve pushtues osmanë edhe atje gjë?

Nuk do të ishte ndonjë habi e veçantë duke gjykuar nga zhvillimet e fundit.

Po dëgjoja, para se të nisja këtë shkrim, një muzikë pak atipike për ambientin muzikor aktual shqiptar, të një grupi fort të frymëzuar dhe frymëzues modern shqiptar (“Janex”) të titulluar “Shadows & Lights”; pra “Dritëhije”...

Dhe përnjëherë, e gjeta veten të mbartur befas, në një dimension tjetër, që më pati shpënë në çast përtej ndjesisë së pëlqimit muzikor të kësaj kënge, që aq e largët më qe dukur qysh në momentin e parë, nga pështjellimi që ngaherë më ka ngjallur “turbo-folk-tallavaja” sllavo-turko-arabe” që gëlon e pluskon turpshëm në ambientin muzikor shqiptar.

“Dritëhije” është shqiptarësia sa i përket rrafshit muzikor, sa ç’është ajo (edhe më tepër), sa i përket të përballurit dhe marrëdhënies sonë me të shkuarën osmane të trojeve tona.

“Shadows” patën qenë ato 434 vite pushtim; dhe “Light” gjithçka tjetër, para 1478-ës, dhe përgjithësisht, pas 1912-ës.

Pllaka në osmanisht me gërma arabe, që përkujton Sulejmanin e Madhërishëm, thelbësisht si një pushtues të trojeve tona; aty në muret e kështjellës së Lezhës, ka një domethënie të vetme; atë të faktit se në këtë mënyrë; Sulejmani i Madhërishëm, madhërohet edhe më tepër, duke ju bërë paturpësisht hije princave shqiptare, Gjergj Kastriotit, dhe vetë Lidhjes së Lezhës, si Besëlidhja Arbërore, që perandorisë së këtij personazhi (Sulejmanit), ia pati dhënë dërrmën dhe thyer brinjët, për 25 vite me rradhë.

Për ta vazhduar me pak gjuhë muzikore; kjo ngjarje e turpshme, nuk përbën thjesht një “Summertime Sadness” (“Një mërzi verore” pra), siç do e perifrazoja këngën e Lana del Rey në këtë rast; por një provokim të ulët turkoshak, të fundverës 2015.

Por, duke përdorur titullin e një kënge turke pikërisht: “Tek sahibi[1]” (“Zoti i vetëm”), i kështjellës së Lezhës, janë shqiptarët e askush tjetër!


[1]Këngë e këngëtares turke Irem Derici “Kalbimin tek sahibine”, “Zot i vetëm i zemrës sime”.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora