Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Dy vite (të bekuar) me Papa Françeskun!
E shtune, 14.03.2015, 06:47 PM
Dy vite (të bekuar) me Papa Françeskun!
Nga Elvi Sidheri
Kur dy vjet më parë, në një distancë shumë të shkurtër kohore pas dorëheqjes së parë të një Pape (Benediktit të XVI-ë) në 600 vitet e fundit, ndërkohë që diskutohej pareshtur me një kërshëri që shtohej pamasë me kalimin e orëve, mbi emrin e Papës së ri; në dritaren përkatëse papnore në Vatikan, mbi sheshin madhështor Shën Pjetër, u shfaq për herë të parë fytyra e buzëqeshur e Jorge Mario Bergoglio-s; kujtoj ende kthjelltësisht, që m’u ndez si një shkëndijë shprese...!
Një shpresë që njeriut i lind vetëm në ato momente kur e ndjen ndoshta në mënyrë jo aq të përcaktueshme racionalisht, se e mira është në ajër, dhe se esenca e kësaj mirësie, ngërthehet dhe mishërohet tek dikush, tek ndonjë qënie njerëzore që papritmas të shfaqet apo materializohet para syve larg brenda ekranit televiziv, teksa një njeri fytyrëmirë i thotë “Buona Sera” (Mirëmbrëma) njerëzve të ekzaltuar që kanë mbushur dingas sheshin Shën Pjetër, në pritjen e gjatë sfilitëse për një “Fumata Bianca” (Tymin e Bardhë), që do të dali dikur nga oxhaku i “Conclave-s” Papë-zgjedhëse të kardinalëve.
Këto janë çastet e para që më ndërlidhin dhe që më aviten përherë në kujtesë, sa herë që mendoj për Papa Françeskun, për këtë njeri novator, këtë Papë revolucionar (në kuptimin e vërtetë themeltar të kësaj fjale, dhe jo në sensin e bastarduar monist, me të cilin ish regjimi ynë stalinist, e pati degjeneruar kryekëput këtë fjalë madhore të gjuhësisë ndërkombëtare); që në kaq pak kohë, aq shumë ka ditur t’i falë grigjës së tij të krishterë (jo vetëm katolike, por edhe tërë 2.3 miliardë të krishterëve anembanë planetit tonë), njerëzimit, kishës dhe epokës në të cilën ai dhe ne jetojmë, të cilën ky Papë po di që ta shenjojë pakthyeshmërisht me veprën e tij pandalur.
Në këto dy vjet që kanë kaluar si pa u vënë re, ashtu siç ndodh përherë me periudhat kohore që emërtohen me apo pa qëllim dhe dashje, me emrin e njeriut më të shquar që i prin zhvillimeve ndërbotërore gjatë atyre ditëve, muajve dhe viteve (dhe kjo padyshim që është me shumë mundësi: “Epoka e Papa Françeskut”); ky Papë ka bërë praktikisht gjithçka... për mirë!
Ndryshe nga 99.99% e liderëve politikë (shpesh, por jo gjithmonë, edhe e atyre fetarë) të këtij planeti, Papa Françesku gjatë këtyre dy viteve qëkur qëndron në fronin e Shën Pjetrit në Vatikan, ka ditur dhe dashur, që të jetë një njeri “I popullit”, i të skamurve, i të pamundurve, i atyre që jeta i ka përjashtuar dhe refuzuar, i të ndryshmëve, i të mënjanuarve nga jeta, nga njerëzit dhe nga ky qytetërim tepër materialist, jashtëzakonsisht sipërfaqësor, dhe tmerrësisht dritëshkurtër, që shpesh e vullnetarisht, po mbytet papushim në një pikë uji, pa ditur të gjejë zgjidhje për problemet e pafundme që godasin si kamzhik banorët e kësaj bote ngahera.
Ky Papë ka larë këmbët e të burgosurve në shenjë përunjësie, ka përqafuar vëllazërisht Patriarkun Ortodoks Bartolomeu në Stamboll (të njëjtin njeri që gati një vit më parë, kur erdhi në Tiranë për të shenjtëruar katedralen ortodokse shqiptare të “Ngjalljes së Krishtit”, desh e shpallëm, nën tymin e efekteve konspiracioniste tipike ballkaniko-orientale... si ithtar të Vorio Epirit, dhe njëkohësisht agjent të Asfalisë... ); duke treguar sërish vullnetin dhe dëshirën për bashkim dhe mirëkuptim mes të krishterëve kudo që ata gjenden dhe jetojnë, larg skizmave të shkuara dhe mërive apo rivaliteteve të cekta pa themel apo aktualitet qenësor; por gjithësesi Françesku ka bërë edhe shumë më tepër sesa thjesht kaq.
Ai ka rinisur traditën e shkëlqyer të paraardhësit të tij Gjon Palit të II-ë, duke ndërmarrë sërish udhëtimet pastorale kryq e tërthor botës, nga Filipinet në Brazil, Sri Lanka, Turqi, e gjer në sheshin Nënë Tereza në Tiranën tonë të hijshme...
Aty ku në katedralen e Shën Palit pranë brigjeve të lumthit Lana, ky Papë përlotej teksa dëgjonte rrëfimin rrënqethës të një prifti të paepur megjithë kërrusjen trupore si pasojë e viteve të tij të shumta (dhe vuajtjeve të panumërta), që plot guxim tregonte për njëmijë mënxyrat komuniste, që si mbi atë vetë, patën rënë gjatë 45 viteve të marrëzisë kriminale dhe gjakatare enveriste, mbi tërë përfaqësuesit më të spikatur, të kulturuar dhe atdhetarë, të klerit katolik shqiptar.
Tërë uji i Lanës që rridhte dhe vijon të rrjedhë pak hapa matanë katedrales katolike të Shën Palit në Tiranë, nuk do të mjaftonte për të larë gjakun e dhjetëra martirëve të katolicizmit shqiptar, që gjëmë më të zezë se ajo komuniste, dhe përndjekje më të llahtarshme, nuk patën njohur as në epokën e persekutimit romak mbi të krishterët 2000 vjet më parë në Iliri e kudo nëpër territorin e Perandorisë (atëherë) akoma pagane Romake, e as gjatë vërshimit të hordhive osmane nëpër labirintet e errëta të furisë qëllimisht asimiluese fetarisht dhe etnikisht me përdhunë të arbër-shqiptarëve, nga pushteti turk në pesë shekujt e padiellta të sundimit prapanik osman mbi trojet dhe popullin shqiptar.
Lumi Lana njëkohësisht, nuk mundet që të sjellë mbrapsh as kockat e Homerit shqiptar, Gjergj Fishtës, që trup-përdhosësit enveristë, i patën hedhur me përçmimin më mizor (që nuk respekton as të vdekurin), drejt e në lumë dikur.
Ky Papë erdhi në Shqipëri duke ndjekur gjurmët e ndritura të Nënë Terezës sonë shqiptare, dhe pikërisht (aspak rastësisht), në sheshin që emrit dhe jetës e veprës së saj të shenjtë(ruar), i përkushtohet dhe nderon, ai zgjodhi që të mbante meshën e hapur, ku në “World Vision”, u foli shqiptarëve me sinqeritet dhe thjeshtësi, sikur të ishte njëri prej tyre, pra njëri prej nesh.
Nuk e bëri këtë as për sy e faqe, e as për të na e bërë qejfin, por sepse tek ky popull, tek ky vend dhe kjo tokë e lashtë, ai gjeti farën dhe lulen e çelur (por përherë të brishtë), të “Vëllazërisë ndërfetare shqiptare”, që në Shqipëri ka mbirë,ekzistuar dhe ka lulëzuar historikisht si askund tjetër gjetkë.
Ky është Papa që natën kur u zgjodh në këtë fron, pati refuzuar me forcë që të përdorte limuzinën luksoze përkatëse zyrtare, për të shkuar për darkë me kardinalët e tjerë në Domus Santa Maria në Vatikan.
Sepse nëse kurrë më parë, as në qytetin e tij të origjinës, në Buenos Ajres, nuk kishte lëvizur me limuzinë, atëherë përse duhej që ta bënte tani që ishte zgjedhur Papë?
Thjeshtësia e mishëruar në një qënie njerëzore pra!
Kur thonë se “Fillimi i mirë është gjysma e punës”, ky rast e konfirmon shprehjen në fjalë totalisht.
Papa
Këtu nisi edhe revolucioni themelor i këtij Pape.
Sapo u bënë pra dy vjet qëkur Bergoglio pati ardhur në Vatikan për të marrë në duar frerët e një Kishe Katolike që kalonte kohë krize dhe njëfarë rënie prestigji. Skandalet me sfond seksual ku përfshiheshin aludime për klerikë të ndryshëm, apo edhe të dhënat e rastit “Vatileaks” që ofronte të dhëna për praninë e simptomave të nepotizmit dhe korrupsionit në Vatikan, patën goditur jo pak themelet e Kishës Katolike.
Atëherë, ndër vendimet e para të këtij Pape, që është ndër të tjera edhe i pari Papë latinoamerikan, ashtu si edhe i pari nga Urdhëri i Jezuitëve që ngjitet në këtë fron; ishte ai i mospranimit të të jetuarit në apartamentin luksoz tek Pallati Apostolik në Vatikan, aty ku tradicionalisht patën jetuar tërë paraardhësit e tij qysh nga viti 1903. Françesku ndërkohë, zgjodhi të jetojë në rezidencën modeste të Santa Marta-s, ku zakonisht strehohen kardinalët nga bota, kur udhëtojnë në Romë.
Sepse siç
thotë vetë Papa Françesku lidhur me këtë gjë: “Nuk është puna se unë e përçmoj
pasurinë, fakti është se dua që të jetoj mes njerëzve.
Kështu qe justifikuar Papa Françesku për këtë vendim të tijin, ndërsa në këtë rezidencë, Papa ndërkohë shfrytëzon rastin edhe për të komunikuar lirshëm me klerikë të tjerë që vijnë e ikin në dhe nga Roma, në mënyrë që të informohet drejtpërdrejtë nëpërmjet tyre, mbi atë çfarë ndodh në botë.
Faktikisht, Papa Françesku e ka patur karakteristikë të tijën gjatë këtyre dy vjetëve, kontaktin e tij të përhershëm me njerëzit e thjeshtë.
Ai lëviz pa makinën e blinduar “Papamobil”, të përdorur para tij vazhdimisht që prej atentatit ndaj Papa Gjon Palit të dytë nga një shtetas turk në 1981-in; ai ndalon rregullisht (siç bëri më përpikmëri edhe në rrugët e Tiranës) për t’u përshëndetur dhe takuar me njerëzit anës rrugës, fton të skamurit që të hanë mëngjesin pranë tij në Vatikan, dhe gjithashtu njëherë u pati larë këmbët dy myslimanëve dhe dy femrave të burgosura në një burg italian, në vitin 2013, pak javë pasi ish zgjedhur Papë.
Gjestet e tij shkojnë fuqishëm përtej vlerës thjesht simbolike, ndaj dhe Bergoglio nuk pati ngurruar që të denonconte para Parlamentit Europian nëntorin e kaluar të 2014-ës, faktin e kobshëm që Deti Mesdhe po shndërrohej sipas tij, në një “varrezë” emigrantësh të cilët përpiqen të arrijnë në brigjet europiane pa sukses, ndërsa Europa e qytetëruar rri duarkryq.
Dihet tashmë botërisht, se ndikimi dhe ndërmjetësimi papnor, ka dhënë fryte të pabesueshme gjer pak kohë më parë, si rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kubës, pas dhjetëvjeçarësh të tëra bllokade.
I njëjti Papë, i pati kujtuar edhe kancelares gjermane Anxhela Merkel së fundi (21 dhjetorin e shkuar), se: “Detyra e krerëve të një shteti, është që të mbrojnë të varfrit e vendit të tyre pikë së pari”.
Në këtë mënyrë Papa Françesku dilte hapur kundër politikave të kufizimeve dhe shtrëngimeve masive ekonomike, të promovuara fort nga Brukseli zyrtar, që kanë goditur rëndë vende si Greqia, Italia apo Spanja, me pasoja të pariparueshme mbi shtresat më të dobta të popullsisë së këtyre shteteve.
Ky është një Papë që pati qëndruar në një heshtje të gjatë plot respekt, brenda Xhamisë Blu në Stamboll, krah imamit të madh përkatës turk, një Papë që lutet njëlloj për miliona të zhvendosurit nga lufta në Siri, për të krishterët e përndjekur të Irakut, apo edhe për viktimat e korrupsionit, e cilësdo formë të diskriminimit dhe ligësisë njerëzore pa dallim origjine apo religjioni.
Është një Papë që ka hapur një epokë të tijën, që ka ndezur një dritëz, aty ku mbizotëron prej shumë kohësh veç errësira!