Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Shfarosje!
E hene, 29.12.2014, 10:24 PM
Shfarosje !
Nga Elvi Sidheri
Kur njeriu bën të dali jashtë Prishtinës, drejt periferive të saj të shumta, të cilat tanimë një Zot e di nëse janë lagje të mirëfillta të kryeqytetit kosovar, ish fshatra plot vila dhe shtëpi shumëkatëshe, qendra tregtare, sipërmarrje masive afariste, fusha të ngrira nga ky acar funddhjetoras, apo “who knows exactly what ?”, atëherë një drejtim të shpie diku ku mendja jote prej shqiptari 24 karatësh nuk ta pret kurrësesi...!
Ku pra ?
Matanë lagjes Hajvali, fillon të ecësh mespërmes një Serbie në miniaturë, që formësohet bizarrisht në suazat, kufijtë komunalë dhe trajtat e komunës me shumicë serbe të Graçanicës.
Sytë e njeriut që s’e ka parë (apo prekur) ndonjëherë këtë realitet të habitshëm, aty takohen me flamujt e kudondodhur serbë, shkrimet cirilike, një monument antagonist të “NewBorn-it” modern të Prishtinës dy hapa më tej (të quajtur kuptimplotësisht “Missing” nga banorët serbë të Graçanicës, për t’iu përgjigjur kështu, etjes për liri e pavarësi të fqinjëve të tyre shqiptarë, me një denoncim që rreket vazhdimisht t’ua këpusë shpirtin kalimtarëve rastësorë, apo të qëllimshëm, që u bie rruga nga kjo enklavë serbe), dhe në përgjithësi, me një imazh tashmë të largët e të harruar, të një “flladi jugosllav”.
Si ka nisur të mbetet pas edhe kjo komunë tejet “origjinale”, aty ku akoma gjenden kampet e të zhvendosurve nga lufta e fundit, ku era fryn me një furi të padëgjuar nga të katër anët, ku temperatura ndihet edhe më e ftohtë se brenda në Prishtinë, ku sytë të lotojnë nga ajri i acartë, dhe veshët rrezikojnë seriozisht që të të bien në tokë si copa akulli, një oaz dashamirësie të del papritmas përpara.
Është fjala për një “strehimore” për qentë endacakë (të menaxhuar nga organizata “Të bashkuar për kafshët/United for animals”), ku një grup dëshirëplotë vullnetarësh, vetmohohen rregullisht, duke u përkushtuar këtyre kafshëve të pambrojtura, një pjesë të mirë të kohës së tyre ditore, ashtu si edhe shumë përpjekje dhe një punë tejet të palodhur.
Brenda gardhit rrethues që kësaj strehimoreje, qëndrojnë, jetojnë, ushqehen, mjekohen, vaksinohen, përkëdhelen dhe trajtohen me të gjithë dinjitetin dhe përkujdesjen e nevojshme për këtë kafshë kaq fisnike, këtë “mik më besnik të njeriut”, disa dhjetëra qen endacak, ndërsa dhjetëra të tjerë, sillen rrotull strehimores vazhdimisht nëpër gëmushat dhe kodrat përreth, duke siguruar edhe ata ushqimin e përditshëm.
Strehimorja në fjalë, funksionon në baza të mirëfillta vullnetare, dhe pikërisht falë këtij vullneti të mirë, që ka arritur të përhapet valë-valë, deri tek shumë njerëz të tjerë shpirtmirë, vullnetarët ia dalin që të sigurojnë edhe ushqimin e nevojshëm ditor për këta qen, medikamentet, vaksinat dhe gjithçka tjetër që shërben për mirëqenien e tyre thelbësore.
Së fundi në Kosovë, ashtu si për fat të keq, edhe në Shqipëri, zgjidhja e propozuar, apo thënë ndryshe “histeria” e rradhës, që ka zënë vend në shumë prej diskutimeve publike, ka të bëjë pikërisht me çështjen përjetësisht të pazgjidhur të qenve endacakë.
Është e vërtetë që gjendja me këto kafshë, prej kohësh është bërë e padurueshme !
Askush nuk e mohon këtë fakt, që secili prej nesh mund ta vërejë fare lehtë çdo ditë, mjafton që të kalojë pranë një kazani plehërash pranë shtëpisë apo pallatit të vet.
Qentë endacakë, tanimë janë bërë rivalë të ethshëm, që jo rrallë kanë nisur të bien në konflikt të hapur jo aq me kalimtarët e rastit nëpër rrugët, parqet publike, apo lagjet e qyteteve tona, por sidomos me shtresën e varfër të të pamundurve, të skamurve, të popullsisë rome, të të pastrehëve, të endacakëve (njerëzve të tillë), të cilët “prokopinë” e jetës së tyre të vobekët, bukën e gojës dhe shishen e plastikës apo copën e kartonit për t’u shitur për pak qindarka, e gjejnë në të njëjtët kazanë plehërash, që dikur ishin vetëm “ekskluzive” e këtyre qenve të lartpërmendur.
Një qen endacak, i gjendur në habitatin e tij natyral (për kushtet specifike të ambientit tonë, shqiptar apo kosovar qoftë), pra duke rrëmuar tek një grup kazanesh me plehëra, për të gjetur diçka të ngrënshme, pati sulmuar dhe kafshuar për vdekje edhe një fëmijë së fundi në Kosovë.
Nuk ishte rasti i parë i këtij lloji ky sidoqoftë !
Dhe nuk do të jetë sigurisht aspak i fundit !
Problemi akut i qenve endacakë, kjo gangrenë e shoqërisë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, është lënë ngahera në skaj të interesit të autoriteteve përkatëse, duke u neglizhuar pafundësisht, ndërkohë që pasojat e tij, sa vijnë e ndihen më tepër për të gjithë.
Fakti është, që nuk duhet të kujtohemi për ekzistencën e dhimbshme të këtyre kafshëve, vetëm kur i shohim ato të lëvizin në tufa nëpër qytetet tona, kur na zgjojnë nga gjumi natën sepse i lehin hënës, apo kur largqoftë, kafshojnë ndonjë njeri të gjorë.
Jemi ne vetë së pari, fajtorët dhe autorët e tragjedisë që ka goditur këtë kafshë, që për të tjera, historia dhe evolucioni natyror, e kanë faktuar si qënien më besnike ndaj njeriut, në shekuj dhe mijëvjeçarë.
Ne vetë i kemi lënë qentë pa strehë, pa mbështetje, pa kontroll, pa ushqim, pa vaksinim, pa kujdes, pa përkëdhelje, i kemi flakur ata rrugëve, i kemi lënë pa Zot, duke ia dorëzuar këtë kafshë kaq të dashur e të afërt me njeriun, rrugëve, kazanëve të plehërave, shumimit të pakontrolluar...!
I lemë miqtë tanë me katër putra, që të ngordhin së ftohti, që të sëmuren, që të shtypen kuturu nga makina e kamionë, dhe më pas habitemi sesi këto kafshë të ngrata, të uritura të shkojnë e të përmbysin pirgjet me mbeturina, që vetë neve “raca e epërme humane” (se kështu e marrim veten me të mirë ne njerëzit, të tillë na gënjen mendja se jemi), i hedhim andej-këtej pa asnjë vëmendje.
Qentë janë kafshë, po aq sa ç’janë harabelët e trumcakët shpendë, sa sorrat apo pulëbardhat, sa macet tona shtëpiake, sa ketrat që na kënaqen sytë kur i shohim ndonjëherë të zbresin nga pemët, sa çdo specie tjetër shtazore pra, që jeton krah nesh, në këtë palo botën që vetë neve njerëzit e kemi krijuar, dhe që kemi edhe guximin që ta quajmë “të qytetëruar” !
Mos ka ndodhur gjë ndonjëherë, që pasi një mace ka gërvishtur ndokënd, apo kur një zog çfarëdo, ia ka lëshuar glasën mu në ballë ndokujt, ose kur pëllet gomari papushim, që të dalin bashkitë e komunat e qyteteve tona, e të ndërmarrin operacione ndëshkimore kundër këtyre shtazëve të shkreta ?
Gërvisht qëllimisht macja gjë ?
Ashtu edhe qeni endacak, edhe nëqoftëse kafshon dikë, këtë gjë e bën i shtyrë nga rrethanat e caktuara, dhe kryesisht duke ndjekur instiktin e tij të mbijetesës, apo të vetëmbrojtjes e asgjë më tepër !
Qeni endacak, nuk kafshon se kështu ia thotë mendja, apo se është i keq.
Kafshon dhe aq !
Jemi ne njerëzit, ata që Perëndia, ose Nëna Natyrë, na kanë falur aftësinë thelbësore për të arsyetuar, menduar e gjykuar, jo kafshët e pafajshme, aq më pak qentë endacakë.
Përpara se të nisin aksione ndëshkimore fantomatike, shpesh edhe me trajta të qarta dhe potencial shfarosës kundrejt qenve endacakë, është më mirë që neve si njerëz, pra si maja më e lartë e zinxhirit evolutiv, të kërkojmë zgjidhje të vërteta afatgjata, për problemin e ndërlidhur (por jo burimor) me këto qen.
Pse kështu, duke i vrarë të tërë, do mbyllet ky problem vallë ?
Do i shfarosim me rradhë edhe peshkaqenët, meqë kemi parë një film të viteve 70-ë të shekullit të kaluar, ku kjo kafshë hamendësohej se kafshonte notarët në brigjet e oqeanit ?
Do i bëjmë fërtele edhe luanët, tigrat, pumat e çdo specie tjetër shtazore që ka dhëmbë të mprehtë, e që në situata “1 në 1 milion mundësi”, mund të na kafshojnë ?
“Extinction is not the answer” !
Njerëzve endacakë, të skamurve dhe të pastrehëve ndoshta ?
Edhe ata të gjorët bien erë të keqe (ashtu si qentë në fjalë), janë të palarë, barkthatë, të pangrënë...!
Janë kockë e lëkurë, nganjëherë edhe ndopak agresivë në sjelljen ndaj nesh, njerëzve të tjerë pra, që jetojmë “qytetërueshëm”, ne që kemi shtëpi, rroga, që barkun ia dalim që ta mbushim, që kur bie shi kemi një shtëpi për të ndenjur, apo një çadër për t’u mbrojtur prej tij, që me borën luajmë, ndërsa ata të ngratët prej borës e të ftohtit ngrijnë dhe shpesh vdesin... tamam “si qen” !
Nuk është shfarosja zgjidhja !
Qentë endacakë duhen dashur, kontrolluar e ndihmuar, jo vrarë e sulmuar !