Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Oligarkë, presidentë të përjetshëm...”Ante Portas”!
E merkure, 20.08.2014, 09:26 PM
Oligarkë, presidentë të përjetshëm...”Ante Portas”!
Nga Elvi Sidheri
Zgjedhjet e fundit presidenciale, të parat për nga forma e tyre “popullore”, që u zhvilluan pak kohë më parë në Turqi, rezultuan ashtu siç edhe pritej gjerësisht, me një fitore të qartë të kryeministrit jetëgjatë Erdogan.
Deri këtu, asnjë surprizë...në të kundërt, gjithçka normale...
Normale po, por gjithësesi një “normalitet” i vendosur brenda kontureve të një realiteti vite dritë larg normave sa europiane, aq edhe “Kemaliste laike” të Turqisë moderne, këtij vendi të madh, që përherë e më tepër po bie thellë, në kthetrat e sistemit autokratik të kryeministër-presidentit Erdogan.
Shumëkush mund të logjikojë ndoshta edhe me të drejtë, duke mbështetur idenë se punët e shtetit turk, janë në dorë të vetë qytetarëve të atij vendi, ndaj dhe për një arsye të tillë, neve pak nevojitet të na interesojnë normat demokratike si dhe cilësia e lirisë që gëzojnë banorët e Turqisë.
Por sidoqoftë e vërteta e zhveshur, është njëçikë si më e ndryshme sesa ky thjeshtim i problemit “Erdogan”!
Përse vallë një pohim i tillë?
Për shembull, sikur nga Stambolli i përjetshëm dhe trashëgimia e tij e pafundtë kulturore e historike, nga rrënojat bizantino-romake, osmane e jo rrallë gjurmët shqiptare të këtij qyteti të rrënjosur në brigjet e dy kontineteve, të ecim drejt Ankarasë qendër administrative qysh në kohë të largëta Kemaliste, të Turqisë post-osmane, udha do të na shpjerë më pas domosdoshmërisht gjer në Detin e Zi...
E aty, si kemi lënë pas Trabzonin e Samsunin piktoresk, kemi kapërcyer me të shpejtë Armeni e Azerbajxhan, një hap më tej, do të nisë të ndihet fort “ajri rus”.
Ç’është ndërkohë ky ajër specifik?
Është një ajër me aromëra dhe trajta të përzjera, ku dallohen mirë copëza fragrancash cariste, sovjetike, pjesëza të imta lojërash spiunazhi “Made in KGB”, ku ndihet dora e rëndë staliniste, tisi i kahershëm i Revolucionit të Kuq të 1917-ës, ku materializohet në vijimësi, porsi kufoma e tij e ballsamosur në mauzoleun e Moskës, fantazma e pakallur e Leninit, për t’u plotësuar e tëra me vulën finale të Rusisë së sotme agresive të Vladimir Putinit.
Turqia erdoganiste dhe Rusia putiniste, nuk janë në fakt larg, as gjeografikisht e aq më pak, sa i përket mënyrës së qeverisjes, oligarkizmit përmbytës në përhapje e sipër nëpër të gjitha poret e shoqërisë dhe shtypjes së vazhdueshme e shkeljes sistematike të të drejtave qytetare të nënshtetasve të këtyre dy shteteve të mëdhenj e të rëndësishëm.
Për t’i rënë shkurt e për t’a thënë copë...Erdogani i sapozgjedhur edhe president, pasi qysh nga viti 2003, pati qenë disa herë rradhazi kryeministër, është shëmbëlltyra turke, “alter ego-ja” në formë japraku dhe kukureci turk, e Putinit rus.
Asgjë më pak ose më tepër se kjo!
Në botën normale, atë “Perëndimore” për më tepër, zonën e qytetëruar, me ligje, sistem e vlera demokratike të stabilizuara, ku ndër të tjera, “zyrtarisht” ende sot e kësaj dite “për sy e faqe”, Turqia dëshiron të integrohet, dikush, një lider popullor që është zgjedhur 3 herë kryeministër e që kalëron akoma një mbështetje mes 45 e 50%, nuk ka arsye që të bëjë “xhonglerin”, duke kërcyer në fronin presidencial, atëherë kur kolltuku kryeministror, është bërë cazë si tepër djegës!
Kujtojmë jo më kot, shembuj si ai i sh kancelarit të nderuar gjerman Helmut Kohl, aq herë triumfues në disa procese zgjedhore, arkitekt i ribashkimit të dy Gjermanive, në mendjen e të cilit padyshim që kurrën e kurrës nuk pati kaluar as përciptazi, ideja e të ngjiturit në postin e presidentit të RFGJ, apo edhe Gjermanisë së bashkuar pas rënies së Murit të Berlinit, kazmën të cilit, ia vuri ai vetë i pari.
Kancelarja Merkel, po ashtu shërben fare mirë si shembulli më i prekshëm mbështetës i të njëjtit argument të shtjelluar më lart.
Por, kur është fjala për Federatën Ruse, Turqinë e pas-2003-it (ardhjes në pushtet të partisë gjasme liberale e thellësisht fetare të Erdoganit), Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Errët (Zi) etj, gjërat funksionojnë paksa ndryshe...
E për të mos përmendur këtu ndërkaq, modele të konsoliduara tashmë prej kohësh, diktaturash të pastra, në territorin europian ose me një këmbë brenda tij, si Bjellorusia e Lukashenkos, Azerbajxhani, Kazakistani ose Ukraina e para ngjarjeve të përgjakshme të sheshit “Maidan”.
Për ta
nisur pranë kufijve tanë,
Një fqinj i joni që me të vërtetë diti të shkëpusë (“të pasmen”, në kohë për më tepër, pa u djegur nga zjarri i marrëzisë millosheviçiane)...veten dhe kordonin ombelikal nga Beogradi, por që sidoqoftë, përfitoi së tepërmi nga mbyllja e syve dhe veshëve të Perëndimit, përballë trafiqeve dhe paligjshmërisë së ngritur në sistem, në këtë vend të vogël malor matanë malësive shqiptare.
Shtet me një president e kryeministër si Gjukanoviçi, i cili ka aq vite në pushtet, saqë do ketë harruar edhe vetë t’i numërojë, ashtu si edhe rastet e panumërta kur ka bërë sipas përfitimit presidentin apo kryeministrin malazez.
Demokracia në Mal të Zi, do të thotë që të mos e prishësh punën me liderin e përjetshëm, babain dhe themeluesin e shtetit modern të pavarur malazez (histori që ngjan kryekëput me homologët gjysëm-diktatorë të Azisë Qëndrore, kazakun Nazarbajev, azerin Aliev dhe uzbekun Kerimov), se ndryshe, demokracia të përjashton e të nxjerr (flak, vërvit)...jashtë sistemit...e i gjori ti pastaj!
Në Mal të Zi zgjedhjet i fiton prej mbi 20 vjetësh, partia e Gjukanoviçit, opozitë nuk ka e aq e rëndë është bërë situata, sa edhe qytetet shqiptare si Tuzi apo Ulqini, po “pushtohen” tanimë përfundimisht edhe në këndvështrimin politik, përveçse “de jure” prej 146 vitesh, nga emisarët e bosit të Podgoricës.
Asimilimi i shqiptarëve, myslimanë e katolikë dhe shndrimi i tyre në boshnjakë e kroatë të vetëshpallur si pasojë e direktivave, presionit shtetëror e politikave të rafinuara eliminuese të qenësisë shqiptare në këtë vend “mender me thënë demokratik”, po ecën me ritme frikësuese, teksa shkombtarizimi i bashkëatdhetarëve tanë në Mal të Zi, nuk po ka të ndalur.
Njëkohësisht, po të zbresim më poshtë, në IRJ Maqedoni, demokracia ekziston prej vitit 2006, sipas vizionit dhe pikpamjeve hegjemoniste të kryeministrit shalëhapur Gruevski...
Në këtë fqinj tonin lindor, është nënshkruar para një dekade e kacafiu, një marrëveshje nëpërmjet së cilës, hamendësohej që të ndalej lufta qytetare derë më derë mes shqiptarësh e sllavësh bullgarofonë “maqedonizëm ndjerës”.
Gjithashtu mëtohej që aty të sanksinoheshin me ligje e ndërhyrje në kushtetutën e IRJ Maqedonisë (qysh nga preambula e saj, ku shqiptarët dhe nacionalitetet e tjera shumë më minore, bëheshin të barabartë me maqedonasit sllavë, të cilët deri në atë pikë, patën qenë poseduesit e vetëm të frerëve të qeverisjes dhe ligjbërjes e ligjvënies në këtë vend).
Sakaq ajo që efektivisht vijon të ndodhë prej 8 vitesh në IRJ Maqedoni, është një faktorizim autoritarist i sistemit hegjemonist, megalloman dhe delirant gjer në skizofreni totale historiko-kulturore, të krijuar dhe mbajtur në këmbë ekskluzivisht përmes korrupsionit masiv dhe mjeteve të tjera të paligjshme, nga kryeministri Gruevski & Co.
IRJ Maqedonia ka një opozitë sllave, të gjendur (të shtyrë me çdo mjet)...jashtë parlamentit, ka gazetarë antiqeveritarë të plasur në burg me anë të gjyqeve të montuara, televizione jolavdëruese të qeverisë, të mbyllura, pronarë mediash të burgosur, vrasje, hetime e inskenime çështjesh plot monstra e monstruozitete të fallsifikuara, falë të cilave kërkohet që të njolloset faktori (përgjithësisht i fjetur) shqiptar në këtë vend.
Ky është shteti që përditë e më shumë, po merr trajtat e egos së pangopur të Gruevskit, një njeriu që qartësisht ndihet si shumë kolegë të tij despotikë anembanë planetit, i pathyeshëm, i pagabueshëm, i rrethuar nga armiq (shqiptarë, grekë, bullgarë...edhe serbë për punë të kishës), një person i rrezikshëm për shoqërinë, lidhur me të cilin kudo në botën normale e të qytetëruar, do të ishte këshilluar vendosmërisht nga mjeku përkatës (psikiatri), që të mbahej sa më larg popullit e aq më tepër pushtetit.
Si dhe shumëkund tjetër, Gruevski në aventurën e tij populiste e autoritare histori-rishkrues-fallsifikuese dhe fakte-mohuese, është ndihmuar indirekt edhe nga prania e një klase politike të mefshtë shqiptare të IRJ Maqedonisë, që ngahera ka keqpërdorur pushtetin dhe votat e shqiptarëve të këtij vendi.
Nëse Marrëveshja e Ohrit, pas kaq vitesh, akoma konsiderohet e paimplementuar, atëherë faji nuk është absolutisht as vetëm i Gruevskit e aq më pak jetim.
Nëse shqiptarët ende i kërkojnë të drejtat e tyre të ligjshme në mënyrë të paqartë, sikur të përfaqësoheshin nga OJF të vogla, e të mos ishin faktikisht popull shtetformues në IRJM, me disa parti të tyret, të cilat dërgojnë edhe një grumbull me ministra, zëvendësministra e drejtorë në qeverinë e Shkupit, atëherë edhe këtu diçka nuk shkon!
Sikur edhe protestat shqiptare, kundër gjyqesh e vendimesh raciste ndaj bashkëpatriotëve tanë të IRJM-së, të nisnin nga vendndodhja e monumentit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Shkup, e jo rregullisht pas kryerjes së riteve të caktuara fetare në një objekt kulti, atëherë sërish gjërat do të shkonin ndryshe dhe mesazhi i këtyre manifestimeve, do të vinte i pastër, i qartë e i pangatërruar apo zbehur e përzjerë me axhenda të tjera devijante jokombëtare!
Duke ardhur sërish dhe për ta mbyllur me Erdoganin, skema e tij sido që të jetë, nuk duket aspak e koklavitur për t’u kuptuar.
Një lider popullor, i gjendur në vështirësi në momentin që ka vendosur që të zbresi njëherë e mirë nga treni i demokracisë, që përballet me pakënaqësi e protesta të forta brenda vendit, që i trembet reagimit të elitës laike qytetare dhe pjesës tjetër të banorëve që vlerësojnë trashëgiminë e Ataturkut...
Një kryeministër autokratik me prirje ekspansioniste, që siç po tregojnë sheshit edhe të dhënat e shërbimeve sekrete gjermane, ka stërvitur, u ka hapur shtigjet dhe ka armatosur kalifatistët radikalë që po djegin me zjarr e hekur Sirinë dhe Irakun, nuk mund të bëjë gjë tjetër përveçse të ndryshojë kushtetutën e vendit të vet, në mënyrë që gjasme për ta “demokratizuar” edhe më tepër Turqinë, të bëhet president!
Kur t’i ketë skaduar ndoshta mandati i dytë presidencial pas disa vjetësh, Erdogani do shpallet pse jo edhe “Padishah”...s’i dihet asnjëherë.
Truri i sëmurë i një autokrati, është gjithnjë tejet krijues...për të keq!
Ç’na mbetet neve të bëjmë ndërsa “Ante Portas” vërejmë gjithë këto zhvillime lebetitëse?
Na mbetet të shohim, t’a ngulim vështrimin e t’i sintetizojmë mendjet, ndjesitë e shqisat nga PERËNDIMI!