Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Derra dhe derrkucë!
E hene, 09.06.2014, 07:05 PM
Derra dhe derrkucë!
Nga Elvi Sidheri
Në Tiranë deri pak ditë më parë po zhvilloheshin paralelisht dy greva urie...
Të them të drejtën, do pranuar fakti se greva e urisë, është një mjet ekstrem për të shprehur pakënaqësinë e akumuluar nga një shtresë apo grup individësh, ndaj qeverisë apo kujtdo institucioni shtetëror.
Shqipëria jonë ende (quasi) demokratike, pas viteve 90 dhe dërrmimit të regjimit stalinisto-enverist, si në shumë aspekte të tjera, njohu edhe një inflacion grevash, urie apo jo!
Greva e studentëve e vitit 91, që ndezi edhe fitilin e gremisjes së monumentit të shokut Enver në qendër të kryeqytetit, ishte dhe mbetet simboli i grevës së vërtetë, asaj që ngërthente arsye, shkaqe më tepër se të ligjshme, fuqinë e kësaj forme sublime të vetsakrifikimit njerëzor, forcën dhe vitalitetin e atyre të rinjve që sfiduan urinë dhe mbeturinat e monizmit, duke triumfuar njëherë e mirë mbi të keqen 50 vjeçare.
Ka patur edhe greva të tjera si ajo e minatorëve të Valiasit, pak a shumë në të njëjtën periudhë, por më të shpeshta e ciklike kanë qenë gjithësesi grevat e ish të përndjekurve politikë.
Kjo shtresë e vuajtur, e përndjekur, e nëmur, e shkelur dhe fyer, përçmuar e nëpërkëmbur (për fat të keq)...para dhe pas 90-ës...
Pati një grevë të njohur gjatë qeverisjes së parë demokratike, akt që tregoi se sadoqë herët, shenjat kishin nisur të bëheshin të dukshme, lidhur me faktin se situata e ish të përndjekurve në Shqipërinë e tranzicionit të parë, nuk ishte ajo që ata meritonin.
Më pas përfaqësuesit e kësaj shtrese, disa herë të tjera kanë kërkuar me anë të kësaj forme, realizimin (në të gjallë) të të drejtave të tyre.
Pas 97-ës kujtohet greva e urisë e Pjetër Arbnorit, një gjest fisnik i një njeriu me karakter të paepur.
Greva kamikaze e një grupi ish të përndjekurish pak kohë para rrotacionit të vjetshëm, më tepër se gjithçka, nxori edhe njëherë në pah, stadin e errët dhe tejet të thellë, ku ka arritur shkalla e manipulimit me këtë shtresë të përvjuajtur ndërkohë!
Dhe tani?
Tani “ata hanë si derra”!
Si derra pikërisht...
Pra, sipas thurësve të kësaj teorie tipike konspirative të modelit të “Fijeve që priten” të para 90-ës, ish të përndjekurit, ia paskan marrë një gostie, janë fryrë e nginjur, kanë ngrënë e pirë, janë zhdëpur në ushqim sa do të jetë duke u pëlcitur stomaku fare!
Edhe??!
Të mendojmë se një pohim i tillë nuk është thjesht një përçapje e mëtejshme (dhe e zakonshme)...për të denigruar sa grevën në fjalë, aq edhe vetë ata që kanë hyrë në grevë!
Ata, armiqtë e kllasës dhe të popullit, të partisë, të plloretariatit, kulakët, ballistët, kollaboracionistët etj, etj
Se ndër të tjera, edhe kjo fantazia tejet “produktive” e krijuesve të këtyre “scoop-eve” me ish të përndjekur grevistë urie që dënden në ushqim porsi derrat në llucë, rezulton të jetë sidoqoftë cazë e cekët.
Kujtojmë këtu për ata që e kanë memorien e shkurtër, që edhe ballistët përgjithësisht me “Lugë në brez” rrinin, vidhnin pula e kështu me rradhë!
Prandaj, neve sot në 2014-ën, pikërisht në muajin kur shkojnë europianët dhe na rekomandojnë edhe për Status të vendit Kandidat për antarësim në BE, u kujtojmë banorëve të Shqipërisë “demokratike” e pluraliste, që ish të përndjekurit e grevës së urisë, hanë si derra dhe shqepen në të ngrëna, fiks si ata ballistët e viteve 40-të të shekullit të kaluar.
U sqarua mesazhi pra?!
Kjo sepse Spaçi, Qafa e Barit, Burgu i Burrelit etj, duan apo s’duan disa, janë asgjë më pak sesa Aushvici, Birkenau apo Bukenvaldi shqiptar!
Për më tepër, do pranuar se Adolf Hitleri i çmendur, gjëmën preferueshmërisht ia bënte të tjerëve, pra hebrenjve dhe gjithë popujve të Europës ku shkeli çizmja pushtuese e ushtarëve gjermanë...
Kurse ky birboja ynë, Enver-djal(l)i...gjëmën më të llahtarëshme e mënxyrën më të zezë, ia “përkushtoi” me dëshirë dhe pasion, pikërisht dhe ekskluzivisht, popullit të vet, pra shqiptarëve!
Ky ishte Hitleri jonë i vogël.
Një Hitleruc, një Pol Potush version shqiptar (se trutë gjithësesi inteligjentë të Leninit, apo karizmën udhëheqëse të Stalinit, s’e pati kurrë).
Të dali ndokush në Perëndim e të guxojë që të përflasi, sikur edhe në mënyrë tejet finoke, hebrenjtë...
Se shabllonet lidhur me këtë popull nuk reshtin asnjëherë, fakt i ditur ky!
E pra, ja që nuk ndodh e nuk mund të ndodhi diçka e tillë, kurrë dhe në asnjë rrethanë.
Sepse në Perëndim, ka ligje që dënojnë specifikisht antisemitizmin, mohimin e Holokaustit, fyerjet dhe përçmimin ndaj hebrejve etj
Po të ndodhte largqoftë, që disa hebrenj, aq më shumë po të bëhej fjalë për njerëz të mbijetuar nga kampet naziste të shfarosjes në masë, të futeshin në grevë urie, të supozojmë...për të kërkuar çfarëdo të drejte të mohuar, atëherë bota e qytetëruar padyshim që do të ngrihej në unison në krah të tyre.
Menjëherë do të nisnin përpjekjet e gjithanshme për t’ua plotësuar kërkesat apo zgjidhur problemin që do i kishte shtyrë drejt këtij gjesti dramatik dhe mbi të gjitha, askush, po pikërisht askush, nuk do të kishte guxuar që të thoshte qoftë edhe shkarazi një fjalë kundër tyre, jo më të tallej me sarkazmën më monstruoze, siç ndodhi me ish të përndjekurit dhe grevën e tyre në Tiranë së fundi.
Hebrenjtë në Europë, kanë derdhur aq gjak, janë persekutuar e përndjekur aq shpesh, janë vrarë e mbytur në dhoma me gaz, saqë tanimë askush, asnjëherë, në asnjë rrethanë, nuk mundet të përgojojë më vuajtjen e tyre.
Edhe kur ndonjë racist digjet nga dëshira të tilla, ligji e ndalon dhe e DËNON!
Kurse nga anët tona, ish të përndjekurit fyhen ditën për diell e natën për hënë, sa herë që vjen data e rradhës që na kujton (se mos na lenë t’i harrojmë gjë?!)...ndonjë përvjetor të Partisë, Enverit dhe Pushtetit Popullor...
Kam bindjen se çdo shfaqje e portretit të merhumit e çdo grusht i ngritur drejt tëmthave të komunistëve të rinj apo të vonuar, ithtarë të matufjepsur në rini apo pleqëri, të regjimit kriminal që sundoi me gjak e përdhunë Shqipërinë përgjatë 45 vjetëve, janë plagë të reja të përgjakura që skuqin jo vetëm të tashmen e këtij vendi, por edhe trupin e lodhur (por të pakërrusur) të kësaj shtrese që akoma nuk po gjen prehje.
Asnjeri nuk e mohon se qeveritë e djathta, faktikisht mund të kishin bërë shumë, po shumë-shumë më tepër për ish të përndjekurit politikë.
Nuk mjafton retorika antikomuniste, as fjalët e bukura, as dëshira e mirë, as fatura financiare që shteti shqiptar ka përballuar nën këto qeveri, për të dëmshpërblyer këta njerëz, për t’ua lehtësuar atyre të tashmen së paku, pasi regjimi monist ua vodhi, ua rrëmbeu me dhunë rininë, jetën, të kaluarën.
E di si është puna?
Jo të hanë si derra, po të hanë si arinj, si luanë, si ç’të jetë, si t’ua ketë kokrra e qejfit!
Të hanë, të ngopen, t’a mbushin barkun e t’a gëzojnë jetën!
Mjaft ua ndaluan me ligje diktature, me vargonj e me zinxhirë burgjesh, bukën dhe lirinë këtyre njerëzve të fisëm.
Pse ç’donin këta “zbuluesit” e derr-ngrënies?
Që këta të ngratët të ushqeheshin prapë me bukën thatë dhe ujin e qelive moniste gjë?
Mënjanë që nuk u falet as indiferentizimi ndaj një greve të përfaqësuesve të kësaj shtrese, por tentativa për t’i njollosur, për t’i tallur e paraqitur si “llupës” të pangopur, është pak të thuhet, e ulët, e turpshme, antinjerëzore!
Zhurma mediatike që do lipsej të mbulonte këtë ngjarje, duke sensibilizuar opinionin e gjerë publik, rrëshket në fakt ca si shpesh në shkrime të modelit “Zëri i Popullit” 1946-1947 ose 1967, ku i përçmon, shpërfill, përbuz, e më keq akoma, “Fyen” pa pikën e pikës së skrupujve morale, duke i quajtur “Derra”.
Pas kësaj, nisur nga trendi gazetaresko-kanibalesk, pritet të dëgjojmë edhe: “Armiqtë e popullit në litar”!
...Kjo në mënyrë “gjithëpërfshirëse” për të persekutuarit politikë dhe fëmijët e tyre që kanë lindur e janë rritur internimeve në kushte skllavëruese.
Si derra kanë ngrënë, janë fryrë si kacek e janë majmur për dekada të tëra, pikërisht ata që këtyre njerëzve ua hoqën lirinë, që i plasën internimeve, që i varën, i pushkatuan, ua humbën kockat e varret.
Këta janë derrat e vërtetë, jo ata njerëz, burra e gra që rrinë në tenda dhe kërkojnë që shteti shqiptar, i majtë tani, i djathtë dje e ndoshta nesër, t’ua njohë vuajtjet e padrejta dhe t’u mundësojë një jetesë normale tani, sa kohë që të mbijetuarit e kampeve dhe burgjeve komuniste shqiptare, janë ende në jetë...
Se për elgji pas-vdekje, e dimë që nuk jemi keq si popull neve, jo për gjë!
Ushëtonte para 20 e ca vjetësh thirrja popullore: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”...
Mos e duan gjë si Korenë e Veriut këta?
Si të bëjmë ne sot?
Të mësohemi me etikemtimet famëkeqe si “armiqtë e popullit”, kulakët, elementët mikro-borgjezë antipushtet sërish?
Grevistët që po shpërfillen sot, janë shtresa e shoqërisë sonë, që na zbardh faqen nëpër botë e që tregon se ne kemi rezistuar, që kemi kundërshtuar një regjim despotik.
Ata kanë një status të veçantë që e kanë fituar me gjak.
Se mos kemi tjetër me çfarë të krenohemi ne?
A nuk e di bota se ishim vendi i bunkerëve, tollonave, priftërinjve të varur, intelektualëve të pushkatuar pa gjyq, i objekteve të rrënuara të kultit, i skenave të histerisë kolektive të varrimit të Enverit,i telave me gjemba?!
Bota normale, ka memorie të fortë, nuk vuan nga “amnezia” selektive (shokun Enver & Partinë, nuk e harrojnë kurrësesi, picirrën që kanë hequr ish të përndjekurit, e fshijnë automatikisht nga kujtesa)...si një pjesë e gjindjes tek ne.
Ata grevistë, kërkojnë edhe dënimin e simboleve të regjimit, për të mos harruar një ideologji obskurantiste, që ishte si të vinte direkt nga mesjeta e thellë feudale, drejt e në zemër të shekullit të XX-ë (A propos, e dini si e quante shoqja Lenka Çuko, shekullin e XIX-ë...”shekulli Xixë”!!).
Megjithë respektin e dashamirësinë për animalistët dhe për kafshën në fjalë, termi “Derra” që u është atribuar të persekutuarve nga diktatura, u shkon ku e ku më tepër përshtat atyre që hartuan kushtetutën me Nenin 55 dhe pasuesve të tyre...
T’a mbajnë me shëndet e ju Rruat!