E premte, 08.11.2024, 12:03 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Përshtypje nga Panairi i librit në Prishtinë

E premte, 06.06.2014, 08:25 PM


Përshtypje nga Panairi i librit Prishtinë...

Nga Elvi Sidheri

Nuk kam dashur kurrë në të vërtetë që të thur lavde apo që të merrem me kronika shpesh tejet “boring” (të mërzitshme për vdekje)...që mëtojnë të përshkruajnë evenimente të ndryshme artistike apo jo.

Por meqë më qëlloi të jem i pranishëm gjatë hapjes dhe ditëve të para të zhvillimit të këtij panairi, thashë që ca fjalë t’i përmbledh në këtë shkrim.

Për të qenë i sinqertë, nuk kam shkelur në ndonjë panair shqip libri, qysh nga viti tashmë tepër i largët 2002.

Atëherë (ka që thonë “asokohe, ose edhe “atë botë”, por unë krenarisht nuk hyj tek rraca e njerëzve që i përdorin këto terma të pakuptimtë, sa edhe të papropozueshëm)...panairi i librit i Tiranës, mbahej tek Piramida e merhumit, nën hijen dhe ndjesinë e pashuar të lugatit të shokut Enver, që mua së paku, më bëhej sikur ende xhironte nëpër hapësirat e pamata të mauzoleut të ish diktatorit tonë gjakatar.

Kujtoj që ka qenë muaji tetor i 2002-it, bënte pak fresk, ishte pasdite dhe ambientet e panairit qenë në fakt plot me njerëz.

Librat kishin mbushur stendat, letërsia shqipe dhe e huaj, gëlonte anë e kënd pra!

Që atë ditë të plot 12 vjetëve të shkuara, panair nuk pashë më personalisht...

Gjë që kurrësesi nuk synon apo për më tepër aludon të thotë, se cilësia e librit shqip dhe eventualisht e ekspozimit të tij përballë publikut libër-dashës, të ketë rënë apo të jetë dobësuar në ndonjëfarë forme!

Kurrësesi nuk po pohoja diçka të tillë.

Por sidoqoftë ja ku erdhi edhe 2014-a dhe udha më shpuri për në Prishtinën e këndshme...

Pranë asaj që mund të quhet si qendra e këtij qyteti kodrinor, ndodhet edhe Pallati i Rinisë, një ndërtesë madhështore, ngrehinë tipike e stilit ish jugosllav, me një arkitekturë imponente, që akoma mbetet si një nga pikat kyçe për t’u parë njëherë, kur vizitohet kryeqyteti i Kosovës.

E në të vërtetë si janë ngjitur shkallët e larta prapa monumentit unik të NewBorn-it, tashmë të lyer (who knows why??!)...me ngjyra ushtarake (të jetë ky një konfirmim i mëtejshëm se luftën shqiptarët e Kosovës e kanë fituar me armë, ashtu si edhe lirinë e tyre të paçmuar?!), të shfaqet përpara sheshi artificial i Pallatit të Rinisë, nga ku syri të zë godinat e larta qeveritare (ish Pallatin e Medias), Bankën e Kosovës, Hotel Grandin me ajrin e tij të pagabueshëm, sërish ala-jugosllav...dhe foton e madhe të Adem Jasharit në sfond.

Pak më tutje gjendet edhe ky panairi ynë.

Dita e martë 3 qershor, shënonte dhe hapjen solemne në fakt...

Priteshin autoritete vendase dhe nga shteti mëmë, përfaqësues (që nuk munguan)...të shtëpive botuese nga të treja anët e kufirit ndërshqiptar, artistë, kuriozë dhe mbi të gjitha ata, palca e një ngjarje të tillë kulturore, LEXUESIT pra.

Pasditja e së martës së parë të muajit qershor...dhe të stinës së sapoardhur të verës në përgjithësi, është e nxehtë.

Fryn njëçikë erë sa për lezet, retë vërviten përmbi Prishtinë duke kërcënuar (model kërcënimesh kineze të viteve 60-ë ndaj sipas tyre...”shkeljeve amerikane të hapësirës ajrore të Kinës së Timonierit të Madh Mao Ce Dun”)...me ndonjë shi të shëndetshëm.

Por qoftë edhe një pikë shiu nuk ka ndërmend aspak të bjerë dhe tashmë ceremonia është e sigurtë...

Midis të pranishmëve në hyrje të Panairit të Librit Prishtinë, spikasin organizatorët, ashtu si edhe shumë krijues, shkrimtarë e artistë të ndryshëm.

Nuk mungojnë kureshtarët dhe lexuesit e paepur, që pritet të mësyjnë panairin dhe stendat e librave, sapo të ketë përfunduar ceremonia zyrtare.

Por diçka (apo dikush??!)...mungon akoma!

Ah po, s’ka ardhur ende mikja nga Shqipëria, ministrja e Kulturës etj, etj...e cila gjithësesi është njeri i fushës dhe ka lidhje reale, përveçse institucionale me evenimentin ku pritet që të bashkë-presi shiritin e inaugurimit dhe të mbajë një fjalim modest të rradhës.

Ministrja arrin.

Ngjit edhe ajo shkallët dhe përparon me hap të vendosur drejt hyrjes së panairit, me syrin nga shiriti i inaugurimit dhe mikrofoni i fjalimit...

Nisin fjalët e mirëseardhjes për pjesëmarrësit.

Së pari nga organizatorët e këtij panairi.

Kujtohet fakti që një tufë përvjetorësh të rëndësishëm kanë koinçiduar këtë vit.

Kemi atë të Zef Serembes, të Shekspirit, të De Radës, të Sterjo Spasse-s e shumë të tjerëve.

Me këtë rast, dy aktorë të talentuar vendas nga Prishtina, recitojnë me ndienjë dhe përkushtim të prekshëm, “Të jesh a të mos jesh” të anglezit të madh, ashtu si edhe pasazhe nga vepra e De Radës.

Vjen turni i ministres nga Tirana, e cila nuk i tradhëton aspak pritshmëritë ndaj saj dhe mban një fjalim adekuat, me mungesë të theksuar pathosi, ku gjithësesi vlerësohet në masën e duhur, rëndësia dhe pesha e këtij panairi, ashtu si edhe fryma që ai përçon në Prishtinën përherë të apasionuar pas letërsisë dhe librit shqip.

Notat e vetë-lavdërimit nuk mungojnë sido që të jetë, teksa vetë-urohet puna e palodhur e qeverisë rilindase ku ajo bën pjesë, që sipas saj ka shpënë deri tek marrëveshja e fundit e unifikimit arsimor mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Fundja në Kosovë pikërisht, është kohë fushate elektorale (arsye për të cilën në ceremoninë hapëse, mungojnë gati totalisht, zyrtarët e qeverisë së Kosovës, të komunës së Prishtinës, apo të ndonjë partie politike)...dhe cazë importim fushate vetë-promovuese të sukseseve “madhore” të qeverisë në Tiranë, mesa duket lejohet.

Pastaj mikut nuk i prishet qejfi gjithësesi!

Sidoqoftë të ka qëlluar që në të njëjtën orë me hapjen solemne të këtij panairi, në stadiumin e Prishtinës, këtë ndërtim sportiv që dikur do të ketë njohur ditë më të lavdishme, me një strukturë moderne, tribunë kryesore të mbuluar, ndriçim dhe vendndodhje strategjike në qendër të qytetit...paralelisht të luhet një ndeshje play off-i për të hyrë apo mbetur në superligën vendase...

Thonë që në fushë po përballen Ferronikeli me Gjilanin më duket!

Betejë e vërtetë epike futbolli, me dy tifozeritë stoike që kanë zënë vendet e tyre brenda stadiumit, qysh para fillimit të ndeshjes.

Dëgjohen tupanët që kërcasin, boritë e festës, ulurimat dhe brohoritjet e tifozëve respektivë të dy ekipeve që padyshim do të jenë duke lënë shpirtin në fushë.

Ndërkohë që mundohem të ndjek fjalën e ministres nga Tirana, gjithësesi nuk mund të shmang idenë, se ky entuziazëm i tifozerisë kosovare, të bën të mendosh mirë lidhur me fatin e mëtejshëm të sportit të futbollit në shtetin e dytë shqiptar.

Aq tifozë sa ka në stadium për një ndeshje të tillë me vlerë hyrje-daljen nga liga e parë kosovare, në Shqipëri, vështirë t’i gjesh edhe në derbin e zjarrtë Partizani-Tirana!

Por afërsia (50 metra), mes stadiumit të Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë, bën që fjalët e ministres sonë nga Tirana, të ngatërrohen me buçitjet e gëzimit të tifozëve që ndjekin aksionet e ndeshjes.

Ministrja jonë e mençur, rezulton që t’a ketë vënë re këtë “interferencë” dhe ndërsa është duke folur për investimin e qeverisë ku ajo bën pjesë në kulturë, nuk harron pas oshëtimës së rradhës me origjinë stadiumin, të shtojë edhe fjalën “sport” me buzën në gaz.

Kaq, mbaroi edhe ky formalitet!

Shiriti pritet, të parët e vendit, botues, organizatorë, shkrimtarë e artistë, çajnë përpara si luanë drejt brendësisë së panairit dhe njerëzia e dëshiruar për prozë e vargje librash shqip (të shkruar në gjuhën tonë të lashtë, apo të përkthyer mjeshtërisht ose diletantisht nga gjuhët e të huajve), mësyn e bindur prapa tyre me vendosmëri.

Të ishte për mua, do të sulmoja me ëndje, direkt stendat ku do të ndodheshin “Të jetosh në ishull” i Ben Blushit, ndonjë libër i të ndjerit Kasoruho si dhe të dashurit e mi fjalorë.

Por si rastësisht pranë stendës ku gjenden disa prej këtyre librave, qëndron edhe miku im Albatros Rexhaj, i cili me penë në dorë dhe përherë mikpritës e buzëqeshës, pret i gatshëm të firmosë, shkëmbejë dy fjalë e përse jo, të fotografohet nga fansa e lexues/e të tij të shumtë/a.

“Edith” fundja jo më kot ka thyer mjaft rekorde deri tani...

Nga e ardhmja, pritet edhe më tepër!

Dita e parë paraqet po ashtu, mënjanë mijëra botimeve e ribotimeve të shumta, edhe prezantimin e parë publik të një autori të ri, shqiptarit me banim në SHBA, Erjus Mezinit.

Erjusi ka gjetur “folenë” e botimit të tij, tek shtëpia botuese kosovare Buzuku dhe tek gatishmëria e z.Abdullah Zeneli, këtij njeriu të thjeshtë e të gjindshëm, që mbetet një pikë referimi për këdo që ka të bëjë me këtë panair.

Abdullahu në fakt, me plot të drejtë, ndihet krenar edhe për një arsye tjetër, përveç mbarëvajtjes së dukshme të ditëve të para të panairit prishtinas të librit.

I ftuar special i këtij evenimenti, është edhe një shkrimtar i ri francez, një djalë në pamje të parë i ndrojtur (Eduard Luis), i cili ka zgjedhur pikërisht Prishtinën si stacionin e parë të prezantimeve të librit të tij.

Thuhet që atë e prisnin dhe vazhdojnë t’a presin në Milano për shembull ku një shtëpi prestigjioze italiane botuese është marrë me librin e tij, por ai ka dashur të shkelë në Prishtinë më parë...

Autori i ri francez, vjen tek publiku i gjerë, duke i tejkaluar kufijtë e vendit të tij, me një libër që thyen shumë tabu, që shpërfaq për së brendëshmi, në mënyrë intime mjaft pikëpyetje të shoqërisë franceze, duke vënë në mendime po aq një lexues shqiptar, italian, amerikan etj.

Ai sipas fjalëve të veta, pasi ka kaluar nëpër një përvojë “vetë-rikrijimi”, është ndjerë i rrezatuar, sapo është gjendur në Prishtinë, ballëpërballë me monumentin më emblematik të Kosovës së pavarur, me NewBorn-in pra...

Një shkrimtar i ri, një njeri që ka ditur edhe nëpërmjet shkrimit, që të “ri-krijojë” unin, vetveten e tij, që takon simbolin e një vendi të lindur sërish!

Përkthimin e këtij libri, siç tregohet përpara të ftuarve dhe shtypit në prezantimin e shkrimtarit francez (të përkthyer në shumë gjuhë, libri i të cilit, që nga janari i këtij viti, është shitur në mbi 170 mijë kopje), e ka marrë përsipër një përkthyese e zonja (Anila Xhekaliu) në bashkëpunim me botuesin Abdullah Zeneli, një njeri i penës, përveçse i biznesit të botimit.

Në fund të kësaj kronike “besnike” të ditëve të para të këtij panairi, ku vërtetë mungon në pamje të parë luksi i godinave moderne të Tiranës, por ku ekziston ende dëshira për të lexuar dhe shkruar në shqip, të mbetet e gjallë përshtypja se megjithë andrallat dhe dyshimet e rastit, libri dhe lexuesit shqiptarë, duket të jenë akoma mjaft në sintoni njëri me tjetrin.



(Vota: 10 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora