Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: “Statusi” nuk na bën europianë!
E marte, 22.07.2014, 08:20 PM
“Statusi” nuk na bën europianë!
Nga Elvi Sidheri
Qemë të shumtë ne që u ngazëllyem nga akordimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë pak kohë më parë.
Ishte një lajm madhështor, fryt i një punë e përkushtimi të gjatë të disa qeverive shqiptare, i një tranzicioni të pafund të kësaj shoqërie post-diktatoriale, i vizionit perëndimor të palcës europianiste të skeletit dhe shtyllës kurrizore të kombit shqiptar, të atyre rilindasve që në shekuj patën predikuar Europën si destinacion të vetëm për këtë vend e popull të shumëvuajtur.
Statusi në realitet do të thotë ligje, sjellje respektim normash e konventash të shumta, ndryshim mendësish e përqasje tashmë vërtetë “eurpiane”, përballë mijëra problemeve të përditshme, të trashëguara apo jo nga e kaluara e makthtë, që ende përjeton shoqëria dhe shteti e institucionet shqiptare.
“Kandidat” është një term që ndër të tjera më sjell ndërmend në kohë të shkuara, mësuesit zëvendësues në shkollat 8 vjeçare të Tiranës së viteve 90-të...
Ishin këta mësues në hapat e parë të profesionit të tyre tejet fisnik, ata që teksa vinin për të mbushur orët e mësimit të mbetura të zbrazura si pasojë e mungesës së mësuesve titullarë...për ne nxënësit adoleshtentë të etur për liri, mishëronin mundësinë më tepër unike sesa të rrallë, për të shfryrë “dufet” tona të lashta ndaj kontigjentit “zysha-profesorë”!
Mësuesit e rinj të ashtëquajtur “kandidatë”, nga ne zakonisht priteshin me imitime të klithmave shtazore (“beee-meee-muuu”), sfida zanore ndaj autoritetit të tyre të munguar, apo edhe me kopjime të hapura në mes të orës të mësimit, ndërsa ia këpusnim “kokrrës së muhabetit” në bankë ose në mënyra të tjera tejet krijuese.
Sfida ndaj autoritetit, ka qenë përherë një karakteristikë e sjelljes së “homo albanensis” fundja, ne nuk ishim të parët e as të fundit!
Përse gjithë ky mënjanim në dukje nga tema gjithësesi?!
Shpjegimi është i thjeshtë...
Ngaqë edhe vetë qënia e Shqipërisë si vend “Kandidat” për në BE, ngjan deri në njëfarë pike me një gjë të tillë.
Si “kandidat”, vendi ynë do të shihet me dyshim, do të jetë vazhdimisht në provë, do të nevojitet që t’a tregojë veten papushim, do t’i duhet të përçojë vendosmëri e autoritet, përpikmëri në zbatimin e rekomandimeve që do t’i jepen, punë të palodhur e shpirt të paepur.
Ndryshe, Brukseli dhe vendet anëtare të BE-së, secili mund të nisin e të ushqejnë mëdyshje lidhur me aftësitë tona dhe përkushtimin e seriozitetin e Shqipërisë si shtet, institucione e shoqëri, për atë që ka të bëjë me udhën e gjatë e të koklavitur të shëndrimit të “Kandidaturës”, në negociata antarësimi.
Ndërkaq, përveç këtij aspekti kaq themelor e të pashmangshëm nga çdo analizë e qenësishme post-status...sidoqoftë vetëm dy nga ngjarjet e ditëve të fundit, të vënë thellë në mendime e dilema shekspiriane, lidhur me fatet dhe perspektivat shqiptare të së tashmes e së ardhmes.
...Monumentit të Pavarësisë në mes të Tiranës, i vidhen një dorë pllakash bronxi (4 deri në 7 të tilla)!
...Një burrë në fshatrat e Fierit, me armë në dorë, vret me rradhë dy vëllezërit e vet, kunatën dhe mbesën, për shkak se mbesa 17 vjeçare do fejohej, e ai nuk kishte qenë aspak dakort me një fakt të tillë!
...Në fund masakruesi masiv në fjalë, nuk harron edhe t’ia ngjeshi vetes një plumb në një arë misri.
Megjithëse ngjarjet nuk funksionojnë e as që mund të riprogramohen sipas një këndvështrimi apo dëshire të mirë me efekte “a posteriori” (të mëpasshme), sidoqoftë faktikisht do të kishte qenë ku e ku më mirë, që gjërat të kishin ndodhur me rradhë, por në krah të kundërt kohor...
Pra që vrasësi serial t’a kishte nisur me veten...e t’i linte të qeta (të gjalla) dhe në jetën e tyre, të katërta viktimat e pafajshme që mori në qafë për një marrëzi tipike të mendësisë mesjetare, për fat të keq “shqiptare”!
Dikujt me të drejtë të plotë do t’i lindte ideja e mirëarsyetuar, që po të kishte qenë fjala largqoftë për ndonjë “martesë” apo “shtatëzani” të mbesës së tij të ngratë, e jo vetëm për një çështje “fejese”, vrasësi pa iu dridhur qerpiku, do t’a kishte shfarosur krejt fshatin e tij, megjithë qen e mace, lopë e buaj...
Jo shumë kohë më parë, tre persona të tjerë u shfarosën në një fshat të Tiranës, pikërisht për arsye të “paarsyeshme” të këtij lloji, nga ato të kobshmet që kanë vite që bëjnë gjëmën mes shqiptarësh e që dominojnë nëpër hapjet e edicioneve informative të televizioneve tona, të mbiquajturat “motive të dobëta”!
Jo se krime xhelozie apo marrëzie nuk ka e nuk ndodhin në Perëndim, që të kuptohemi.
Ndodhin që ç’ke me të edhe aty!
Puna është se ndërkohë në Shqipëri, nuk ekziston as vullneti më minimal për t’a luftuar krimin në familje.
Shfaqjet e kësaj demence mendore, kësaj prapambetje makabre kulturore e psiqike, këtij pasioni gjakësor që sheshon e godet në zemër çdo vlerë të mbetur të jetës njerëzore, të forcës dhe kuptimit të “familjes”, këtij institucioni dikur të shenjtë ndër shqiptarë, që tashme me kohë ka marrë të tatëpjetën e sa vjen e shkërmoqet nën goditjet vrastare të kallashëve, hanxharëve e sëpatave .
Ky është një kalvar i gjatë e pandaltë, që si një epidemi dërrmuese, po i nxjerr fundin dhe po i vë në pah në mënyrën më të qartë kësaj shoqërie, mangësitë e saj më të prekshme, më të rrezikshme e më problematike.
Shqiptarët është e kuptueshme që nuk venë të vriten ditë për ditë me njëri-tjetrin, daja me mbesën, xhaxhai me kunatën, motra me tezen, fqinji me fqinjën, i fejuari me të fejuarën, ashtu kot, për qejf, se nuk kanë tjetër me çfarë të merren...
Jo, kurrësesi!
Shqiptarët vriten e theren përditë, duke i tejkaluar edhe kufijtë më të egër të së imagjinueshmes, duke shkelur edhe kodet themelorë të etikës njerëzore e familjare, për arsye të shumta, të vjetra e të bashkëkohore.
Shqiptarët janë të varfër.
Shqiptarët janë prej vitesh, shekujsh, të pashpresë.
Shqiptarët ushqehen (mënjanë qendrave dhe lokaleve ultraluksozë, vilave apo zonave rezidenciale të qyteteve të mëdha)...keq!
Shqiptarët gëzojnë rrallë.
Shqiptarët e shohin ngahera shtetin dhe institucionet që duhet t’i përfaqësojnë e të përkujdesen për ta, si të huaj, si shfrytëzues, shpesh si armiq.
Shqiptarët druajnë nga e sotmja dhe më shumë nga e nesërmja,
Ndiejnë pasigurinë, mizorinë dhe brishtësinë e jetës në thelbin e saj.
Shqiptarët janë aq inteligjentë sa të kenë kuptuar prej kohësh se Europa ku ata përkasin, në territorin e të cilës ata dhe stërgjyshërit e tyre kanë lindur e jetojnë sot e përgjithmonë, ka mbetur për ta akoma e më tepër, si një nocion abstrakt që përkufizon së largu trajtat e një mirëqenieje të paarritshme, të dashur e të ëndërruar, por përherë të paprekshme nga brenda kufijve të shtetit të tyre amtar.
5 shekujt osmano-orientalë dhe 50 vitet monistë, shqiptarit ia kanë ngulitur ligjin si “imponim”, si “detyrim”, si formë të përdhunshme të vendosjes e zbatimit me mjete të pandershme, të vullnetit të një zgjedhe të huaj apo vendase, gjithësesi diktatoriale.
Atëherë?
Atëherë ata ligjin shkojnë dhe e bëjnë vetë...
Marrin kallashin tonë të dashur, atë armë sovjetikë të shpikur nga një ushtarak rus dekada më parë, që ka mbjellë vdekje anembanë botës më tepër se dy bombat bërthamore në Hiroshima e Nagasaki, atë armë që na ka mbetur si njollë në sytë e habitur të botës së qytetëruar qysh nga viti i mbrapshtë 97...dhe rendin e ligjin, sidomos në familje apo rrethinë të afërt, e vendosin vetë shqiptarët.
Kështu domosdo që pa u menduar gjatë, e mbi të gjitha pa gjyq, pa ligj të mirëfilltë shteti, pa proces e “burokraci” të ngjashme, nga ato që një dorë vrasëse do e vononin cazë tepër, duke ia pakësuar apo eliminuar tërësisht dëmet njerëzore, shqiptari përgjithësisht e merr vetë armën në dorë, të nxehtë si flaka e tytës së automatikut apo të ftohtë si tehu i mprehtë i thikës të jetë ajo...dhe vret këdo që i zë rrugën apo i del përpara!
Mos
kujtoni se në këtë pikë kemi ndonjë ndryshim nga ata që lapidojnë e vrasin me
gurë gra të pafajshme në
Asnjë ndryshim nuk ka!
Ligji në Shqipëri nevojitet patjetër që të zbatohet, të përshkallëzohen e të shtohen dënimet ndaj atyre që vënë dorë apo vrasin brenda familjes, për cilindo motiv qoftë.
Por gjithashtu, është mëse e nevojshme që shqiptarët t’a kuptojnë se së pari, tashmë në vitin 2014, ligji nuk është më armiku i tyre, që gjykata vendos sipas ligjit dhe që shteti i përmbahet pikërisht e vetëm ligjit.
Sidomos kur këto ligje të shtetit tonë “kandidat për t’u bërë demokratik”, do të vijnë duke u përputhur gjithnjë e më tepër me ligjet përkatëse të vendeve të qytetëruara të Bashkimit Europian.
Mentaliteti vrastar shqiptar i modelit “do marr çiften, do dal për gjah kunatash, mbesash, vëllezërish etj”, nuk do ndalet vetë si me magji, as do të zhduket “me urdhër të peshkut” nga sot-nesër.
Nevojitet që shteti të bëjë vërtetë “shtetin” e që populli i cili këtë shtet e voton e i paguan taksat , të luajë më së miri rolin e tij prej qytetari europian të shekullit të XXI, jo atë të anadollakut halldup pushkë-dashës mendjengushtë mesjetar.
“
Duke i qëndruar besnik frazave të njohura të para viteve 90-ë, unë ndërkaq gjithë këtë çështje, do t’a përkufizoja kështu “Shkëlqimi dhe rënia e një monumenti”!
Një monument që u duk se në kohë të vet, për shkaqe të paqarta e të panjohura, u ngjiz e u vendos aty, shpejt e shpejt...me po kaq shpejtësi tanimë po lihet të rrënohet në mënyrë aspak të denjë për atë çfarë kjo vepër simbolizon.
100 vjetët e parë të jetës së shtetit modern shqiptar, nuk do mend që meritonin më shumë sesa vetëm zmadhimin e cekët monumental të një libër të hapur me firmat e burrave të pavarësisë së 1912-ës.
Ndër shqiptarë, gëlon padyshim shumë më tepër shpirt krijues patriotik, që do të ishte shprehur në një pafundësi mënyrash më të gjetura e interesante se ky monument, sidomos për hir të shekullit të parë të Shqipërisë bashkëkohore.
Por “dhunimi” që i është bërë këtij monumenti, është sidoqoftë një fyerje e pastër dhe e hapur ndaj çdo shqiptari papërjashtim, një turp i pashlyeshëm për nderin tonë kombëtar.
Më tej kush e ka rradhën?
Shpata e Skënderbeut?