Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Botëror futbolli...vrasje...Enver!
E enjte, 03.07.2014, 08:05 PM
Botëror futbolli...vrasje...Enver !!
Nga Elvi Sidheri
Padyshim që temperaturat e larta verore, të pashmangshme për një vend mjaft mesdhetar, megjithë tendencat e tij malore, siç edhe është Shqipëria, të shtyjnë të mos ia vësh së tepërmi veshin politikës ditore apo gjëmave të “zakonshme” të përditshmërisë shqiptare.
Unë vetë sigurisht që preferoj Botërorin Brazil 2014, golat e shumtë, driblimet, emocionet deri në limit, shtesat, penalltitë e dhëna e të padhëna, gjithë atë dramë tërheqëse sportive, që loja e futbollit na fal njëherë në 4 vjet, sa herë vjen koha e Botërorit të rradhës.
E do të ishte tejet normale në fakt, që kjo verë shqiptare, të kryqëzohej mes një plazhi, një xhiroje në ajrin e pastër të ndonjë lugine të gjelbër dhe një ndeshjeje të fortë të transmetuar drejtpërdrejtë nga stadiumet braziliane, për shikuesin e etur për futboll e gola...
Mirëpo siç dihet, neve si popull nuk na mjafton kurrë realiteti i ashtëquajtur “i thjeshtë” !
Fundja, sikur s’ka kripë fare dita pa një vrasje, ca krisma, të vrarë, të therur e të plagosur !
Trupat eiltë të komandove të ushtrisë sonë, vërtetë që i kemi shpënë gjer në anën tjetër të botës, në Afganistanin e shkëmbinjve dhe tokës së djerrë, por meqë pak aksion për ne nuk është kurrë i tepërt, atëherë gjithësesi kemi aftësinë e veçantë, që të sajojmë brenda ditës, sa hap e mbyll sytë, edhe rrethime luftarake model Ukraine Lindore, me autoblinda që çajnë përpara si shigjeta brenda një fshati, që tashmë “rebel” ka mbetur vetëm në memorien kolektive.
Në fakt
para ca ditësh, teksa ndiqje imazhet e përparimit policor në Lazarat, të dukej
se ishe duke parë skena nga ngjarjet në Slavjansk apo
Sikur ndokujt, ndonjë gazetari perëndimor për shembull, t’i kishte rënë rruga rastësisht përmes Shqipërisë sonë, atëherë i ngrati do t’a kishte ngatërruar me të drejtë fshatin e famshëm të Gjirokastrës gjatë ditëve të operacionit zhurmëmadh policor, me Republikën fantazmë të Donbasit.
Sidoqoftë, e gjithë sipërmarrja lazaratase, përveçse vendosi forcën e ligjit, edhe në këtë pjesëz të vockël territori shqiptar, bëri po ashtu të mundur edhe që batuta e njohur e viteve 90, sipas së cilës, kishte qenë një sukses kur një polic “pati hyrë...dhe dalë” nga Lazarati, tanimë të përditësohej sipas versionit të ri që na tregon se më në fund, policia “hyri dhe ndenji” brenda në Lazarat.
Mënajnë shumë meritash e pikëpyetjesh që la pas kjo ndërhyrje, mbetet një mister, lidhur me “pasuritë përrallore” që trumbetoheshin masivisht sikur fshiheshin në Lazarat...
Tani, këto 4.5 milard eurot e lëndëve narkotike të këtij fshati, do të duhej të bënin të mundur që banorët e tij, tekstualisht, të lundronin, të laheshin në lekë e euro mundësisht !
Kurse sipas dëshmive të kamerave televizive që hynë me kërshëri të shtuar në fshat bashkë ose menjëherë pas depërtimit të policisë aty, shtëpitë lazaratase, nuk tregonin asnjë ndryshim të dukshëm, me ato të qindra fshatrave të tjerë shqiptarë.
E do pranuar, që fshati dhe fshatari ynë, i pasur nuk është, i varfër po !
Pohim që i përshtatej plotësisht edhe pamjes post-çlirim të Lazaratit tonë “ish rebel”.
Me një xhiro fitimesh nga mbjellja dhe tregtimi i substancave narkotike të paligjshme, prej siç thuhej, 4 milard e gjysëm eurosh, Lazarati ynë, duhej të garonte apo të krahasohej direkt me Dubain, Abu Dabin ose Kuvajtin, për nga pasuritë e tij përrallore !
Dyert e shtëpive, rubinetat e çezmave dhe lavamanëve të shtëpive lazaratase, do të duhej të qenë të tëra të lara në ar, secila shtëpi e atyshme, do të duhej të kishte së paku nga një pishinë, dy Porsche, një Mercedes ulurimë të ri fringo, një Ferrari, Lamborghini etj për famlije, njëlloj si sheikët dhe princërit e krimbur në pasuri, të Arabisë naftëmbajtëse !
Edhe ato plakat e gjora të atij fshati, që ankoheshin para kamerave, do të duhej të venin disa herë në vit, për kroçiera miliardere nëpër brigjet e detit Mesdhe, apo me jahtet luksozë të bijëve të tyre, në vend që të strukeshin në shtëpi, gjatë ditëve të rrethimit çlirimtar.
Por në të vërtetë, Lazarati kishte disa rrugë të ngushta, mure të larta, kodra të mbjella me kanabis me shumicë e pakicë, kapanone të mëdhenj, ndonjë lokal fshati, ca taraca me panoramë të këndshme, ndonjë rrap shekullor, një shesh qendror e asnjë gjë më tepër.
Kështë që në fund të tregimit, Dubai dhe Abu Dabi, shpëtuan nga “konkurrenca” lazaratase, sepse siç po rezultuaka, ato 4.5 milard eurot që ky fshat 4 mijë frymësh do të duhej të fitonte rregullisht nga trafiqet dhe mbjellje, korrje-shirjet e paligjshme, mbeten tepër fantomatike për të qenë të rrënjosura pikërisht në këtë fshat.
Ndërkaq, teksa në aksionin madhor për të hyrë dhe vënë nën kontroll Lazaratin, për fat nuk pati asnjë viktimë, rreth e përqark vendit, kështu nuk ndodh...
Kujtoj një skenë nga filmi komik “Scary Movie” i para disa viteve ku dy bashkëbisedues telefonikë komunikonin kështu: “ What you doin’, son?-Nothin’...Just chillin’...killin’...”
Realiteti vrastar shqiptar, kam përshtypjen se është plot me raste të tilla të ngjashme, kur shumëkush, vetlëm “shtyn kohën dhe vret njerëz”, kurdo e kudo, pa iu dridhur aspak qerpiku !
“Just chillin’...killin’...”!
Për t’a mbyllur, do të doja të merresha sërish me rezultatet dhe performancat ekipore apo individuale të ekipeve pjesëmarrëse në botërorin e futbollit në Brazil, por edhe njëherë si Fant Spathi më dolën përpara në ofertën “Merr dy-paguaj një”, si politikani me eksperiencë Milo dhe akademiku i matufjepsur Qosja...
Është e kuptueshme, që njeriu bindjet nuk mundet t’i ndryshojë në moshë të thyer.
Ndërkohë, sidomos shoku Qose, provat e besnikërisë ndaj merhumit, i ka dhënë prej kohësh sa herë i është paraqitur rasti, kështu që përsiatjet e tij filo-enveriste, më tepër tingëllojnë si rutinë, sesa thjesht provokim.
Së fundi është thënë se Enveri e pati shpëtuar Shqipërinë nga një ndarje midis grekëve dhe jugosllavëvë...
Mirë, në rregull.
Kur, si, qysh, tek, përse?
Se edhe ne të tjerëve që nuk shfaqim simptoma thelbësore indoktrinimi ideologjik, të paktën jo aq sa t’a hamë vullnetarisht sapunin enverist për djathë, na lind e drejta që pyesim pak, se nga i gjejnë burimet e pohimeve të tilla këta njerëz?!
Thënë shkurt e me pak fjalë, Enver Hoxha gjallë në botë se e shpëtoi apo mbrojti Shqipërinë, as nga jugosllavi, e aq më pak nga greku i keq!
Jo kurrësesi, dhe për fat të Zotit, faktet na japin 100% të drejtë neve të tjerëve, që Çezarit i japim atë që i takon Çezarit dhe Enverit atë që i takon një satrapi sadist.
Republikë të shtatë të Jugosllavisë, Shqipërinë, të paktën deri në vitin 1948, do t’a bënte marshalli Tito, me mbështetjen e plotë të shokut Enver.
Shoku Enver drejtonte deri në vitin 1948 një parti (komuniste), të themeluar nga shokët jugosllavë Mugosha, Popoviç, Vukmanoviç Tempo etj, një shtet shqiptar që kishte hequr doganat me Jugosllavinë federative të druzhe Titos dhe që po shkonte me hap të shpejtuar drejt unifikimit të monedhës me jugosllavët po ashtu.
Enver Hoxha që na paskërka mbrojtur nga Jugosllavia, e kishte lënë aparatin shtetëror shqiptar, deri në 1948-ën, që të krimbej me këshilltarë jugosllavë, apo ithtarë të tyre, ndërsa edhe Sigurimi famëkeq i Shtetit, ishte krijuar nën imazhin dhe shëmbëlltyrën e metodat çnjerëzore, të praktikuara pikërisht nga UDB-ja jugosllave.
Enver Hoxha... i njëjti që sipas këtyre pohimeve, po na ruante nga jugosllavët, për hir të po këtyre jugosllavëve, i pati çuar me shoqërim të partizanëve të tij shqiptarë, mbi 5000 kosovarë të pafajshëm , pas një marshimi sfilitës nëpër territorin shqiptar, për në Tivar, ku ata qenë sharruar nën plumbat jugosllavë.
Më keq ishin!
Zoti Milo, padyshim që e di shumë mirë, se i adhuruari i tij Enver, i skërmitej forcave nacionaliste qeveritare greke, duke i dhënë mbështetje të pakushtëzuar si në armatime, aq edhe në logjistikë apo territor, partizanëve komunistë grekë, që fshiheshin në malet e Pindit dhe të Gramozit.
E përse vallë i duhej shtetit të brishtë e të varfër shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore, që të ngatërrohej me fijet e koklavitura të Luftës Civile Greke?!
Po ja, për shembull, për shkak se nga njëra anë Stalini mbështeste partizanët komunistë grekë, e nga tjetra, për arsyen e thjeshtë, se marshalli Tito, ia kishte vënë fort syrin portit të madh strategjik të Selanikut, në rajonin e Maqedonisë greke, aty ku veç të tjerash, banonte edhe një komunitet i madh sllavofon filo-jugosllav.
Në këtë mënyrë, për t’i bërë qejfin Stalinit e sidomos orekseve ekspansioniste të druzhe Titos (ëndrrave të tij me Detin Egje), shoku Enver, gërricej pa nevojë me palët ndërluftuese në Greqi, duke rrezikuar integritetin territorial shqiptar e duke u futur pa asnjë arsye të mirëfilltë, në një konflikt që s’kishte të bënte me Shqipërinë.
Por, gjithësesi jemi të vetëdijshëm, se Qosja & CO, përveçse po mprehin gojën, të gatshëm për të grirë sallatën e rradhës, duke gjetur ndonjë rast tjetër për t’i thurur lavde shokut Enver, janë një specie më vete e zinxhirit evolutiv njerëzor, që stadin specifik të “Enver-Glorifikimit” nuk e kapërcejnë dot në asnjë rrethanë!
Rexhep Qosja se ç’kishte edhe ai një përvjetor para do kohësh, ku u ngritën e vajtën me kuç e me maç për t’a përshëndetur e uruar edhe atë...
Të habit fakti sesi (dhe pse?) ky njeri, simbol i truzbrazjes komplete enveriste, nderohet vazhdimisht në Shqipëri.
E habitshme vërtetë kjo!
Një personazh ora e të cilit duket sikur është ndalur në mos në 85-ën kur ngordhi merhumi, të paktën para dhejtorit 90.
Rexhep Qosja është jo rastësisht një njeri që personifikon në gjithë qënien e tij obskurantisto-orientalisto-enveriste, të kundërtën e figurës më të shquar moderne të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pra të Ismail Kadaresë.
E sërish nuk është rastësi, që këtë personazh grotesk, këtë humbameno të kulturës shqiptare, këtë mëkëmbës të titizimit dhe shërbëtor të bindur të enverizmit, e mbështesin e promovojnë, pikërisht ato qarqe që përveçse qajnë ditë e natë me dënesë diktaturën, njëkohësisht edhe sulmojnë pareshtur Kadarenë dhe prirjet e tij përparimtare, europianiste e perëndimore.
Si përfundim, më mirë e më e shëndetshme, është t’i kthehemi botërorit, lojërave të bukura, golave, stadiumeve të mbushura me tifozë në delir.
Realiteti futbollistik veror, është ku e ku më tërheqës e çlodhës sesa vrasjet, Qoset, Lazaratët.
Tashmë që u bëmë vend edhe me Status të vendit Kandidat për në BE, na takon që t’i buzëqeshim më tepër të ardhmes, mjafton që edhe ajo të na buzëqeshë çiltërsisht ne!