Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Popull obez (ose thjesht “Pis milet”)
E marte, 12.08.2014, 08:05 PM
Popull obez (ose thjesht “Pis milet”)
Nga Elvi Sidheri
Një ditë prej ditësh, në vendin e ashtëquajtur “të shqiponjave” (unë për vete, asnjë kokërr shqiponje nuk kam mundur të shoh t’ia marri fluturimit qiejve të atdheut në kaq vjet...mesa duket “na ka lënë njëherë e mirë pendët” shpendi ynë kombëtar e na mbetet vetëm t’a admirojmë praninë e saj krenare në flamur tashmë)...u dëgjua sërish në mes të kësaj vere të vapët pas shirave të shumta, se problemi “Nr 1 “ për Shqipërinë dhe banorët e saj, është “obeziteti”!
Dëgjuat popull?
More njerëz obezë, gjindje e egër pa norma estetike, popull që nuk dini sesi t’i luftoni kilet e tepërta, që lejoni t’ua mbulojë celuliti kofshët dhe ijet e grave apo të dashurave tuaja dikur elegante, burra që barqet u fryhen porsi kacekë, shqiptarë që rreth të pesëdhjetave të jetëve tuaja “të papërfillshme dhe obeze”, shndroheni pashmangshëm, në persona “tullacë e barkderra”, aq sa të na e nxini faqen përfundimisht përballë botës së qytetëruar...
Si nuk morëm vesh njëherë të gjithë, se linjat trupore, gjimnastika e mëngjesit, fiskultura, implantet e dhëmbëve dhe flokëve (të shtrenjta tekstualisht dhe jo për lojë fjalësh, pikërisht “sa qimet e kokës”...po kujt i plasi fundja?!), kostumet “firmato”, imazhi estetik i përkryer i mëmëdheut tonë të dashur dhe i banorëve të tij...të varfër xhepashpuar e duar(barqe)zbrazur...janë “ABC-ja” e vlerave që nevojitet të përvetësojë tani e tutje ky shtet në të ardhmen e tij të rilindur, status-marrë europiane?!
Ky është vizioni i vërtetë “vizionar” që prin si shigjetë drejt integrimit dhe ardhmërimit të mëtejshëm, Shqipërinë pa shqiponja (të gjalla) dhe gjindjen njerëzore jo-estetike që guxon akoma të frymojë mbi këtë truall, duke rënduar mbi të paturpësisht, megjithë ato shumë kilogramë të tepërt nëpër trupat obezë të këtyre banorëve të cilët ende s’e kanë kuptuar se “obeziteti është i barabartë me njëmijë të zezat”!
Sepse në fakt, obeziteti ose mbipesha apo thënë ndryshe edhe “bolucizmi”, “buçkizmi”, “bufalaqizmi”, “byçë-madhizmi” tipik i shumë shqiptarëve pa përjashtim seksi, feje, krahine dhe ideje, “kokëmadhizmi”, “bullarizmi” e shumë terma të tjerë popullorë që përkufizojnë më së miri këtë fenomen aq të anatemuar me shumë pasion së fundi nga qeveria shqiptare në rilindje të zgjatur (1 vjeçare), rezulton të jetë sipas këtij këndvështrimi linjadashës qeveritar, thelbi, “il nocciolo della questione”, bërthama e çështjes siç do e thoshin italianët fqinjë, pa i dalë në fund të cilit, gjallë në botë, “vaj me det” për të gjitha “zullumet” e tjera të problemeve të shumta shqiptare!
Vriten e shfarosen, theren e priten, kapen për flokësh, zdrugohen në dru, “shkapeten” (në Shkodër e kuptojnë këtë...) njerëzia përditë, bien humnerave apo ngulen shtyllave anës rrugëve të pamirëmbajtura nacionale, qytatese ose autostradave të vendit, ikin dritat, vidhen kabllot, u alergjizohen papushim flegrat e hundëve turistëve vendas e të huaj, brigjeve gjasme “elitare” të detrave tanë, nga pirgjet kundërmues me vargmale (më të larta se vetë Andet)...plehërash në stade të rrezikshme putrifikimi, gjithësesi asnjëri prej këtyre sidoqoftë nuk e meriton të cilësohet si një “problem” prej vërteti, para lugatit “obezitet”.
S’ka kështu më, as gërr-vërr e as “cic-mic” e tërci vërci, marsh të bini në peshë, luftë e pakompromis ndaj secilës shfaqje të palejuar të mbipeshës, betejë e ashpër me tulet e tepërta trupore të nënshtetasve të kësaj republike, nxjerrje jashtë ligjit e dhjamosjes, bufosjes!
Ka mundësi ndërkohë edhe që të ndalohet me dekret apo ligj të veçantë fenomeni i meteorizmit në zorrë, që shkakton “ato fryrjet e pakëndëshme” në stomak...kështu fundja shpëton shoqëria edhe nga “pordhët” e tepërta...
“Pjerdhja” faktikisht mund të konsiderohet po ashtu si një fenomen përveçse qartësisht “erëkeq”...gjithëkaq aspak i vlerësueshëm për nga këndvështrimi estetik.
Ashtu si edhe pikërisht famëkeqi “obezitet”!
Kështu që “një rrugë e dy punë”, “dy gurë të plandosur në vend me një zog” (apo ishte “dy zogj me një gur?”...sido që të jetë, pse t’i vrasim të ngratët zogj, s’na ka mjaftuar që shpendin tonë të flamurit, e kemi zhdukur nga faqja e dheut, aq sa na mbeti shqiponja vetëm si simbol historik pa qoftë edhe një fole sa për numër në ndonjë mal tonin?! Tani edhe zogjtë e tjerë t’i shfarosim fare?)...dhe bashkë me mbipeshën, ia nisim luftës së ashpër edhe me të lartpërmendurat gazra truporë me erë të pahonepsshme.
Në këtë mënyrë, në një të ardhme të afërt, ekziston një mundësi tejet e madhe që Shqipëria, të jetë ndoshta vendi i vetëm në botë, në planetin tonë dhe ku i dihet edhe tërë universin, megjithë yje e kometa, ku nuk do të ketë më qënie njerëzore obeze e ku gjithashtu shprehje të njohura pakënaqësie si “Na qelbe”, “Na mbyte”, “Bobo, o Zot ça ere e tmerrshme”, si pasojë e ajrit të ndotur nga fenomeni i mësipërm me aromë të pakëndëshme, të bien në harresë të përherëshme e të mos gjejnë më përdorim ndonjëherë sërish.
Në këtë eventualitet, populli ynë si përherë “trim dhe liridashës”, sidoqoftë do të duhet të mendohet mirë përpara se të etiketojë përsëri personazhe të ndryshëm mendjemëdhenj apo abuzues, me shprehjet e njohura “Pordhac”, “Sa pordhë paska ky/kjo”, “Na shiska pordhë” etj.
Si do i vejë ndërkohë halli shprehjes tjetër “T’ia fus një pordhë në zemër”, mbetet ende një mister në pritje të zgjidhjes.
Por (se ka gjithmonë një “por”)...edhe nëse ndalohen për shkelje të normave estetike “pordhët” fizike ndër shqiptarë, është e qartë që njëkohësisht “pordhët” në sjellje dhe veprime, në mendësi e botëkuptime, vështirë se ndonjëherë do të mungojnë në Shqipëri, kurrën e kurrës.
Mund t’i quajmë thjesht “gazra” ndoshta?
...”Mos na bëj shumë Gaz ore”, “Kujt i shet Gaz ti”!
Nuk shkon fare ë?
Ashtu them edhe unë.
Duan të thonë sidoqoftë, për t’i dhënë pak trajta historike realiste këtij “thellimi” të habitshëm edhe për mua vetë që po e shkruaj, mbi “gazrat truporë”, se dikur një grua e moshuar pati vajtur tek doktori i qytetit, nga fshati ku ajo banonte, për të bërë një kontroll rutinë mjekësor, sidomos pasiqë i qe fryrë cazë stomaku...
Mjeku në fjalë, pas një vëzhgimi të shpejtë, pati dalë direkt në përfundimin se nga çfarë “vuante” zonja në moshë.
“Zonjë nuk ka asnjë problem serioz me shëndetin tuaj, ju keni gazra!”- i pati thënë ai pacientes së habitur që shqyente sytë nga moskuptimi i termit të përdorur nga doktori.
-“Keni gazra zonjë!”-kishte përsëritur edhe njëherë ai, teksa rrekej të bëhej më i kuptueshëm.
Por fytyra e zonjës i tregonte të kundërtën, ndërsa ajo siç dukej, po shqyrtonte në mendjen e saj shpjegimin e mundshëm të problemit të saj të pasqaruar siç duhej nga doktori.
Në këtë çast “kritik” gjithësesi kishte ndërhyrë në bisedë djali i zonjës së moshuar, i cili e pati zgjidhur punën me një ndërhyrje energjike në sparkatë (metaforike kuptohet), duke i thënë të ëmës me fjalë të kuptueshme për veshin e saj “Oj nanë, ke pordhë!”...dhe kështu çështja më në fund qe zgjidhur njëherë e mirë.
Fjala shqipe “pordhë”, dihet të jetë për nga origjina e përbashkët indoeuropiane, e lidhur me shumë kolege të saj në gjuhë të ndryshme europiane, të cilat vetë rrjedhin shpesh nga fjala latine “perditum”, ajo greke “perdo” apo rrënja e lashtë sanskrite “pardami”, që të gjitha me kuptimin e “zbrazjes”, “humbjes”, “lëshimit” të gazrave.
Ndërsa “pordhët” fizike të popullit të thjeshtë, në Shqipëri e jo vetëm, janë një fenomen i pashmangshëm trupor, sido që të tingëllojnë ato estetikisht, ndërkaq “pordhët” e tjera metaforike, sjelljet e përkufizueshme saktësisht si të tilla, ato që në ambientin “pordhac” shqiptar, sidomos në katet e larta të vendimarrjes, gëlojnë ngahera me shumicë, janë dhe do të jenë gjithmonë të pranishme, e për më tepër, këto asnjeri, hundëhollë apo jo, nuk ndërmendet t’i anatemojë kurrë...
-“Sepse neve të botës së lumtur të “mbi reve”, pordhë kemi (dhe bëjmë), kurse ju aty poshtë, ju barktharët rreckamanë, ju që gjëmoni kazanët për të gjetur ndonjë copë bukë të gjysëm-mykur a ndonjë rrobë të vjetër për t’ia veshur trupave tuaj të “kockë-lëkurosur”, ju që nuk iu dalin rrogat (kur keni punë), as për të arritur fundin e muajit, juve pordhë fizikisht nuk jeni të lejuar të bëni!”
-“Sepse ashtu na e ndosni ajrin neve të tjerëve që jetojmë të hareshëm aty lart përmbi re, ku as shiu s’na lag (kurse juve ju qull e ju bën helaq, se as 3 mijë lekë të vjetra për të blerë një palo ombrellë njëpërdorimëshe kineze s’keni more plebej), as dielli s’na djeg apo rreshk lëkurën (si lëkurat tuaja të nxira si patllixhan, s’keni turp, as solar me filtër UVA-UVB me faktor mbrojtjeje nga dielli 50+ të blerë 170 euro direkt në Paris, nuk keni, more leckamanë vegjetues, pordhabërës, obezë, të gjatë “1 metër e një qebap”, që s’merreni as me sport e as me art, qënie të pavlera e të mbipesha, krijesa të asgjësë absolute, rëndues të kotë mbi këtë tokë, thithës harbutë të ajrit shqiptar që akoma qelbet nga djersa dhe pordhët tuaja).”
Thonë se edhe e çiltra mbretëreshë Mari Antuanetë, kur i thanë se njerëzia e varfër (dhe “pordhace”, në kuptimin fizik, atë ndotës të ajrit patjetër), franceze e para-revolucionit të 1789-ës, nuk kishte me çfarë të mbushte barqet e zbrazura dhe të hante, u përgjigj se ata mund të ushqeheshin po të donin me “Kruasantë”...
Shkëputja nga realiteti është gjë më pasoja zakonisht, kudo dhe kurdoherë.
Problemi “akut” dhe emergjent i obezitetit të popullit përtac dhe bullafiq dhjamëshumë shqiptar, i tillë është.
Padyshim që së shpejti edhe presidenti Obama, i cili drejton një vend 300 e ca milionësh, që botës moderne i ka eksportuar pikërisht modelin më të gabuar të kuzhinës “garbage food” dhe “fast food”, versionin më obezitet-shkaktues dhe të dëmshëm të të ushqyerit, tashmë do të lerë mënjanë bombardimet ndaj kalifatistëve të marrë apo përballjen me ekspansionin e ri të Rusisë putiniste, dhe nën shëmbullin shqiptar, do të shpallë obezitetin (real në rastin amerikan), si prioritet të qeverisë së tij.
Në Shqipëri duhen mbushur më parë shumë qindra-mijëra stomaqe e zgjidhur një mori problemesh pafund, para se t’i sulemi mbipeshës kaq ethshëm.
“Ed elli
avea