E marte, 08.10.2024, 08:01 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Libra në shi!

E diele, 14.09.2014, 06:04 PM


Libra në shi!

Nga Elvi Sidheri

Gjatë këtyre ditëve të lagështa vere, një stine që përkundër traditës së nxehtë, rërëshkelur e det-pllaquritur, në fakt është shoqëruar me reshje pafund, baltë, llucë dhe këpucë të qullura (megjithë rroba trupi, gjer në palcë nganjëherë), një pamje gjithësesi më ka lënë më tepër përshtypje sesa shumëçka tjetër...

Një drekë, rreth orës tipikisht “tropikale” 14.00, si ia nisi me vrull, vërtik dhe pasion të madh qiellor, të bjerë me furi nga retë e përshpejtuara nga fuqia e erës së marrosur, një shi “me gjyma”, që e çau ajrin porsi të ish një thikë e mprehtë brezi, panikut, vrapit dhe hutimit të gjindjes së hutuar përreth, i qëndroi plot dinjitet, vetëm një “pirg” librash që s’e vuri aspak ujin në zjarr për “Përmbytjen Universale” në përmasa të përmbledhura pak minutëshe, që përfshiu qytetin.

Rridhte uji nëpër taraca, tenda lokalesh të mbetura të hapura nën kujtimin e një dielli që papritmas qe zhdukur pa lënë qoftë edhe një gjurmë sado të ndrojtur, nga horizonti.

Derdheshin rrëketë e porsaformuara, nga tubat nëpër rrugë, trotuare e karrige-tavolina baresh njerëzlarguar (me të katërta)...të zënë gafil nga befasia e këtij shiu me prirje të forta stuhie fundverore, që s’u mor vesh si filloi, e kur mbaroi.

Si abstragim i vockël nga tema parësore e këtij shkrimi, do përmendur se të tilla shfryrje të zemëratës së qiellit ish-diellor (në raste të ngjashme, dielli do pranuar se bëhet ca si fort për “ndjesë pastë” faktikisht)...të gusht-shtatorit, që ndodhin rregullisht afër ose pikërisht në orën dy të drekës, janë të zakonshme në Karaibe, Amerikë të Jugut, Indokinë etj...

Në të ashtëquajturin “Balcanus Albanensis” (Kosovarensis apo Shqiptarensis...qoftë, pak ndryshim bën), të tilla fenomene të habitshme, çerek-lebetitëse, gjysëm të llahtarshme dhe çerek anormale, rrallëherë ndodhin.

Ja përse “këtu ka tradhëti burra”!

Ç’ne ky shi?

Si është e mundur, si ka ndodhur vallë që prej dy verash rradhazi, u ça duke rënë shi?

More ta quajmë “shi që bie litar”, “shi me gjyma”, “raining cats and dogs” siç na është mësuar dikur sipas metodës historike gjysëm legjendare të studimit të gjuhës angleze ...”Essential English”, apo çfarëdoqoftë shprehje tjetër e përshtatshme për një fenomen të këtij lloji?

Të jetë ky vallë ndonjë komplot “sui generis”, i ndonjë “force të errët” (sesi më erdhi në mendje pa qëllim fare, kjo frazë tipike gjithëpërfshirëse, ku ngërthehej qartë filozofia antidemokratiko-pluraliste, e fillimviteve 90-ë)?

Të jetë se ish pronarët çekë të ish ndërmarrjes ish ÇEZ (sa “ish-ër” o Perëndi, si punë dashurie e dëndur, pjerdhur e fëndur paska qenë edhe kjo marrëdhënia shqiptare me këta palo “investuesit” çekë të sektorit tonë të putrifikuar...energjitik), do kenë bërë ndonjë magji vudu, në mënyrë që të na mbysë shiu përjetësisht si vend dhe popull përkatës gjë?

Largqoftë!

Mbrona o Perëndi nga syri i keq, nga vuduja çeke (ÇEZ-e, për ta thënë më mirë), e nga çdo e keqe tjetër që i kanoset këtij vendi.

Tani së shpejti, për punë një jave, na vjen për vizitë edhe Ati i Shenjtë.

Ditë e madhe, fatmadhe, ditë kur një Papë, kreu i komunitetit më të madh të krishterë në planet, peshkopi i qytetit të përjetshëm, kleriku modest dhe i përunjur i periferive popullore e të varfëra të Buenos Airesit, modernizuesi dhe reformuesi i jetës së Kishës Katolikë të shekullit të XXI, vjen në tokën tonë, për të sjellë bekimin dhe fjalën e shenjtë tek të gjithë ne.

Qoftë i mirëseardhur ky Papë, ky njeri vizionar e shpirtmirë, në trojet e shkelura dymijë vjet më parë nga apostujt e krishtërimit të hershëm, ata që fjalët e birit të Perëndisë, i patën dëgjuar “live” (siç do thuhej në gjuhën e sotme moderne, anglishto-centrike).

Papa Françesku, ashtu si edhe polaku i ëmbël Vojtila, nuk vjen aspak për rastësi, për ndonjë kombinim rrethanash apo diçka të tillë, në Tiranë...

Jo, kurrësesi!

Kjo vizitë ka shumë arsye, shtytje, qëllime, synime, të thëna, të thënshme dhe të pathëna.

Papa vjen në një vend ku kleri katolik, ka vuajtur persekutimin më të egër, çnjerëzor, mizor, të pashpirt, gjakatar, prapanik, shtazor, të pahasur më parë në kontinentin europian.

Regjimi enverist, me njolla staliniste, maoiste, lenininste, tek kleri dhe inteligjenca katolike shqiptare, gjeti përgjatë një gjysëm shekulli, pandërprerje armikun e preferuar, individët e paepur, mendjet e mprehta, gjykimin e kthjellët, intelektet brilantë, thënë shkurt e me pak fjalë, të pushkatueshmit, të internueshmit “par excellence”!

Kjo njollë e tmerrshme që i ka mbetur si një vulë nga ato që bëhen me hekur të përvëluar në lëkurë, popullit tonë, është një fakt që shumëkush bën sikur e ka harruar, mbuluar siç është lënë të mbulohet nga pluhuri i kujtesë-fshirjes.

Por edhe veshja me rrobat bashkëkohore të demokracisë së rishtë shqiptare, nuk e fsheh dot këtë gjurmë të përdhunshme të mënxyrës së marrë diktatoriale, që përmbi fenë dhe format e trajtat e saj shqiptare në përgjithësi, ra porsi një gjëmë vdektare, shfarosëse, monstruoze.

Kleri dhe besimtarët katolikë, qenë në kuptimin më të plotë të fjalës, “hala në sy” e ish regjimit monist shqiptar.

Por masakrimi i vazhdueshëm i përfaqësuesve më të spiktatur të këtij komuniteti fetar, megjithatë nuk arriti që t’i jepte dërrmën përfundimtare katolicizmit shqiptar.

Pasardhësit e Bogdanit, Bardhit, Buzukut, Fishtës, Mjedës, Vasës, Gurakuqit e shumë patriotësh, mendjesh të ndritura, eruditësh, atdhedashësish katolikë shqiptarë, nuk mund ta ulnin kokën e të lejonin një regjim (dhe veglat e tij të bindura gjakpirëse)...lugetërish debatikaso-marksistë-leninistë, që t’i vinte përfund.

Por ajo që ka ndodhur, sidoqoftë ka ndodhur!

Genocidi vetëm me këtë emër mund të quhet...

Nëse Kamboxhia e kujton ligësinë e skajshme të Pol Potit me pirgjet e kafkave të mbledhura në mënyrë përkujtimore, që t’i shohin brezat e ardhshëm vendas e të huaj, ashtu edhe shqiptarët, bashkë me institucionet e shtetit të tyre gati 102 vjeçar, duhet të bëjnë gjithçka për të kujtuar urrejtjen kolerike të atij regjimi, ndaj përfaqësuesve të këtij komuniteti fetar ndër shqiptarë.

Papa e di fare mirë se çfarë ka ndodhur në këtë vend!

Ai me siguri e di sesi njerëzit vdisnin të tatëpjetave të Kishës së Laçit, në kërkim dhe shpresë të mrekullive të Shna Ndout, teksa i aviteshin malit me kokën në torbë deri para jo më tepër se 24 vjetësh.

Rrezik jetësor që e përshkonin edhe tërë besimtarët e tjerë shqiptarë, myslimanë, bektashinj apo ortodoksë të ishin ata...

Nëse u afroheshin gërmadhave të ndonjë kishe, përmendnin në vende të pasigurta (dhe të spiunueshme), ndonjë sure apo psalm, kalonin anës një teqeje të kyçur, apo bënin largqoftë publikisht kryqin ndokund përballë syve të ligë kureshtarë.

Papa Gjon Pali i II-ë dhe tanimë për pak ditë, Papa Françesku, na kanë falur për marrinë tonë 45 vjeçare.

Kjo është e sigurtë!

Ata e dinë se turmat e etura për gurë kishash, teqesh, xhamish dhe për kocka dervishësh të varrosur prej shekujsh, shenjtësh apo priftërinjsh të krishterë, hoxhësh e imamësh, që nxirreshin nga varret, ashtu si edhe ikonat që plaseshin përtokë si mall pa “Zot” (fenomen ende në modë ky i fundit..), ishin të drejtuara dhe trushpëlara, nga “opiumi” monist zyrtar, që depërtonte atëherë, gati çdo por të shoqërisë së shtypur shqiptare të luftës së klasave.

Katolikët, kleri dhe martirët e kësaj pjese të mrekullueshme, të kulturuar dhe paqedashëse të popullit shqiptar, ashtu si edhe Papa që do të vijë, na kanë falur padyshim për barbarizmat e 1945-1990-ës.

A e kemi falur ne si popull vetveten, a e kemi të pastër ndërgjegjen, a jemi të vetëdijshëm për atë që kemi kaluar, që kemi pësuar e që na ka ndodhur, kush na e ka shkaktuar dhe shkaqet e shumta përse gjëra të një tmerri të tillë kanë ndodhur në këtë vend, me këtë popull?

Kësaj nuk i dihet akoma!

Sistemi i shkuar, i pati katolikët shqiptarë si etalon të reaksionarëve, filo-perëndimorëve, anti-regjimëve, por njëlloj u ra me grusht të hekurt tërë komuniteteve fetare dhe klerikëve e besimtarëve shqiptare, që regjimin dhe lajthitjet e tij, nuk i honepsën kurrë, as në çastet më të vështira të atyre 45 viteve tiranie.

Dëmi që regjimi la pas, sa i përket fesë dhe shqiptarve, është i pallogaritshëm.

Sot megjithë vetëlëvdatat tipike shqiptare, gjendja, mirëqenia dhe shëndeti i fesë ndër shqiptarë dhe në shtetin e tyre, nuk është sadoqë ta marrim veten me të mirë, përgjithësisht “pa vend” me tepër sesa “me vend”, as largësisht në nivelin e admirueshëm...për shembull, të viteve 30-ë të shekullit të kaluar.

Detaj ky që do të ishte e udhës që të na vinte në mendime, të thella, po shumë të thella se!

Sido që të jetë, edhe nga unë, si shqiptar, megjithëse laikisht i krishterë “skizmatik”, sipas këndvështrimit të këtyre njëmijë viteve të fundit të ndarjes katoliko-ortodokse, Papa Françesku, ka një “Mirëseardhje” të madhe të përzemërt.

Një njeri i tillë, vetëm të mira mund të sjelli në këtë tokë sa të lashtë, aq edhe përjetësisht, pashmangshmërisht të plagosur.

Sepse feja, mësimet e shenjta, dëshira për paqe dhe “harmoni” ndërshqiptare, ashtu si edhe ndërfetare (larg shablloneve dhe deklamatave patetike pa pikën e kripës, që ka 24 vjet që këndohen papushim, duke u bërë si tinguj cicërimash jashtë realitetit, që papagallohen rregullisht para vizitorëve peshërëndë të huaj që u bie rruga nga Shqipëria), nevojitet të përbëjë një nga pikënisjet e ringjalljes së gjakut dhe ADN-së së lashtë shqiptare.

Ringjallja jo për rastësi, është edhe një element themelor i dogmës së fesë që Papa Françesku, si dhe tërë paraardhësit e tij, beson dhe predikon.

Feja, puna, liria e mendimit, të shprehurit, të sjellurit, të jetuarit, ashtu si edhe kultura, shkrimet profane apo të shenjta dhe libri, mund të jenë çlirimi jonë nga vargonjtë e së tashmes së zymtë.

Prandaj e nisa me atë stendë librash, ku qindra syresh i qëndronin ballëlartë shiut të furishëm, erës së çmendur, valëve të breshërit dhe motit të egër...

“E para ishte fjala”, më pas ajo u shkrua dhe eventualisht nga shumëkush u lexua!

Ato libra të mbuluara me kujdes nga një shtresë plastmasi, shiun e duruan stoikë dhe me dinjitet.

Shiu pushoi dhe paralel me diellin në qiell, si dhe rrezet që zbritën të ngrohta deri në lëkurën time, teksa nga një tavolinë lokali aty ngjitur, krah “babait” të përkushtuar të këtyre librave , e vështroja këtë skenë...libri çeli sërish pas stuhisë.

Sepse shi nuk mund të bjerë përherë!

Pas furtunës, ciklonit të rradhës, pas diktaturës apo zhgënjimit, thyerjes e rrëzimit, natyra do të na falë edhe njëherë frytet e saj më të zgjedhura, Zoti bekimin, nëna apo e dashura jonë, përqafimin dhe libri...LEXIMIN.



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora