Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Spiunime!
E premte, 29.08.2014, 08:30 PM
Spiunime!
Nga Elvi Sidheri
-“Ah ky gjermani moj motrani, na kanë spiunuar gubernën dhe atdhenë këta përgjonjësit e asaj Merkellkës moj shoqeni, ay Hansi i “djemtë tanë luftojnë në male” do e ketë pasur sërish fajin patjetër edhe kësaj rradhe!”
Sipas traditës më të mirë shqiptare të së ashtëquajturës gjithënjohëse agjenci të thashethemit, domethënë të legjendares “Radio Pazari”, apo sipas këndvështrimit dhe realitetit modern, të “Facebook-ut”, ky do kishte qenë komenti bashkëshoqërues popullor (ala llazoricka gojëshqepura lagjeje), i ndërlidhur me lajmin e habitshëm se shërbimet inteligjente gjermane, paskan spiunuar shtetin shqiptar...
Na spiunuan pra!
E kë? – Ne që gjermanit i kemi falur një nga një edhe urat (Po ç’patën me to xhanëm?...akoma s’bëhet ta dimë saktësisht arsyen!), qentë e garnizoneve gjermane që i helmonte Tomka trim megjithë shokët e tij sypatrembur debatikas (që në shumicën prej tyre, kur të rriteshin edhe ata sigurimsa ose spiunë 5 lekësha do të bëheshin domosdo, nën regjimin e diktaturës së “spiunimit nga vrima e çelësit” të proletariatit), e shumëçka tjetër.
Fakt
është gjithësesi se treçereku i filmave “Real-Soc” të epokës moniste, as që do
të ishin ngjizur ndonjëherë (xhiruar jo që jo), po të mos
A përfytyrohen gjë “kryevepra” të luftës partizane (kinematografike, që të kuptohemi...), pa pritat ndaj autokolonave gjermane?!
Aty ku nazistët sipas skenarit dhe skemës së mirëpërcaktuar qysh më parë, binin porsi kokrra fiku përtokë...
Kjo teksa trimat e Xha Jahos...(Upsss, ngatërrova film më duket, këta qenë protagonistë të “Kush e vrau Kaporal Pellegrinin, po ushtar Morettin?...Ishin fashistët italianë të këqinjtë e rastit atje!), pra ndërsa mitraljeri trim Zeqo, ky burri që plagosej lehtazi nga ndonjë cifël granate zakonisht, por megjithatë, nuk ia përtonte fare që të korrte në plumba, mesatarisht rreth 700 deri në 1700 nazistë brenda një sulmi, aq sa duan të thonë se edhe vetë Gëring dhe fyhreri Hitler, patën dëgjuar për bëmat e tij, e si pasojë e tartakutit që u mbiu në bark prej trimërisë së spikatur të Zeqos sonë partizan, e dreqosën edhe betejën e Stalingradit, megjithë Leningrad e zbarkim të Normandisë.
Duke gjykuar nga filmat e periudhës së monizmit, si dhe nga librat e shkollës (qysh nga fillorja me gjuhë-leximin për kalamaj), apo botime të tjera, e sigurtë që të rezulton pa asnjë hije dyshimi, se fushata shqiptare, ushtrisë së frikshme naziste, do t’i ketë kushtuar me së paku nja 700 mijë të vrarë e miliona të plagosur...
Aq sa edhe fronti i tmerrshëm i acartë sovjetik, për nazistët do të ketë qenë një parajsë e vërtetë, përballë sypatrembësisë së Zeqove, debatikasve adoleshentë (të cilëve në fund të luftës, në 1944-ën, u qenë bërë duart copash plot me kallo, nga gropos-çgroposja e vazhdueshme e dokumentit komunist në fjalë), Tomkës së mitur dhe shokëve të tij qen-helmues (në mungesë të shoqatave animaliste atë kohë, akte të tilla mbeteshin të pashoqëruara nga protestat e zakonshme të kafshëdashësve...model Brigitte Bardot), etj
Mënjanë tërë kësaj preambule haluçinante (plotësisht të denjë për përshkrimin qesharak sipas oreksit tragjikomik të vijës së Partisë, të atyre vlerave reale të qëndresës shqiptare ndaj okupatorit përgjatë viteve të Luftës Nacionalçlirimtare), ajo që spikat me të vërtetë në këtë historinë e përgjimeve gjermane ndaj shtetit shqiptar, është diçka, një fakt tjetër me tepër rëndësi.
Askush nuk e ka vërejtur gjë, se bashkërisht (në paketën e zakonshme, “merr dy-paguaj një”) me kë na paskërkan përgjuar?
Me Turqinë!
Ja ku u gjet edhe qimja në vezë, apo gjilpëra në kashtë.
Të të përgjojnë është një gjë (që asnjëherë nuk tingëllon mirë, sidoqoftë e nga kushdo që ta bëjë këtë ndaj teje), por të të spiunojnë brenda një grupi të ngushtë ku bën pjesë përveç teje, vetëm Turqia e Rexhep Taip Erdoganit dhe mëkëmbësit të tij besnik, teoricienit të ringjalljes së lugat-idesë neo-otomaniste, Davutogllu, ky është kulmi!
Nëse do të kishte patur një arsye serioze për t’u ndjerë të fyer deri në palcë, për t’u çjerrur në shenjë proteste, për të thirrur ambasadorin gjerman për të dhënë shpjegime të detajuara lidhur me këtë fakt, do të kishte qenë padyshim kjo.
Doni të na përgjoni ore miqtë tanë të nderuar e të shumërespektuar gjermanë, urdhëroni, bëjeni...
Nëse nuk e keni akoma mirë parasysh, nevojitet t’ua shpjegojmë njëherë e mirë po ashtu, se për shkak të një trashëgimie gjysëm osmane, e gjysëm enveriste, jo pak ndër banorët e këtij vendi, spiunimin e kanë edhe në gjak, u noton aty bashkë me rruazat e kuqe si dhe limfën jetësore.
Sepse ore miq të dashur gjermanë, ky është populli që u detyrua të bënte edhe barcaleta të tilla, në mënyrë që t’i jepte një shpjegim komik, gjendjes tragjike në të cilën qe i detyruar të jetojë gjer dy dhjetëvjeçarë e ca më parë...
-Ish një njeri, që nëpërmjet radios së tij të vjetër Iliria, diku në vitet 80-ë, përçapej të kapte do frekuenca të vështira radiofonike, në përpjekje për të dëgjuar ecidionin e lajmeve të Zërit të Amerikës. Si ia doli ta centronte aty radion e tij, tingulli i zërit të Elez Biberajt u dëgjua nga brenda radios duke thënë “Mirmbrëma të gjithëve dëgjues”. Personazhi ynë, duke qenë njeri i kulturuar, ia ktheu përshëndetjen menjëherë pa ngurrim...”Mirmbrëma Elez”...
Shtëpinë protagonisti ynë, megjithatë nuk e banonte i vetëm me familjen e vet, po bashkë më të vëllanë dhe të tijët, kështu që sapo ky i fundit e dëgjoi, shfrytëzoi rastin e artë (për t’u bërë banor i vetëm familjar i shtëpisë) dhe u bë erë e ia mbathi me të katërta, që të spiunonte të vëllanë “Zë Amerike dashës”...
Si e plasën në birucë, të ngratin, e morën në pyetje, i bënë gjithë “formalitetet” e rastit (sipas përshkrimit mjeshtëror që i bëhet këtij aspekti, në komedinë e mrekullueshme “Revolveri”, me rolet e paharrueshme të Koço Devolës, Vasillaq Vangjelit, madhështorit, aktorit të ndjerë Skënder Sallaku etj)...dhe në fund ai vendosi të flasë lidhur me tradhëtinë e tij të lartë ndaj Nënës (paksa të përdalë) Parti, Pushtetit Popullor dhe atdheut.
Kur e
pyetën për të njëqindtën herë, se përse qe vënë të kërkojë valët e Zërit të
Amerikës, ai u përgjigj fare thjeshtë: “
Kohë e marrë, regjim i marrë!
Thënë kjo me qëllim që, andej nga Berlini, herë tjetër ta kenë parasysh, se përgjimet e kushtueshme, në Shqipëri, janë të panevojshme, për shkak se kultura otomano-enveriste e të spiunuarit për hobi, për shpirt sportiv, për dëshirën natyrale për t’i bërë tjetrit keq (shkurt, spiunim keqan falas), është dhe mbetet përherë e pranishme, e ngulitur mirë dhe thellë, në indet, qelizat e një pjese të popullit tonë trim (cazë spiun) dhe liridashës.
Ndër të tjera, siç edhe një gazetar gjerman, iu drejtua kancelares Merkel, kësaj gruaje të rrallë, që e ka drejtuar me sukses anijen gjermane, në mes të stuhisë së krizës ekonomike globale e europiane, me vizion, mprehtësi dhe aftësi prej lidereje të papërkulshme, “Miqtë nuk përgjojnë njëri-tjetrin”...
Fjalë të sajat, të thëna kur shpërtheu skandali i rradhës, lidhur me përgjimet amerikane.
Në fund të fundit, amerikanët, ky vend që merr përsipër barrën e kujdesit ndaj problemeve të një bote të tërë 7 miliardëshe, pa përgjuar (përgjithësisht me të drejtë), cep më cep, këdo dhe kurdoherë, vështirë se do ta kishin të mundur, përballjen me sfidat e përditshme, që krijon ky planet njerëzish shpesh të pamend.
Por që të të përgjojnë në të njëjtin seksion me Turqinë autokratike Erdoganiste, ky është thelbi i problemit pra.
Për të tjera, përgjoni miq të shtrenjtë se mirë e keni.
Fundja për çfarë arsyeje tjetër vallë do të shërbenin, do të funksiononin e do të mbaheshin në këmbë (me fonde tejet të majme shtetërore), shërbimet inteligjente, përveçse për të spiunuar ndokënd, armiq e miq?!
Por ndërkohë, futja e Shqipërisë nga përgjimet gjermane, nën sqetullën e djersitur të Erdos & Davutogllut, të bën të ndihesh vërtetë keq.
Objektivi i shpallur haptazi i presidentit të saposhpallur turk, është pikërisht rikthimi ndër të tjera, edhe i gjithë trojeve shqiptare, nën ombrellën e errët turke (si një zgjatim anormal dhe joreal, i kalbësirës kufomë të dekompozuar osmane, të ngordhur pa asnjë nder apo aq më pak lavdi, rreth 100 vjet më parë, atëherë kur me shumë stërmundime, si popull, duke hequr picirrën, ne ia arritëm që racën e bimbashë-vali-padishahëve turko-mongolë, t’i heqim nga kurrizi ynë, pasi përgjatë 5 shekujve, ata na patën shfrytëzuar e pirë gjakun rregullisht, duke na sakrifikuar e bërë mish për top për qëllimet e tyre ekspansioniste e asimiluese).
Këtij njeriu mendjeshtrembër, i cili jeton në shekullin e XXI, duke vënë në zbatim sjellje, përqasje e politika mesjetare (ndaj popullit të vet dhe ish të pushtuarve nga zgjedha e osmanërisë për të cilën ai digjet nga malli përditë, sipas predikimeve përdëllyese të tashmë kryeministrit Davutogllu, këtij “Guru” të pasionit të vonuar osman), në ceremonin e sapondodhur të inaugurimit të tij si president i parë i zgjedhur nga populli, i shtetit modern turk, nuk iu shfaq asnjë përfaqësues me peshë nga Perëndimi e bota demokratike.
Ashtu siç në sallën solemne, ku sulltan-presidenti i ri do bënte “betimin” (për të shkallmuar që nga themelet, laicizmin dhe vlerat demokratike post-osmane të krijuara me aq mund nga Mustafa Kemal Ataturku), munguan tërësisht edhe partitë opozitare, përfaqësuese të shpirtit europian, liberal e laik të popullit turk.
Turqia e sotme, ndryshe nga ç’beson (si çdo autokrat tjetër i respektueshëm, edhe Erdogani, i beson vërtetë ato që thotë si dhe realitetin fiktiv që ka në mendjen e tij të ndrydhur)...është thellësisht e ndarë.
Prapatoka anadollake, si dhe bregu i Detit të Zi, është komplet në dorë të partisë AK, të liderit Erdogan, ndërsa në Ankara dhe Stamboll, opozita laike nacionaliste, arrin 45 % të mbështetjes, duke qenë bregdeti i Egjeut ndërkohë, me Izmirin, Antaljan, Manisan e gjer në Edrene, fuqimisht bastione të forcave politike anti-Erdogan.
Ky njeri që e ka ndarë tanimë Turqinë në dy pjesë (besnikët e tij...dhe armiqtë, pra laikët, mbështetësit e trashëgimisë së Ataturkut), ky lider që vendin e tij po e largon me hap të nxituar nga bota demokratike, duke e afruar më tepër me regjime sheikësh e kalifatistësh të çmendur, sot po rrezikon që edhe Shqipërinë ta ndajë dalëngadalë nga shtëpia e saj natyrale, nga Europa, nga mendësia liberale demokratike, nga vlerat dhe realiteti modern perëndimor.
Askund, as në spiunime e përgjime “miqësore”, larg Erdos...