E shtune, 05.10.2024, 12:11 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Ne nuk dimë të përballemi me të kaluarën tonë (të hidhur)!

E marte, 14.10.2014, 07:02 PM


Ne nuk dimë të përballemi me të kaluarën tonë  (të hidhur)!

Nga Elvi Sidheri

Ditët e fundit më qëlloi rastësisht, të vihem në dijeni të një ngjarjeje që po bën mjaft bujë në Rumani...

Në këtë vend të madh lindor, ish satelit sovjetik, tashmë prej vitesh anëtar të BE-së dhe NATO-s, ka nisur gjykimi si dhe vënia në bankën e të akuzuarve, e drejtorit të një burgu famëkeq komunist, ku para 50 vjetësh qenë torturuar të burgosurit politikë masivisht.

Personi në fjalë gëzon moshën e admirueshme 89 vjeç dhe quhet Aleksandru Visinesku, ndërsa më në fund, pas kaq kohësh, ai është akuzuar për krime kundër njerëzimit nga organet rumune të drejtësisë, në gjyqin ndaj tij, që ka nisur shtatorin e kaluar.

Visinescu pati qenë përgjatë gati një dhjetëvjeçari të plotë, drejtues i burgut të “Ramnicu Sarat”, i ndodhur në lindje të Rumanisë, ku në periudhën 1945-1964, nën regjimin stalinist të George Georgiu-Dej, vite që në Rumani njihen si “Vitet e zeza”, vuajtën dënime çnjerzore pinjollët dhe përfaqësuesit më të shquar të elitës intelektuale dhe politike të Rumanisë.

Ndoshta i vetmi i mbijetuar i Ramnicu Sarat, Valentin Kristea, një ish inxhinier në pension, tregon se në qelitë e këtij burgu, njeriu mund të bënte vetëm dy hapa, kurse muret qenë aq të trashë, saqë jashtë, nuk mund të dëgjohej qoftë edhe një tingull nga brenda.

Jo rastësisht Ramnicu Sarat ishte i njohur më tepër si “burgu i heshtjes”...

Aty shumë kundërshtarë politikë të regjimit komunist rumun qenë torturuar dhe i ishin nënshtruar një regjimi të ashpër izolimi, aq sa disa prej të bugosurve që patën mbijetuar, kishin harruar edhe të flisnin pas burgut.

Sidoqoftë në Rumani, ku pas gjykimit të shpejtë dhe pushkatimit publik të diktatorit Çaushesku dhe gruas së tij Elena, që qeverisi pas George Georgiu-Dej, pakkush është vënë para drejtësisë për krimet e regjimit komunist, Ramnicu Sarat, nuk pati qenë kurrësesi, i vetmi burg i orientuar sipas qëllimit madhor, për të shkatërruar dhe heshtur çdo lloj opozite gjatë diktaturës dhe “viteve të zeza”.

Midis 1945-ës dhe 1989-ës, më tepër se 600 mijë persona, oficerë, intelektualë, klerikë, kundërshtarë politikë, patën kaluar nëpër burgje apo kampe përqëndrimi për shkaqe politike në Rumani, siç është faktuar nga Instituti për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, një organizëm i krijuar nga qeveria rumune.

Padyshim që shumë prej tyre, patën vdekur.

Ndërkohë, si edhe tjetërkund në vendet e Lindjes (e sigurisht në Shqipëri), përveç dënimit të një grushti oficerësh të rangut të lartë të ish regjimit komunist në fillim të viteve 90-ë, që ishin liruar më pas për arsye shëndetësore, askush më vonë nuk qe përgjigjur për krimet e asaj diktature përballë drejtësisë.

Ndër të tjera, i akuzuari Visinesku, ndihet edhe i sulmuar me pa të drejtë nga drejtësia rumune!

Derisa vitin e kaluar, organet rumune të drejtësisë nisën një hetim kundër tij, falë dokumentave dhe dëshmive të siguruara nga Instituti për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, komandanti i dikurshëm i burgut famëkeq të lartpërmendur, bënte një jetë tejet normale në qendër të Bukureshtit.

Drejtësia këtë njeri e akuzon zyrtarisht për vdekjen e të paktën 14 të burgosurve politikë.

Gjithashtu ai akuzohet se nën urdhërat dhe përgjegjësinë e tij direkte, në periudhën kur burgun në fjalë e drejtonte ai, të burgosurit u janë nënshtruar kushteve të atilla, me anë të të cilave synohej që ata: “të dërrmoheshin totalisht, fizikisht dhe psikologjikisht”.

Visinesku pretendon se ai ish kufizuar me zbatimin e urdhërave nga lart, duke pas qenë vetë, vetëm një pjesëz e zinxhirit shtetëror opresiv të sistemit diktatorial komunist rumun, pa patur asnjë përgjegjësi personale për ato që kanë ndodhur në Ramnicu Sarat.

Sot, megjithëse i ka mbetur çehrja dhe temperamenti i keq, Visinesku pak ngjason me burrin e frikshëm që akoma jeton në kujtimet e Aurora Dumitreskut, e cila pati vuajtur në vitet 50-ë të shekullit të kaluar, në Jilava, një ndër burgjet e tjera që Visinesku pati drejtuar, për shkak të pjesëmarrjes së saj në një organizatë studentore, që autoritetet e patën shënjestruar si antikomuniste.

Sot ajo është 83 vjeçare dhe tregon me sytë e kaltërt që i shkëlqejnë nga pas syzeve optike, se megjithë faktin se të burgosurat, rrallë takoheshin apo kryqëzoheshin me funksionarët e lartë të burgut, ajo vetë Visineskun e pati parë dy herë.

Dhe pikërisht të dyja këto herë, ajo kish përfunduar në vrimën e izolimit, të quajtur “e zeza”, për shkak se Visinesku e pati përshkruar si një “grua me përgjigjen në majë të gjuhës”.

Ajo thotë se në burg të dënuarit politikë trajtoheshin si kafshë, jetonin të qeli të stërmbushura me të burgosur, dhe që goditjet e torturat, fizike dhe psikologjike, ishin më shumë sesa brutale.

Regjimi komunist dhe dorasit e tij, synonin që të burgosurit politikë, t’i zhvishnin nga gjithë dinjiteti i tyre, nënvizon ajo.

Një tjetër ish i burgosur i Ramnicu Sarat, Ioan Eremia, pati arritur që të dilte gjallë nga kjo skëterrë, por siç kujton bashkëshortja e tij, Nikoleta Eremia, nga burgu ai kish dalë “si një kufomë që ecte”!

Para se të dënohej nga regjimi komunist, sipas së shoqes, ai pati qenë “i gjatë, i pashëm dhe i fuqishëm”, ndërsa pas burgut qe kthyer në një qënie gjysëm të vdekur.

Gjenerali Eremia, ish arrestuar për shkak të një eseje satirike të gjykuar nga regjimi si antikomuniste.

Ky njeri kurrë më s’e pati marrë veten pas përvojës së tmerrshme në burgun e drejtuar nga Visinesku.

Aty ai kish humbur 39 kile dhe tërë dhëmbët e gojës, disa prej të cilave ia patën shkulur gjatë torturave, kurse të tjerët i kishin rënë për shkak të kushteve shëndetësore.

Faktikisht, për Eremian dhe shumë ish të burgosur rumunë, e familjarë të tyre, proçesi kundër Visineskut po ndodh mjaft me vonesë.

Siç tregon Kosmin Budeanka, drejtor i Institutit për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, megjithë provat e shumta në ngarkim të ish funksionarit të burgjeve, vështirësitë për ta akuzuar formalisht dhe hetuar këtë personazh të errët, kanë qenë jo të pakta.

Institucioni që ai drejton, disa herë qe përpjekur t’i çonte para gjyqit drejtues të tjerë komunistë, pa korrur ndonjë sukses.

Kjo për arsye se nuk mund të harrohet lehtë, se kolltuqet e komandimit të atyre që qeverisin ende Rumaninë (vend anëtar i BE-së prej 2007-ës), janë të mbjella mirë, me farat e regjimit të Çausheskut, dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas Budeankës, të shkojë apo jo Visinesku në burg, gjithësesi Rumania po përjeton një proçes moral tepër të rëndësishëm për këtë vend.

Që dëshirohet dhe shpresohet gjerësisht, që të jetë vetëm i pari ndër shumë proçese të tjera të ngjashme.

Kjo edhe për shkak se, pas një ndërhyrjeje në Kodin Penal, që tërheq disa kufizime për gjykimin e krimeve të epokës komuniste, Prokuroria e Përgjithshme rumune ka akuzuar gjithashtu edhe drejtorin e një kampi pune të detyruar (i llojit të Spaçit tonë, e jo vetëm atij), të zonës së deltës së lumit Danub, Ioan Fiçiorin, ndërsa vijojnë hetimet për 33 ish funksionarë të tjerë të regjimit komunist.

Sipas zonjës Dumitresku, fakti që Aleksandru Visinesku po ulet në bankën e të akuzuarve, është sidoqoftë një përparim, sepse duhet që drejtësia të pranojë botërisht atë që ka ndodhur, që të hedhi dritë mbi krimet e terrorit të epokës komuniste, gjë kjo tejet e rëndësishme për gjithë rumunët, e më shumë për ata që këto vuajtje i ndjenë në lëkurën e tyre...

Por kjo vlen sidomos për bijtë dhe nipat e ish të përndjekurve, për brezat e ardhshëm, sepse Rumania duhet ta njohë, ta pranojë dhe të përballet me historinë dhe plagët e saj.

...

Kur lexon këto dëshmi rrënqethëse, apo kur mëson këto zhvillime që janë duke ndodhur në Rumani, një vend sa i ngjashëm, aq edhe i ndryshëm nga Shqipëria jonë, edhe në përvojën dhe gjëmat e përbashkëta të shkaktuar në të dyja rastet, nga regjimet tona respektive komuniste, sido që të jetë, njeriu nuk mundet të mos reflektojë.

Për shembull lidhur me faktin kuptimplotë se shprehja e njohur dhe e urtë italiane se “Tutto il mondo e paese” (Në tërë botën ndodhin gjëra të ngjashme), paska qenë e drejtë dhe e goditur.

Nuk jemi të vetëm në mosdënimin tonë 24 vjeçar të krimeve të regjimit monist.

Kësaj diktature specifike me trajta dhe nuanca të mirëshqueshme shqiptare, që na bëri t’i tejkalojmë qartësisht (për të keq), gjithë “kolegët” tanë lindorë të regjimeve të tjera komuniste, dhe të krahasohemi pa ngurim, për nga mizoria e regjimit tonë enverist, me stalinizmin, pol-potizimin dhe mao-ce-dunizmin më të egër e çnjerëzor, diçka të paparë e pahasur më parë apo më vonë, në kontinentin europian.

Rumanisë ndërkohë, nevojitet patjetër, që t’i jemi tepër mirënjohës për revolucionin popullor antikomunist, që në fund të viteve 80-ë, përfundoi me ekzekutimin e merituar “live” para kamerave televizive të gjithë botës, të diktatorit komunist Çaushesku...

Tmerri që doemos u pati kallur datën mumjeve tona enveriste në Tiranë, ajo ngjarje dhe ato pamje të rumunëve që përmbysën regjimin e tyre monist, është një nder madhor që Rumanisë duhet t’ia dimë përjetë!

Më tepër sesa thjesht rënia e Murit të Berlinit dhe rrëzimi përfundimtar i së ashtëquajturës Perde të Hekurt, nga ana e gabuar (ajo lindore)... e së cilës prej nëntorit të 1944-ës (70 vjetorit të çlirimit të Jugosllavisë titiste, që sërish së shpejti me pompozitet të theksuar merhumist do ta “festojmë” edhe ne), qemë edhe ne për 45 vjet, revolucioni popullor rumun, ishte shkëndia që tronditi nga themelet regjimin enverist shqiptar.

Ashtu siç po ky revolucion, iu dha shpresë dhe guxim, shqiptarëve të thjeshtë, që kishin arritur në pikën e skamjes dhe urisë së skajshme, teksa sistemi ynë monist, s’po pranonte të jepte shpirt.

Për të tjera, 24 vjet pas ditëve tona dhjetorase të demokracisë së fundvitit 1990-ë, problemi “themelor” i Shqipërisë vend me Status Kandidat për në BE, nuk është gjë tjetër (kurrsesi përballja, apo së paku zbardhja e krimeve të kobshme të komunizmit në vendin tonë të tejvuajtur), përveçse “rinovimi” me frymë bashkëkohore i Piramidës!

Në këtë stad zhvilimor si shoqëri jemi akoma!

Piramida jonë në fakt, se ç’më kujton një kishë serbe në tentativë (të papërfunduar), në mes të Prishtinës, që ka mbetur si dëshmi e megallomanisë serbomadhe...

Ashtu edhe Piramida në kujtim të shokut Enver, mbart të njëjtat “vlera” shtypëse.

Thuhet se do të jenë edhe “shokët kinezë” ata që do të merren me ringjalljen e Piramidës, megjithë fantazmat e kumandarit atypari.

Sikur të mos na dilte Pallati (kinez) i Kulturës për të na vrarë sytë mjaftueshëm...



(Vota: 10 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora