Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Çorbë (e thartuar) Ballkanike!
E premte, 06.02.2015, 08:42 PM
Çorbë (e thartuar) Ballkanike!
Nga Elvi Sidheri
Nëse shprehja e popullit tonë “Fillimi i mirë, gjysma e punës”, apo ajo tjetra e fqinjëve tani italianë që shprehen se “Il buongiorno si vede dall mattino”, do të merreshin si pika referimi për këtë fillimvit 2015, sidomos në kontekstin politiko-demokratik-zhvillimor të rajonit tonë Ballkanik, atëherë gjërat vështirë se do të dukeshin kështu!
Aspak në të vërtetë!
T’ia nisim sido që të jetë nga ngjarja më madhore e këtyre kohëve, pra nga fitorja e plotë dhe gati në trajtat e absolutes, e partisë së ekstremit të majtë anarkist dhe antiglobalist SYRIZA në Greqinë fqinje, domethënë në një vend me rëndësi kapitale edhe për vetë Shqipërinë, ku ende jetojnë qindra-mijëra bashkatdhetarë tanët prej mëse 20 e ca vjetësh.
Në fakt, mënjanë pritshmërive të larta të një pjese të opinionit mediatik dhe social jo vetëm grek, por edhe më gjerësisht europian, dhe njëçikë shqiptar, ajo që po ndodh tashmë edhe zyrtarisht (pas rezultateve të zgjedhjeve në atë vend, dhe instalimit të qeverisë së zotit Cipras), është asgjë më tepër sesa vetë nisja e shfryrjes së menjëherëshme të tullumbackës së fenomenit të hiperbolizuar “SYRIZA-Cipras”.
E gjitha kjo gjithmonë sipas teorisë së mirënjohur popullore, që ilustrohet shkëlqyeshëm nëpërmjet shprehjes “Çudia më e madhe, zgjat tre ditë”.
Zotëria e tij Cipras dhe bashkëqeveritarët e tij “kravatëhequr” (në vazhdën e modës së fundit iraniane “ala Ahmadinexhad”), pas festimeve në sheshin kryesor të Athinës dhe pranë selisë së partisë së tyre ditën e zgjedhjeve parlamentare greke, nuk janë shquar mëpastaj, për asnjë veprim të prekshëm konkret.
Përveç bredhjes së një ministri grek financash me pamje “RockStar Wanna be, or at least just look alike”, nëpër kryeqytetet e vendeve me ndikim në Bashkimin Europian, i cili diku kërcënon me mosnjohje të debitit kolosal grek, e tjetërkund përgjërohet për mirëkuptim sa në Londër, aq edhe në Bruksel apo Berlin, asgjë më shumë s’kemi parë deri tani gjithësesi.
Jo rastësisht gazetat e djathta italiane, të nesërmen e fitores në zgjedhje të zotit Cipras (apo mos ka dëshirë të quhet “shoku” ky?), hapeshin me tituj të modelit “Il comunista greco ci ruba 24 miliardi” (domethënë që “Komunisti grek po na vjedh 24 miliardë euro”, për shkak se Italia është një ndër tre vendet, ndaj të cilëve Greqia ka më tepër hua për të shlyer, plot 40 miliardë euro, nga të cilat Ciprasi synon që rreth 24 miliard të fshihen fare me një të rënë të lapsit si pa gjë).
Po ashtu i porsazgjedhuri kryeministër Cipras, flitet se do t’i çarmatosi policët grekë, duke e kthyer kështu brenda pak ditësh, këtë forcë rendmbajtëse në epokën e gurit, në një vend si Greqia, ku gëlojnë ngahera lëvizje ekstremiste, si të djathta (për shembull Agimi i Artë, që sërish hyri në parlament), ashtu si edhe grupe praktikisht terroriste të majta (një ndër të cilët “17 Nëntori”).
Tanimë policëve grekë me siguri që do t’u dalë nevoja që të përballen me protestues të dhunshëm të çfarëdolloj ngjyrimi ideologjik apo politik, duke përdorur gurët apo pllakat e thyera, sikur të qenë vetë anarkistë gurëhedhës si zoti Cipras në rininë e tij ndoshta, ngaqë armët po ua ndalojnë siç duken bathët.
Do shtuar këtu, që kryeministri grek, e ka pranuar botërisht se në të kaluarën ka mëtuar që të bëhet pjesëmarrës aktiv në ngjarje tejet të dhunshme, si për shembull protestat zjarrvënëse antiglobaliste të grupimeve ekstremiste anarkisto-komuniste Black-Block, gjatë samitit të Xhenovas në vitin 2001 (por është ndaluar nga policia italiane në portin e Ankonës), kur ky qytet i hijshëm italian, u përfshi nga flakët dhe shkatërrimi, si pasojë e dhunës së padëgjuar nga njerëz të të njëjtave bindje dhe ideologji, si ato të zotit Cipras.
Për të tjera, grekët në fund të fundit, kishte kohë që flirtonin haptazi me ekstremin e majtë, pa u mpleksur përfundimisht në shtratin e qeverisjes, me një linjë politike dhe ideologji të tillë në rang shtetëror.
Tashmë, në agun e 2015-ës, ndoshta ka ardhur njëherë e mirë koha, që Ferrit (komunist) me mantel Parajse, të cilit i shpëtuan në 1949-ën, falë ndërhyrjes së vendosur anglo-amerikane në krahun e forcave të djathta gjatë Luftës Civile Greke, grekët t’ia njohin “de profundis”, pra në thellësi, trajtat dhe pasojat, meqë po rezulton fort se shumë kërshëri pakërkan patur në këtë këndvështrim.
Ishte ajo Luftë Civile (bashkë me vendimet gjeopolitike dhe strategjike të Konferencës së Jaltës), që Greqisë i dha formën pak a shumë “moderne”, që ky vend gëzon akoma sot e kësaj dite, qënien pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Europian, sistemin ekonomik që grekëve u ka mundësuar që të jetojnë për shumë dhjetëvjeçarë (para kësaj krize), më mirë sesa shumica e banorëve të Ballkanit etj.
Në atë konflikt qytetar po ashtu, Greqia ia arriti edhe qëllimit të asimilimit të dhunshëm, të shkombëtarizimit apo të vrasjeve, keqtrajtimeve dhe të përzënies masive të minoriteteve të rëndësishme që krah vetë helenëve, jetonin dhe ende jetojnë në Greqi.
Nuk do harruar se popullata çame e përkatësisë fetare myslimane, saktësisht para nisjes së atij konflikti, u zhvendos dhunshëm drejt Shqipërisë, pasi u përdorën metodat më çnjerëzore për ta vënë në zbatim këtë plan të kobshëm nga bandat Zerviste.
Njëlloj gjatë Luftës Civile, të dyja palët ndërluftuese, i përdorën minoritetet etnike, sidomos përgjatë kufirit shqiptar dhe atij jugosllav (IRJ Maqedonisë së sotme), si mish për top për të arritur qëllimet e tyre politike e shoviniste.
Djepi i betejave midis partizanëve të majtë stalinistë grekë, dhe forcave monarkiste, pati qenë pikërisht zona e Gramozit dhe Pindi, krahina të populluara historikisht nga shqiptarët, vllehët dhe sllavofonët maqedonisht-folës.
Nëse nga njëra anë, partizanët komunistë grekë, i joshën këto minoritete (sidomos sllavët, si pasojë e mbështetjes direkte dhe indirekte logjistike dhe të armatosur të marshallit Tito nga Jugosllavia, por përçapje të tilla, siç dihet, pati edhe lidhur me shqiptarët çamë), duke i rekrutuar ata në rradhët e tyre, nga ana tjetër monarkistët, e shfrytëzuan këtë konflikt, për të realizuar një pastrim të mirfilltë etnik në këto zona, si raprezalje paskëtaj.
Prandaj në ditët e sotme, Greqia është një vend “Minority free”, ku e vetmja pakicë e njohur etnike, janë turko-pomakët (bullgarë të islamizuar) e zonës së Ksanthit, shumë më të parëndësishëm e të pakët në numër, sesa shqiptarët (çamë ortodoksë, apo arvanitas të kudogjendur nëpër Greqi, qofshin), vllehët e shumtë apo sllavofonët e Maqedonisë së Egjeut.
Ka një pakicë turke në Ksanthi pra (siç ekziston edhe një e tillë rreth gjashtë mijë frymëshe e ishullt të Rodosit po ashtu, që ka mbetur aty si rrjedhojë e moszbatueshmërisë së akordeve të Marrëveshjes së Lozanës të vitit 1924, për shkak se ishujt e Dodekanezit, administroheshin nga Mbretëria Italiane! Marrëveshje nga e cila sidoqoftë e pësuan masivisht edhe shqiptarët myslimanë të Greqisë, që u deportuan si “turq” në Turqi, por edhe shqiptarët ortodoksë të Edrenesë, si të afërmit e Fan Stilian Nolit, që u deportuan anasjelltas për në Greqi, si “grekë”).
U fol ca si shumë, pak muaj më parë në parlamentin shqiptar, ndërsa diskutohej miratimi unilateral i Reformës Territoriale shqiptare, ku ndokush mori përsipër të mbronte “të drejtat” e mohuara të një pakice të huaj në Greqi (jo shqiptarëve kurrësesi, por pikërisht këtyre “turqve të Ksanthit”), duke u rrekur të thotë se turqit e Ksanthit në Greqi, nuk gëzonin aq të drejta, sa ç’u jepte ndarja e re territoriale shqiptare, grekëve minoritarë të Dropullit në Gjirokastër!
Edhe çfarë?
I paskërshkemi zgjidhur punët dhe problemet e pakicave shqiptare të Greqisë neve kështu, e paskemi bindur shtetin grek që mos t’i asimilojë më forcërisht arvanitasit, i kemi rregulluar të drejtat e pronësisë së shqiptarëve në Greqi së paku, e kemi shtyrë më në fund fqinjin tonë jugor që të heqë atë Ligjin e Luftës me Shqipërinë gjë, që pastaj të merremi me problemet e turqve të Ksanthit vallë?
Po që në ndërkohë, pikërisht shqiptarët myslimanë të Çamërisë, të cilët në vitet 20 të shekullit të kaluar, qenë shkëmbyer me popullsitë e krishtera grekofone nga Azia e Vogël, sot e kësaj dite në Turqi, akoma nuk gëzojnë qoftë edhe një të drejtë të vetme, as të flasin gjuhën e origjinës, as të organizohen si shqiptarë, as të shkollohen e kurrëfarë gjëje, nuk ka rëndësi ky fakt vallë?
Thagma e fundit në rradhë e zotit Cipras, ishte edhe tentativa qysh në fillim të mandatit të tij qeverisës, për të bllokuar një vendimarrje kolegjiale të 29 vendeve të BE-së, lidhur me dënimin e veprimeve agresive luftarake ruse në lindje të Ukrainës.
Zoti Cipras, në këtë mënyrë ia shkeli hapur syrin Carit Putin në Moskë, duke treguar njëkohësisht trashëgiminë e tij “Kominternase” ideologjike, dhe dëshirën për “t’ia luajtur” cazë edhe Rusisë, me shpresë së kështu do t’a bëjë pak xheloz Brukselin e pakënaqur rëndshëm nga cektësia, padituria dhe premtimet e parealizueshme elektorale të partisë së re qeverisëse greke.
Po ta përfshijmë këtë qëndrim të rishtë grek, në skakierën rajonale, atëherë padyshim që do të vërejmë se gjithashtu në Shkup po luhen lojëra të mëdha gjeopolitike, ku ndërhyrja e fuqishme ruse në punët e brendshme të një vendi që supozueshmërisht, do të duhej të ishte jashtë zonës së ndikimit të Moskës, është e dukshme përherë e më tepër.
Në IRJ Maqedoninë e brishtë shumetnike, kandidate për antarësim në BE dhe NATO, vetëm pak ditë më parë, kryeministri autokratik i fqinjit tonë lindor, kërcënoi qartësisht me burgosje liderin e opozitës Zoran Zaev, duke e akuzuar atë në stil e metodë të pastër Erdoganiste-Putiniste (edhe pak Enveriste po ashtu), se kish tradhëtuar atdheun duke bashkëpunuar me shërbime të huaja, falë të cilave ai (opozitari), pati rënë në posedim të disa videove tejet kompromentuese për fatet e ardhme të Gruevskit.
Si do të vejë më pas kjo emergjencë demokratike në Shkup, s’i dihet, por fakti që Ministria e Jashtme Ruse nuk e humbi rastin për të paralajmëruar lidhur me një “Skenar të mundshëm Ukrainas” (të rrëzimit popullor nga pushteti të kryeoligarkut autokratik Moskë-dashës ,domethënë), është i sigurtë dhe i shtypur në komunikatë për shtyp, e zezë në të bardhë!
Shqipëria pra, në këtë moment gjendet figurativisht “e rrethuar” nga tre vende (Mali i Zi, ku oligarkët rusë ka vite që investojnë fort), Greqia që porsa ka nisur lojën e joshjes me Moskën, dhe IRJ Maqedonia që po luhatet vendosmërisht, midis Perëndimit dhe Lindjes, sa më tepër izolohet pushteti i zotit Gruevski.
Në një çast kur ky konstatim formësohet i kthjellët, atëherë edhe shprehja “This is a miracle of Freedom” ditën kur Shqipëria u antarësua në NATO, bëhet përfundimisht lapidare!