Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Je suis Charlie!
E hene, 12.01.2015, 09:50 PM
JE SUIS CHARLIE!
Nga Elvi Sidheri
Të them të drejtën fare, këtë shkrim e kisha në mendje që ta shkruaja qysh në ditën e sulmit makabër mbi redaksinë e të përjavshmes Charlie Hebdo në mes të Parisit, në zemrën kulturore dhe libertine të kësaj Europe e të këtij qytetërimi Perëndimor, ku deri në provë të kundërt, edhe Shqipëria jonë (megjithë popullin e saj shpresohet fort), bëjmë pjesë.
Por ajo ditë e 7 janarit të këtij fillimviti kaloi, ashtu si edhe dita tjetër, ku edhe një agjente e pafajshme 20 vjeçare, në javët e saj të para të punës, ra viktimë në Paris, e furisë vrarësëse të trushkulurit bashkëpuntor të dy vëllezërve Kouachi.
9 janari
ishte një bilanc i mëtejshëm lufte, ku një botë e tërë, u mbërthye me të gjithë
vëmendjen, sërish po në
Rreth orës 17.00 të ditës së premte 9 janar, trupat speciale franceze, eliminuan më në fund, kërcënimin terrorist që jetësohej nga prania në këtë botë jo edhe aq humane (po të gjykohet nga aktet shtazarake të këtyre trushpëlarëve fondamentalistë) e tre terroristëve që shfarosën gazetarët e Charlie Hebdo, dhe vranë me gjakftohtësinë më pezmatuese, 4 civilë të pafajshëm me origjinë hebreje në hipermarketin me prodhime “Kosher”, në një lagje të Parisit.
Ishte ndoshta (dashtë Zoti kështu), fundi i një makthi!
Një makth që na zgjoi siç shpesh po ndodh prej vitesh, nga letargu në të cilin qytetërimi ynë Perëndimor, përgjumet rëndom, midis një sulmi terrorist dhe tjetrit, që nga 11 shtatori 2001 në New York, duke kaluar nga 11 marsi i 2004-ës në Madrid, nga atentatet gjakatare të vitit 2005 në Britani, e deri tek këto ditët e 7-9 janarit 2015 në Paris.
Jo pra, nuk është se jetojmë në ndonjë lloj bote as perfekte (gjithçka përveçse e tillë në fakt, është kjo bota e jonë), as të sigurt, as të paqtë, as solidare, as tolerante...!
Ose për ta thënë më mirë, neve “Perëndimorët” të tillë jemi (sepse unë si shqiptar, i këtillë jam dhe ndihem së paku, autokton, europian, shqiptar dhe pikërisht PERËNDIMOR), shumëkush tjetër ndërkohë, në këtë dimensionin e koklavitur të kësaj forme të ekzistencës njerëzore, që e quajmë “Jetë”, edhe aq “tolerant, solidar, liridashës dhe liri-respektues”, nuk është të themi të drejtën, se ndryshe do i binte të rrinim drejtë, duke folur “rroma për toma” shtrembër.
Ka njerëz, individë, ideologji, sekte, devijanca njerëzore dhe konceptuale e mistike të ndryshme (të “NDYRSHME” po ashtu) në këtë botë, që lirinë e tjetrit (në të menduar, të sjellur, të shkruar, të karikaturuar, të satirizuar etj), e shohin si një pengesë në rastin më të butë, por edhe si një armik për t’u shfarosur, çrrënjosur, fshirë nga faqja e dheut e eliminuar njëherë e mirë!
Këto lloj
speciesh njerëzore në formë turpore, por shtazarake në tru dhe botëkuptim, bënë
atë që bënë në redaksinë e Charlie Hebdo, në
U vranë 17 njerëz pa asnjë faj, 12 prej tyre për shkak se dinin të karikaturonin, të satirizonin, të vinin në lojë çdokënd me një humor të hollë elegant, sa edhe therës, pa pyetur e pa u frenuar fare, nga njerëz të pushtetshëm, fenomene sociale, individë, pasanikë, aktorë, Zotër, religjione, shenjtër e gjithçka!
E bënin këtë gjë, këtë mision fisnik satirizues gazetaresk, të frymëzuar totalisht gjer në qelizë, nga idealet dhe vlerat e Republikës Franceze, të Revolucionit Francez të 1789-ës, nga liritë që burojnë nga thelbi i laicitetit, lirisë së shprehjes, së mendimit, së të shkruarit, së të karikaturuarit, së të satirizuarit pa frikë, pa drojë, me kurajo dhe shpirt të lirë!
Si të lirë këta 12 gazetarë dhe karikaturistë jetuan, dhe si njerëz të lirë, ata edhe vdiqën tragjikisht më 7 janar.
4 viktimat e tjera të atyre ditëve të errëta, ranë për një arsye të vetme, diçka horrifikisht e zakonshme për botën e sotme, pra për shkakun e thjeshtë, sa edhe të tmerrshëm, se ishin Hebrenj!
Asgjë më tepër!
Por (faleminderit Zotit, që edhe në këtë rast, ka një POR), përgjigja madhështore që Parisi u dha vrasësve obskurantistë të dielën e 11 janarit, ishte mbyllja më me vend, për këto ditë të zjarrta.
Ishte sikur shpirti i lirë dhe idealet e iluministëve francezë, e revolucionarëve të 1789-ës, të ishte ringjallur menjëherë, dhe të ish mishëruar tek ata miliona francezë dhe parizienë, që marshuan të lirë, të pafrikësuar, duke sfiduar terrorin që vetëm pak ditë më parë, kishte përgjakur “La ville lumiere”, Parisin e hijshëm të kulturës dhe të idealeve më të shenjta, të këtij qytetërimi Perëndimor, pjesë e të cilit jemi, dhe në lirinë e të cilit jetojmë (për fat).
Parizienët dhe francezët, ashtu si edhe mijëra të huajt që patën mbushur bulevardet madhështore dhe sheshet e Parisit, i treguan botës dhe mbi të gjitha fondamentalistëve obskurantistë të cilët siç tha edhe kryeministri izraelit Netanjahu në foltoren e Sinagogës së madhe “De la Victoire”, ku zhvillohej ceremonia për 4 viktimat hebreje të këtyre ditëve, “Botën duan ta kthejnë 1000 vjet prapa”, populli pra i bëri të ditur “Të keqes prapanike”, se nuk trembet, se nuk heq dorë nga liritë e tij themelore, se nuk përçahet dot nga askush dhe asgjë!
Parizienët, francezët dhe qytetërimi ynë Perëndimor nuk ndiejnë, nuk ushqejnë e nuk frymëzohen aspak nga ndonjë formë e rrezikshme “fobie”, ndaj askujt e asgjëje (as ndaj fesë së respektuar të cilën e keqpërdorën qëllimisht tre terroristët në fjalë), e vetmja “fobi” e vërtetë që qarkullon rëndom këto kohë është “OKSIDENTO-FOBIA”, pra “Fobia ndaj lirive dhe vlerave kulturore themeltare të qytetërimit Perëndimor”, që askënd nuk kërcënojnë, përveç atyre që lirinë e shohin vetëm si rrezik.
Njerëzit që marshuan me miliona në rrugët e Parisit, të gjithë qyteteve franceze dhe të Europës e botës, u ndjenë njëkohësisht si Charlie Hebdo, si polici mysliman Ahmed Merabet, që u vra shtazërisht edhe pse kish ngritur duart lart, apo si klientët e pafajshëm hebrenj të hipermarketit Kosher.
Me 11 janar ne të gjithë që duam të jetojmë të lirë, të mendojmë lirisht, të flasim të lirë, të sillemi si qënie intelektualisht të lira, të shkruajmë lirisht atë që mendojmë, të satirizojmë në liri gjithçka dhe gjithkënd (përfshirë edhe aspektin dhe personazhet e spikatura fetare të shoqërisë sonë), ne pra që jemi “HOMO SAPIENS” dhe jo “HOMO IGNORANTIS”, ne që trurin e përdorim duke vënë në funksion logjikën tonë të lirë, dhe jo neuronet e djegura nga flukset trushpëlarëse obskurantiste, ishim të gjithë francezë, parizienë, u ndjemë të personifikuar kryekëput në shprehjen “Je suis Charlie”, “Je suis Ahmed”, “Je suis Libre”!
Jo për rastësi ndër të tjera, fokusi kryesor i marshimit të jashtëzakonshëm dhe vërtetë historik të 11 janarit në Paris, ishte edhe Bulevardi “Voltaire”, që quhet kështu për nder dhe në kujtim të njeriut, të filozofit dhe iluministit që pati thënë dikur se: “Unë nuk jam fare dakort me idetë e tua, por do të luftoj gjer në vdekje, me qëllim që ti ta kesh të mundur shprehjen e ideve të tua”!
Shpirti i Voltaire, i iluminizmit francez, i Revolucionit francez, i Laicizmit francez, i lirive që burojnë nga tradita franceze e mendimit të lirë, i Republikës Franceze dhe i gjithçkaje të mrekullueshme që kultura franceze na ka dhuruar neve si njerëz që shijojnë liritë e këtij qytetërimi të kanosur Perëndimor, është gjallë dhe më i pranishëm e i fortë se kurrë (përkundër sfidës dhe sulmit të fuqishëm të “Errësirës”).
Flamuri shqiptar që bashkë me flamujt e gjithë popujve dhe kombeve të lirë të botës, e me Lapsat simbol të mendjes së lirë të Charlie Hebdo, u ngjit disa herë majë statujës së Marianës në “Place de la Republique”, ashtu si edhe parada vëllazërore e përfaqësuesve të komuniteteve tona fetare shqiptare, që krah për krah, parakaluan mes duartrokitjeve në Paris, ishte lavdia shqiptare, gjurma burimore origjinale shqiptare, në këtë ditë të mrekullueshme ku u kremtua jo morti i 17 jetëve të pafajshme, por dëshira për liri, për të jetuar dhe ngadhënjyer mbi frikën, e një populli, një bote të tërë.
Për ta mbyllur me përshtatjen e një citati nga një ndër librat e mi të preferuar (nga “Ushtari i mirë Shvejk” i shkrimarit të madh çek Jarosllav Hashek), do të thoja për marshimin e djeshëm se: “Në Paris ne do vemi, kush s’beson, faj nuk i kemi! Kur ne shkonim për marshim (në Marshimin Republikan të Lirisë)... ZUSKËT (obskurantistët) qanin me ngashërim”!
PS: Një
këngë e njohur franceze që me datë 11 janar qarkullonte shpesh nëpër radio dhe
emisione televizive ishte “Ma liberté de penser” (Liria ime e të menduarit) e
këngëtarit Florent Pagny, ku ndër të tjera thuhet se: “ Je peux vider mes
poches sur le table, ça fait longtemps qu’elles sont trueés, baisser mon froc
j’en suis capable, mais vous n’aurez pas, MA LIBERTÉ DE PENSER”, që domethënë
se: “Xhepat mund t’i zbraz mbi tavolinë, fundja ka kohë që i kam të çpuar, të
dorëzohem jam gjithashtu i aftë, por ju kurrë nuk do të m’a merrni, LIRINË TIME
TË TË MENDUARIT”!