Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Çmim madhështor, për një njeri të madh!
E merkure, 11.02.2015, 09:18 PM
Një çmim madhështor, për një njeri të madh!
Nga Elvi Sidheri
Kur gjatë muajit të kaluar të janarit, në ato ditë të para tejet të ftohta të këtij viti 2015, u mor vesh publikisht se shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, pritej të merrte zyrtarisht një çmim në Panairin Ndërkombëtar të Librit, në kryeqytetin “e shenjtë” të Izraelit, dhe qendrën shpirtërore të tre feve të mëdhaja momoteiste, pra në Jeruzalem, emocionet vështirë se më patën zënë vetëm mua besoj.
Pa i rënë shumë gjatë, mezi u prit që të kalonin ato ditë që të shpinin deri tek data 8 shkurt 2015, që ishte edhe dita kur ky panair do të fillonte zyrtarisht, për të zgjatur gjer në datën 12 shkurt, në një eveniment ku marrin pjesë rreth 200 botues nga më tepër sesa 20 vende të ndryshme të botës.
Vetë çmimi në fjalë, quhej në mënyrë tepër kuptimplote “The Jerusalem Prize”, pra “Çmimi i Jeruzalemit”, çmim që i dorëzohet laureatit të tij, duke përfaqësuar aureolën, shpirtin dhe përjetësinë mistike të këtij qyteti magjepsës, që ravijëzohet më tej, në vetë arsyetimin e dhënies së çmimit të lartcituar...
Çmimi i Jeruzalemit, kështu i jepet shkrimtarit tonë botërisht të njohur, vlerësuar dhe të respektuar, për ta karakterizuar këtë çmim dhe laureatin e tij (Kadarenë tonë), me thelbin e “Lirisë së Individit në Shoqëri”, për shkak se ky personalitet pra, mishëron këto vlera kardinale, ashtu si edhe vepra e tij letrare mbi 50 vjeçare.
E për të thënë të drejtën, në një moment kur Shqipëria nëpër botën e qytetëruar, mënjanë përgojimeve të zakonshme sipas shablloneve të vjetra (shqiptarët trafikantë, vjedhës, varfanjakë, kallashë-dashës etj), po përfaqësohet këto ditë, edhe në Festivalin e Filmit të Berlinit, me një film që propagandizon botërisht një aspekt tejet margjinal të shoqërisë shqiptare, si “Virgjëreshat e Betuara” të maleve, atëherë vlerësimi i sërishëm i figurës së Kadaresë, shndërrohet në një ortek pozitiviteti që ky njeri, gjeneron si përherë, për vendin dhe popullin e tij.
Sepse që t’i themi gjërat troç, të mos ish për Kadarenë, vështirë se neve si shtet dhe popull, do t’ia dilnim që ta paraqisnim veten “qytetërueshëm” e “perëndimorshëm” përballë Europës së civilizuar dhe matanë oqeanit Atlantik.
Mund të më shërbejnë si shembuj ilustrues për këtë tezë timen, jo më tepër sesa vetë realizimet kinematografike me njëfarë rëndësie, që kanë patur të bëjnë me Shqipërinë apo banorët e saj, qysh pas viteve 90-ë së paku.
Të themi... “L’America” e regjizorit italian Gianni Amelio, “Taken” i regjizorit të shumënjohur francez Luc Besson, ndonjë film tjetër me refugjatë apo prostituta shqiptare (filma gjermanë, belgë apo çfardoqofshin), dhe ky i tanishmi që është prodhim italian, me një regjizore të talentuar nga ky vend fqinj, një aktore tejet premtuese si Alba Rohrwacher në rolin kryesor, dhe një roman shqiptar të një shkrimtareje të respektuar në sfond.
Atëherë, pa dashur t’i hyj shumë në të thella kësaj çështjeje, sidoqoftë “L’America”, duke përshkruar mërgatën e madhe të të dëshpëruarve të 1991-it nga portet shqiptare drejt Italisë, i paraqet kryekëput shqiptarët si “gjindje të egër”, pa marrë fare parasysh dëshpërimin dhe skamjen 45 vjeçare nga e cila e ata largoheshin për në brigjet e një vendi si Italia.
Italia pra, nënshtetasit e së cilës patën qenë protagonistë deri 20 vjet përpara këtij eksodi masiv shqiptar (gjer në vitet 70 të shekullit të shkuar, italianët ende emigronin në Gjermani e Amerikë të Jugut me shumicë), të emigrimit të pandalshëm drejt Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Brazilit, Argjentinës, Uruguajit, Venezuelës, Australisë e botës mbarë.
Por, mesa dukej regjizori Amelio, dhe shumë fqinjë tanët në Itali, shpesh preferojnë të mbyllin jo njërin, po të dy sytë, dhe të bëjnë sikur e kaluara e tyre, e dëlirë paskëshka qenë, dhe e tillë duhet të mbetet, pa marrë fare në konsideratë se emigrantët ekonomikë italianë, deri vonë në Nju Jork, Sidnej apo Sao Paolo, konsideroheshin si viktimat më të zakonshme të stigmatizimeve më të ulta raciste.
Të mos
flasim pastaj për fenomenin “Mafia”, dhe origjinën e tij pikërisht në Itali,
ashtu si edhe përgjithësimin e cekët, që sa herë
Ajo gjë ndërkohë, që më tepër më ka irrituar në atë film, është shfaqja e një personazhi, që personifikohet nga një italian, i mbetur në Shqipëri qysh pas Luftës së Dytë Botërore, i cili supozohet se i ka kaluar ato dekada të tëra në burg në vendin tonë, se ka hequr të zitë e ullirit, dhe i leckosur takohet me protagonistin italian të këtij filmi paskëtaj.
Kulmi!
Sepse të mos njohësh, të mohosh apo të injorosh faktin që në një vend të cilin e ke pas pushtuar, ushtarët e tu ky populli i pushtuar, t’i ka mbrojtur sikur të ishin bijtë e vet (jo pak, po nja 25 mijë të tillë), është e pabesueshme, dhe shenjë e një miopie apo verbërie totale historike, të pafalshme.
Për të vazhduar me faktet e mirfillta, nuk është ndërkohë, se pas “L’America-s”, nga përtej Adriatikut, të jetë ngritur ndokush, dhe ta ketë shlyer pakëz përdhosjen njollosëse të Gianni Amelios kundrejt shqiptarëve dhe Shqipërisë, duke bërë ndonjë film apo qoftë edhe dokumentar, ku të trajtohet pikërisht tematika e pushtimit italian të 1939-ës, dhe mbrojtjes së padëgjuar që shqiptarët i bënë ushtarëve pushtues të kapitulluar italianë, pas 8 shtatorit 1943.
Por gjithësesi, janë gjëra që ndodhin, pasi edhe pozicioni i shumëkujt në Itali, do mirëkuptuar, pjesërisht edhe për shkak të sjelljeve të gabuara e jo rrallë kriminale, të mjaft prej bashkatdhetarëve tanë që emigruan në këtë vend pas 90-ës.
Racizmi dhe ndjesia e inferioritetit, që shumë italianë kanë provuar në lëkurë për dhjetëra vite, i ka bërë disa prej tyre, që këto qëndrime t’ua rrezatojnë me apo pa qëllim shqiptarëve, si pasojë indirekte, e përvojave të tyre të hidhura me emigrimin dhe vuajtjet që ky fenomen i dhimbshëm shkakton në çdo shoqëri.
Për filmat “Taken”, kam folur edhe tjetërherë, dhe përshtypjen time se ky prodhim kinematografik, është krijuar mbi një kështjellë letrash “qëllimshëm” dhe “përçmimshëm” e “përbuzshëm” paragjykuese antishqiptare pafund, pak gjasa ka që të ndryshojë dot më.
Nga ana
tjetër, filmit italian “Vergine Giurata” (“Virgjëresha e Betuar”), do të uroja
që të fitonte patjetër ndonjë çmim gjithaq në
Virgjëreshat e Betuara, janë një realitet shqiptar, sadoqë për fat, tejet anësor.
Edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, dhe deformimet shtazërore që atij i bëhen edhe sot e kësaj dite nëpër Shqipëri, është pjesë e përditshmërisë sonë.
Thënë kjo, megjithëse “Vendetta” siçiliane dhe “Kan Davas?” (“Çështje Gjaku”) e turqve, nuk janë edhe aq larg për nga brutaliteti që këto tradita përçojnë edhe përtej realitetit ngushtësisht shqiptar.
Shqiptarët pas rënies së regjimit gjakatar komunist, prodhuan shumë krim, trafiqe, vrasje, Kanun etj, por njëkohësisht ky popull diti të mirëpresë dy Papë në tokën e tij, një President të SHBA, disa sekretarë shteti amerikanë dhe qindra-mijëra vëllezër të një gjaku, që i qenë larguar masakrave në trojet e tyre.
Historia e shqiptarëve pra, nuk mund (dhe nuk duhet kurrësesi), që të përmblidhet vetëm tek trekëndëshi revolucionar “Kanun-Krim i Organizuar-Varfëri”!
Habitem ende, dhe pyes veten nëse fajin e kemi vetë, apo shumëkush nga bota e jashtme, që merret me punët shqiptare (rrjedhimisht, bën edhe ndonjë film që prek realitetin tonë), e injoron qëllimisht pjesën e padukshme të “Ajsbergut shqiptar”.
Atë pjesë që qëndron ngahera nën ujin e llumit stereotipik, që shqiptarët i sheh vetëm nga një prizëm, ai ku ndërthuren tërë shabllonet që na kanë portretizuar negativisht në vazhdimësi.
E di që mund të tingëllojë cazë si tip pyetje retorike, po përse vallë, akoma nuk është bërë një film që të flasë e të përshkruajë mbrojtjen e padëgjuar që shqiptarët u bënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore??
Ka ndonjë shpjegim kjo gjë?
Bëhet fjalë për njërën nga faqet më të ndritura të shkruar me gërma të arta nga shqiptarët, në analet e historisë europiane e botërore, në një kohë kur në reston e kontinentit tonë të moçëm, furia naziste, shpesh me bashkëpunimin e hapur apo të heshtur, të shumëkujt në vendet e pushtuara, bënte kërdinë mbi hebrenjtë e Europës, duke eliminuar sistematikisht rreth 6 milionë syresh.
Por në Shqipëri diçka e tillë nuk ndodhi fare!
Në të kundërt, numri i hebrenjve të pranishëm në vendin tonë, u dhjetëfishua gjatë luftës, përkundër përpjekeve të pushtuesve nazistë, për të rënë në gjurmë të tyre.
Atëherë, Kanuni dhe Virgjëreshat e Betuara, janë më interesante sesa “Shpëtimi” mbarëpopullor (duke përfshirë edhe autoritetet shtetërore shqiptare)... i hebrenjve nga shqiptarët?
Të fokusohesh tek e keqja dhe aspektet negative, është gjithnjë më e thjeshtë, por arti, është më gjithëpërfshirës sesa dritëshkurtësia e ligë, që zakonisht u dedikohet shqiptarëve, historisë, realitetit, traditave dhe trashëgimisë së tyre historike.
Kadareja i ynë i madh, prandaj spikat ndër të tjera, sepse botës ka ditur t’i tregojë nëpër rreshtat e veprave të tij, shumë faqe të realitetit, traditave dhe historisë shqiptare, duke qëndruar asnjëanës, pa i mëshuar së ligës (që nuk është se mungon në natyrën e shqiptarit), dhe duke zgjedhur t’i kushtojë vëmendje të theksuar, hapësirës jetësore-historike shqiptare, në 360 gradë, duke prekur papërjashtim, shumësinë e larmishme të dritëhijeve të saj.
Ndaj dhe ky çmim, nga komisioni përkatës që pati vendosur të vlerësojë shkrimtarin tonë të madh, ish argumentuar ndër të tjera kështu:
“Ai është një tregimtar historish magjepsëse, i cili përdor një mënyrë të nënkuptuar dhe indirekte të të shkruarit. Ai shkruan mbi fajin kolektiv, dhe veçanërisht lidhur me pamundësinë e depërtimit të së vërtetës. Ai mëton që të shpërfaqë, teksa i fsheh gjurmët e tij nëpër shtresa mitesh dhe metaforash, pyetje për të cilat nuk ka përgjigje, dhe krime për të cilët nga ka faj-shlyerje. E megjithëse subjektet dhe protagonistët e veprës së tij, zakonisht janë vendorë, domethënia dhe rëndësia e tyre, janë padyshim universale.”
Më
shkoqur, qartë dhe kthjelltë se kaq, asnjë shqiptar nuk do të
Pak rëndësi ka që andej nga anët nordike të komisionit të Nobelit, rregullisht këtë diamant të letrave shqiptare e botërore, e lënë në harresë.
Jo rastësisht në Britani “Man Booker International Prize” në 2005-ën, në Spanjë “Principe de Asturias” për Letërsinë në 2009-ën, dhe tashmë në Izrael me “Jerusalem Prize for the Freedom of the Individual in Society”, e kanë kuptuar këtë arrogancë nordike, dhe i janë përgjigjur asaj ashtu siç duhet!