E premte, 29.03.2024, 02:20 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Papa Françesku “njeh” vërtetësinë e genocidit armen!

E marte, 14.04.2015, 07:59 PM


Papa Françesku “njeh” vërtetësinë e genocidit armen!

Nga Elvi Sidheri

Sa herë që flitet për genocidin armen të kryer dhe planifikuar qëllimisht nga Xhonturqit 100 vite më parë; dy gjëra bien përgjithësisht në pah: së pari thellësia e dhimbjes që ky genocid i pashembullt ka shkaktuar dhe lënë pas ndër breza tek populli armen i shpërndarë ngado nëpër botë; dhe refuzimi kokëfortë i shtetit turk për ta pranuar këtë tmerr si diçka të vërtetë.

Është një fakt i mirënjohur tashmë, që Turqia nuk pranon në asnjë mënyrë ekzistencën e ndonjëhershme të një genocidi të kryer nga turqit kundrejt popullit armen, gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe diçka e tillë për kohën në të cilën jetojmë, tingëllon sa absurde, aq edhe kriminalisht shpotitëse për vlerat qytetëruese të botës së sotme, e cila të paktën në pamje të parë, ka ditur të ndahet dhe të ngrejë një mur vetëdijësimi që e ndan atë nga krime të këtij lloji.

Shekulli i shkuar, në realitet, nisi me gencodin armen, vazhdoi me atë nazist ndaj hebrenjve, kaloi nëpër genocidin e marrë maoist të Kmerëve të Kuq të Pol Potit mbi popullin e pafajshëm të Kamboxhias; dhe u mbyll me genocidin e Srebrenicës, apo edhe me përçapjet gjakatare me prirje dhe qëllime të forta për genocid kundrejt shqiptarëve të Kosovës, nga ana e regjimit serbomadh shovinist të Sllobodan Millosheviçit.

Ishte pra ky i XX-i, një shekull genocidesh.

Tani që gjendemi në vitin e 15-ë të shekullt të XXI, gjërat ndërkohë vështirë se duken të jenë përmirësuar ndopak, duke gjykuar nga çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme, ku ushtrohet para syve të gjithë botës së topitur, një genocid modern i shumëfishtë.

Bota shikon duarlidhur pra, sesi shfarosen njerëz të pafajshëm për shkak të etnisë, të fesë, apo edhe të sektit të tyre brenda së njëjtit religjion; sesi rrënohen e rrafshohen me tokën zona arkeologjike me vlerë mbarëbotërore si ato që po shkatërrojnë sistematikisht kalifatistët e çmendur përditë në rrethinat e Mosulit.

Në këtë kontekst jo edhe aq inkurajues ndërkaq; pikërisht në ditën e Pashkëve Ortodokse, të dielën e porsashkuar të 12 prillit; Papa Françesku, zgjodhi momentin më të volitshëm, për të thenë me plot gojën një të vërtetë të madhe.

Çfarë tha ai pra?

Ai pohoi se ka pasur një genocid ndaj popullit armen para fiks 100 vitesh, diçka themelore kjo, që për herë të parë në absolut, thuhet haptazi nga një Papë.

Gjatë këtij genocidi, armenët llogarisin se jo më pak se 1.5 milionë armenë patën humbur jetën përdhunshëm midis 1915-ës dhe 1917-ës.

Papa Françesku pra, përdori pikërisht termin “genocid” për t’iu drejtuar masakrës së paparë të armenëve të kryer nga ana e turqve 100 vjet më parë, një fakt ky që kurrë s’është njohur apo pranuar, dhe që vijon të mohohet sistematikisht me një forcë përçmuese për të vërtetën dhe gjakun e derdhur nga ata njerëz dhe kockat e tyre të dergjura; nga ana e Turqisë moderne.

Ankaraja zyrtare menjëherë nuk mungoi që ta thërriste për t’i dorëzuar një protestë zyrtare, ambasadorin e Vatikanit në Turqi.

“Shekullin e kaluar, familja njerëzore vuajti nga shumë tragjedi të padëgjuara më parë. E para ndër to, që mund të konsiderohet si genocid, goditi pikërisht popullin armen”, pati thënë Papa Françesku.

Fjalët e tij u thanë gjatë përshëndetjes së vet fillestare ndaj të pranishmëve në meshën e realizuar për të përkujtuar njëqind vjetorin e “martirizimit” të armenëve, që u zhvillua në bazilikën e Shën Pjetrit në të cilën u shpall si “Doktor i Kishës” Shën Gregori i Narekut.

“Sot kujtojmë me zemrën e mbushur plot dhimbje, por gjithashtu me shpresë, njëqind vjetorin e atij eventi tejet tragjik, të asaj shfarosje mizore dhe shtazarake që paraardhësit tuaj e vuajtën në kurrizin e tyre në mënyrë çnjerëzore”, pohoi Ati i Shenjtë.

Së bashku me të, e bashkëdrejtuan meshën patriarku i Cilicias i Armenëve Katolikë, Nerses Bedros XIX, dhe Patriarku Suprem i Kishës Armene, Karekin II.

Në bazilikë ndodhej gjithashtu i pranishëm edhe presidenti i Armenisë, Serzh Sargsyan.

Sipas historiografisë armene dhe asaj botërore (me përjashtim të versionit turk të historisë); në periudhën e Luftës së Parë Botërore, kur Perandoria Osmane po i afrohej fundit të pashmangshëm të ekzistencës së saj, u gjet e udhës të goditen kaq ashpër me një tentativë të qartë shfarosëse armenët, për shkak të mos-uniformizimit të tyre me etninë dhe fenë e Turqisë së re që patën përfytyruar Xhonturqit, një organizatë nacionaliste e lindur në fillim të shekullit të XX-ë.

Xhonturqit kishin për synim dhe qëllim që të krijonin një shtet kombëtar turk, të cilin, më pas mundësisht ta bashkonin me botën turkofone të Azisë qendrore (Kazakistanin, Turkmenistanin, Uzbekistanin, Kirgizistanin, e deri tek Turkestanin kinez në provincën turkofone të Xinjangut me popullsi ujgure turke).

Kështu që armenët, popullsi e lashtë indoeuropiane e krishterë, përbënin pengesën më të dukshme që duhej eliminuar patjetër dhe me çdo kusht, me qëllim që të realizohej ëndrra nacionaliste e Xhonturqve për një shtet turk që të arrinte qysh nga brigjet e Mesdheut deri në Xinjangun kinez.

Hapi i parë drejt realizimit të këtij qëllimi të përgjakshëm, që mishërohej në përçapjen për të krijuar një shtet të banuar vetëm nga turq, mbetej të ishte pashmangshmërisht zhdukja nga faqja e dheut në këtë territor, e popullsive joturke të krishtera, që ngahera patën jetuar në ato troje, dhe që pas vërshimeve selxhuke e osmane, qenë vetëorganizuar në disa “milete” (komunitete të veçanta fetare dhe kombëtare) brenda Perandorisë Osmane.

Ideja e “Shtetit kombëtar” që synonin të jetësonin (në kurrizin e të tjerëve) Xhonturqit, parashikonte një vend gjuhësisht dhe kulturalisht homogjen, me një popullsi të përbërë në shumicë dërrmuese nga një grup i vetëm etnik, mundësisht pa minoranca fare, ose me pakica të papërfillshme.

Kështu pra, qëllimi i Xhonturqve në kohën para dhe gjatë “genocidit armen”, ishte që të arrihej me anë të forcës, që të realizoheshin në terren kushtet e dëshiruara prej tyre, ndryshe nga ç’kishin qenë zhvillimet dhe realiteti historik.

Armenët në këtë mënyrë, përbënin qartazi pengesën madhore para realizueshmërisë së këtyre qëllimeve.

Genocidi armen kish filluar në Kostandinopojë natën e 24 prillit 1915, ku objektiv i Xhonturqve patën qenë shtëpitë e intelektualëve, studiuesve,apo edhe poetëve armenë. Më pas, në mënyrë sistematike, masakra kish vijuar më në Lindje, në ato troje që qenë banuar prej mijëvjeçarësh nga populli armen. Kjo që bërë me planifikim dhe gjakftohtësi duke vrarë burrat dhe deportuar fëmijët dhe gratë armene në shkretëtirën siriane, ku ata patën vdekur nga uria apo etja, të braktisur në mes të rërës dhe diellit përvëlues. Disa fëmijëve iu patën ngulur gjithashtu nëpër shputat e këmbëve patkonj kuajsh siç tregohet nga të mbijetuarit e kohës. Ndërsa pasuritë e sekuestruara nga armenët e eliminuar fizikisht, shërbyen për të pasuruar disa familje të mëdha turke. Kjo periudhë njihet si “Medz Yeghern”, ose në shqip “E Keqja e Madhe”.

I fundit që pati mbrojtur të drejtat e ligjshme të popullit të martirizuar armen, kish qenë presidenti amerikan Uillson, që ashtu siç bëri edhe me të drejtat e Shqipërisë, pati dalë në mbrojtje të fuqishme të së drejtës së armenëve për të pasur një shtet të tyrin të pavarur në territorin e Armenisë historike (sipas Traktatit të Sévres), e cila tani ndodhet në shtetin turk.

Historiografia zyrtare turke përpiqet vazhdimisht që t’i përfshijë masakrat ndaj armenëve brenda kontekstit të Luftës së Parë Botërore, duke mohuar ekzistencën e një plani specifik shfarosjeje të gjithë popullsisë armene. Vetëm të përmendurit e e fjalës “genocid” në Turqi, mund të dënohet me ligj me disa vite burg, kurse njohja nga ndonjë shtet i këtij genocidi, shoqërohet me protesta të fuqishme nga ana e Ankarasë. Në realitet, Lufta e Parë Botërore u shfrytëzua nga Xhonturqit vetëm si një rrethanë e volitshme që i ndihmoi ata të zbatonin gjer në fund një projekt të ideuar shumë kohë më parë.

Masakra e njohur ndaj armenëve e Adanasë në vitin 1909 dhe akoma më parë se kjo ngjarje tragjike, masakrat “hamidiane” (të kohës së Sulltanit osman Abdyl Hamid II) të fundit të shekullit të XIX-ë, shërbejnë si prova të pakundërshtueshme për këtë fakt.

Sidoqoftë, përveç njohjes së këtij genocidi të tmerrshëm nga 22 vende të botës (përkundër presionit të pandalur zyrtar turk lidhur me këtë çështje), njohja e vërtetësisë së këtij genocidi mbetet si njëri nga kushtet e panegociueshme të Brukselit zyrtar që Turqia nevojitet të plotësojë, në mënyrë që të aspirojë për t’u integruar dikur (?!) në Bashkimin Europian.

Qysh në vitin 2000 Papa Gjon Pali II pati firmosur një dokument të përbashkët me Patriarkun Armen në të cilin denoncohej ky fakt historik, por sidoqoftë Bergoglio është i pari Papë që e përmend këtë fjalë në një meshë në Vatikan.

“Të përkujtuarit e atyre viktimave është diçka e rëndësishme dhe gjithashtu e detyrueshme për shkak se aty ku nuk mbijeton kujtesa, do të thotë se e keqja e mban akoma plagën të hapur. Të fshehurit apo të mohuarit e së keqes, është njëlloj sikur ta linim një plagë që të vazhdojë të gjakoset pa e mjekuar atë”, paralajmëroi Françesku. “U patën vrarë peshkopë, priftërinj, klerikë, burra, të moshuar dhe gjithashtu edhe fëmijë dhe të sëmurë të pambrojur”, shtoi ai.

Këtë genocid të shekullit të kaluar, e pasuan sipas fjalëve të Jorge Bergoglio-s, dy të tjerë: “nazizmi” dhe “stalinizmi”. Papa, i cili është shprehur shpeshherë me forcë kundër “luftës së tretë botërore me pjesë” të cilën po e përjetojmë aktualisht, vuri sërish në pah se “jemi duke soditur një lloj genocidi të shkaktuar nga indiferenca e përgjithshme dhe kolektive, dhe nga heshtja bashkëfajtore e Kainit që thërret ‘Po mua çfarë më intereson!’”

“Shikojmë përditë krime mizore, masakra të përgjakshme, dhe çmendurinë e shkatërrimit. Akoma dëgjojmë britmën e mbytur të shumë vëllezërve të pambrojtur, të cilët për shkak të besimit të tyre tek Krishti ose të përkatësisë së tyre etike, vriten publikisht, u pritet koka, kryqëzohen apo digjen të gjallë”, vuri ai në dukje.

Pas tragjedive të shekullit të kaluar, Bergoglio u shpreh se “duket sikur njerëzimi nuk ia del mbanë që të mos derdhë gjak të pafajshmish, sikur entuziazmi i lindur pas Luftës së Dytë Botërore të ishte duke u zhdukur dhe tretur”. “Duket sikur familja njerëzore refuzon që të mësojë nga gabimet e veta të shkaktuara nga ligji i terrorit. Dhe kështu, edhe sot e kësaj dite, ka akoma nga ata që përpiqen t’i eliminojnë të ngjashmit me ta me anë të ndihmës së heshtjes bashkëfajtore të të tjerëve që rrinë spektatorë të palëvizshëm”, denoncoi ai.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora