E enjte, 03.10.2024, 08:53 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: 22 Mars i paharruar!

E premte, 27.03.2015, 09:00 PM


22 Mars i paharruar!

Nga Elvi Sidheri

Bëhen plot 23 vite qysh nga zgjedhjet e dyta pluraliste të 22 marsit 92.

E çë pastaj?! – do të pyeste ndoshta edhe me njëfarë të drejte ndokush.

Një palë zgjedhje, që ndër të tjera, nuk qenë siç duket edhe nga pohimi im në fillim të këtij shkrimi; nuk figurojnë tamam si të parat që u patën zhvilluar në mënyrë pluraliste, nën sistemin demokratik multipartiak në Shqipërinë post-moniste të fillimviteve 90-ë.

Kishim patur tashmë zgjedhjet e para të vërteta pluraliste, pra në të cilat nuk konkurronte vetëm Partia e Punës e shokut gjakpirës Enver, me Frontin Demokratik të shoqes hienë Nexhmije; faktikisht në zgjedhjet e 31 marsti 91, nuk ushtuan daullet qysh në pikë të mëngjesit (që pa gdhirë, pa e lëshuar akoma dielli rrezen e parë drejt faqes së kësaj toke; atëherë kur as gjeli më entuziast, nuk ia kish nisur këngës mëngjezore); dhe gjindja e mori me nge, të vajturën për të votuar kë t’ia kish ënda, në kutitë e votimit.

Shqipëria, mënjanë përvojës së mrekullueshme të viteve të para 20-ë të shekullit të shkuar, kur kërciste oratoria e papërsëritshme pluraliste në parlamentin ku spikasnin përfaqësuesit e fundmë të Rilindjes së vonë erudite shqiptare të periudhës së midis dy luftërave botërore; më tej, pas 44-ës, kish njohur vetëm një “parlament goglash” (për nga mënyra sesi votoheshin kandidatët, në zgjedhjet e para të organizuara nga i ashtëquajturi “PUSHT-et Popullor” pas çlirimit dhe luftës civile të 1941-1944-ës); në të cilin ai grup deputetësh të zëshëm, intelektualë, jokomunistë dhe të paepur, që guxuan të kundërshtojnë drejtpërdrejtë në sallën e kuvendit, shokun Enver dhe shpurën e tij kriminale titiste (si Riza Dani; Shefqet Beja; Selaudin Toto; Kolë Kuqali; Sheh Ibrahim Karbunara, Gjergj Kokoshi etj); vdiqën burgjeve ndër tortura të patregueshme, ose u ekzekutuan menjëherë nga regjimi.

Paranteza e detyrueshme që na shpie dhe kalon patjetër nga 31 marsi i 91-it, para se të rindalemi më gjatë tek 22 marsi 92; na shpërfaq shumë fakte e të dhëna, që na tregojnë rëndësinë dhe papërsëritshmërinë historike të atyre ngjarjeve të rrufeshme, që shenjuan përfundimisht, ndarjen e shoqërisë (së lirë) shqiptare, nga kthetrat diktatoriale të stalinizmit enverist 45 vjeçar.

Shqiptarët në 31 mars, për shembull kuptuan se nuk ish më e nevojshme (e aq më pak e detyrueshme); që të dilnin me urdhër Partie, për të votuar masivisht, në mënyrë të detyrueshme unanime Nënën (e përdalë) Parti... (se uniformizmi 100 %, në sjellje, mënyrë të menduari, veprim dhe gjallim, ashtu si edhe në të votuar; kish qenë, ashtu si edhe në çdo sistem tjetër megalloman, vrasës, përndjekës, paranojak dhe çnjerëzor si ky i yni enverist; një “modus operandi” i secilës diktaturë që bota kish njohur).

Më pas, fitorja në qytete e opozitës demokratike, pati qenë oguri i mirë, që kish lënë të kuptohej, se pranvera ende s’pati ardhur me një lule, në atë mars të largët krize ekonomike dhe eksodesh masive shqiptare të 91-it; por që një pranverë tjetër demokratike, afër ishte megjithatë.

Kështu, pas 2 prillit shkodran; protestave popullore dhe gjithçkaje tjetër ndodhi në vitin pasardhës, Shqipëria u gjend sërish në agun e zgjedhjeve të reja.

Në të cilat triumfoi si kurrë më parë, opozita demokratike, duke e shpënë në analet e historisë më të errët dhe të kobshme shqiptare, Partinë Komuniste të krijuar nga emisarët jugosllave të shokut Tito më 8 nëntor 1941, që më vonë ish shndërruar në Parti të Punës (“punës së detyruar”, siç shkruanin edhe nazistët në kampin e shfarosjes së Auschwitz-it “Arbeit macht frei” pra “Puna bën të lirë”, në gjurmët e së cilës teori, eci vendosmërisht edhe PPSH-ja).

22 marsi pra, nuk ish dhe nuk do të mund të konsiderohet kurrë një datë dhe ditë e zakonshme zgjedhjesh parlamentare.

Ajo nuk ish thjesht një ditë, kur njëri krah politik (i djathti në këtë rast, mbështetësit dhe pinjollët e të cilit, qenë vrarë sistematikisht, internuar, poshtëruar, torturuar, përndjekur, jashtëligjëruar, quajtur armiq të kllasës dhe Partisë e atdheut; qenë përçmuar e përçudnuar për një gjysëm shekull të plotë nga regjimi stalinist shqiptar, i ngjizur dikur me kujdes të përpiktë antishqiptar, në kuzhinat e Beogradit)... pat fituar numerikisht me vota të lira, ndaj palës tjetër.

22 marsi 92, ish shumë më tepër sesa kaq!

Ish dita e pranverës së re shqiptare!

Ajo ditë kur ekuinoksi natyror pranveror, u ndërthur me shpërthimin e lulëzimit të çlirët njerëzor që këputi vargonjtë e tiranisë moniste, dhe që e ndryshoi njëherë e pëgjithmonë realitetin dhe jetën e shqiptarëve paskëtaj; është pra, më tepër sesa një datë kur njëra palë politike, do të duhej të kremtonte dhe përkujtonte fitoren e saj të parë elektorale.

22 marsi, është një ditë që shqiptarët, do të duhej ta përkujtonin si ndarjen përfundimtare nga e shkuara e zymtë moniste, si fundin e një 50 vjeçari diktatorial, që iu bashkëngjit fatkeqësisht trashëgimisë së zymtë prapanike orientale (dhe që eci mënxyrisht në gjurmët e përgjakshme të lëna prapa nga osmanët në tokë shqiptare), të lënë pas nga sundimi i tejzgjatur pesë shekullor osman.

Mbrujtja e karakterit dhe prirjeve natyrale perverse të shokut Enver dhe shpurës së tij gjakatare moniste, pikërisht sipas një kokteji vdekësisht shpërthyes “osmano-orientalo-komunist”, ishte arsyeja e qartë, përse regjimi shqiptar, diti të jetë unik në ligësinë dhe ashpërsinë e tij të padëgjuar, që shqiptarët e ndjenë pandalur në kurriz (gjer në palcë e kocka faktikisht); deri në 22 marsin e 92-it.

Për këtë arsye, ashtu siç bota e qytetëruar, i kremton madhështisht dhe rregullisht, tërë datat e triumfeve mbi të keqen (si 8 apo 9 maji, që përkujtojnë në Europë apo Rusi, fitoren mbi murtajën naziste dhe çlirimin e Europës nga ushtritë hitleriane); edhe ne do të ish dashur që 22 marsin e 92-it, ta ngrinim në Olimpin e lirive shqiptare, si ditën kur populli shqiptar, pa dallim feje, krahine, ideje, dhe bindje politike, i dha dërrmën finale sistemit mesjetar komunist.

22 marsin fundja, tashmë e kemi prej vitesh si festë zyrtare, duke respektuar komunitetin e nderuar patriot bektashi shqiptar, që po në këtë datë feston ditën e Sulltan Nevruzit, kështu që, arsyeja për ta kremtuar këtë ditë, në këtë mënyrë do të dyfishohej, dhe për të thënë të drejtën, ne shqiptarët, kemi mjaftueshëm arsye për t’i shtuar mundësisht festat dhe rastet kur ky popull mund të festojë, ngaqë përditshmëria shqiptare, vijon të lerë pak shteg për arsye për t’u ndjerë dhe për të qenë shqiptari i sotëm, sadopak i kënaqur nga jeta e tij.

Këto ditë, në Italinë fqinje, u ritransmetua një “Fiction” televizive e prodhuar me shumë përkushtim nga RAI (Radiotelevizioni Italian); që tregonte historinë e këngëtarit legjendar puljez, Domenico Modugno, qysh nga mosha e tij më e mitur, e deri në ditën e nisjes së apogjeut të tij jetësor dhe artistik, pas fitores në festivalin e SanRemos të vitit të largët 1958, me këngën botërisht të stërnjohur “Volare” (Nel blu, dipinto di blu).

Në fakt, kur ndërlidhem në mendjen time me ngjarjet që shpunë drejt 22 marsit 92, tek ajo ditë votimesh, dhe tek festa e paparë dhe e padëgjuar e shqiptarëve, një ditë më pas; pasiqë ishin bindur se një epokë e zymtë qe mbyllur; më duket sikur rrugëtimi i shqiptarëve drejt demokracisë, ngjan fort me jetën e përshkruar aq bukur, në filmin që RAI i kish kushtuar kolosit të muzikës italiane dhe asaj botërore, Domenico Modugno.

Ky personazh thelbësor për evolucionin modern të këngës dhe melodisë italiane, ish nisur nga një fshatth i vockël puljez në zonën e Salentos (pranë qyteteve të Leçes dhe Brindizit).

Që aty Modugno kish arritur mes njëmijë mundimesh, pa asnjë kacidhe në xhep, apo qoftë edhe një vend për të fjetur, në Romë dhe në Cinecittá; ku pasi kish kaluar vite të tëra nëpër kurse formimi artistik dhe duke luajtur role episodikë në filma të ndryshëm të kohës, sa për të mbajtur frymën gjallë, dhe mbushur barkun me ndonjë kothere bukë, dikur pati ardhur edhe shpërthimi në SanRemo me këngën “Volare”, dhe më tej udhëtimi i kësaj kënge kudo nëpër botë, duke e shndërruar Modugnon në një mit të muzikës italiane, dhe këngën e tij, në një simbol të tingullit muzikor italian, ashtu si edhe “O sole mio”, apo “Torna a Sorrento”, të traditës mahnitëse napoletane.

Por, dita kur ai kish debutuar në festivalin e SanRemos në 1958-ën, sot e kësaj dite cilësohet si çasti kur jeta e Modugnos, ashtu si edhe rrjedha e muzikës italiane, pati ndryshuar përfundimisht, duke ia dorëzuar timbrin e rrallë të zërit të këtij këngëtari historisë më të epërme të muzikës italiane dhe botërore, dhe duke e shpënë traditën muzikore italiane, në një nivel tjetër, më modern dhe melodik, të pahasur përpara shpërthimit të këtij kantautori gjenial.

Kështu më ngjan pra edhe mua 22 marsi 92.

Një ditë që Shqipërinë dhe banorët e saj, pas një rrugëtimi të gjatë dhe plot mundime, pengesa dhe sfilitje mbinjerëzore, i shpuri deri tek liria e kulluar, ashtu siç ata kurrë më parë s’e kishin njohur, e as që kishin guxuar të ëndërronin ndonjëherë para dhjetorit 90-ë.

Shqipëria e pas 22 marsit 92, kurrë më nuk do të ish e njëjta, dhe këtë fakt thelbësor e themelor, nuk e ndryshuan dot më, gjithë gabimet apo përndrydhjet e demokracisë së brishtë shqiptare të 23 viteve të fundit, që akoma nuk e ka gjetur balancën e saj të integrimit të pashmangshëm Europian, dhe ekuilibrit të brendshëm shoqëror demokratik.

Sot jemi një vend dhe popull tjetër, megjithë reminishencat e pashmangshme të së kaluarës jo aq të largët moniste (apo osmane), që asnjëherë nuk ka reshtur së riformësuari trajtat e saj në përditshmërinë tonë aktuale.

Shqipëria e sotme, me të mirat, mangësitë dhe të metat e saj të shumta, është gjithësesi një rezultat direkt, i zhvillimeve të lindura dhe jetësuara pas 22 marsit 92.

Nëse në dhjetor të 90-ës, patëm guximin që si popull, të ngremë krye kundër regjimit që kish ditur përgjatë një gjysëm shekulli  të na i atrofizonte mendimin e lirë dhe kurajon për të vepruar e për t’u sjellë si qënie të pavarura nga dëshira dhe vullneti i sistemit monist enverist; padyshim ndërkohë që në 22 mars të 92-it, si popull i vumë kapakun (“gurin e varrit” domethënë), epokës diktatoriale të nisur plot 51 vite më parë, me iniciativë të të dërguarve të Beogradit, dhe miratimin e ithtarëve të tyre shqiptarë, një ditë nëntori (me datë 8), të 1941-it.

Pas 22 marsit 92, ky vend ndryshoi, në çfarë mënyre, akoma s’e kemi kuptuar!



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora