E premte, 19.04.2024, 02:11 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Kryqëzimi dhe shkaqet e tij të panjohura!

E premte, 03.04.2015, 09:10 PM


Kryqëzimi dhe shkaqet e tij (ende) të panjohura!

Nga Elvi Sidheri

Sa herë që afrohen Pashkët, të krishterët e pyesin veten se cilët qenë ata që e patën dënuar Jezusin dhe mbi cilat akuza e bënë këtë gjë. A ishin vallë hebrenjtë ata që e zvarritën deri tek kryqi, apo më saktë, a qenë vallë romakët që e kryen këtë akt, meqënëse patën shtrirë dominimin e tyre mbi Palestinë dhe ngaqë e konsideronin atë si një personazh kryengritës ndaj rendit të tyre?

“Le të lutemi për hebrenjtë e pabesë”... Dëgjoje o Zot, lutjen tonë për verbërinë e atij populli, në mënyrë që ata të çlirohen nga terri”.

Kjo lutje u këndua nga miliona besimtarë katolikë gjatë liturgjisë të së Premtes së Shenjtë qysh në 1570-ën, vitin kur Papa Piu i V-të pati krijuar Mesharin Roman.

Ajo lutje fyese kundrejt fesë judaike, nga e cila pati lindur edhe vetë krishtërimi, përmbante të nënkuptuar—dhe në atë mënyrë e kuptonin edhe besimtarët—mesazhin se kishin qenë hebrenjtë ata që patën vrarë Jezusin. Shkrimtari izraelit Amos Oz e thotë fare haptazi se: “Përgjatë dy mijëvjeçarëve Kisha iu pat përkushtuar përcaktimit të hebrenjve si vrasësit e Zotit”.

Sot, megjithatë, historianët dhe specialistët e fushës, priren drejt njohjes së faktit të pamohueshëm që tregon qartë se ishin romakët dhe jo hebrenjtë, ata të cilët e patën dënuar profetin rebel.

Ata mbështeten në dy argumeta të qenësishëm: nga njëra anë tek fakti se kryqëzimi ishte një formë dënimi me vdekje e panjohur për hebrenjtë para dymijë vjetësh. Dy mijëvjeçarë të shkuara, ata përdornin dënimet me lapidim (vrasje me gurë), prerjen e kokës apo therjen në qafë. Kryqëzimi pra, ishte një specialitet i veçantë dhe origjinal i romakëve, të cilët nuk ngurronin apo përtonin që ta praktikonin atë rëndom me rebelët e ndryshëm politikë që shpesh ngrinin krye kundër sundimit të tyre nëpër gjithë këndet e Perandorisë së stërmadhe Romake.

Nga ana tjetër, në kohën e Jezusit, kur Palestina (Judeja) ndodhej nën pushtimin romak, autoritetet vendore hebreje tanimë e patën humbur krejtësisht pushtetin për të dënuar ndokënd me vdekje, pasi këtë të ashtëquajtur “privilegj” e posedonin gati ekskluzivisht vetëm autoritetet romake. Nëse rastësisht dhe tejet në të rrallë, hebrejtë mund të dënonin dikë me vdekje, kjo gjë mund të ndodhte vetëm në raste të rënda blasfemie, që domethënë, vetëm për motive të rrepta fetare.

Është gjithësesi e mundur, që si fillim, Jezusi të ketë pas qenë gjykuar nga Gjykata e lartë e Priftërinjve dhe të ishte akuzuar për blasfemi ngaqë supozueshmërisht ai pati sfiduar fuqinë e Tempullit të Jeruzalemit. Megjithatë, ajo që thonë Ungjijt është se “Sanhedrin-i” (Këshilli suprem kombëtar dhe fetar i popullit hebre midis shekullit të III para Krishtit, deri në shekullin e I-rë pas Krishtit) e dërgoi Jezusin tek romaku Ponc Pilat që të ishte ai që do ta gjykonte, shenjë kjo që shërben si një e dhënë themelore për të na treguar se nuk u patën gjetur nga hebrenjtë shkaqe të llojit fetar për ta dënuar atë me vdekje, siç shpjegon edhe njëri nga specialistët më të mirë të kësaj fushe, Paul Winter, në veprën e tij “Mbi gjykimin e Jezusit” të vitit 1961.

Paqartësitë mund të lindin nga fakti që midis hebrenjve ekzistonte në atë kohë një traditë e varjes së trupave të të vdekurve nga lapidimi me gurë, për t’i çnderuar ata publikisht, gjë kjo krejt e ndryshme nga kryqëzimi që praktikonin shpesh me dhe plot vullnet, romakët, në të cilët të dënuarit nguleshin me gozhdë të gjallë në kryq dhe liheshin atje që të kullonin gjak gjersa t’u vinte vdekja makabre, proces që zgjaste për ditë të tëra nganjëherë.

Burimet rabinike na tregojnë se vdekja në kryq kryhej “në përputhje me praktikat romake”. Mjafton këtu që të kujtojmë se një autor i viteve 170 para Krishtit (në kohën e mbretit Antiok të IV të Sirisë), përmend me neveri të theksuar praktikën romake të “varjes së njerëzve të gjallë”, praktikë kjo, e cila vërehet me forcë se “kurrë nuk është kryer në Izrael”.

Ishte Papa Gjoni i XXIII-të, ai i cili në vitin 1959 pati urdhëruar që të hiqej nga lutja e të Premtes së Shenjtë shprehja “hebrenjë e pabesë” dhe tjetra që thoshte “verbëria e atij populli” që sipas këtij këndvështrimi njëkahësh, s’pranonte që të njihte hyjshmërinë e Jezusit.

Papa Pali IV, që e pasoi Gjonin e XXIII, hodhi edhe një hap më tutje duke e hequr edhe lutjen në të cilën kërkohej që “hebrenjtë e verbër” të ktheheshin në fenë e vërtetë.

Lutja u ndryshua në kuptimin e mirë dhe në të tanimë bëheshin lutje për hebrenjtë, “të cilët Zoti i përzgjodhi si të parët ndër tërë njerëzit, që të do ta dëgjonin fjalën e tij”.

Ishte Papa gjerman Benedikti i XVI ai që lejoi që besimtarët më konservatorë, ndryshe nga vendimet e Koncilit të II të Vatikanit, të ktheheshin në liturgjinë e lashtë latine. Dhe qe sërish ai që e riktheu në përdorim lutjen e të Premtes së Shenjtë, pra idenë se hebrenjtë nevojitet që të kthehen në fenë e krishterë: “Të lutemi për hebrenjtë: Zoti ua ndriçoftë zemrat dhe ata ta njohin Jezu Krishtin”. Ky ishte një hap mbrapa dhe tashmë pritet që Françesku, Papa i cili ka treguar se ushqen respektin dhe admirimin më të fortë për religjionin hebraik, t’i zhveshi lutjet e të krishterëve nga çdo sugjerim lidhur me nevojën që hebrenjtë—feja e parë e madhe monoteiste e historisë së njerëzimit—të duhet të konvertohen për çfarëdo arsyeje në ndonjë fe të ndryshme nga ajo e tyrja.

Në të vërtetë, qysh nga debatet e të krishterëve të parë në shekullin e dytë pas Krishtit, nisi përçapja për t’ua ngarkuar (dhe ngecur) hebrenjve mbi shpatulla peshën e të pasurit dënuar me vdekje të pafajshmin më të madh dhe të njohur të historisë njerëzore, për t’i mikluar në këtë mënyrë autoritetet romake, të cilët si fillim i përndoqën mizorisht të krishterët dhe më pas u pajtuan me ta duke i dhënë Kishës privilegje të shumta (duke filluar pikërisht nga koha e Perandorit romak me origjinë ilire, Kostandini i Madh).

Atëherë, nëse qenë romakët ata të cilët, sipas historianëve modernë, e kryqëzuan Jezusin, aspekti që akoma mbetet i paqartë në këtë histori, qëndron tek arsyet që i shtynë romakët drejt këtij vendimi të ashpër. Megjithatë, nëse dënimi me vdekje në kryq u rezervohej rebelëve politikë, nuk ka sidoqoftë asnjë pikë dyshimi që Ponc Pilati dhe pushteti romak i asaj periudhe, u patën bindur për faktin se ai profet që i sfidonte hapur të pasurit dhe kastën në pushtet, ai që kish shkuar deri aq larg sa ta cilësonte si “prostitutë” mbretin Herod dhe që tërhiqte mbas vetes një pafundësi njerëzish të përçmuar nga pushteti, duhej pra që të kryqëzohej si një kryengritës subversiv politik.

Këtë gjë mund ta konfirmojë edhe ajo që shkruajtën tek kryqi i tij: “Jezusi, mbreti i hebrenjve”, si për ta vënë atë në lojë sarkastikisht, meqënëse e kish shpallur veten, sipas romakëve, si udhëheqësin e ri të atij populli.

Ashtu si nga Ungjijt zyrtarë nuk e dimë me saktësi ku dhe kur Jezusi pati lindur, gjithashtu nuk është se dimë me siguri të plotë as cilët dhe as kur apo përse atë profet e patën kryqëzuar.

Jezusi ish një hebre i cili “kuronte këdo”, që e shpalli veten ndjekës të përhershëm të bindur të fesë së prindërve të vet dhe që, duke u paraprirë kohëve të ardhshme, donte që feja e madhe hebreje mos të mbetej e kufizuar vetëm tek një popull, por të hapej edhe për popujt paganë e johebrej, në mënyrë që të vinte ajo ditë—siç i pat thënë ai gruas samaritane—në të cilën burrat dhe gratë mos të kishin më nevojë që të adhuronin Perëndinë as në tempullin e hebrenjve dhe as në atë të samaritanëve, por vetëm “në frymën e shenjtë dhe në të vërtetën”.

Në atë moment Jezusi inauguroi ekumenizmin modern që sheh në besnikërinë ndaj ndërgjegjes sonë, tempullin e vetëm të vërtetë ku mund të takohen, pa asnjë dallim njëri me tjetrin, apo edhe luftra fetare, gjithë qëniet njerëzore.

Ndoshta në asnjë moment tjetër të jetës së Jezusit katër ungjillorët nuk ngulmojnë kaq fort tek përshkrimi i ngjarjeve të pasionit dhe të vdekjes së Jezusit. E megjithatë, në të njëjtën kohë, nga asnjëri moment i veçantë i biografisë së tij nuk ekzistojnë kaq shumë diferenca dhe mendime të ndryshme midis katër ungjijve zyrtarë të Kishës.

Megjithëse është e sigurt se ungjillorët nuk u përpoqën që ta shkruanin historinë përkatëse, në kuptimin modern të kësaj praktike, gjithësesi mund të pohohet se ata u patën kujdesur që “të na përçonin një mesazh fetar” siç shpjegon Paul Winter dhe konfirmojnë të tjerë specialistë të fushës.

Brenda katër ungjijve (që ende kanë mospërputhje midis tyre) ndodhet e fshehur një e vërtetë historike që kërkon një përpjekje të stërmadhe për ta sjellë në dritë dhe shpjeguar.

Lidhur me disa momente të përshkrimit të kryqëzimit ekzistojnë, mes katër ungjillorëve, deri në shtatë versione të ndryshme.

E megjithatë, nga sfondi i atyre ngjarjeve akoma të errta, lindi një nga lëvizjet më të mëdhaja—jo vetëm fetare, por edhe politike, humaniste e deri juridike—që ka njohur historia. Kështu ndihet akoma në ajër përherë duke buçitur porsi një oshëtimë e fuqishme, pyetja e Ponc Pilatit teksa po e merrte në pyetje Jezusin: “Cila është vallë e vërteta?”

Pra, Për shumë vjet Pashkët të gjithëve (Ato katoliket këtë të dielë 5 prill 2015, dhe ato ortodokset të dielën e ardhshme me datë 12 prill).

Për shumë vjet Pashkët atyre që besojnë, ateistëve, praktikantëve dhe laikëve, gjithëkujt pra; atyre që vuajnë dhe që luftojnë kundër trajtimit të padenjë dhe kundër nëpërkëmbjes së të dobtëve, të skamurve e të pamundurve.

Për shumë vjet Pashkët gjithë të kryqëzuarve fizikisht ose moralisht, për shkak të ngjyrës së tyre të lëkurës, fesë të cilës i përkasin, mendimit të lirë, lirisë së shprehjes, racës apo kombësisë së tyre.

Për shumë vjet Pashkët me dëshirën e madhe që në botë të mbarojnë njëherë e mirë (utopike kjo!), viktimizimet dhe përçmimet kolektive të kujtdo njeriu, shtrese shoqërore apo populli, e që askush, asnjë i pafajshëm në të ardhmen e afërt të mos bjerë pre e një dënimi të gabuar e të padrejtë me vdekje, ashtu siç u dënua padrejtësisht në pafajshmërinë e tij universale dikur, galileasi që mbeti simbol i tërë dënimeve të padrejta që njerëzimi ka njohur në shekuj e mijëvjeçarë.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora