Kulturë
Ramiz Lushaj: Gerald Duka ose Shqipëria që po vjen
E hene, 30.11.2015, 08:08 PM
GERALD DUKA, APO NDRYSHE: SHQIPËRIA QË PO VJEN...
Nga Ramiz LUSHAJ
Gerald Duka, një student 20 vjeçar i të dytit vit të Jurdikut, vjen në dy vitet e fundit me dy libra të rinj për historinë politike e diplomatike të shqiptarëve. I pari: “Habsburgët, Austro-Hungaria dhe Shqipëria” (Tiranë, Enti botues: EMAL. 2014. ISBN: 978-9928-04-183-8). I dyti, i këtyre ditëve: “Kongresi i Berlinit dhe Shqiptarët” (Tiranë. Instituti i Studimeve Albanistike “Gjon Gazulli” e Mirgeeralb”. 2015. ISBN: 978-9928-07-374-7). Zakonisht, këso moshe kaq të re, jena mësue t’i shohim me libra me poezi e jo me të tilla botime si rrokin tema kaq të mëdha historike, politike e diplomatike. Kjo është një veçanti e Geraldit e deri në risi e kohës së shekullit tonë.
Gerald Duka në dy librat e tij është një i vetëm si përkthyes e si studiues, në raporte e me kriteret e duhura shkencore. E kjo ndodh rrallë dhe tek përkthyesit e studiuesit e katedrave përkatëse. Ai, më thonë se është një përkthyes i talentuar i anglishtes prej se kur ishte gjimnazist elitar mbi 17 vjeçar tek “Qemal Stafa” në Tiranë i përkthente cilësisht e në kohë rekord filma tek Top Media. Kjo duket dhe tek dy librat e tij. Ma mirë e ma shumë kjo do të shihet dhe në dekadën e tretë të jetës së tij. Ai, tashma, është i dëshmuar, i vlerësuar e premtues si përkthyes e si studiues, në të sotmen, drejt të nesërmes.
Gerald Duka po rritet me librat dhe librat po e rritin Gerald Dukën.
Gerald Duka ka një inteligjencë genetike, nga ana e gjakut dhe qumshtit. Kjo duket dhe tek dy librat e tij. E, ka kujt i nget. Ai është djalë i një avokati mirditor, i të mirënjohurit Alfred Duka, njeri i lindur për t’i qëndrue jetës në krye e kryelartë. Ai është nip Tropoje, tek Matoshës e Begajve, dhe gjyshi i tij, Ram Matoshi, njeri i meritave e i sakrificave, është mjek i mirë i radiologjisë me gradën “doktor i shkencave”. Ai ka dhe një vëlla ma të ri se veten dhe si veten – të talentuar e me të ardhme, po në një fushë tjetër, pasi Flavio studjon në Liceun Artistik në Tiranë, për kanto e ka përkujdesjen e çmuar të Afërdita Zonja (Laçi), Artiste e Merituar.
Gerald Duka, ky filiz i ri që po lisnohet me rranjë e degë, vjen nga një Derë fisnike e Perlatit, nga Dera e madhe e Dukës (Duka-gjini). Një derë me emër të madh që në Epokën e Skënderbeut. Me Pjetër Përlati (Duka). Rreth saj flasinemna të shquar të historisë e letrave shqipe si albanologëve Franc baron Nopça, Milan Shuflaj e At Giuseppe Valentini, akademiku Kristo Frashëri, doktorant Nikollë Loka, studjuesit Ali Harshova, Fatos Baxhaku e të tjerë. Akademiku Kristo Frashëri tek vepra e tij “Skënderbeu – Jeta dhe Vepra” (Tiranë, 2002, f. 410) na dijenon se Skënderbeu, në prani të Pal Engjëllit – kryepeshkop i Durrësit dhe i krahinës së Ilirikut, Pjetër Dukës - abat i Manastirit të Shën Lleshit (Aleksandrit) të Arbërisë e abatit Vlash prior në Kuvendin domenikan të Shkodrës orator dhe nunc Apostolik në Shqipëri dhe të dëshmitarëve të tjerë, e dekretoi Martin Muzakën , si ambasador të posaçëm, për ta përfaqësuar atë Papës dhe Kolegjit të Kardinalëve të mbledhur në Konçistor dhe të trajtojë çdo çështje që ka të bëjnë me kryqëzatën antiosmane”. Pra, Pjetër Përlati (Duka) ishte në një nivel të lartë përfaqësimi, besimi e nderimi në Epokën e Shtetin e Skënderbeut. “Pjetër Duka, dokumenton Ali Harshova (Bashkëluftëtarët e Skënderbeut. Tiranë, 1952, f. 59-61) – ishte Abati i njohur në histori si Pjetër Përlati, që komandoi forcat arbëreshe në mbrojtjen e kështjellës së Stefigradit”, etj.
E duhet me thanë të vërtetën historike: Familjet e Mëdha i krijuan Dyert e Mëdha, i mbajtën Fiset e Forta, i ngritën e iu prinë Shqiptarëve në Epokën e Skënderbeut, të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e Ismail Qemalit…E Dyert e Mëdha gjithmonë nxjerrin filiza të rinj, lisa të rinj.
E një ndër ta është dhe i pazakonshmi Gerald Duka me dy botime si përkthyes e studjues (e tjetri në proçes), si njohës i mirë i anglishtes, student me dijeni enciklopedike e nw ecje drejt botës akademike…Përndryshe: i riu Gerald Duka në këtë shekull të ri është vet Shqipëria që Po Vjen…
-Per ZemraShqiptare, nga Tirana, Nentor 2015-