Kulturë
Ramiz Lushaj: Fjalë me palcë të Gjon Neçajt
E merkure, 25.11.2015, 08:19 PM
FJALË ME PALCË TË GJON NEÇAJT
PËR NJERËZIT E MIRË TË DHEUT
Nga Ramiz LUSHAJ
1.
E njoh një shenjt të gjallë. Gjon Neçaj i thonë. Njeri i letrave shqipe: poet, prozator, publicist, studiues. Autor i mbi dhjetë librave e qindra shkrimeve. Fitues i disa çmimeve lokale e kombëtare. Nënkryetar i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit e Shkencës. Dy vëllimet e fundit poetike të tij janë botime në disa gjuhë të huaja: “Haiku i bjeshkëve” në shqip-anglisht (Elbasan, 2009),“Sinus” në shqip-anglisht-italisht-greqisht (Tiranë, 2011). Disa poezi të tij kanë zanë vend në antologji poetike në Shqipëri, Kosovë, etj. Në mbi katër dekada krijimtari ka emrin e tij, profilin e tij, veprat e tij, udhen e lartësitë e tij letrare.
Në hapa e vargje ndihet “i qasur kah mjeshtrat e mëdhenj të lirikës poetike”, pas lisave poetik bregdrinas e kombëtar: Martin Camaj që e ka njoft nga larg dhe Ndoc (Anton) Papleka, që e pati gjithmonë afër, kryehere, përkrah, i të njëjtit fis, në të njëjten udhë.
Në koft se fjalaflet me poetin Gjon Neçaj ka me i hap dritaret e shpirtit e i pëllumb përmallshëm e lartnueshëm dy miqtë e tij të sofres së bukës e të poezisë, Ali Podrimja e Din Mehmeti, dy bregdrinas të Gjakovës, dy lisa poetik kombëtar.
Gjon Neçaj ndan mirënjohje me zemër e letër për miqtë e tij, si për poetin elbasanas, Milianov Kallupi: “mjeshtër i haikut shqiptar” i cili e nxiti në “lëvrimin e kësaj gjinie magjike” (vëllimi poetik “Ju që më shihni çdo ditë”, Tiranë, 2007, fq. 59). Diku, para një viti, poeti e studiuesi Haki Zllami tue hulumtue e hulmue vlera të haikut tropojan Gjon Neçaj e ka cilësue si “Haiku i Alpeve”.
2.
Poetin Gjon Neçaj duhet me e thirr me emën e mbiemër plotor, pasi vllaznia e tij ka edhe poetin Pal Neçaj, prej vitesh shtetas shqiptaro-amerikan, autor i disa vëllimeve poetike dinjitare. Djali i tij, Sokol P. Neçaj, ishte një prej diplomatëve të parë shqiptar postkomunist në Uashington. Qytetarin e pushtetarin Pal Neçaj e ka njoft për mirë Malësia e Gjakovës, Dukagjini me rrethina, Puka e Përtejdrinit. Duket se pushtetari Pal Neçaj e ka ruejt shpirtin e bardhë për me ujëvarue në moshën e tretë poezi me dritë.
Gjon Neçaj shkon në tre breza me Pal Kokrrin, axhën e tij, që kishte humor plot filozofi e urti deri në “institucion” e shpesh i lëshonte si “kokrra rrufeje” në kohë e mjedise të jehonshme, aqsa e ka shtyrë edhe shkrimtarin Pjetër Meta me i tufalakue ato në monografinë 390 faqëshe:“Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)!...”(Tiranë, 2011). Kjo monografi më ka lanë pa fjalë, se shfletimi i faqeve të saj me përngjan sikur hedh hapa në auditor dijeje, sikur marr leksione universitare.
Në vitet ’70 e kam pasë mësues kujdestar në tetëvjeçare Pjetër Neçajn, mësuesin e matematikës që na mësonte aritmetikën e jetës, na e bante me u rrit me shkollën, na e brumoi nderimin për mbiemrin Neçaj.
Perajt e kanë një tjetër poet si të ardhun prej Perëndie: Jak Përpalin, të cilit vargjet e vëllimet poetike ia kanë thurë emrin mbi heshtjen e thjeshtësinë e tij dhe mbi moshën e epokën e tij, me një jehonë magjike e magnetike drejt të nesërmes. Ai nuk ka vargje çimçakiz, po hoje mjaltimi poetik me realitete përjetuese, ndëshkuese, triumfuese. Jak Përpali e Gjon Neçaj janë miq ndërveti, të cilët i lidh edhe vendlindja e poezia, sikurse edhe me poetin tjetër, Gjin Gjonpali i Perajve, autor i disa librave të jehonshëm e dhjetra poezive të mirëpritura në shtypin elektronik e me letër.
Një triptik për vendlindjen ka Pjetër Meta i vllaznisë Përpali të Perajve: romanin historik “Fundi i Kalvarit” (2010) i nisur në rininë e moshës e i botuem në rininë e tij letrare; monografinë “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)!...”(2011) e monografinë “Gruaja që sfidoi fatin”, një trajtesë teme që do ta nderonte edhe penën e Kadaresë dhe ekranin botëror të Hollivudit në Amerikë. Në maje të penës i ka disa vepra, që me sa duket po krijon një korpus letrar, si emblemë, si gjerdan me dekorata të përjetshme.
Nga Perajt alpin me 730 metra lartësi mbidetare, ma i ulët se qyteti i Korçës, vjen politikani Lush Përpali, studenti me medalje të artë, profesor doktori me disa libra për ekonominë, i cili ia ka mbrri të ngjitet në pushtetin legjislativ deri nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë e në pushtetin ekzekutiv deri në ministër i Pushtetit Lokal.
Nga Perajt perlë natyrore, nuk janë botue vetëm libra të bukur, po ka dalë edhe “Mis Shqipëria – 2000”, Elisabeta Gjonpali, e cila mori pjesë edhe tek “Mis Europa”.
Jeta ka shenjat e veta. Pal Kokërr Neçaj ishte mësues letërsie në shkollën 7 vjeçare në Gjonpepaj të fisit Nikaj kur nipi i tij, Gjon Neçaj, publikoi me bukurshkrim tek “Letrari i ri” ma të parën poezi e, asokohe, i patë thanë fjalën e së mbarës: “Ti do të bëhesh poet, shkrimtar”. Ajo poezi mbante titullin e thjesht “Fshati im” e kishte një madhështi të papërseritshme, një fuqi magjike, titanike, një lartësi alpine, pasi i kushtohej Perajve, tokës ku Gjon Neçaj pa diellin qiellor e i lëshoi rrezatimet e tij poetike, letrare, veprimtare.
Në poezinë “Erdha” flet për ëndrrën e kahershme për me trokit, për me u ulë këmbëkryq në Lidhjen e Shkrimtarëve, pasi kishte pengesa e vështirësi në udhën e fjalës poetike e letrare, ndaj i ka parasysh porositë profetike të babës të tij: Kujdes biro, rruga është e gjatë/lakadredha, e shtrembër/në këtë botë...Monopateve kur ngjitesh/rrugëve rrenacake /ulu pusho pak...”/.
Në poezinë “Sytë” jep mesazhe për veprimtarim, sinqeritet, objektivitet, periodicitet: Për të parë jetën/duhen hapur sytë./Për të dashuruar/duhen puthur sytë./ Kur të vdesim /mbyllim sytë/.
3.
Poeti, prozatori e publicisti Gjon Neçaj i përket fisit Nikaj (degëzim i Krasniqes),
një fis me emra të mëdhenj në letërsinë e gazetarinë kombëtare shqipe si Dom Ndoc Nikaj (1864-1945), Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988), Ndoc (Anton) Papleka, e të tjerë.
Shpesh më kanë fjalathanë për Dom Ndoc Nikaj: “mos i jep hapet”, “mos e fut në Enciklopedinë e Tropojës se nuk është nga Nikajt”, “jo gjithmonë mbiemni përcakton origjinën”, etj. Sot, n’mujsha, po e mbylli kit’ debat të hapur. Historiani, koleksionisti, veprimtari i njohur, miku im, Shpëtim Sala, e përktheu nga gjermanishtja një libërth të albanologut të shquar, akademikut austriak, Maksimilian Lamberc me titull: “Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916”, që u shtyp në Shkodër më 2011 nga “Botime Françeskane”, ent prestigjioz i veprave të Fishtës e “Hyllit të Dritës”, të cilët më nderuan me besimin që të jem redaktor i këtij botimi me interes shkencor. Në faqen 29 të tij Lamberci i madh shprehet tekstualisht: “Dom Ndoc Nikaj thotë se të parët e tij kanë dalë nga fisi i Nikajve të Malësisë”. Albanologu austriak, Lamberc, që mbështeti idetë e projektet e “Komisies Letrare” për dialektin e Elbasanit për “me u bam gjuhë zyrtare dhe gjuhë arsimore”, i njihte mirë fiset Nikaj e Krasniqe, Mërtur, etj., pasi ishte kah vera 1916 edhe në Malësinë e Gjakovës, aty ku dy bigohen Valbona me Drinin dhe me Bushtricën.
Një emën tjetër i madh i Nikajve është edhe Pjetër Mëshkalla që i kreu studimet e larta për teologji-filozofi në Vjenë e shërbeu fillimisht në Poloni, Itali, etj. e mbasandejna edhe në Shkodër e Tiranë, i cili u dënue me 25 vjet burg nga E.Hoxha e M.Shehu në burgun famëkeq të Burrelit. Padër Mëshkalla ka botue e dorëshkrimue dhjetra poezi e artikuj, iu dha nga Presidenti i Republikës titulli “Martir i Demokracisë”, monumenti i tij hijeshon e lavdimon para Katedrales së Shkodrës, etj.
Nga fisi i Nikajt, përveç personaliteteve të fshatit Peraj, ka me dhjetra emra të njohur në letërsinë, gazetarinë e shkencën shqiptare si prof. asoc. dr. Murat Gecaj–historian-shkrimtar, gazetar; dr. Afrim Krasniqi–pedagog, analist, poet, publicist; prof. asoc. dr. Lush Susaj–pedagog, poet, publicist, studiues; poetët Nikoll Ulndreaj, Ndue Vatnikaj, Ndoc Qokaj ; prof. asoc. dr. Gjin J. Ndrepepaj–mjek kardiolog e dr. Fili Mëshi–mjek zooveterinar; studiuesit Mark Palnikaj, Frrok Vukaj, Ylli Prebibaj; publicistët Agron Prebibaj, Mejdan Zhivani, Blerta Mrishaj, Besnik Palnikaj e të tjerë.
Një nga emrat e njohur të fisit Nikaj, poeti i letrave shqipe Gjon Neçaj, në vëllimet e tij poetike ujëvaron dimensionet e tij njerëzore me poezi kushtimore për njerëzit e letrave shqipe: Ibrahim Rugovën e Kosovës, Din Mehmetin e Ali Podrimjen e Gjakovës, Bilal Xhaferin e Çamërisë, Dhimitër Shuteriqin e Milianov Kallupin e Elbasanit, Sotir Andonin në Amerikë, për Martin Camaj e Anton Paplekën, e të tjerë. Në poezinë “Përkthyesi” për ikjen e Robert Shvarc elegjon:Prilli lule çeli/Zogjtë ndërprenë këngën /Ah, iku Roberti /E mira e marrtë! /Luhatet Harku i Triumfit /i shkrimtarit Remark/.
4.
Koha, poetin, prozatorin e publicistin Gjon Neçaj në 63 vite jetë në udhë e gjurmë të hapave të tij, në dritën e zemrës, në të qeshuren e syve, në shpirtin e fjalës poetike, e njohu qëndrestar të themeltë. Si shtiza e flamurit të bajrakut të tij të Nikajve të pushkës e të penës. Si palca e gurit të kullës trekatëshe në trollin e tij.
Gjon Neçaj, në ma të parin vëllim poetik të tij “Nën hijen e mrizave,”(1994) një poezi me pak vargje e shumë domethanie, ia kulmon vendlindjes së tij, amfiteatrit natyror, historik e kulturor Nikaj-Mërturit:
Në lartësinë e bjeshkëve të tua,
Kam matë dashurinë për Ty...
Tek unë nuk ke fund as skaj,
Zemra ime këngë,
Shpirti im mall.
Në këtë hark triumfi simbolik midis dy qafave të Kolçit e të Morinës, midis tre lumenjve të historisë e bukurisë Drinit, Valbonës e Nikajt, qëndron forca e madhështia e Gjon Neçajt, jeton shenjtëria e tij poetike, njerëzore, burrërore..
Poeti Gjon Neçaj nga ky hark triumfi i vendlindjes dritëron me vargjet e tij në horizonte të kohës, lartësi të qiellit, vargni të brezave: “Njerëz të mirë të dheut tim”, “Shumë ëndrra do të kryej nesër”, “Pres Diellin të lind në agim...”