Kulturë
Remzi Limani: Romani i një rrëfimi modern
E merkure, 25.11.2015, 08:10 PM
ROMANI
I NJË RRËFIMI MODERN DHE EDUKATIV
(Avdi Shala, “LARGLINDI”, roman për fëmijë, botim i shtëpisë botuese “VATRA”, Prishtinë 2015)
Autori i romanit, Avdi Shala, fortifikatën e përrallës e ndërtoi mbi logjikën e shëndoshë dhe të kapshme për botën e fëmijëve. Në romanin e lexuar vërejmë sintagma fjalësh të ndërtuara dhe emrash të përveçëm siç janë dy emrat e përzgjedhur nga autori: VJENDITA dhe LARGLINDI e që në brendinë e tyre i kuptojmë domëthëniet e caktuara, si emërtime të pagëzuara për kohën dhe distancën.
Nga Remzi Limani
Romani
më i ri për fëmijë “LARGLINDI” i autorut, Avdi shala, në brendinë e tij ka
dyzetekatër kaptina, duke na dhuruar një sipërfaqe të konsiderueshme leximi të
këndshëm. Shkrimtari, Avdi Shala, romanin e tij e hap me dy figurat e para;
gjyshin, Qafush dhe mbesën e tij, Vjendita për të kaluar tek Larglindi,
djaloshin e panjohur, njërin prej personazheve kryesore të këtij romani. Pra,
që në fillim të shfletimit të kësaj proze të mrekullueshme, pa ndonjë analizë
të thellë, e vërejmë kujdesin e autorit për ndërtimin e një proze veçane, e
cila i kushtohet një brezi, për të cilin, autori Shala, bënë kujdes të
stërholluar në kuptimin e deshifrimit të asaj që shkruan. Për këtë, në
narracionin e tij prozaik, shkrimtari na jep një pasqyrim lucid, që në vetvete
ngërthen fragmente krahasimore poetike, të cila e begatojnë dhe e veshin me
petkun e pëlqyer, enkas të qepur për botën e fëmijëve tanë të dashur. Pra, kur
shkruajmë për fëmijët, ne shkruajmë për gjithë botën imagjinare të tyre dhe, në
këtë pikëpamje, imagjinata e shkrimtarit në fjalë, zhvillohet dhe rrjedhë
prajshëm në guaskën e lexeuesit të ndjeshëm, sepse, fëmijët kërkojnë harmoninë
e leximit dhe kronologjinë e pa ngatërruar. Këtu, z. Avdi Shala, ia doli për
mrekulli. Ai fortifikatën e përrallës e ndërtoi mbi logjikën e shëndoshë dhe të
kapshme për botën e fëmijëve. Pastaj, në romanin e lexuar vërejmë sintagma
flalësh të ndërtuara dhe emrash të përveçëm siç janë dy emrat e përzgjedhur nga
autori: VJENDITA dhe LARGLINDI e që në brendinë e tyre i kuptojmë domëthëniet e
caktuara, si emërtime të pagëzuara për kohën dhe distancën…! Poashtu, brenda
kësaj proze hasim në një shtrirje fjelësh të rimuara mrekullisht dhe, jo
rastësisht, por me përkushtim dhe mund, autori na servon rrëfimin herë – herë
me rimën e duhur dhe të kërkuar, e cila na jep edhe baraspeshën estetike për
mendjen dhe syrin e fëmijës kureshtar, i cili është rritur me rimën e këngës së
djeëit. Pra, romani ka një shtrirje kronologjike, i sintetizuar dhe i ndërtuar
me sintaksën e mjeshtrisë së shkrimit, i tjerrur holl e mirë, që na bënë të
lehtë për tu lexuar. Kjo pra, është mjeshtria e të shkruarit, e cila kujdesshëm
është vargëzuar fjalë pas fjale, për ta magjepsur mendjen, dhe kureshtjen e
fëmijëve. Pra. z. Shala, romanin e tij e ndërton mbi trekëndshin e duhur; ku
flet metafora, figuracioni dhe stilistika artistike, mbi të cilat, lexuesi e
vjelë fjalën, porosinë dhe mendimin pa asnjë mund dëshifrimi – domethënë,
metafora e pëtdorur tek shkrimtari ynë respektiv është vetëm një element
poetik, pa ndonjë kod që lexuesin e vë para një sfide të deshifrimit të
mendimit apo fjalës. Pra, çdo gjë është e qartë dhe lehtë e zbërthyeshme.
Së
këndejmi, narratori na jep pasqyrimin e një gjyshi të kohës sonë. Një gjyshi, i
cili posedon bibliotekën e tij personale, nga ku vjelë rrëfimet edhe nga
shkrimtarët e kohës së tij. Ndaj, jo rastësisht, shkrimtari nxjerrë emra
autorësh të ndryshëmsiç janë: Mitrush Kuteli, Anton Çetta, Bedri Dedja e të të
tjerë. Këta emra i vë në dritarën e leximit qëllimisht, sepse, narratori, udhës
së rrëfimit të tij shpalos emra njerëzish të merituar dhe toponime emrash të
qyteteve dhe fshatrave – pra qëllimisht, për lexuesin i tij të vacantë, pra për
fëmijët gjeneratës së re, që udhës së tyre së shkronjave, të mësojnë edhe për
emrat e veçuar në letërsinë shqipe, për ta njohur të panjohurën e tyre. Ndaj,
ky roman, nuk është vetëm një rrëfim por, është edhe një kalidioskop i së
kaluarës, në të cilin fëmijët shohin një kolorit ngjarjesh për kohën e ikur dhe
të sotmën tonë. Mëtej, z. Shala, pa harruar, na jep edhe pasqyrimin e luftës së
fundit të ilustruar me disa ngjarje fragmentale të shkëputura nga përjetimet e
njerëzve gjatë luftës në Kosovën. Pra, edhe këtu, shkrimtari bëhej i kujdesshëm,
që rrëfimet për luftën të mos derdhin ndonjë shqetësim në syrin e fëmijëve por,
të kuptohet si ngjarje e një kohe të keqe dhe të papranueshme për botën, e cila
mëton të jetoj në frymën e lirisë. Ndaj, me sukses e përshkruan pafajsinë e
kolektivitetit tonë liridashës. Dhe, prap qëllimisht, gjithnjë në funksion të
mbamendjes për gjeneratat e reja, narratori i zë në gojë: Drenicën, Rrafshin e
Dukagjinit, Llapin, Rrafshin e Kosovës – pa e harruar edhe kohën e trazirave
studentore, gjithnë në kuptimin e njohjes së të panjohurës…!
Këtu do t`i kthehemi edhe njëherë gjyshit, Qafush, të cilit, aotori i romanit i jep vendin meritor dhe e vë në rolin e një psikologu shtëpiak, sepse, gjyshi me urtinë e tij ia doli ta bind mbesën e tij për shumë gjëra nga të cilat mbesa, Vjendita nuk i praktikonte më parë. Pra, nëpërmjet lojës së fjalës, urtisë dhe rrëfimit pragmatik, gjyshi ia del që mbesën e tij ta bëjë – jo vetëm t`i konsumoj pemët e ndryshme por, t`i adhurojë ato si pjesë e rritës së saj. Pra, urtia e gjyshit, dashuria e tij ndaj botës fragjile të fëmijëve, e bëri ndër njerëzit më të dashur në shpirtin e fëmijëve syqeshur…!
Zhvillimet tjera në këtë roman, do t`ia lëmë lexuesit, që mos t`i shfletojmë të tërat…!
Krejt në fund, pa asnjë drojë, mund të themi: se romancieri Avdi Shala, në kontekst të kësaj që e shfletuam në romanin e tij, tashmë flasim për një shkrimtar të formuar dhe të arrirë në fushën e letërsisë për fëmijë. Vepra e tij, pa dyshim zë vendin meritor në dritaren e panaramës kulturore tek ne dhe më gjërë…!