E hene, 29.04.2024, 04:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Neki Lulaj: Takimi nën Rrap

E hene, 23.11.2015, 08:55 PM


Neki Lulaj

 

TAKIMI NEN RRAP

 

Nën hijen e Rrapit mjegulla bëhet copë e grimë

Engjëjt shkundin degët e kujtesës

Ndienjat kullosin lëndinat e mendimeve

E malli kafshon rrënjët e ujit - pranë Vardarit shkumbues

Në lendinat e shpresës i kositim imazhet e fëmijërisë

 

Mysafirët e ardhur me turravrapin e erës

Atje sot lëshojnë tinguj magjepsës margaritarët

Të derdhura nga Vazoja e Jetës

Gurëzojnë nën Rrap mjergullat mesjetare, muzat e poetëve

Stërnipërit e delegatëve të Kongresit të Manastirit

I bashkoi netët e vjeshtës së florinjtë Kalosh Çeliku

 

Të bekuarit sot vijnë si zogjët shtegtarë herët e vonë

Zbresin fytyrëqeshurit tek Ura e Gurit

Përpara kembëve të Olimbisë

Me pakë plaçka ngarkuar…por

Valixhet e shpirtit mbushur plot margaritarë

 

Ende nuk jemi në dimër

Nga gëzimi Nënë Tereza po e fsheh lotin e fundit

Për prezencen e mbretërve të vargut

Që me fjalë magjike shërrojnë plagë

E bashkojnë dashurinë e Muzave poetike

 

 

LOTËT E HËNËS

 

Shpirti im don që Hënës t`ja fshij lotin nën qepalla

E të bejë gjumëmblin në prehërin e saj

Unë hileqari një mëkatar i vjetër

Po i shkundë degët e Ullirit, po e thërras kujtesën

Po m`rëndohen supet si barra e dëborës së bardhë

Mbi bjeshkët e bekuara të Sharrit shqiptar

 

Desha t`ja puth asaj syrin e përlotur

E faqeve engjëllore t’i plasë buzagazi i artë

Pa u djersitur nën kroin e vajit po druaj

Se do t`më rrëmbejnë valët e vërrshimit

Nga lotët e Hënës së kristaltë

 

Desha t’i hjek rrudhat t’i njomë degët e kujtesës

Të ngjitem tatëpjetë me ty majës së hijeve të bardha

Të ulem mbi shkëmbin ku rrinim dikurë e sot mrizojnë zanat

Të pimë ujë në kroin e akullit ku dikur pat pirë Teuta e Rozafa

 

Ti ma kthen bardhësinë nga yllësitë e praruara

Me shkëlqimin e honeve të mendjes që kurrë s’u bie terri

Pa eja bashkë t’i mbjellim ullinjtë e jetës

Ne s`jemi shtegtarë biblikë por trashëgimtarët e Evës

 

Po më gulçon zemra si një tel i këputur

E nën gjethet vesës prek flokun tënd të artë

Më vijnë para syve si bariut tuba e deleve imazhe fisnikërie

Që ta thej mjegullën në copa e grima e në botën e hijeve

Të ulemi bashkë nën Rapin e Gjergjit

Atje ku të gjithë dalim  fitimtarë

 

Pse kaq shumë morrnica në trup dhe në shpirt

S’e mbaj mend pse kaq shumë po më pickojnë

Pse ky mot kaq i vrejtur ky lum kaq i turbullt kaq i trishtë

 

 

PAKT

 

Pylli është mushkëria e fushës

Filizat e tij u bënë direkë e trarë për çdo pullaz

Në përrallat për fëmijë

N´thellësinë e tij jeton Kësulkuqja

Me shtatë binjakët e buzëqeshur...

 

Në legjendat e vjetra

N`përroskat e pyllit jetonin zanat e malit

E ujqërit gushëkuq e qafëtrashë

Që me drangonjtë e malit kurrë nuk patën pakt

Natës së pyllit nuk i kishin besë

 

Atje nata ishte e gjatë e ditën rrinin engjëjt

Në freskun e verës

Për t’u kthyer me flladin e mbrëmjes

Ne sofrën e poetit urtak....

 

 

DAMARËT E BJESHKËVE

 

Për çdo pasdite vjen mbrëmja

E ju mos e mbyllni portën me ngujore

Se ne fund te fundit të një rruge

Frika zbrazet n´me ujit dhe qiellit

 

E gjethet e lara të vesës rravgojnë

Degëdisen e i rropasen thellësisë se shpirtit

E klithë trupi im ndaj kafshimit te pabesisë

 

Nga thellësija e syve burojnë hijet e se keqës

Hijet e humbura nëpër kohë mbi vetën tende

Janë fjolla bore apo shkëmbinjë bjeshkorë

 

Muzgjet e racës tonë

Ushqjnë damarët e bjeshkeve

N´ballkonat e erës rruhen

Memorjet e shekujve të fjetur

 

N´lumë shiu plasë vaji i petaleve

Kalorësit e lotëve në sofra hyjnishë

N`krahun e ylberit vjen besa e dhënë

E n`cep të gurit përplasen çastet

Me rrezet e gdhendura në hënë...

 

 

PRITJE E PJEKUR

 

Gjithçka që kam dashur e dua

Çdo trup dremit nga një kohë

Në kotarin e dhimbjes

Mbi kroje u amplasuan plazhet e hënës

Afrohuni bij të hijeve të thella

Këtu gjenden ata që s’gënjejnë

Ata që kanë mbetur brigjeve

Ata që mund ta kuptonin gabimisht

Leksionin e historisë nën të cilën rri emri im

Dhe përrreth meje pritja e pjekur…



(Vota: 23 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora