E shtune, 03.05.2025, 01:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Besnik Camaj: Rrugës jam

E enjte, 19.11.2015, 08:46 PM


BESNIK CAMAJ

 

RRUGËS JAM ...

 

Po i mbyll pak dritaret

nga pluhuri i jetës...

 

E di që tash

vetëm po thur vargje

por vjen koha që do t'i mpreh mirë

e t'i stolisë pak

sa t'i marr për dore sytë kureshtarë

e të zbresim bashkë

shkallëve të Shpirtit t'im.

 

Rrugës jam

e do vij një ditë

të ta pij vetminë

me një gllënjkë...

 

Mbase ti nuk do t'jesh më aty

e sytë do t'më rrëmbushen

se njëherë nuk të pashë

si deshti ndjesia ime

që rënkon

mbi rruzën tënde të shpinës.

 

E gishtat do t'më meken

si rrokjet e ngathëta të një fjale të zbehtë (që nuk e gjen dot në fjalorin tim) puhinë e ëmbëlzërit tënd mbi lëkurë pa ta prek.

 

Rrugës jam

po vij ngadalë

anipse ëndrra jote e madhe

e përpiu timen të tërën.

 

 

POEZI

 

Ti erdhe

në jetën time

symbyllur.

 

Të sollën

valët e ndjesisë

këngët e pakënduara

në kopshtet e majit.

 

E tash rri

unë s'jam më

je ti...

 

 

VARGJE TË HARRUARA

 

I hodha vargjet

në fontanën e ndjesive

në stërpika u shndërruan

ranë në thellësi

prekën fundin e u ngjitën sërish.

 

Një natë

deshtëm a s'deshtëm

do të na rrokë stuhia

çastet do të na lanë pa frymë...

 

E këto do të mbesin vargjet e mia

të atyne tingujve idhnakë

në vend të një harrese t'ambël

që mund të shqiste

mbi borën e kujtimeve.

 

Deshtëm a s'deshtëm

edhe pas nesh

dielli ka me nxeh prapë

e ne do t'i lëmë këta trupa

njerëzit do të takohen e të njihen

po ti, kujtoji këto vargje të harruara

 

Pa u taku' me mu'

s'ka me t'njoftë kush n'atë botë.

 

Biografi e BESNIK CAMAJ:

Besnik Camaj i njohur më heret në botën letrare si Bes Camaj, buron nga një familje arsimtarësh. Është i lindur afër burimit të Drinit të Bardhë dhe është rritur me bukuritë që i ka falur natyra këtij vendi. Që në bankat e shkollës fillore ka shkruar poezi, disa prej të cilave janë në vëllimin « Grimca të rinisë ». Ka kryer gjimnazin matematikor dhe Fakultetin e elektroteknikës në Universitetin e Prishtinë, pastaj ka vazhduar studimet pasdiplomike të informatikës në Zagreb, në Stafford dhe në Lozanë. Punon si pedagog i informatikës grafike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Yverdon les-Bains të Zvicrës. Merret edhe me hulumtime shkencore. Kryesisht shkruan poezi.

 

Vepra të botuara:

"Diellit tim", poezi, « Konica Color », Tiranë 2009.

"Grimca të rinisë", poezi, « Dukagjini », Pejë 2011.

"Rrugës jam", poezi, « Botimet Toena », Tiranë 2015.

Botime të vetë autorit:

"Lirisë", poezi, Estavayer le-Lac 1999.

"Dielli im", poezi, Avenches, 2002.

"Mallit të pashuar", poezi, Payerne, 2004.

"Ani, Shpirt", poezi, Prishtinë, 2014.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx