Kulturë
Viron Kona: Kalorësi i lirisë
E merkure, 18.11.2015, 08:55 PM
Kalorësi
i lirisë
Rreth librit “Rizgjimi i Arbërisë”, të poetit Sadulla- Zendeli-Daja
“Vepra e Dajës do të rrojë, në dobi të shqiptarëve kudo ku ndodhen. Nderi i tij dhe nami i mirë do të ruhen në historinë e kulturës shqipe”. - Ullmar Kvik (Qvick)
Nga Viron Kona
Kam përpara librin e ri të Sadulla Zendeli-Dajës “Rizgjimi i Arbërisë”. Kam detyrën e recensentit, prandaj dhe ndihem i përgjegjshëm për të shkruar e për të shprehur ato çfarë unë mendoj dhe vlerësoj në këtë libër. I kam kushtuar disa artikuj krijimtarisë dhe personalitetit të Dajës, si dhe librin-monografi “Ju dua më shumë se veten!”, por ndjej se mendimet për punën e tij të madhe atdhetare dhe shkrimore janë të pafundme.
S. Z. Daja përbënë një minierë të pasur, me “gurë” të rrallë e të çmuar, e që, sa më shumë kërkon, aq më të shumtë dhe më të shkëlqyeshëm ata shfaqen. Ky njeri nuk rresht së shkruari, madje “nxiton”, sepse dëshiron që gjithçka ka në mendje dhe në zemër t`jua thotë njerëzve, t`ua bëj të njohura ndjenjat dhe mendimet që ka për jetën dhe të ardhmen, t`ua shprehë preokupimet, t`ua transmetoj dëshirat, dashuritë, dhimbjet, ëndrrat dhe pengjet e tij...Edhe tashmë që është 80 vjeç, Sadulla Zendeli vijon të shkruaj po me atë vrull dhe gaz, po me atë frymëzim djaloshar, ai nuk ka stacion qëndrimi.
1.
Objekti i krijimtarisë së S. Z. Dajës edhe në këtë libër është i larmishëm, por spikat veçanërisht tema e madhe e Atdhetarisë, e Kombit, e njerëzve të mirë, që punojnë ndershmërisht, që nuk reshtin së luftuari për drejtësi e liri. Ai nuk hesht, edhe kur sheh se në rrugët plot kthesa dhe udhëkryqe të jetës shfaqen njerëz tinëzarë, të babëzitur, aventurierë, zvarranikë, deri krokodilë e gjarpinj. Me zërin e tij të fuqishëm atdhetar dhe gjuhën e figurshme artistike Zendeli paralajmëron, shndërrohet në forcë goditëse, ndërkohë që përpiqet të lehtësojë vuajtjet dhe vështirësitë e njerëzve, të nxisë ëndrra dhe pasione të bukura për jetën dhe të ardhmen, t`u thur himne heronjve dhe dëshmorëve të lirisë. Duket që Daja e ka me merak këtë libër, pasi është libër i një tetëdhjetëvjeçari që ka përballuar një jetë të stuhishme, ka ndjerë edhe freskinë e pranverës, edhe nxehtësinë e verës, edhe grinë e vjeshtës, edhe të ftohtin e ngricat e dimrit; ka njohur botën natyrore dhe atë njerëzore me gjithçka duket në sipërfaqe, me gjithçka fshihet brenda saj, edhe pjesën e dukshme të ajsbergut, edhe pjesën e padukshme të tij që është më e shumta; figurativisht ai ka njohur, edhe lartësinë e Everestit, edhe thellësinë e Marianeve, edhe ditët plotë diell të Mesdheut, edhe netët magjike të Veriut dhe të aurorave polare...Dhe, kudo e kurdoherë, ai ka qenë dhe është njeriu simbol i paqes, i mirësisë dhe dashurisë, i së vërtetës dhe lirisë, duke mbajtur vazhdimisht në duar flamurin e Kombit dhe duke “tundur degën e ullirit”(simbol i paqes që nga lashtësia).
Sadulla Zendeli - Daja është shndërruar tashmë në personazh, në njeri-simbol të qëndresës dhe të rezistencës, në një kalorës të shquar të humanizmit dhe lirisë. Për jetën dhe veprën e tij bëhen shumë vlerësime, karakterizime dhe krahasime, për të është shkruar dhe do të shkruhet gjatë. Cilido që shkruan për këtë njeri, duke ia lartësuar meritueshëm jetën dhe veprën, lartëson vlerat e jetës, pasi mendja dhe zemra e Dajës ka në thelb dashurinë për jetën, për njeriun e mirë dhe paqësor, njeriun e drejtë dhe të ditur, njeriun që nuk lodhet duke punuar e luftuar për të vërtetën.
2.
Libri nis me një hyrje mbresëlënëse, një urim dhe vlerësim nga Miku i Madh i Shqiptarëve, suedezi i shquar, shkrimtari, poeti, përkthyesi Ullmar Kvik(Qvick), njeriu që e ka njohur S. Z. Dajën dhe veprën e tij prej më se pesë dekadash, që i ka respektuar jetën dhe veprimtarinë atdhetare e krijuese. Të dy këta burra të shquar, janë të lidhur ngushtësisht me Kombin shqiptar, me Kosovën, me Shqipërinë, atdheun mëmë të shqiptarëve. Me fjalë të thjeshta dhe të çiltra Ullmari i kumton lexuesit mendimet dhe vlerësimet e tij për këtë shqiptar të rrallë:“Mund të shkruaja shumë faqe për këtë mik të sinqertë, - nënvizon Ullmar,- por me këto rreshta kam dëshirë vetëm të shpreh respektin dhe solidaritetin njerëzor që po ndiej për Dajën, pas shumë vitesh me kontakte miqësore. Urimet e mia për ditëlindjen e Dajës më mirë shprehen në gjuhën time amtare: “Ja må du leva, ja må du leva i hundrade år!” Një gjë dihet: Vepra e Dajës do të rrojë, në dobi të shqiptarëve kudo ku ndodhen. Nderi i tij dhe nami i mirë do të ruhen në historinë e kulturës shqipe”.
3.
Në pjesën e parë janë botuar 72 poezi. Njëra më domethënëse dhe kuptimplote se tjetra, të shkruara me frymëzim bukuri dhe ndjenjë, me mesazhe të qarta dhe shpresëdhënëse, me fjalë e figura artistike që të vënë në mendime dhe të nxitin dëshira për jetën, respektin për njerëzit e thjeshtë dhe heronjtë e lirisë. Lexuesi ndal frymën te poezia “Shqiponjat e Arbërisë”: “Ti je një zonjë që fluturon,/Mbi livadhet e malet e Arbërisë.” Dhe, duke vijuar e ndjekur me mendje e vështrim fluturimin e “shpendit flamur”, i cili është i vetmi shpend që e shikon diellin drejt e në sy, lexuesi mediton, analizon, nxjerrë përfundime por edhe përfshihet nga vërshime të vrullshme, që harmonizohen me vargjet: “Vetëm kështu..,/Me grushte të bashkuar,/Do të lind përsëri,/ Shumë e dashura Arbëri!
Rrjedhin poezitë njëra pas tjetrës, shprehen në to, me gjuhë poetike të figurshme, mendime dhe qëndrime, shpalosen ide dhe situata; poeti “pikturon” me ngjyra të ndezura e plot kolor peizazhe dhe tablo të jetës së vërtetë, rrëfen episode dhe ngjarje, sa intime, aq edhe me karakter social, por gjithnjë me vlera artistike e përgjithësuese. Ndjen në vargje e poezi flladet e lehtë dhe erërat e stuhishme, dallgët e egra të deteve dhe krelat e valëve të liqeneve, blegërimat e bagëtive dhe cicërimat e zogjve në fusha dhe lëndina....Në faqet e “Rizgjimit të Arbërisë” gjallëron jeta e vërtetë, pa sajime dhe zbukurime, pa bojatisje e kozmetikë. Personazhet përshkruhen origjinal, i prezantohen lexuesit jo thjesht pamjet e jashtme, por më së shumti karakteret, bota e brendshme e tyre, mendimet dhe veprimet që kryejnë në jetë. Midis të mirës dhe të bukurës, mirësisë dhe dashurisë, të drejtës dhe të vërtetës, shfaqet edhe e keqja, e zeza, e shëmtuara, armiqësorja; shfaqet jeta ashtu siç është, me të mirat dhe të këqijat e saj. Në këtë realitet e gjendje, poeti ngrihet i fuqishëm, ai di të mbaj qëndrim, duke e goditur të keqen me forcën e fjalës dhe të mendimit përparimtar, ashtu siç “godet” drita errësirën, siç zbut era e lehtë egërsinë e dallgëve. Duke vjershëruar e kënduar për njerëzit e mirë dhe të dashur, duke rrëfyer historitë e tyre, për lirinë, dashurinë dhe drejtësinë ai, njëherazi ngre piskamën e dhimbjes e zemërimit, demaskon dhe denoncon përpara botës veçanërisht krimet gjakatare serbe mbi popullin e pafajshëm të Kosovës që në shekuj s`ka reshtur së kërkuari liri. Krijojnë një tablo të dhimbshme dhe dëshpëruese vargjet e poezisë“Në shtëpi heshtja sundonte”. Drithërohesh e tronditesh gjer në thellësinë e shpirtit kur i lexon ato vargje, kurse zemra përfshihet në valët e një stuhie që ngre dallgë dhembje dhe zemërimi kundër krimeve gjakatare mbi popullsinë e pafajshme shqiptare:“Të gjallë i dogjën,/ Gra e burra dhe fëmijë./ I dogjën i shkrumbuan,/Vrastarët e këtij shekulli,/Të mos kenë dëshmi”. Kurse për familjarët e njerëzve të vrarë dhe të shkrumbuar “Lotët janë miku më i afërt.”
Daja është poet realist, ndërkohë që ai e ka në stil edhe përdorimin e ironisë së thellë që, herë - herë shkon gjer në sarkazëm. Dukshëm kjo shfaqet te vargjet tronditëse të poezisë “Një gomar në plazhin e Durrësit”, ku poeti shpërthen ndaj keqtrajtimit e poshtërimit, ndërsa demaskon heshtjen dhe nënshtrimin:“Jemi të gatshëm për çdo gjë,/T`bëjmë ashtu si na urdhërojnë,/Ku na thirrin atje shkojmë,/Një gjeneratë e heshtur,/Si gomari në plazh,/Për kapistre na tërheqin”.
Mes vargjeve poetikë autori tregon shpirtin dhe zemrën e plagosur që është larg mëmëdheut, kujton të parët heroikë, sjellë në vargje të skalitur edhe prindërit e tij të thjeshtë e zemërmëdhenj, të dashur e të dhembshur sa më s`ka, që lanë amanet vazhdimësinë e jetës së ndershme, paqësore dhe të drejtë te fëmijët, te nipërit e mbesat, tek e ardhmja...Poezia “Kujtime të pashterura”, i kushtohet dëshmorëve të Arbërisë, që kanë pasur gjithnjë vendin e nderit në poezitë e Dajës, kurse kësaj here ai iu drejtohet me vargjet: “Ju e zmbrapsët stuhinë dhe valët e detit” dhe, e mbyll poezinë: “O zemërmadhi dhe i përqafuari/Hero i popullit tonë”.
“Komedi ballkanike”, është shkruar në trajtën e një rrëfimi poetik, ku Sadulla Zendeli demaskon qëndrimet anadollake dhe zakonet e vjetra poshtëruese ndaj grave, pa harruar të fshikullojë rreptë dhe fortë ekstremitetet fetare islamike, korrupsionin, abuzuesit dhe shfrytëzuesit e popullit, “kaubojësit” aventurierë, duke lëshuar vargje kushtrim: “Uluni o burrat e kombit! Nxirrini para gjyqit maskarenjtë/ Që e mashtrojnë popullin shqiptar...”
Janë gjetje interesante dhe kanë vendin e vetë për t`u komentuar e vlerësuar me nota mjaft pozitive poezitë:“Kushtuar mikut tim”, “Lufta, njeriu dhe tradhtia”, “Haramxhiu i xhindosur”,“Të dëgjoj apo të hesht!”,“Lexo dhe askujt mos i trego!”,“Vdiq një fshatar nga Mali i thatë”,“Ndjenja e fajit”...Ato janë shumë dhe, siç thotë fjala e urtë e popullit “Që të provosh shijen e verës, mjafton një gotë, nuk ka nevojë të pishë të gjithë fuçinë”, kështu që po e ndal deri këtu komentin e poezive dhe po vijoj...
4.
Ndërsa po shfletoja më tej
faqet e dorëshkrimit, S. Z. Daja më dërgoi me e-mail edhe
pesë poezi të tjera, të shkruara menjëherë pas ngjarjeve të muajit Maj 2015 në
Kumanovë. Nisa t`i lexojë poezitë e sapo dërguara dhe ndjeja nëpër trup vërshim
emocionesh të atilla, që shkakton ndjenja e atdheut, e betejave dhe sakrificave
për liri, por edhe emocione të tjera vlerësimi për poetin S. Z. Daja, që flak
për flak, shpërtheu kaq vrullshëm dhe me dëshirën e papërmbajtur për t`ju
gjendur pranë atdhetarëve, trimave dhe heronjve, bijve të shtrenjtë të
popullit, duke ritreguar me penën e tij të zjarrtë se populli shqiptar është
Një trup i vetëm, sepse ashtu e ka krijuar e bekuar natyra dhe Zoti. Ndërhyrjet
me bisturi që kanë arritur të bëjnë ata
që kanë qenë “më të fuqishëm”, gjithnjë kanë qenë të përkohshme, sepse sido që
të vërtiten gjërat, guri do të shkojë në themelin e vetë, atje ku ka vendin,
atje ku peshon, atje ku e ka vendosur natyra dhe ku ai qëndron më mirë dhe më drejtë.
Prandaj dhe, poeti Zendeli, duke madhështuar heronjtë dhe nderuar vlerat e popullit shqiptar, sfidon padrejtësinë e “më të fuqishmëve” që copëtuan Arbërinë. “Sokolat e Kumanovës”, titullohet poezia e parë dhe vijojnë:“I mërguari pa atdhe”, “Dashuria ndaj lirisë”,“Kënga e natës” dhe “Kënga e lirisë”. I lexoj dhe rilexoj këto poezi dhe mendoj se vargje të tillë me kaq jetë, zjarr, freski e bukuri tronditëse, që e shprehin aq fuqishëm dashurinë për lirinë, që shprehin aq shumë dhimbje për vuajtjet shqiptare dhe për dëshmorët e lirisë, poezi me kaq besim e kushtrim, mund të shkruaj një njeri që është bir i lirisë, që për të ëndërron çdo çast, që e dëshiron lirinë si ajrin, si ujin, si dritën, si vetë jetën.
Nga dëshira e papërmbajtur, i bindur se lexuesi do më mirëkuptojë, po i citoj edhe një herë në këtë recensë, disa nga vargjet aq të ndjerë për lirinë: ”Ah sikur ta kisha lirinë,/Si fëmijët kur lozin në lëndinë,/Si vajzat kur këndojnë për Arbërinë,/Ditën e Shën Gjergjit kur festojnë,/Kur nënat dëshmorët i vajtojnë,/Sikur zogjtë për ata këndojnë,/Sikur lulet në pranverë çelin,/ E në vjeshtë nga acari vyshken,/Pa liri edhe shkronjat ndryshken.”
Të falënderoj Dajë që me këto vargje ma zbukurove recensën time për librin “Rizgjimi i Arbërisë”!
5.
Pjesa e dytë e librit zgjon të tjera mendime, paraqet të tjera vlera dhe pamje jete. Në qendër janë përpjekjet e një shqiptari atdhetar, të mbështetur nga bashkëkombësit, për të përhapur dritën shkëlqimtare të gjuhës shqipe, ndeshjet dhe përballjet e tij me forcat e errëta, që përpiqen të pengojnë dëshirën për dituri të vocërrakëve, të drejtën e tyre për të belbëzuar e folur në gjuhën e nënës...E, si gjithmonë drita triumfon, çanë errësirën, shpërthejnë rrezet e diellit jetëdhënës, nisin e gjallërohen zemrat, shpirti dhe mendja, ngrihet si shqiponjë në ajër kënga e jetës dhe e lirisë. Janë interesant artikujt e shtypit suedez, që lajmërojnë dhe vlerësojnë Sadulla Zendeli-Dajën për nismat e tij për hapjen e shkollave të para shqipe në qytetet suedeze Nybro, Kalmar dhe Emmaboda, për hartimin e fjalorit të parë suedisht-shqip...Të shoqëruara me faksimile të gazetave origjinale dhe me fotografi të mësuesit të shquar të shqipes në Suedi, Sadulla Zendeli, ato krijojnë përshtypje, respekt dhe emocione të forta te lexuesi, por janë edhe dëshmi e informacion që tregon përpjekjet dhe arritjet e shqiptarëve të diasporës për ta ruajtur dhe trashëguar gjuhën shqipe te brezat, që, ajo, si një nga gjuhët më të vjetra, të mos asimilohet, por të vihet në vendin e merituar dhe të përfaqësohet me vlerat më të mira të saj.
Mbeten në kujtesën e lexuesit prozat:“Mbledhje e jashtëzakonshme e prindërve dhe shqiptarëve të tjerë për hapjen e shkollës së parë shqipe”, “Gjashtë kodet e Dajës”, “Kosovë, mos na largo nga vendi ynë!”, “Lypsari dhe vdekja”...Në këto krijime, si edhe të tjera, me mendimet dhe figuracionin që përdor, S. Z. Daja shfaqet edhe filozof, por edhe mentor i urtë, i dijes dhe i arsyes. Ai është i drejtë dhe i dhembshur, si i pari i një familje, i cili do që fëmijët dhe të gjithë pjesëtarët e familjes të jetojnë në harmoni, me dashuri, mirëkuptim dhe mirësi. Këshillat dhe “kodet” e Dajës nuk janë moralizues, por mësime të provuara nga jeta.
Veçanërisht tek tema e madhe e arsimit, te shkolla e parë shqipe në Suedi, sikurse edhe në veprimtarinë e gjerë atdhetare, shkrimore e kulturore, portreti i S. Z. Dajës lartësohet dhe shfaqet më i qartë, ashtu si një shtatore që ndriçohet, jo nga projektorët e sallave të ngushta, por nga drita natyrale e diellit jetëdhënës. Kështu ai shihet, jo vetëm nga ata që janë afër tij, por edhe nga ata që janë larg, shihet në Kosovë e Atdheun “Mëmë”- Shqipëri, por edhe nga të gjitha trojet shqiptare të copëtuara, që e përshëndetin birin e tyre të shquar për veprat dritë përhapëse.
6.
Organizues i pjesës së tretë të librit, duket se është më shumë botuesi, i cili ka mbledhur në një buqetë disa nga vlerësimet dhe urimet që i janë bërë Dajës, për jetën dhe krijimtarinë, për veprën e tij të çmuar. Ato janë fare pak, krahasuar me ato qindra mesazhe, urime dhe vlerësime që i kanë ardhur vazhdimisht S. Z. Dajës nga njerëz të shpërndarë në të katër anët e Globit, por, përsëri, ato janë nektar, janë të ndjera, të çiltra, të sinqerta, në to nuk ka stisje, por ka dashuri, thjeshtësi dhe mirësi, që nga vlerësimet e shkrimtarit dhe publicistit të njohur Baki Ymeri nga Bukureshti, të grave të mençura me shpirt atdhetar dhe poetik: Labibe Raqi, Igbale Kelmendi Nici, Liljana Kona, Vera Istrefaj; atdhetarit dhe poetit Mendi Capri nga Suedia, të poetit Qazim Sula nga Italia, shkrimtarit të njohur Bardhyl Xhama, Bujar Poçari, Mehmet Deliu, Seit Vucaj, Begzad Begzadi, Mal Bucpapaj, Selman Kalisi, Kadri Tarelli, Bashkim Saliasi, Faik Xhani, Zabit Rexhepi, Fetah Bahtiri, Zyhdi Dervishi, publicistit e poetin Namik Selmani e shkrimtarit Viron Kona nga Tirana, rapsodët zemër zjarr Agim Gashi dhe Halim Laçi...
“Rizgjimi i Arbërisë” është një libër që e lexon dhe mediton, një libër që të bënë “të shikosh e ndjekësh” me mendje dhe me zemër vijimësinë e jetës, rrugën që bënë njeriu:episodet, ngjarjet, të papriturat, teksa përpara syve të shfaqet në piedestalin e nderit, poeti, leksikografi dhe atdhetari i shquar Sadulla Zendeli-Daja, tashmë 80 vjeçar, por që shkreptinë me zërin e tij të veçantë poetik, me mendjen e freskët dhe energjitë e një të riu.