Kulturë
Beqir M. Cikaqi: Intervistë me zotin Heset Ahmeti
E enjte, 19.11.2015, 07:24 PM
Beqir M. Cikaqi: Intervistë me zotin Heset Ahmeti, veprimtar në Slloveni
BASHKËVEPRIMI ME SINQERITET – STIMULIM PËR AKTIVITET…!
Emri i z. Heset Ahmeti nuk është i pa njohur, jo vetëm në Slloveni ku jeton e vepron, po gjithë andej e këndej diasporës shqiptare, madje edhe në atdhe. Bisedën me zotin Ahmeti kësaj radhe e fokusuam kryesisht rreth aktivitetit të tij kombëtar që po zhvillon ai dhe Shoqata ILIRIA e Koprit, kryetar i së cilës është tani e disa vjet. Fillimisht një biografi të shkurt për të kuptuar lexuesi se cili është bashkëbiseduesi ynë i intervistës.
Heset Ahmeti ka lindur në Sllatinë të Epërme, komuna e Vitisë, si 5 vjeçar familja shpërngulet në Shkup, atje e kaloi fëmijërinë dhe kreu filloren në shkollën “LIRIA” të Çairit në Shkup. Shkollën e Mesme e kreu ne Viti, pasi që me familje u kthyen ne vendlindje. Ndërkaq në Universitetin e Prishtinës u regjistrua ne vitin 1981 dhe pa i mbaruar studimet në vitin 1983 si shumë të rinj shqiptar morri rrugën e mërgimit. Se pari në Lubjanë, edhe atë “për një sezon” me qëllim të kthehet e ti mbarojë studimet! Ajo sezon po zgjat ende tash e 32 vite! Është baba i katër fëmijëve (dy djem dhe dy vajza) të gjithë të rritur, djali ka kryer fakultetin e Informatikës në Lubjanë, të tjerët ende shkollohen.
* Zoti Heset, e kuptuam se cili është profili juaj, a mund të na tregoni në pika të shkurta se cili është profili për Shoqatën Kulturore ILIRIA të Koprit?
Kanë ekzistuar edhe shoqata tjera, ku bashkatdhetarët tan në vitet e 90-ta kanë ndihmuar arsimin në Kosovë me 3% dhe në forma të ndryshme... Shoqata Kulturore ILIRIA e Koprit, është themeluar në vitin 1998. Shoqata funksionon në bregdetin slloven, apo me mire të them në Istren Sllovene. Gjatë kësaj kohe, shoqata ka ndërmarrë shumë aktivitete të ndryshme, shumë aksione humanitare, si dhe grumbullimin i mjeteve materiale në periudhën e luftës së fundit çlirimtare në Kosovë. Shoqata numëron një numër të madh të anëtarëve. Në kuadër të shoqatës veprojnë këto seksione: letrarë, muzikorë, dramaturg, sportivë dhe informativë. Më aktiv janë grupi i valltarëve, grupi recitues, si dhe grupi sportiv. Të gjitha këto grupe kanë arritur suksese shumë të lakmueshme nëpër festivale të mbajtura, ndërkaq sportistet kanë fituar trofe te ndryshme...
* Kush janë drejtuesit e tjerë të Shoqatës, që ti je kryetar tash e sa vjet?
Heset Ahmeti-kryetar, Bashkim Zyba-nënkryetar, Driton Shehu-sekretar, Sabit Behrami-arkëtar,etj. Ndërsa, udhëheqësi i sektorit letrar dhe muzikor janë Mexhid Hoxhaj dhe Suela Hoxhaj; udhëheqës i sektorit sportivë është Urim Spahiu; kryetari i këshillit disiplinor është Qerim Elshani. Për të gjithë këta drejtues, i kemi edhe ndihmësit e tyre. Ne kemi një bashkërendim të veprimeve me sinqeritet në mes vete, por edhe me bashkatdhetar tjerë, që e konsideroj si stimulim për aktivitete.
* Cilat janë aktivitetet kulturore e sportive të Shoqatës ILIRIA?
Aktivitete tona janë vërtetë të shumta e të llojllojshme, duke filluar nga aksionet humanitare që organizojmë çdo herë kur paraqitet nevoja, e sidomos për festat kombëtare. Nga themelimi i Shoqatës, asnjë herë nuk kemi humbur rastin pa i shënuar festat dhe gjithnjë me program të begatshëm të përgatitur nga grupi artistik i Shoqatës, duke sjellë edhe artistë e këngëtar të estradës shqiptare e kosovare. Bëjmë promovime librash disa herë në vit, marrim pjesë në festivale të ndryshme që organizohen në
Slloveni, mandej shkojmë edhe jashtë territorit slloven, disa herë kemi qen edhe në Trevizo të Italisë si mysafirë me grupin e valltareve të ftuar nga Shoqata si motër që emërohet me të njëjtin emër “Iliria” në Trevizo. Kemi ekipin sportiv në futboll, që disa vite ka qen kampione në Ligen Rajonale të Koprit, etj.
* Shkolla shqipe e Mësimit Plotësues, kur ka filluar dhe si funksionon?
Shoqata jonë ka organizuar shkollën shqipe qysh ne vitin 1998 dhe pat funksionuar tre vite, në at kohë nuk kishim lokalet tona dhe për mësim paguanim lokalin. Pas lufte kishim mungesë të mësimdhënësve dhe nxënësve, pasi shumë u kthyen në Kosovë... Kur vitin e kaluar përfituam lokalet për Shoqatën, rihapem shkollën shqipe me mësim plotësues. Tani kemi tri mësuese vullnetare në krye me znj. Magbule Behrami. Puna me SHSH të MP është për çdo lëvdatë, sepse pas përfundimit të vitit shkollor 2014/2015, Shoqata jonë ”Iliria” në bashkëpunim me Ministrin e Diasporës, morëm pjesë në Kuisin e diturisë 2015, ku shkolla jonë ishte pjesëmarrëse për herë të parë. Në finalen e mbajtur me 25 korrik në Prishtinë, ekipi i shkollës sonë në saje të pikëve të fituara, ndamë vendin e parë me ata të Austrisë, në mesin e gjashtë shteteve pjesëmarrëse. Ne duhet të punojmë me shkollën edhe në të ardhmen në mënyrë që fëmijët të cilët kanë lindur në Slloveni, ta mësojnë gjuhën e bukur, historinë e lavdishme, gjeografinë e kulturën ton të begatshme.
* Keni një “shtëpi” që është e njohur me emrin “Kulla e Koprit”, si keni arritur ta fitoni këtë, që nuk e ka asnjë shoqatë shqiptare në migracion?!
Po shumë e vërtet, më duhet të lavdërohem pak gjë që nuk është në natyrën time. Ishim ne drejtuesit e shoqatës me një takim tek kryetari i komunës së Koprit, bëmë kërkesën për një lokal, meqenëse e dinte mirë organizimin tonë, kërkesa u miratua menjëherë. Komuna na i ndau një shtëpi të lënë pas dore. Në shoqatë u organizuam, fillimisht bëmë projektin se si do të riparohet e të aftësohet. Menjëherë filluam zbatimin e projekti, ku i kryem punët në një afat rekord, për më pak se një muaj. Nëse pyetni pse me aq shpejtësi i kryem punimet, përgjigjja është gjithashtu e shpejt dhe e arsyeshme, pasi ishte fillimi i muajit nëntor, e ne u zotuam që të jetë e gatshme për 28 Nëntor –Festen tonë Kombëtare që e konsideronim me rëndësi të madhe të bëhej përurimi për atë festë. Ashtu edhe ndodhi! U bashkuam me punë vullnetare dhe investime me mjetet-donacione të bashkatdhetarëve, duke ia arritur qëllimit. Në përurim prezent ishin edhe autoritete të rëndësishme vendore e kombëtare, si ministri atëhershëm në Ministrin e Diasporës, z. Ibrahim Makolli, ambasadoret tanë në Lubjanë, autoritetet komunale, etj. Ishte një kënaqësi e vërtetë, rast i vetëm në diasporën shqiptare, që me punë vullnetare ta kemi “Shtëpinë e kulturës” në Kopër të Sllovenisë, sikur njihet “Kulla e Kopërit”. Tani kemi kushte shumë ma të favorshme për zhvillimin e aktiviteteve të llojllojshme.
* Bashkëpunimi me shoqatat si motra?
Kemi një bashkëpunim të mirëfilltë me disa shoqata kulturore, si në Slloveni, ashtu edhe jashtë Sllovenisë. Shoqata si motër që emërohet me të njëjtin emër si e jona “Iliria” në Trevizo të Italisë, me të cilën kemi një bashkëpunim të mrekullueshëm në shumë aktivitetet të përbashkëta. Bashkëpunojmë edhe me Shoqatën “Migjeni” nga Lubjana , mandej me Shoqatën Teatrale "Mërgimtari" nga Zagrebi po ashtu bashkëpunojmë ngushtë, të cilët dy herë kanë shfaq drama në Teatrin e Koprit. Vitin e kaluar ishin me dramën historike “Dy krisma në Paris”, dhe në këtë vit komedinë e njohur shqiptare "8 persona plus". Komedi e cila u përshtat për tu paraqitur në skenë nga regjisori dhe aktori Leonard Hamitaj. Kemi bashkëpunim edhe me shoqatat tjera këtu në Slloveni, sikur janë: Shoqata “Besa” nga Celja, “Bashkimi” nga Maribori. Më duhet të ceki edhe bashkëpunimin me Shoqatat vendore siç janë Shoqata “Pina” dhe “Zavod Krog” që kemi pas disa projekte të përbashkëta. Kemi bashkëpunim edhe me revistën “Žar” që ka dal në disa numra ne bashkëpunim.
* Nga publikimet në faqet e internetit vërehet se shpesh keni zyrtaret e dy ambasadave shqiptare në Lubjanë, për çfarë bashkëpunimi bëhet fjalë?
Po është e vërtet, kemi bashkëpunim të mirë dhe përkrahje të pa rezervë nga dy ambasadat: Ambasada e Republikës Shqipërisë dhe Ambasada e Republikës Kosovës. Unë mendojë kështu, kur vepron e punon me sinqeritet, e vërehet nga të tjerët i gjithë ky aktivitet i mirëfilltë, është shumë normale që të shpërblehesh me të mira. Dhe, jo vetëm me ambasadat tona që kemi një mirëkuptim, por kemi bashkëpunim të mirë edhe me Ministrin e Diasporës Kosovës. Mandej, me individ krijuese, sportistë, etj.
* Këtë shtator në Kopër u mbajt simpoziumi për Familjet Fisnike Shqiptare në Koprin e Venedikut. Ju ishit organizator apo bashkorganizator të këtij evenimenti?
Po ne ishim bashkorganizator, në shkurt të këtij viti kur Biblioteka e Qarkut të Koprit shënoi 300 vjetorin e pallatit Bruti, familje kjo Fisnike Shqiptare. Më dërguan ftesën ne cilësinë e kryetarit të shoqatës. Të ju them të vërtetën isha i hutuar dhe nuk ju besoja fjalëve qe lexoja në ftesë. Ftesa ishte në gjuhën sllovene, e kam përkthyer dhe e ruajë si një ftesë më të veçanet, më të mirë në jetën time. Nëse nuk është e tepërt për ju, do të iu prezantojë përmbajtjen e plotë të sajë:
I nderuar zoti Heset Ahmeti, kryetar i Shoqatës Kulturore “ Iliria “ Kopër, Ju njoftojmë se të premten në ora 10.00, në Pallatin Pretorio do të festojmë 300-vjetorin e Pallatit Bruti në Kopër, selia e bibliotekës në sheshin Brolo nr. 1. Do prezantojmë librat e peshkopit të Koprit, monsinjor Agostino kont de Bruti, kurse në ora 12.00 do mbahet mesha në kujtim të peshkopit në pagëzimoren e Koprit (Rotunda).
Duke pasur parasysh se anëtaret e familjes Bruti ishin zhvendosur nga Shqipëria (Durrësi) në Kopër, dhe kishin pranuar shtetësinë e Venedikut dhe kishin marr titullin e Kontit (mesi i shekullit 16), peshkopi Agostino gjithashtu ishte shambellan i madh, Maestro di Kamera në pallatin e Papa Klementit XI, i lindur si Xhon Francisko Albani, të cilët ishin me prejardhje shqiptare. Unë do isha shumë i lumtur në qoftë se merreni pjesë në jubileun e lartë të pallatit dhe librave të peshkopit Agostino, ku me praninë tuaj do i nderoni paraardhësit e juaj nga Shqipëria.
Familja fisnike Bruti edhe në stemën e saj e ka shqiponjën në mesin e mburojës. Në stemën me formë katrore ndodhet feniksi i pozicionuar drejt diellit, në fushën e dytë është dora me shpatë të zgjatur dhe me mbishkrim Libertas – liri.
Bashkëlidhur gjeni ftesën,
Me nderime, mag. Peter Štoka, Biblioteka e Koprit
Dhe që at dite me z. Peter Shtoka u akorduam se duhet të bëjmë diçka të tillë në mënyrë
që bashkatdhetarët tan të informohen për këtë histori të këtyre familjeve, dhe jo vetëm ata, por, edhe vendasit e këtushëm, pasi shteti komunist këto fakte i kishte heshtur.
* Për cilat familje Fisnike bëhet fjalë dhe në cilën periudhë kohore kanë jetuar?
Shqiptarët janë përmendur në Kopër që në shekullin 13, me prezencën e familjes fisnike të kontëve Albanese, pak më vonë asaj i janë bashkangjitur edhe dy familje tjera fisnike të kontëve Brati dhe Albani. Më në fund, shkaku i prezencës së disa familjeve fisnike shqiptare emërohet edhe njëra nga rrugët e Koprit "Calle Albanese" (Rruga Shqiptare). Këtu jemi vendosur në periudha të ndryshme kohore për arsye të ndryshme politike ose shoqërore apo bindjeve fetare, edhe pse ne shqiptarët kryesisht jemi të njohur me aktivitete që kanë të bëjnë me gastronomi dhe ndërtimtari, por si popull ne jemi një komb i paraardhësve të kontëve, fisnikëve dhe eminencave tjera të rëndësishme, të cilët kanë lënë gjurmë të dukshme dhe të prekshme anë e mbanë botës. Kjo është krenaria jonë për çfarë duhet të jemi shumë të vetëdijshëm. Strukturat administrative dhe ushtarake të Republikës Venedikase kanë sunduar vendeve përtej bregdetit, "lo Stato da mar", dhe me ndihmën e fisnikërisë lokale, shqiptare, vendoset edhe Shqipëria Venedikase. Më vonë, për shkak të kërcënimit turk këto familje fisnike kanë qenë të shpërndara në vende të ndryshme, gjithashtu edhe në veri të detit Adriatik. Këtë ishin të detyruar të bëjnë familjet fisnike Borisi, Bruti dhe Bruni, disa familje tjera kanë ardhur këtu nga kryeqyteti i Venecias, siç ishte familja Carpaccio, e cila në Kopër kishte marrë porosi të mëdha, dhe më pastaj i kishte lënë qytetit veprat më të rëndësishme të pikturës. Në këtë pikë, unë do t’iu kujtoja dëshminë e heshtur të shqiptarëve te thjeshtë, të cilët gjatë fatkeqësive të mëdha shëndetësore të mortajës në shekullin 17, u vendosën në periferinë e Koprit, dhe me zell kanë ruajtur imazhin e frytshëm të Istrës.
* A mendoni se është thënë e tëra për kontributin dhe rolin e Familjeve Borisi, Bruti, Bruni, etj.?
Jo nuk është thënë e tëra, kjo është vetëm fillimi, për shtatë muaj është siguruar kjo punë dhe janë gjetur këto materiale, tani mendoj që ne kemi bërë vetëm hapin e parë në mënyrë që historianët dhe personat adekuat të merren me hulumtimin e materialeve që jam sigurt se janë në përmasa ma të mëdha, ku duhet të zbardhet e vërteta dhe të njoftohet opinioni shqiptar dhe botëror.
* Me gjithë këto aktiviteteve tuaja individuale, e kolektive përmes Shoqatës dhe bashkëpunëtorëve, cilat janë planet-projektet tjera që presin të realizohen?
Tani jemi në vlugun përgatitjeve të festës kombëtare 28 Nëntori, dhe aktivitetet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen që nuk do të jen të pakta, si vazhdimësinë me Shkollën shqipe të MP, organizimin e promovimit edhe të dy librave, pjesëmarrjen tonë së bashku me vendoret edhe në festat e fundvitit, etj. Ndërsa për vitin e ardhshëm së shpejti do të dalim me një projekt interesant...!
* Jemi në muajin nëntor, muajin e festave kombëtare, cili është mesazhi i juaj?
Po mesazhi im do te ishte ky: që të punojmë të gjithë, secili në mënyrën dhe aftësitë e veta për të mirë tonë dhe në llogari të kombit, atëherë do të jemi më të fuqishëm. Urojë të integrohemi aty ku edhe e kemi vendin si popull, pra në Bashkësinë Evropiane. Ju bëjë apel të gjithë udhëheqësve politik në të gjitha trojet shqiptare që të punojnë në të mirë të Kombit. Një përshëndetje të sinqertë për lexuesit dhe urime festat e 28 Nëntorit - të gjithë bashkëkombëseve të mijë kudo që janë.
Në emrin e lexuesve të falënderohemi për këtë bashkëbisedim. Nëntor, 2015