Kulturë
Dhimitri Pojanaku: Rrugës për tek ”Vip-at”
E enjte, 26.11.2015, 08:50 PM
Dhimitri Pojanaku
Ngrirja e dy mesazheve rrugës për tek ”Vip-at”.
-pamflet-
Nisa dy mesazhe diku, tek dy Vip-a.Nuk di si ka lindur fjala Vip, por nejse, nuk na pikon nga kjo mosgjetja çatia, fundja, e në pikoftë, pikat që vijnë prej vipave, janë si dylli për dhogat kryeneçe të dyshemesë.
E po, ç`po thoja…mos më ndiqni me kaq vëmendje se ma çthurrët fillin e mendimit, fundja, nuk po them ndonje hata, pastaj, jam edhe i parrahur me hullitë e fjalëve, e pra… e zura fillin, më spërdridhej si për inat.
Nisa dy sms-ë në adresë të vipave, dhe shihja si i nemetiur rrugën e tyre në murin e postës elektronike.Mesazhet, mbetën të ngrirë.Ndoshta, rruga ishte e gjatë dhe nga brishtësia, mardhën.Ndoshta, ndonjë syresh, arriti të trokiste tek porta e, nuk i hapen derën se, mund të hynte acar nga jashtë e të merrte të ftohur dhoma e ngrohtë.
Mos u dukën të nxira, se, mos kaluan padashur afër ndonjë vendi ku pati rënë rrufeja?! Në ca vende varfanjake, ku nga varfëria lulëzojnë bestytnitë, si bimësitë në kopshtet pa zot, thonë se nxihesh vetvetiu po të kalosh afër vendit ku ka zbrazur mllefin rrufeja…
Tek e shoh ashtu të ngrirë, gati sa nuk e bëj thërrime dorën që i shkroi, ja këtë dorë, dorën time, e që më hiqet tani si krejt e pafajshme, krejt ëngjëllore.
I thashë dy a tri herë, ndoshta katër a pesë, të rrinte urtë, se, bota ka punë, vrapon, nuk na ndalet sa herë të shkrepet ty, se jo çdo xixë bëhet zjarr, por nuk më dëgjoi.I thashë se duhet t`u ngjajë atyre njerzve që zbresin hënën nga qielli dhe s`duan lavdërime duke marre pamjen e mumjeve.
Po kush të dëgjon sot?
Sa shkon te tastiera, mendjen e ka të “gjuajë” Vipa, nuk pyet se Vipat nuk mund t`i bezdisin sa e sa herë u shkrepet njerëzve të zakonshëm, se bota tek Vipat i ka sytë, tek ata ajo gjen rrotullimin.
Se ata, prandaj duhet ta kenë mendjen e kulluar si ujët në pikë të mëngjesit, ende pa u pikasur nga dita.
Më dhemb zemra tek i shoh ato dy mesazhe të ngrirë, si jetë e prerë në mes.Jo, tashmë ka marrë fund:nëse dora nuk do bindet më, kam marrë ca hidhra rrëzë kopshtit tim, do i vë mbi tastierë e mbase i tremb duart si trembim zogjtë me dordolecët nëpër arat me bereqet.
Po përse hidhrat, do shpotitë dikush.Po, ja, rriten që rriten, as hyzmet nuk kërkojnë.Se kur rriten e si këput, zbudaliten.Vetëm Aspasia e mëhallës i kërkon kur i shkon mendja për lakror në saç.Sa herë vjen i them me shaka, se “ti që pëlqen e marrosesh pas luleve, nuk duhet të vesh në gojë lakror me hidhra, do të zemërohen lulet”. E di, më thotë, po m`i kërkon, qiellza.Gjethet e hidhrës janë të hadhta, majoshe, edhe pse përvëlohen, u mbeten ca pushkuriza si susam i gjallë dhe qiellëza kërkon që të gërvishtet pas tyre, nuk e di përse.
U zgjata pak me hidhrat me shpresën se gjoja humbas mendjen dhe i gjej dy mesazhet ndoshta pak të shkrirë, por jo, asnjëri s`ka lëvizur as një gisht prej vendit, madje as një thua.
Kanë mbi krye një si kyç të vogël, si kyçi i çantave llukzoze e me shkëlqim verbues të Vipa-ve.Aty rrinë fjalëvulosur brenda gojës si rruazat ngjeshur deri në grykë brenda një kavanozi të kuptosur.
Aty presin në ankth si mokrra e mullirit ujin e zënë papritur…
Më dhimbsen.I linda dhe po i mbyt.Ndërsa ju, nuk po u zë gjuha vend pa me pyetur kujt ja nisa.Po hamendësoni për ndonjë ambasador?Jo, si mund të shkoj aq lart e aq larg?Pastaj, ambasadorët, janë sy e veshë, sado e mbyllur apo me tenjë qoftë syçka e gjipërës, e shkojnë perin me aq mjeshtëri!
Kot më tundoni, nuk hapem, se thelbi është tjetërkund.
Nga meraku i tepërt përzjerë me një zell të tepëruar, ju hodha sytë mesazheve.
Janë në gjumë.Ngushëllohem duke menduar se është një gjumë letargjik, se do zgjohen në pranverë.Po në mos ndodhë? A s`do u ngjajnë asaj vdekjeje të ëmbël, që pa hapur sytë, që pa luajtur asnjë qerpik, kalon në vdekje të vërtetë?