Kulturë
Meri Lalaj: Gjethnaja kuqëlon në Toronto
E merkure, 25.11.2015, 09:16 PM
Gjethnaja kuqëlon në Toronto
Nga Meri Lalaj
Për herë të parë në jetën time e kapërceva Atlantikun për të parë tim vëlla, Kopin, gruan e tij Elin dhe dy nipat e mi të dashur, gjithashtu për të shijuar bukurinë e vjeshtës kanadeze. Fluturimi nga Roma deri në Toronto zgjati dhjetë orë dhe unë lexova një roman me më shumë se 350 faqe. Dita e parë pas gjumit ishte e shtunë dhe vajtëm në qendër të qytetit për të vizituar një ekspozitë arti e Torontos (Toronto Outdoor Art) e hapur një ditë më parë. Ekspozita ishte vendosur në një shesh të bukur pranë një shatërvani ku përballë me gërma të mëdha të ngjyrave të ndryshme shkruhej: TORONTO. Pjesëmarrësit e ekspozitës ishin nga qytete të ndryshme të Kanadasë dhe kishin zënë vend nëpër disa shatorre të bardha për shkak se mund të ndryshonte moti dhe të binte shi. Më pëlqyen disa punime balte dhe druri. Aty pari ndodhej Bashkia e Qytetit, e vjetra, e dikurshmja me një arkitekturë të mrekullueshme, që më pëlqeu fort, ndërsa e reja ishte shumëkatëshe, madhështore, stil modern ndërtuar me qelq dhe metal.
Në ato ditë shtatori në Toronto zhvillohej Festivali i 40-të i Filmit kanadez dhe ndërkombëtar shkruhej TIFF (njësoj si për Festivalin e filmit në Tiranë). Ditën e diel u organizua, sipas njoftimit në televizion, Festivali i Ukrainës. Në të gjithë rrugën e gjatë Bloor u ndalua qarkullimi i makinave, sepse e gjithë sipërfaqja u shfrytëzua për të ngritur kioskat me ushqime të traditës ukrainase si: piroshki, lakër e bardhë e gatuar, kastraveca turshi, lloje djathërash e plot të tjera. Nëpër këto shitore të sajuara rrinin varur kostume popullorë të qëndisur, por edhe kalimtare gra dhe vajza të reja mbanin veshur bluza apo funde të bardhë të qëndisur. Përballë ishte ngritur një skenë dhe aty kërcyen e kënduan grupe fëmijësh dhe të rinjsh me muzikën e vendit të tyre.
Një ditë bashkë me tim vëlla u ngjitëm në Kullën e Torontos, e cila ka qenë më e larta në botë 533 m., para se të ndërtohej Kulla e Dubait. Për t’u ngjitur me ashensor duhen vetëm 58 sekonda dhe nga ajo lartësi, Toronto duket si në pëllëmbë të dorës me pallatet qiellgërvishtës shumëkatësh, me rrugët dhe Liqenin Ontario, i cili e ka sipërfaqen tri herë më të madhe se sa sipërfaqja e Shqipërisë. Më e frikshmja në atë lartësi dhe me famë botërore është dyshemeja e qelqtë ku mund të shohësh 500 m. poshtë nga ajo lartësi marramendëse.
Toronto është një qytet shumë i gjelbëruar, përveç parqeve në të gjitha rrugët ndodhen drurë të gjelbër dhe ai lloj rrapi, i cili në stinën e vjeshtës merr ngjyrën e kuqe, që e veçon Kanadanë nga vendet e tjera, madje gjethen e këtij rrapi shteti e mban simbol në flamurin e vet. Përballë Liqenit Ontario shtrihen pallate shumëkatësh, të bukur të ndërtuar në vitet e fundit është një zonë ku jetojnë njerëz të pasur veçanërisht kinezë, të cilët kanë blerë apartamente në këto pallate. Te këmbët e njërit nga këta pallate ndodhet kafeneja “Eden”, pronar i së cilës është një italian dhe ku mund të pish kafe ekspres shumë të mirë duke pasur përballë liqenin që farfurin. (Por më i bukur është Liqeni im i Pogradecit). Ndërsa ndodhem në Toronto më duket sikur Shqipërinë e mbart mbi supe.
Siç e përmenda edhe më lart sipërfaqja e gjelbëruar e Kanadasë është nga më të lartat në botë për frymë popullsie. Shumë parqe ndodhen edhe në Toronto. Në këto ditë vjeshte, njoftimet në televizion janë për përqindjen e kuqëlimit të gjetheve të rrepeve duke filluar nga veriu i vendit, veçse me sa duket kjo vjeshtë po vazhdon e butë, temperaturat maksimale janë thuajse si në Tiranë. Vizituam High Park dhe Parkun e Nuseve, ky i fundit ka lloj-lloj lulesh dhe drurësh, këtu çiftet e reja bëjnë foto dhe filmohen me kamera, vërtet ky park është i bukur, por më i bukur dhe i mrekullueshëm është Parku i Drilonit atje në vendlindjen time me plepat gjatoshë, mjellmat e bardha që notojnë dhe degët e shelgjeve lotonjës që përkulen të pasqyrohen mbi ujërat.
Një mbrëmje vajtëm në teatër luhej një komedi me humor anglez, munda ta kuptoj përmbajtjen sepse aktori kryesor fliste shumë saktë dhe shkoqur. Ky teatër ndodhej në pjesën e vjetër të qytetit, dikur aty kishte qenë një fabrikë, fenerët e rrugës ishin lënë ata të dikurshmit dhe anash ndërtesës kishin lënë të ekspozuar edhe një kamion si ata “ZIS-at”, që kemi pasur ne në kohën e komunizmit. Po aty ishte edhe një kafene me emrin “Balzac”, që brenda dyshemeja ishte e shtruar me çimento dhe ngjasonte me mencat e punëtorëve të minierave, vetëm se kafeja ishte e mirë.
Vajta në Galerinë e Artit Ontario, sidomos më mrekulloi kati i dytë me piktura të europianëve të mirënjohurVan Gaugh, Paul Gaugin, Sisley, Monet e të tjerë.
Dhe një ditë paksa të vrenjtur me një vesë shi vajta dhe pashë një nga mrekullitë e botës Ujëvarat e Niagarës e shkruaj në shumës sepse janë dy ujëvara, ajo e madhja e pjesës kanadeze dhe tjetra e pjesës amerikane. Mrekullia e ujërave që varen teposhtë duke krijuar atë bukuri mahnitëse me stërkala të yberta e ndonëse ishte ditë e vrenjtur pa diell, vizitorët ishin të shumtë nga e gjithë bota. Dhe poshtë te liqeni që formohej prej ujërave një anije plot me turistë veshur me mushama për t’u mbrojtur nga uji, ndërkaq anija hepohej e anohej gati të gllabërohej mes valësh. Vizituam edhe qytetin e vogël Niagara-on the Lake (Niagara te Liqeni), aty në ato ditë zhvillohej Festivali i Teatrit me emrin Bernard Shaw.
Një nga muzeumet më të famshëm të Torontos është edhe “Royal Ontario Museum” (Muzeumi Mbretëror Ontario), ditë me radhë u reklamua se në këtë muzeum do të hapej pavijoni i Pompeit, prandaj ne vajtëm ditën e caktuar, si europiane që jam unë di shumë më tepër për Pompein nga librat, filmat nga jeta e dikurshme në Itali, ndërsa kanadezët e shohin me shumë kureshtje. Sallat e tjera, katet e tjera janë një mrekulli:arti japonez, kinez, kultura egjiptiane, greke, romake. Sa keq që koha është kaq e shkurtër duhet një ditë e tërë apo dy tri ditë për të parë e përthithur gjithë këtë mrekulli njerëzore.
Vizitova edhe Akuariumin e Torontos një nga më të mëdhenjtë në Kanada dhe bëra shumë foto me llojet e peshqve e peshkaqenëve për t’ua treguar mikeshave të mia biologe Irenës dhe Bardhës.
Natyrisht u futa edhe nëpër librari ku midis shumë autorëve të huaj gjeta edhe librat e Ismail Kadaresë në anglisht si “Aksidenti”, “Kështjella”, “Pasardhësi”.
Takova shumë shqiptarë që jetojnë në Toronto, kryesisht pogradecarë, së pari Taqon me Kozetën dhe dy djemtë e tyre aq simpatikë (të cilëve im vëlla u thotë: Po ku i keni sytë që nuk lidheni me vajza shqiptare që janë kaq të bukura!) ata banojnë në një shtëpi si nëpër përralla midis një gjelbërimi dhe luleve po ashtu edhe kurora me gjethe vjeshte vendosur te porta e hyrjes si edhe kungulli simbol i Ditës së Falenderimeve dhe Halloween-it, pastaj takova nxënësin tim të shkëlqyer Redin me gruan e tij, vajtëm për darkë te Zisi në atë shtëpi të bukur në dalje të qytetit, ndenjëm disa herë tok me Rudinën, bijën e mikes sime Dëshira dhe vajzën e saj të bukur që është maturante dhe shkëlqen në mësime.
Rruga për t’u kthyer në atdhe është me e shkurtër sepse e shkurton malli për tokën tënde. Në avion pranë meje dhe një kanadezes është ulur një italian llafazan që nuk i pushon goja tërë kohës, tregon për biznesin, gruan, fëmijët është nga Siqelia, kur i them se jam shqiptare rrëfen se stërgjyshi i tij ka qenë shqiptar se gjyshi i tij quhej Xhorxhio (Gjergj), i ati Xhorxhio dhe biri itij po Xhorxhio. Ja ku na doli dhe një kushëri...