Kulturë
Demir Krasniqi: Jalla mora rrugën lala për Prishtinë
E enjte, 26.11.2015, 07:33 PM
Parodi humoristiko – satirike kushtuar aktualiteteve politike :
JALLA MORA RRUGËN LALA PËR PRISHTINË
- Këndohet sipas melodisë së këngës popullore me titull :
”Jalla , mora rrugën ,lala, për Tiranë”-
Jalla, mora rrugën, lala, për Prishtinë me shkua –
Jalla, në Kuvend, o lala , për me bisedua ,
Of, aman, aman, aman, aman !
Jalla, në foltore, lala , nisa me shitë mend – e,
Jalla, m’ zuri nata, lala, bujta në Kuvend – e,
Of, aman, aman, aman, aman !
Jalla, n’ sallë t’ Kuvendit, lala, m’ çeli drita –
Jalla, çka m’ ka gjet ,o lala, fare nuk e dita ,
Of, aman, aman, aman, aman !
Jalla, m’ çeli drita , lala , m’ doli gjumi –
Jalla, shumë policë , o lalë, m’ kishin shti përfundi ,
Of, aman, aman, aman,aman !
Kuvendi i Kosovës, lala , gropa – gropa ,
Po gjuajnë deputetët, lalë, me shishe , me gota ,
Of, aman, aman , aman, aman !
N’ Kuvend të Kosovës ,lala, po na fishkëllejnë pipëzat –
Shefat e partive, lalë, po na i fillojnë krizat ,
Of, aman, aman, aman, aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, seç na u bë tërmeti –
Pozitë – opozitë , o lalë , luftojnë në mes veti ,
Of, aman, aman, aman, aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, po kërcasin grushtet –
Luftojnë deputetët, lalë , për mbërri n’ pushtet –e ,
Of, aman, aman, aman,aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, përdoren fjalë t’ tharta –
Luftojnë deputetët, lalë, për pozita t’ larta ,
Of, aman, aman, aman,aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, derdhet ngjyrë e kuqe –
Luftojnë deputetët, lalë, vetëm për kolltuqe ,
Of, aman, aman, aman,aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, po kërcasin shqelmat –
Luftojnë deputetët, lalë, përdorin dhe helmet,
Of, aman, aman, aman,aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, po kërcasin shishet –
Luftojnë deputetët, lalë, mbledhja që të prishet ,
Of, aman, aman, aman,aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, po kërcasin gotat –
Luftojnë deputetët, lalë, për t’i mbledhur votat ,
Of, aman, aman, aman,aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, po kërcasin vezët –
Aty shahen nënat , lalë , aty shahen tezet ,
Of, aman, aman, aman, aman !
N’ Kuvend të Kosovës , lalë , seç po hidhet tymi –
Shtyhen deputetët , lalë , cili asht ma trimi ,
Of, aman, aman, aman, aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, tymit po i vjen era –
Janë sëmurë deputetët , lalë , t’ gjithë nga karriera ,
Of, aman, aman, aman, aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, seç po hidhet gazi –
Shtyhen deputetët, lalë, s’ iu ndalet avazi ,
Of, aman, aman, aman, aman !
Kuvendi i Kosovës, lalë, mbushë me gaz lotsjellës –
Mu sikur luginat, lalë, kur mbushen prej mjegullës ,
Of, aman, aman, aman, aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, seç po derdhen lotët –
Der’ sa t’ mbërrijnë n’ pozita, lalë, po iu ikin motet ,
Of, aman, aman, aman, aman !
N’ Kuvend të Kosovës, lalë, seç po hidhen gurët –
Seç po i thyhen dyert, lalë, dritaret dhe muret ,
Of, aman, aman, aman, aman !
N’ sheshe të Prishtinës, lalë, seç po shkon rrëmujë –
Rrugët e qytetit, lalë, po fshihen me gjunjë ,
Of, aman, aman, aman, aman !
Protestuesit lidhur, lalë, n’ asfalt po i shtrijnë –
Rrugët e Prishtinës, lalë, me shpinë po i fshijnë ,
Of, aman, aman, aman, aman !
Gjilan, më 24.11.2015. Demir KRASNIQI