Kulturë
Meri Lalaj: Kukulla e vërtetë
E diele, 29.11.2015, 11:26 AM
Meri Lalaj
Tregim
Për Manjolën
Kukulla e vërtetë
Ajo ishte një qytezë minatorësh, po e shkruaj në gjininë femërore sepse edhe emri i saj ishte po i gjinisë femërore, Zama. Në këtë qytezë të mënjanuar punonin jo vetëm punëtorë miniere, të cilët ishin fshatarët e fshatrave rreth e rrotull, por edhe persona të shkarkuar nga detyra qofshin civilë apo ushtarakë si edhe familje me përbërje të keqe politike. Këta ishin të internuar dhe kishin apo nuk kishin të drejtë që të lëviznin nëpër qytetet e tjera. Edhe Rina bënte pjesë ndër këta të fundit për shkak të prejardhjes politike të bashkëshortit të saj. Bija e saj u lind aty dhe sikurse të gjithë fëmijët e botës u hoq këmba dorës dhe u ngrit të ecte më këmbë atje ku banonin në atë barakën e shtruar me baltë të ngjeshur dhe të mbuluar me letër katrama.
Në vitin e parë të jetës të saj, kur bija e tyre ishte nëntëmuajshe dhe po afronte Viti i Ri, nuk i dhanë dhuratë si të gjithë fëmijëve të tjerë të minatorëve për shkak të biografisë. Të dy prindërit e rinj u dëshpëruan shumë, gati iu ndal fryma, por nuk kishin çfarë të bënin. Kjo puna e dhuratave vijoi edhe më vonë kur Rina u nda nga bashkëshorti dhe u kthye të jetojë në qytetin e vet. Rina tërë kohës ishte zemërvrarë sepse Elirës, bijës së saj kurrë nuk ia vunë fotografinë në tabelën e nderit të shkollës dhe kurrë nuk e dërguan në mbrëmjet e nxënësve të dalluar. Sidoqoftë kur jetonin në atë qytezën e minierës me rastin e një ditëlindjeje, ata i patën blerë Elirës një kukull prodhim i N. I. Sh. Goma të Durrësit. Për të thënë të drejtën, ajo nuk ngjasonte fare si kukull e vërtetë, ishte mjaft e madhe me një trup dërdëng punuar nga plastmas i ngurtë, këmbët i kishte të bashkuara me njëra tjetrën, krahët si boksiere, nuk kishte rroba të veshura dhe në vend të flokëve kishte veç një formë koke prej kauçuku lyer me bojë të zezë. Rina, si brez i pasluftës ishte rritur duke luajtur me kukulla prej lecke dhe e kishte pikë në zemër që e bija të luante me kukulla të vërteta. Megjithatë bija e saj kënaqej shumë me këtë kukull dhe u kënaq edhe më shumë kur zdrukthtari i minierës i sajoi një karrocë për kukullën me copa dërrasash të holla dhe dy rrotëza. Tani Elira e shëtiste e gëzuar kukullën e saj nëpër rrugëzat e minierës.
Kaluan vite, dikur Rina mundi t’i blejë Elirës një kukull të vogël 180 lekëshe, kjo po kishte të veshur një fustan të vockël dhe flokë të bukur, por e vogël sa pëllëmba e dorës. Kur Elira vazhdonte vitin e fundit të gjimnazit, pra në maturë, para festës së Vitit të Ri nëpër shitoret e qytetit të tyre po shiteshin kukulla të vërteta të mëdha, vetëm se ato kushtonin tri mijë lekë. Rina mori rrogën e pesëmbëdhjetëditëshit të fundit të vitit gjithsej tri mijë e pesëqind lekë. Ajo vajti tek shitorja i pa kukullat dhe po mendohej, po ta blinte kukullën deri më 3 janar i mbeteshin vetëm pesëqind lekë. Çfarë të blinte më parë tani që po afronte edhe festa e Vitit të Ri? Me mendje të hallakatur u kthye në shtëpi, Elira, e bija ishte zhytur në ata librat shkollorë trigonometri, fizikë dhe stereometri. Aty për aty e vendosi do ta blinte me patjetër atë kukull, le të mbeteshin pesëqind lekë për t’i shtyrë ditët e fundvitit: bakllavanë do t’ia bënte nëna e një nxënëses, të cilës i jepte mësime në anglisht, edhe doktoresha Tefta e shpërblente me bulmet dhe perime për ndihmën që u jepte fëmijëve të saj në mësime. E bleu kukullën dhe ia solli të bijës në shtëpi. Ajo u lumturua. Të dyja po shikonin me vëmendje kukullën: flokët e saj të artë, sytë e bukur të blertë, veshur me fund e bluzë dhe këpucë e çorape të bardha. Por mbi të gjitha kukulla hapte e mbyllte sytë, ajo fliste: “mama!” me gojën paksa të hapur. Ishte aq e madhe sa mund të mbahej në krah si bebe. E pagëzuan me emrin Blerta. Elira fjeti atë natë me kukullën edhe plot net të tjera ndonëse në pranverë do të mbushte 18 vjeç dhe e priste shkolla e lartë.
Rina u ndje e lehtësuar e kishte shpënë deri në fund detyrën e saj si nënë. Dhe sot e kësaj dite Kukulla Blerta qëndron në kënd të një dollapit duke pritur që ta marrin dhe ta përkëdhelin sërish si dikur.