E enjte, 02.05.2024, 12:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Ireshtansi: Një foto si tapi për shumçka

E hene, 07.12.2015, 07:47 PM


Një foto si tapi për shumçka

Shkruan: Ireshtansi

- E sheh këtë, unë e bëra kryetar, mu drejtua një burrë rreth të katërdhjetave që e kisha në krah.

Unë kisha shkuar në fakultetin filozofik të dëgjoja kryetarin e komunës time që mbronte punimin e doktoraturës, në temën "Kur ka ra kushtrimi n'Kosovë", një temë me shumë interes që do t'më pajiste me njohuri të reja për luftën dhe heronjtë e saj, nën dhe e mbi dhe. Atë ditë, isha nisur herët që të zija një vend kah fillimi, por trafiku i Prishtinës ishte tamam si kjo sallë e mbushur me njerëz, prandaj mezi arrita të zija një vend në fund të sallës, e pranë meje ishte ulur ky burri i rreth të katërdhjetave.

- Dhe tani ai do të bëhet doktor shkence që të ketë me se të merret kur komuna të shpëtoj prej tij, vazhdoi ai, pa e pyetur kush. Ktheva njëherë kokën si për t'i thënë, që ta dëgjojmë këtë për të cilin kemi ardhur, por ai kishte vendosur të mos e linte rehat atë që kishte pranë, e për fat të keq ai do t'isha unë. Unë që doja të dëgjoja, dhe jo vetëm kaq, doja të tregoja në ndeja atë që kisha dëgjuar këtu.

- Karriera e këtij ka dalë prej fotoaparatit tim, foli ai përsëri. Dhe a e di si?

- Si?!, ia ktheva unë dhe e shikova qortueshëm. Doja të më linte rehat, megjithatë për hir të mirësjelljes nuk ia thashë me fjalë. Mendova që ky do ta kuptonte, por ai vazhdoi si ta kishte kurdisur dikush.

- Ja po ta tregoj, fije e për pe, tha ai, dhe nisi të tregoj. Fije e për pe.

-  Unë, tha, kisha një dajë në Mitrovicë, dhe një ditë i them këtij që është sot kryetar e që atëherë e kisha shok të ngusht, që të shkonim bashkë për një vizitë tek daja im, në Mitrovicë. Shkuam atje, ndenjëm sa ndenjëm në shtëpinë e dajës , e pastaj dolëm në një kafiteri, që të tre. Në kafiteri takuam hiq më pak se atë që sot njihet si heroi më i madh i luftës së fundit e që fati e deshi të vritej në fillimet e luftës. Një shok i dajës kishte qenë ulur me të dhe ai na ftoi t'i bashkoheshim. U bëmë pesë në tavolinë. Morëm nga një birrë dhe nisëm një muhabet të mirë. Zatën birra e parë gjithmonë ka muhabetin e mirë. Edhe ne vetëm nga një e pimë. Tek po pinim e bisedonim daja im më tha që t'u bëja një fotografi. Se unë aparatin gjithmonë e mbaja me vete. Fotografinë e kisha hobi. Jo sepse ishte në modë atëherë  të pyesje e të të pyesnin për hobin, por unë fotografinë vërtet e kisha hobi. U ngrita dhe e shkrepa një foto. Ky kryetari i sotëm që atëherë ishte... si ta quaj..., ta quaj morr më duket shumë, më thotë mua t'i bëjë një foto me heroin e ardhshëm. Jo se ky e dinte, por pamja e tij iu duk shumë interesante, si edhe mua. Ai kishte ca mustaqe shumë të mëdha, dukshëm më të mëdha se të pleqve tanë, madje mund të thuhet jashtë çdo standardi. Do të tallet ky me këtë foto e me këto mustaqe, mendova unë dhe e shkrepa edhe një. Tekefundit e kisha shokë, këtë... këtë... si ta quaj.., dhe fshau njëherë thellë.

Kur nuk shkoi shumë kohë e të kërset lufta këtu. Koha i kishte ardhur dhe s'kishte si të ndodhte ndryshe. Unë u paraqita ushtar. Doja të ndihmoja pak vendin tim. Se unë këtu i kam bërë hapat e parë dhe kudo të shkoj, këtu do kthehem t'i bëjë edhe hapat e fundit. Kjo tokë... .nejse. Deshi të thotë edhe diçka, mbase ndonjë mendim të dëgjuar a të padëgjuar por asgjë s'i ra ndërmend dhe e la.

- Ky kryetari i sotëm, vazhdoi, iku që në fillim dhe deri në përfundim të luftës askush s'e pa. Kur erdhi këtu, erdhi e më takoi, por s'kishte ardhur vetëm për mua, kishte ardhur të merrte fotografinë me heroin, madje vetëm për të. Siq të thashë, heroi që ne takuam në Mitrovicë ishte bërë kryefjalë e ditës pas çlirimit. Shumë njerëz shtyheshin të tregonin histori se si e kishin njohur, dhe njohja me të do të thoshte pushtet në këtë shoqëri të dalldisur e në shtetin që po e bënim. Dhe ndërsa shumë të tjerë tregonin histori me të e për të, kryetari i sotëm e shoku im i dikurshëm kishte edhe fakte. Një foto që do t'i bëhej atij si një çek blanko i dhënë nga dëshmorët, të cilët siq u mor vesh, kishin lëshuar shumë të tilla.

- Ku janë fotot?, u interesua ai.

Kishte kaluar shumë kohë, madje unë kisha harruar që fotografinë e kisha hobi. Edhe aparatin s'e kisha më. Megjithatë filmat fotografikë i kisha mbështjellë me një qese dhe i kisha groposur në oborr. Gjetëm  një kazmë dhe shkuam t'i kërkojmë.Na u desh pak përpjekje që t'i gjenim. Kishin qenë pesë filma fotografikë.

- Mi jep mua se unë i zhvilloj të gjitha, dhe fotografitë e tjera t'i sjellë, më tha ky.

Edhe unë ja dhashë, se ende e kisha shok.

Pastaj kur i ra në dorë ajo fotografi, ky u bë ky që është sot. Ai pushtetin tashmë e kishte në xhep, e ka edhe tani e mbase do ta tregoj edhe këtu, siq e  ka treguar kudo për të ilustruar historitë e luftës dhe sidomos bashkëpunimin që kishte me heroin. Sot, këtë të gjithë e njohin si ushtar i orëve të para. Madje edhe i para luftës. Më kot unë e di të vërtetën, por kush më dëgjon. Ja shiko sa e dëgjojnë këtë, një sallë e tërë, e sa më dëgjojnë mua. Mua që e kam bërë ky që është sot.

Dhe paramendo, ta marrë unë tek daja im duke i paguar edhe biletën e autobusit ,ta fotografoj me aparatin tim dhe ky t'i shijoj gjithë këto të mira e ta dijnë njerëzit hero mbi dhe, kjo më bënë të çmendem, kur unë mund të shkoja vetëm tek daja im, të takohesha me heroin e ardhshëm e dikush të na bënte një foto. Ja kështu do të duhej të kishte ndodhur. Ose edhe të mos shkoja fare.  Si mendon ti?!, më pyeti krejt papritur

- Ose të mos shkoje fare, u përgjigja unë i zënë në befasi.

-  Ashtu vërtet, tha dhe heshti.

Kryetari atje në tribunë vazhdonte të fliste e të tregonte histori trimërie me shumë interes për historinë tonë, por unë për fat të keq nuk i dëgjova të gjitha, megjithatë, i thashë vetes që këto do t'i lexoj në ndonjë libër historie, dhe kjo më ngushëlloi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora