E shtune, 27.07.2024, 06:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Nënvizime për lexim të zëshëm

E hene, 07.12.2015, 09:23 PM


Nënvizime për lexim të zëshëm

Ose Prend Buzhala

(1 nëntor 1951)

(Përvjetori i lindjes dhe përurimi i tre librave të rinj: kritikë e poezi)

Nga Mehmetali Rexhepi

Është  mirënjohëse t`i përgëzosh veprimtarët te “Vjeshta letrare” e Gjilanit, e bërjes atmosferë letrare-poetike, me prurje të këndshme e shtrirje... Le të nënvizohet këtu letrari prijatar Sabit Rrustemi, për nismat mbresë-lënës të kulturës letrare në Gjilan e tutje...Veçanërisht është përgëzues akti i përzgjedhjes, për t`ia përuruar ca nga librat më të rinj e për ta çmuar, qoftë sipërfaqësisht: poetin, kritikun letrar, studiuesin, publicistin, redaktorin e recensuesin, mikun e brezit tim rinor të studimeve në Filologjikun e Prishtinës, njeriun e vështrimeve të kthjelltë, profesorin e urtarin: Prend Buzhala.

Portreti meditativ

Krejtësisht i rëndomtë në rëndomëni të jetës, pa asnjë grimasë të fodullit. Nuk të zgjon mbresa veshja e jashtme. Kokë rrumbullakët, balli pllajë e erërave që ia shkulnin shavarin e flokëve të varura. Mustakët, shkurre të Gjeçovit... Më gjatë depërton qetësia e gjallë e shikimit. Shikimet e tija  nuk shpojnë si gjemba tendence. Lule-qeshjet nuk i shtrijnë petalet e fshehura maje gjembash, ato i dalin prej bisqesh të lëmuara drejt nesh. Mos ia lypni grimasat as pas tendosjesh, ndonëse eci zgripeve dramatike të kurdisura nga kurthe-bërësit shekullor...

Fytyrë vijëzimesh të mendimit. Tipari meditativ ia ka mbushur hullitë, ai reliev pa këtë tipar do të ishte më i përthyer, më i vrazhdë, më dramatik, me kreshta prore të hirta... Opiumi i mbresës ndoshta i rrafshon edhe majat e shkrepave... Por përshtypja, kjo e tashmja, ka peshë, dhe madje baras peshë, siç e ka peshën dhe baraspeshën e drejtqëndrimit Prend Buzhala. Dhe nuk e plandosë dot mbresën time shtrëngata e lajthitjes. Shtjella e jetës ngado që e hedh, Ai do të bjerë me këmbë në tokën Amë.

Këtij portreti meditativ nuk ia sheh pikëllimin, as ngazëllimi mbi të nuk e ka të gjatë shkëlqimin. Pse? Si? Mos është i prirë nga asketizmi shpirtëror? Assesi. Sepse udhërrëfyes sovran i shtigjeve të gjata të tija është tej koha, tej vështrimi, një determinizëm i asimiluar për relativitetin e vlerave e të kënaqësisë. Portretit meditativ përmasa e shkrim-leximit të karakterit mendor, ia ka pushtuar madhështinë e shpifur dhe vetëkënaqësinë. Madhështia dhe modestia tashmë nuk janë rivale, dhe asnjëherë nuk do të kenë qenë të pa baraspeshuar, ose të pa përputhur në portretin njerëzor e letrar:  Prend Buzhala.

Diskursi  i polifonisë letrare

Pas botimit të një vistre vëllimesh, llojesh, gjinish të ndryshme letrare-artistike, imagjinatave, kritike-metakritike, eseistike, dokumentare, publicistike, shëmbëllesa e vijëzimeve të mia shfaqi shije, dije, një (kult)urë të shumanshme qindra-mijëra faqesh, urtësi vrojtuese e depërtuese në dukuri të artit letrar, akceptime të bashkëkohësisë në rrafshin e letrave të shqipes.

Le të pohoj pa teprinë e pohimit, se hapësirës letrare të shqip-shkrimit, i erdhi dija dhe kompetenca, paanshmëria e munguar për zbërthime të ngërthimit teorik të përmbajtjeve, të shtresimeve kuptimore, stilistike, estetike, sociale, etike, filozofike dhe pleksje tjera  në etimonin e fjalës.

Shëmbëlltyra e vijëzuar këtu shmangu stereotipinë ideologjike, qasjen snobiste dhe iu rrek kompetencës, për të thelluar, zgjeruar e ngritur kompetenca, madje lartësi kompetencash zbërthyese: vrojtuese, komentuese, përimtuese, analitike e sintetizuese. Spikati, kategorizoi, shqyrtoi, analizoi, sintetizoi, por nuk gjykoi pikëvështrime, anames dukurish të ndërlikuara të fatit jetësor tjetërsoj, duke njohur çfarësinë e mëvetësisë së shtrirjes, ose  të ndërlikimeve të akëcilit tekst shkrimor imagjinar, përkatësisht të diskursit  dokumentar.

Metodologjinë e diskurseve për akëcilën vepër, për akëcilin autor, e fisnikëroi përmes polifonisë bashkëkohore të prurjeve të reja të dijes për artin, të dijeve sinkretike për shkrirjen e llojeve, për shndërrimet metaforike, simbolike e filozofike të shtresimeve të kumtit e kuptimit, për harmoninë e brendshme e të jashtme të kompozicionit artistik, për kohezionin estetik të imagjinatës e të diskursit, për nuancat e dritë-hijeve horizontale e pingule të tekstit  poetik, për kontestin e kontekstin, për metatekstin e shkrimit...

Misioni i kritikës shoqërore për letërsinë, që mëtoi shkëputjen nga soc-realizmi, nuk e barti dot peshën e polifonisë së romanit, të tregimit, të poezisë a të dramës bashkëkohore.

Pyetja e dilemave: ka a nuk ka kompetenca dija jonë për post modernen? A mund të mbulojë e të veshë banalitetin e gjuhës cullake, me gjuhën konkurruese të fisnikërisë së figurshme?

Konkurrenca magjike e medieve të informatikës impulsive, kundruall gjuhës  së shkruar,  frytet e së cilës i vjel pos lexuesi i identifikuar... Joshja është tej librit...

Duke shfletuar qasjet kritike-letrare të Prend Buzhalës, për prozën e sotme shqipe, në vëllimin “Amëza e rrëfimit”,(prej 485 faqesh), Shtëpia botuese,”Rozafa”, Prishtinë, 2012; vërejmë kapjet  e impulseve, identifikimin e indeve poetike edhe në mjegullat hermetike, përmes depërtimit të thellë të intuitës në përthyerjet e tekstit letrar (post)modern. Po ashtu, përmes një diskursi për shkrim-kërkimin e thelbësores, depërtoi në reflekse metafizike, me çelësa të kompetencës për kërkime, për hyrje-dalje të diskursit me instrumentin e peshores për matje, për mundësi bartjeje pa u ndërlikuar konstatimet. Te tipi i “Romanit të ri” ose të anti-romanit, prirë nga Alain Robbe-Grillet, Samuel Becket, Nathalie Sarraute, Claude Simon, Michlom Butor,  etj; risitë e romanit në Francë, viteve të pesëdhjeta e këndej, shtrijnë ndikimin dhe  në prozën e gjatë të shqip-shkrimit, si tek Anton Pashku, Beqir Musliu, Musa Ramadani, Bajram Sefaj, Eqrem Basha... Rrjedhë e ecejakeve të ndikimit për këtë mjedis, bëhej përkthimi i përkthimit nëpërmes (kult)urës së serbishtes e të kroatishtes në shqipen... Natyrisht ndikimi do të jetë dhe i drejtpërdrejt, duke shmangur urat tashmë të njohura, për fytin e ngushtë të depërtimit të risive në letrat e shqipes...

Risitë e romanit kërkojnë të shtrohet, të procedohen transformime të modeleve tradicionale të rrëfimit dhe të strukturimit të brendshëm. Shuhet karakteri, strukturohet “rrjedha e ndërdymes”; prozë e copëzuar në kolazhe, rrëfim i fragmentarizuar...Pos thyerjes së rrëfimit të kolazheve, ligjërimi rrëfimtar  parashikon e prapakthehet, copëzohet kronologjia e kohës, “ndërkëmbehen” format e tilla me anë të përdorimit të dendur të analepsës e të prolepsës.

Porosia lypet në përmbylljen e vendosur në fillim dhe filli në fundin e rrëfimit; (sh)faqja e situatave të prera, peng mbetjet, shikimet përmes mozaikëve të karaktereve, filozofia e hutimit, ligjërimi i tipit të romanit pa ngjarje, pa lëvizje, siç e përligji prozatori Bajram Sefaj, në romanet “Terra nullius” (Rozafa, Prishtinë, 2009), mandej “Ani çka”(2012)… Të gjitha këto”eksperimentime” e provokojnë lexuesin e rëndomtë, por edhe studiuesin. Të lexosh me fjalor? Shëmbëllesa ime nuk është një lexues i rëndomtë. Ai ka fjalorin dhe çelësin e formulës si instrumente, për t`i matur ritmet e rrahjeve të njëmendta a të shpifura të impulsive, të cilat arrijnë ose nuk arrijnë mjaftueshëm t`i mëshojnë aortës, për të funksionuar fiziologjia e ndijimeve të njeriut, përkatësisht efektet e reagimit nga shkrim-kërkimtari tek lexuesi.

Për të ilustruar diçka nga diskursi i laboratorit vlerësues të Prend Buzhalës, le të shkëpusim një fragment prej shkrimit për Beqir Musliun “Shkrimi i alkimisë letrare”(ose Loja e Pafund e Abstraksioneve Letrare): “Ai e ka njohur dhe e ka krijuar konceptin personal të shpirtit të integruar në vepër, të veprës së integruar në shpirtësi… ku tërheq fije të panumërta e të padukshme, herë aq të dukshme e të prekshme, tek i drejton kah pamja e madhe e projektit sistemor: poezia bartet në prozë  e në dramaturgji, kurse të gjitha së bashku thurin një rrjetë të tërë paradigmash, përvojash, parabolash mitike e historike”*

Laboratori i shkrimit i P. Buzhalës asimiloi të dhëna e dije enciklopedike. Ai hulumtoi, identifikoi, pastaj  përimtoi dhe theksoi, përshtati citatin, por nuk lejoi ngufatjen nga citati. Alkimia poetike dhe dija analitike për alkiminë, mitin e historinë, duan argumente të fushave përkatëse dhe, nga të gjitha fushë-shtrirjet, studiuesi ynë nuk i ndali kërkim-gjetjet, kërkim-prurjet e, madje kërkim-përkufizimet e pa rrëshqitshme.

Ku fillon imagjinata e ku mbaron diskursi?

Në laboratorin e interesimeve të P. Buzhalës, janë klasikja dhe risitë befasuese të modernes, copëzimi i unit në vete, në mozaikë vetash brenda një vete, shumësi vetash; përqendrimi i fijeve në maje dhe shpërqendrimi i personalitetit drejt shtytjeve për përmbushje; ose lënia në stihi, në udhëkryqe shpirtërore, në bohemi... Dilemat etike, ekzistenciale të jetës metaforë e ëndrrës, të ëndrrës peng i jetës...

*Prend Buzhala” Amëza e rrëfimit”; Prishtinë, 2012, f. 30

Shumësia e qasjeve të Prend Buzhalës për shkrimet letrare të shqipes, për gjinitë dhe llojet, përpos vullnetit lypnin shkallën më të lartë të kompetencës. Çfarë kompetence? Qoftë si kompetencë e polifonisë të diskurseve teorike, kur strumbullari i shtjellimit është argumenti, si te “Amëza e rrëfimit”, qoftë si prirje e dhuntisë, të pleksjes së imagjinatës me përvojën e mendimit e të sprovave jetësore, te ditari ose kalendari lirik ”Çaste lirike (Prishtina, Press, 2014).

Modeli i portretizimit të kësaj shëmbëllese (P.B.) vështruar nga shumë kënde, del i padjallëzuar, i çiltër. Ai vështron. Çka vështron? Gjithçka. Madje sogjeton si një ikonë e gjallë, e gjallëruar në maksimumin e gjallërisë. Vështrimi i tij butësisht qorton: për mos shkrirje nuancash për dritëhijet e tija në vijëzimet e mia... Megjithatë, Ai buzëqesh. Buzëqesh dhe lëvron me penë, ose hedh farë në letër e tastaturë... Hedh farë dhe në fushën e lëvruar më parë, edhe në fusha të djerra, të pashkelura. Hedh farë dhe thurë... Ngrit ledhe. Fara e mbjellë gjithsesi është përzgjedhur, se jo gjithçka mbillet, rritet e piqet, pllenohet e shterpëzohet, ka shije ose është e pakëndshme.

Ëndjet estetike dhe vlerësuese në qasjet e Prend Buzhalës nuk janë përjashtuese. Ai vijon të ndërtojë sintaksën poetike,teorike,kritike njësoj përgjegjshëm me kureshti e kërshëri. Përderisa diskursi argumentues i tij, asimiloi përmasën universale të artit, të mendimit universal për artin, sintaksa kritike e shëmbëlltyrës së vijëzuar, po aq është shpërfillëse e kalkut. Kalku çrregullon rendin e autoktonisë.

Mbi çfarë premisash u zgjerua e u përgjithësua letërsia botërore?

“Realizmi magjik”i Borhes-it e Markes-it e universalizuan letërsinë latine-amerikane në përmasa globale. Paragjykimi, ironia dhe grotesku i Kadaresë, i ”misionit human” për gjetjen e “kthimin e eshtrave” nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, a mos nuk është dhe kjo një përmasë e veçantë, për tu përgjithësuar përfaqësimi i letërsisë shqipe në kulturën botërore të shkrimit?

Sprova ekzistenciale e shfarosjes dhe shpëtimit nga absurdi, i “misionit hyjnor”, i ngritur në doktrinë miliona ithtarësh, është sprovë e fuqisë rrënuese e “Mbinjeriut”, Atij që paracaktoi fatin njerëzor të absurdit të pa frenuar, të pa kapur ende nga letërsia.

Pse iu deshtë superstrukturës evropiane të shpërblente, me çmimin letrar”Nobel”, më 1961, një Maltus ballkanas i sojit Andriq, që bashkë me Vasa Çubrilloviq, programoi  shfarosjen e etnisë antike shqiptare nga autoktonia e tyre?!

Lejimi i mitizimit të skajshëm, ose pamja indiferente e “bekimit”prej misionarësh”,

të “popullit qiellor”dhjetëvjeçarëve të fundit, në kapërcyell të shekullit njëzet, solli fatalitetin serb mbi të tjerët! Dilema harkore e një litari të zi, i sillej rreth qafe Fat-shkruesit: a do të ngadhënjejë doktrina e “ popullit qiellor”, si fatalitet i popujve tokësor?!

Estetika e hermetizmit

Në fundin e mijëvjeçarit të dytë dhe fillimin e të tretit, dy periudha, dy rende shoqërore u përplasën e u thyen mbi etninë shqiptare. Ashpërsia e thyerjeve e godiste pamëshirshëm njëmendësinë, shumë-mendësia vinte për të përmbushur hapësirën e njëmendësisë, madje pa qartësi  kriteresh. Këtu ishte shëmbëllesa e baraspeshimit dhe filtrimit të vlerave. Kësaj shëmbëllese i erdhi pena, si një dhuratë hyjnore e shqip-shkrimit me dendësi mahnitëse rrekjesh, jo vetëm duke prekur plagët, por dhe për të kërkuar shërimin e kullimit të tyre. Pena në dorën e shëmbëllesës sonë, voli, mbolli e kultivoi gjithandej literaturës dije e urtësi, i shkëputur nga varësia e dogmave, nga idhujt  e  rremë, nga oborrtaria shtetërore, nga kulti i individit, nga diktatura, nga klanet, nga snobizmi...

Paanësia e përzgjedhjes për vlerësim, mençuria shekullore e njerëzimit, urtia e sprovës a sprovat e urtisë, së  cilave u duhej modeluar fisnikëria  pa modele; lypur burimeve mitologjike, arealit gojor, antikës, Biblës, idealistëve, humanistëve, materialistëve, modernes e tjera, kapitale shpirtërore, materiale, etimologjike e arkeologjike, është bredhërija hulumtuese e paprerë e mendjes, syrit, ndjenjës dhe penës    Prend Buzhalës.

Para se të lëvronte fushës së bardhë të letrës, P. Buzhala akumuloi ndodhi, urti, anët e dukshme e të padukshme të historisë, fragmente të retorikës, që nga “Poetika”e Aristotelit; për të vijuar doktrinave, teorive për rrymat klasike dhe moderne përkitazi shoqërisë  dhe artit letrar. Asimiloi idealizmin e stoicizmin e Antikës, depërtimet psikike-analitike të Frojdit, iluminizmin, racionalizmin, “Mbinjeriun e”Niçes, romantizmin, realizmin, materializmin e Marksit, ekspresionizmin, ekzistencializmin e Sartrit, soc-realizmin, absurdin e Kafkës e të Kamysë, simbolizmin e Bodëlerit, letërsinë e”përroit të ndërgjegjes”,  semiotikën e Umberto Ekos, post-modernen...

Në qoftë se kritika shqipe e premisave të kushtëzuara shoqërore(Vehap Shita, Hasan  Mekuli, Rexhep Qosja, Agim Vinca...), hermetizmin e Beqir Musliut e cilësuan, pos tjerash: “... Musliu asht bukur i larguem prej traditës së vargut tonë, prej tingullit kryesisht optimist të poezisë sonë... asht mjaft i ndikuem dhe i orientuem nga krijimtaria e kësokohshme  jugosllave, e hermetizueme, iracionale...”* Ose diskursi tjetër : “ B. Musliu e dashuron këngën për shkak të këngës...”*

Prend Buzhala përtrollit pikëpamjet e qasjeve të botë-vështrimeve tjera... Ai tumiri frymën e kritikës e të estetikës alternative, shumë-kahesh: T. Dervishi, I. Rugova, A. Aliu, N. Islami, S. Hamiti, B. Rexhaj, R. Musliu, N. Sopaj...

Ai nënvizoi: “I pa qartë? Po, sepse thellësitë janë të errëta e duhet ta gjesh shtegun kryesor të depërtosh së andejmi, në Lojën e pafund të Abstraksioneve Letrare. Tek atëherë  mund të kemi shkuar  dikah  e të kemi arritur diku, te njëfarë caku, diku në universin e tij postmodern  të artit.”*

Hermetizmit të Beqir  Musliut, P. Buzhala i qaset si një estetike pararendëse e (post)modernes te shqiptarët. Abstraksioni dhe hermetizmi gjeti shtratin e rrjedhës pikërisht te poeti, poetika e të cilit shkriu kufijtë mes llojeve(zhanreve) poetike në maksimumin e paparë.

*Mekuli  Hasan “Ngjyrat e fjalës dhe shqetësimet”; “Jeta e re”, Prishtinë, 1997

*Qosja Rexhep “Përpjekje e përgjithësimit të simbolikës kombëtare”; “Jeta e re”, Prishtinë, 1976; f. 760-764   *Prend  Buzhala “Amëza e rrëfimit”; Rozafa, Prishtinë, 2012,f. 28

Shkrimi si vokacion jetësor

A mund të jetohet vetëm prej shkrimit në këtë dinamikë të rrëshqitshme, marramendëse materializuese? A është shkrimi letrar luks i idealistëve të shkrimit? A janë shkrimtarët iluzionistë ose Mohikan-as të fundit, që kanë marrë për detyrë shfrimin e shërimin e ndjenjave të njeriut?

Për portretin tonë urtar, i cili është paravënë në rafte bibliotekash e tavolina, ose të cilit kemi vendosur t`ia shpalojmë faqet: e para është Fjala, sipas parimit biblik. I përvuajturi Prend Buzhala, asnjëherë nuk e vuri në dyshim dhuntinë e Fjalës e të shkrimit. Vokacioni jetësor i tij është shkrimi, shkrim-kërkimi, shkrim-zbërthimi i enigmave të jetës e të letrës, të magjisë së artit të shkruar, por dhe magjisë së artit të leximit. Aty ku mbillet arti i shkrimit vjelët arti i leximit.

Cila është mësymja, udha e shndërruar në vijë, që do ta ndjekë portreti ynë kureshtar: kërkim-nuhatja e intuitës për gjetjen e së këndshmes dhe atje ku mungon, për fisnikërimin e ndjeshmërisë, për zbutjen e zmbrapsjen e agresivitetit, për shporrjen e së keqes, për të madhërishmen dhe flijimin, për ngadhënjimin e urtisë e të bukurisë në jetë.

Rrjedhave të rënda ku nuk qarkullon lirshëm gjaku i jetës, ku shpifja bëhet vlerë e vlera shpifje, ngrihen vlerat e rreme, gjymtohet sublimi shqiptar. Po dinjiteti i shkrim-lakmuesit a do të jetë i bardhë?! Këtyre mynxyrave fërkohet qenia shpirtërore e shoqërore e krye-personazhit tonë.

Cilin hapërim përzgjodhi Ai?

Ecejakeve të shëmbëlltyrës sonë ngërthehen e zbërthehen: guximi e çiltëria, e djeshmja dhe e sotmja ndjellamirë për të nesërmen e bardhë, për plotësinë e zbrazëtisë të së sotmes, për jetën me të gjitha ngjyrat e munguara të lirisë, të demokracisë, ngadhënjimit të ligjit, të dinjitetit, të paqes e të lirisë.

Si e sheh rrjedhën e prozës bashkëkohore shqipe urtari i letrave tona?

Brenda minutave të informatës mbështillet globi. Dhe letrat e shqip-shkrimit nuk mund të mos jenë jashtë dinamikës e globalizmit, të risive dhe”eksperimenteve” narrative të kompozicionit, për qasje të përshtatura ritmeve befasuese të bashkëkohësisë... Rrëfimi tradicional shkarkohet nga barrë  fjalësish shterpe, mëtohet të kapet dinamika moderne e depërtimit të thënies, simbolika e vjeljes së veçantës tek e përgjithshmja, dhe e përgjithshmja te e veçanta, rrudhja e shtrirja e metaforës, fshirja e kufijve të llojeve... Subjekti i prozës pa poezi. Vijnë dendur: tematika, motive, shkase, shkaqe, reminishenca, trauma, ndjeshmëri, dhimbje të buta e të forta... E ngazëlluara brenda lëvozhgës së stresit dhe dëshpërimi i letrës, fati i krijuesit e krijuesi i fatit, paradigmat, parabolat, absurdi e grotesku te realiteti i cullakuar, pleksjet art-jetike, art-etike dhe art-estetike, personazhi figurë e figura personazh... Parodi e parodizuar...

Koncepti ideor shtrihet mes shenjës, shënjuesit dhe të shënjuarit, proza pa karaktere, bio-proza, rrëfimi dokumentar, e tjera.

Veprat, që nga “Metafora e vendlindjes” (1999), botimi i dytë (2012); “Përqasje estetike” (2000); “Muza e zemrës” (2006), botim i dytë (2012); “Temë dhe tekst” (2006); “Muza e Kujtesës” (2007), botimi i dytë (2012); “Aty ku krizat i besohen engjëllit” (Ndërkomunikime estetike: arti-literatura-lufta) (2008), botimi i dytë (2012); “Res Publika e shkrimtarit” (Ese, trajtesa) (2008), botimi i dytë (2012); “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore” (Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës), Argeta LMG, Tiranë, 2009; “Gjenitivi i lirikës” (Poezia e Mirko Gashit), studim monografik, 2009; “Të folurit e kryqëzimit shqip” (Poezia e sotme shqipe), (2011); “Dëshmia për plagën e ftohtë”(Libri dokumentar, shkrime metakritike, ese) 2012; “Klasiku modern i tekstit-Letërsia e Ramiz Kelmendit”(studim monografik), 2013, botimi i dytë, 2014; mandej disa monografi të letërsisë për fëmijë, Prend Buzhala lartësohet në majat e mal brezit penë-shkrues: studiues, kritik, eseist, teorik e estet, stilist dhe filozof i mirëfilltë, me vokacion profesional në letrat e shkrimit shqip.

Qasja ose e jo vetëm qasja, por shtjellimi i alkimisë së rrëfimit, i romanit të universit shpirtëror, romani i diskurseve lirike e historike... Në fjalorin e P. Buzhalës ngërthehen kësisoj formula e shprehje konceptesh të prozës sotme shqipe, tendenca e kahe, si: herezia e skepticizmit, skalpeli i satirës, poetika e ndërliqësisë, kodi socio-kulturor i shprehjes, loja rrëfimtare, bio-romani, thellësitë shtresore të rrëfimit, shtigjet e vetë-njohjes së  qenies, magjia e tregimit, rrëfimi introspektiv, katarza e qenies ëndërrimtare, bio-proza e modelit dokumentar, martiriumi  shqiptar, e tjera.

Dyzetë e shtatë autorë relievesh, prirjesh, vokacionesh, stilesh të ndryshme, brenda kopertinash, pesëqind faqesh pa 13 sosh; Prend Buzhala rrumbullakoi shkrime kritike-teorike-estetike-filozofike, kërkoi, vlerësoi, vuri në pah dhe sintetizoi nivelin e prozës së sotme shqipe, ngjeshur  në togfjalëshin “Amëza e rrëfimit” (2012).

Pse “Amëza...” e jo Ama e rrëfimit?

Gama tejet e zgjeruar dhe e përqendruar e shkrimeve letrare: kritike, teorike, estetike dhe etike për prozën moderne, e përmbyllur në formulën bërthamë, e karakterit zvogëlues “Amëza...”, e lë të hapur  antitezën e zmadhimit të gamës nga “Amëza...” në “Ama e rrëfimit”.

Mbase titullimi i tillë mund të zgjojë dhe reflektime të tjera... Andaj, pikërisht kjo është fytyra e denjë e talentit të shkrim-qëmtuesit për shumësinë e kuptimit.

Mburoja e urtisë

Ku duken pikat e ngjizjes së shqiptarëve me Evropën? Mos vetëm te filo-biblikja e shpirt-shkrimit dhe shqip-shkrimit, a te humanistët shqiptarë të shkrimit latinisht? Dëshmi kulturore e kësaj vijimësie janë shkronjat e latinishtes për alfabetin e shqipes. Dhe, dhe pikëshkrirje të tjera...

Meqë Evropa, pas thyerjes së koalicionit ilirik(ballkanas) kundër turqve, nuk e shporri pushtuesin aziatik prej Ilirisë, shqiptarët e krishterë të Malësisë së Veriut dhe të Dukagjinit, të pamposhtur në malet e tyre, zgjodhën mënyrën më të pashembullt për t`i sfiduar pushtuesit... Pa shtet, pa polici, pa gjykata, pa ushtri mbajtën gjallë kode autoktone, tërësisht jashtë strukturave shtetërore të pushtuesit. Si? Krejtësisht autentike bëhej funksionalizimi i rregullave e ligjeve të pashkruara, por të zbatuara me anë të kujtesës,përkatësisht mimetikës, për statusin  shoqëror të individit dhe të familjes, kodet etike për “doket”(Çabej), për nderën, për gruan e familjen, për pronën dhe gjakun, për mikun e mikpritjen, ndëshkimin, besën dhe faljen...

“Kanuni i Lekë Dukagjinit” është dëshmia më autoktone e një qytetërimi të izoluar nën sundimin e huaj! Ndoshta shëmbëllimi i tillë, unikët, nuk i bëri përshtypje dje Evropës, përderisa sot mund të ishte pos një episod interesant i mendësisë fisnore, i fiseve të frustruara të shqiptarëve!

Duke iu qasur portretit shkrimor të Prend Buzhalës, duket, ndjehet, preket, afirmohet dhe admirohet opusi i llojllojshëm i shkrim-përmbushjes të studiuesit e shkrimtarit, në këtë atmosferë të galopit korruptues të institucioneve të Kosovës.

Nga trajtat e përfitimit korruptues prej këtyre mekanizmave të brishtë, të ngrehinës me themele në gjakun dhe djersën e sakrificave, Shkrim-qëmtuesi ynë nuk stepet, por ngre shigjetën e maj-penës për t`i goditur Kalorësit e Apokalipsës...Kësaj ngrehine të quajtur pavarësi, vijojnë t`ia zhvatin e përdhosin, më të shenjtën e saj, lirinë! Kush? Demagogët me ngjyra kameleoni. Ata, që aq e paskan dashur pavarësinë, sa dashkan vetëm t`i marrin e asgjë të mos i japin! Dhe, edhe nëse dikush prej nesh i kishte dhënë diçka, atë që duhej të jepej, kur e kërkonte “domosdoja e saj” (R.Elmazi), duam të na  rikthehen “gramët” e kontributit!

Në mendësinë e kapjes së shtetit, si ushejzat damarëve të fryrë të gjakut, heroi ynë i penës, nuk iu shmang mburojës së urtisë: se ëndja e prish burrin, sikurse prishi mjaftë të tillë...

Në fillim ishte Fjala, Fjala ishte në Hyjin...

Urtia biblike për Shkrim-qëmtuesin asnjëherë nuk mori kahe vjetërsuese. Misioni i tij, misioni i Fjalës është që Hyjin e Fjalës ta zbresë në tokë, dhe përmes shëmbëllesës së Apostullit të saj, t`ua sjell dritën aty ku ka pllakosur errësira. Jashtë këtij universi është anarkia... Njerëzit nuk stolisen me cilësi e butësi njerëzore, ndaj njeriu lidhet për fjale e kafsha e egër për kapistalli.

Rendin  e vlerave e prish paradoksi i lidhur me fijet e forta të lakmisë, por kur njeriun e tërbon lakmia...Ruana Zot prej kafshimit të njeriut të tërbuar!

Dashuria nuk kërkon borxh

Në atmosferën e anarkisë politike e kulturore, ngre kokë shtresimi i dukurive të rreme, mediokriteti, shpërfilljet e kritereve, kahet për prurje vlerash të dyshimta në  (rr)jetë klanesh; duke anashkaluar vlerën e mirëfilltë me anë të hierarkisë së shpifur, përmes kundërmimesh të izmave ngufatësh... Prend Buzhala vjen me freski zhdavaritësh të mjegullave. Ai solli ndjeshmërinë, parimësinë, paanësinë, vullnetin e plotë të fjalës, me përgjegjësi maksimale të shkrimit e të shqiptimit të saj në letrën e bardhë.

Ai, Heroi i letrave shqipe, libër-shkruesve iu qaset pa paragjykime. Gjithsesi i shqipton gjetjet pas kërkimit të tyre për secilin autor, duke mos i futur në formula të paragjykuara. Parimi vlerësues i tij, përzgjedh formulën, sipas përkimit ose veçantisë ngërthese të akëcilit libër, të akëcilit autor.

Prurjet e reja në artin e shkrimit letrar, varësisht prej momentit, si dhe “vërshimet” e prurjeve, gjetën shtratin dhe digën e fortë, si dhe laboratorin e disiplinimit të tyre tek Prend Buzhala.

“Dashuria nuk kërkon asnjëherë borxhe

Si nuk tha njëherë dielli:”Më keni borxh për dritën time!”*

Shkëputje vargjesh të fillim-librit, poezish të publikuara në Facebook nga P. Buzhala. Një ditar, kalendar përsiatjesh, refleksesh poetike, mendore, i paralajmëruar të vijojë të komunikojë, me fusnota të shumta mbresash e gjykimesh, të ndjekësve të këtij rrjeti shoqëror përmasash të gjera.

Autori përdori një formë të drejtpërdrejtë të komunikimit të hapur poetik, si duket efektiv. Poeti shpaloi sprova të jetës, të unit shpirtëror gjithënjerëzor, personal, etnik, etik, estetik, filozofik e ekzistencial, ngase jeta e kishte futur dhe nxjerr shtjellave me gjithfarësoj peripecish. Subjekti poetik pas shtrëngimesh, vurratash, ndjekjesh, mashtrimesh e guximit, joshjes së dhimbshme e lakmuese, krenarisë së hidhur, të ndjeshme e të pandjeshme, nëpër gjembat e së keqes, të shëmtuarës, tragjikes, ironikes...Nuk gjeti prehje së renduri për të këndshmen, për burrëroren e madhërishme, për magjiken... Dhe a mund të haseshin krejtësisht të pastra ato?Assesi. Gjithmonë të pleksura... Ku fillon njëra përfundon tjetra, kjo është filozofia e sprovës ose sprova e filozofisë e bartur në poezi.

Për shpalimin e poetikës së sprovës, kësaj poezie nuk i mjaftoi shtytja motorike e ndjenjës. Ndjenjën medoemos do ta vesh mendimi i shumanshëm, i shumëngjyrshëm, përderisa jeta ka përmasat e saja të paraqitjes së shumë anshme, të shumë ngjyrshme, befasuese, absurde, flijuese, të hidhur, groteske, me epërsi heroike dhe sfondin e durimit.

Vjen e na ulet këmbëkryq e folura me hile. E ne nuk e kuptojmë!

E po na ndodhi si na ndodhi. Kush na shmangu nga shtegu i jetës?

E tash ? Kush po na çon rrugëve të gabuara?Kah shuarja?

Gojë e Huaj na vjen nga të tjera dhera të largëta: aq e butë.

E shija e saj, e hidhur pelin. Ta fshin botën, dritën, lavdinë e emrit e të historisë

Ta shkel barin e ai nuk mbin. Prek lulen e ajo thahet...

...   ...   ...   ...

E pra, qenka një Frymë e Shenjtë që buron amshueshëm. Frymë e Guximit. E Fjalës.

Del e rrjedhur pa ndërprerje, fshehtas, e mandej me shpërthime.

Si ta kuptojmë e ta përthekojmë këtë madhësi përtej krejt madhësive?”*

(Çast kritik, Me shteg drite)

Prend Buzhala tashmë është libri ynë i hapur që vijon të shkruhet. Ai komunikon pa ndalur, si burimi i ujit kristalor, për të shuar etjen e kërshërisë sonë në artin e shkrimit e të leximit.

Urojmë të shtohen ithtarët e artit të leximit!

*Prend Buzhala”Qaste lirike”(poezi),Prishtina,PRESS,2014; f.7

Gjilan, nëntor-dhjetor 2014; nëntor-dhjetor 2015



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora