Kulturë
Kalosh Çeliku: Kulloshtra
E merkure, 16.12.2015, 08:06 PM
KULLOSHTRA
NGA KALOSH ÇELIKU
(Dikush hedhë vargje
nga dritarja)
Herët, zgjohem me një gotë raki rrushi
Dikushi hedhë vargje nga dritarja.
Imzot, si do të më vrasin te pragu i derës
Ende pa e përfunduar Librin për Nesër.
Rrugës eci me duar në xhepa
Dhe, fyellin e Bariut Plak në dorë…
(Rrëzë Çukës e rrëzova
edhe Zonjën Vdekje)
Gjithë jetën rrëzova gra besnike:
Livadheve. Arave. Mullareve me bar.
Kasollave, në Katundin me kashtë
Hoteleve të lirë. Dhe, të shtrenjtë.
Rrëzë Çukës, e rrëzova edhe Zonjën Vdekje
Shumë lirë u shitë azganja. Thuaj: për pak para?!
Grua kurtizane. E salloneve botërore
Megjithatë, një Poet shqiptar: Kalosh Çeliku
Nëse do, e rrëzon edhe pa para në shtrat.
Zonjë, që nuk mund ta shpëtojnë mes varreve
Sotpërsot, as të vdekurit, e as të gjallët.
Penën rebele, sot e ngrita flamur mes varreve…
(Syri lirik sheh me dylbi
nën Rrap)
Vapa si një Zonjë kurtizane
E veshur me zjarr. Tymi kërkon oxhak.
Qiellit t’i hudhë së paku dy xixa mbi çati
Çarshisë t’i bëjë dritë. Fener nën Rrap.
Shatërvani moti ka shterë, në Çarshi
Mikes Di nën hije veshur me të zeza
Dexhalli ia theu ato dy shtamba me verë.
Syri lirik sheh me dylbi nën Rrap
Poetin rebel në prehër të Njerkës?!
Gji si dikur nuk i jep Mikja. Fuqi për luftë
Varg me nëntë plagë të ngritet nga varri…
(Pena ime zjarreflakë
digjet në Oxhak)
Pena ime, ndizet zjarreflakë
Nateditë, digjet në oxhak.
Dimri kur delë te Kodra e Tikeve
Gunën e bardhë krahëve.
Nata pret të bie, zbresë në Katund
Lëmën të na e pushtojë. Çatinë.
Mundësisht, edhe Oxhakun.
Zogjtë, herët kanë dalë nëpër dritare
Cicërrojnë për thërmia buke!
Kokërra misëri rrasin barkun
Hutini, u ka vënë pusi mbi çati.
Ujë! Ujë, hudhni Penës sime - zjarr
Përndryshe, flakën ia vura Shtëpisë Publike!...
(Bilbil edhe Unë
kam pak Diell)
Bilbil, edhe Unë kam pak Diell
Ikë. Lëre çerdhen! Ecë, në mal!
Lumi ku gurgullon e i ke miqtë
Nateditë e përcjellin terrin.E presin Ditën
Në Shkup. Tiranë. Dhe, Prishtinë.
Bilbil, edhe Unë kam pak Diell
O burrë, po qe nevoja: Pajtimi kombëtar
Ecë, ta ndajmë përgjysmë Qiellin!
Rrufe, nuk jemi. Po, jemi poetë kombëtar
Pasmesnate, t’i rrokullisim shtambat me verë
Agimin ta presim qafë për qafe me Mike
Dexhallin ta vrasim me dy ibrikë raki rrushi
Mu në ballë, në mes të Bit-Pazarit. Nën Rrap.
Hënëmadhen kulaç ta ulim Nuse në sofër.
Majëmali të Perëndive: Bata Tomorr
Vargjet krahut, me shokë të dalim në mal!...
(I besoj këmishës sime)
Këmishë e imja dua të jesh: PËRJETË
që të të veshi përditë, përnatë!
E thonë: „ Nuk i besoj as këmishës sime „.
Megjithatë, nuk dua të jesh këmishë
Se, duhet të të shpie në pastrim kimik.
E kam frikë grisesh, bëhesh arnë...
(Tambëli i Nanës
u bë kulloshtër)
Vite e vite e shtrydh vargun
Gjak. Gjak. Dhe, vetëm gjak.
Moti dikur, me kusi i mjela dhentë
Tambëli, që ma dha Nana nëntë vjet
Gratë besnike e bënë kulloshtër.
Qengj kam qenë. Populli thotë:
Qengji i butë i thith dy Nana.
E, Mikja Di: më mirë të kisha mbetur qengj
Fëmij, t’i thithë dy Nana.
Përçudi, Unë u rrita Ujk
Rrunzës hazdisur ende te Lumi
Breg më breg ia turbulloj ujin.
Kusinë e kam harruar nën Dardhën Gorrice
Mataren me raki rrushi e kam në çantë.
Athua, Nesër: do më zgjoni nga gjumi?!…