E hene, 07.10.2024, 09:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Viron Kona: Bisedë me prof. dr. Gjovalin Shkurtaj

E hene, 14.12.2015, 08:53 PM


Nga e djathta: Gjovalin Shkurtaj dhe Viron Kona

 “Urgjenca gjuhësore” dhe shqetësimet e një studiuesi

(Bisedë e prof. dr. Gjovalin Shkurtaj  me shkrimtarin Viron Kona)

Një jetëshkrimi i shkurtër i prof dr. Gjovalin Shkurtaj

Gjovalin Shkurtaj, i njohur si dialektolog dhe si studiues i problemeve të kulturës së gjuhës, të sociolinguistikës dhe më gjerë, merret prej shumë vjetësh edhe me onomastikën shqiptare dhe, në këta njëzet vjetët e fundit, u është përkushtuar gati krejt problemeve të marrëdhënieve gjuhë-shoqëri, duke u pykëzuar thekshëm në dukuri të etnografisë së të folurit të shqipes.

Punoi një vit si mësues në Bregun e Mat`s (1966-67) pastaj emërohet në Institutin e Gjuhësisë  e të Letërsisë (shtator 1967- maj 1989),ku u mor kryesisht me dialektologji, duke përshkruar e studiuar njërën pas tjetrës të folmet e Malësisë së Madhe (të Hotit, të Kelmendit, të Rranxave të Mbishkodrës dhe të malësorëve të Malit të Zi), pastaj iu vu hetimit e përshkrimit të së folmes së qytetit të Lezhës, monografi me karakter dialektologjik dhe sociolinguistik. Detyra dhe koha kryesore e punës së tij ka qenë pjesëmarrja në grupin e punës që hartoi “Atlasin dialektologjik të gjuhës shqipe”, vepër madhore e emërtesës së Akademisë së Shkencave (Botuar n` Napoli,V`ll.I, 2007 dhe V`llimi II, 2008 në të cilën ai  është bashkautor në të gjitha proceset e punës: në hartimin e kritereve dhe të pyetësorit, në anketimet në terren brenda e jashtë  Republikës së Shqipërisë, në hartografimin dhe redaktimin përfundimtar të veprës, bashkë me J. Gjinarin, B. Becin dhe Xh. Gosturanin.

Ka botuar librin “Shpirti i Arbërit rron” (Shënime dhe të dhëna për arbëreshët e Italisë), Tiranë, 1984, pastaj edhe një varg studimesh e librash për shkrimtarë të sotëm arbëreshë ( “Shpirti i arbërit rron” i Karmel Kandrevës, “Lule shkëmbi” i Lluka Perrones, “Për ty arbëresh” i Agostino Girdano-Buzëdhelprit).

 Studioi e botoi në shtypin shkencor: “Studime filologjike” artikuj shkencorë për të folmet arbëreshe të Shën-Marcanos, të Marçeduzës si dhe një punim të hapët për sistemin foljor të të folmeve arbëreshe të Italisë.

Krahas punës së tij kryesore si dialektolog i terrenit dhe si punonjës shkencor, për shumë vjet radhazi ka ndjekur edhe problemet e kulturës së gjuhës, duke  u pykëzuar sidomos në gjuhën e skenës, të ekranit dhe të medieve, si dhe, lidhur me këtë lëmë, ka themeluar qysh më 1968 lëndën homonime  në Akademinë e Arteve, duke botuar edhe librin përkatës “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran” (1988), i mirëpritur dhe i ribotuar disa herë, pastaj edhe variantet më të gjera të tij “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës”, Tiranë 2002, Kultura e gjuhës, SHBLU, 2006.

Qysh nga maji i vitit 1991 deri në prill të vitit 2011, kur doli në pension, ka qenë pedagog i brendshëm në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, si titullar i lëndëve të rëndësishme të specialitetit: Dialektologjia, Sociolinguistika dhe Etnolinguistika, ka drejtuar disa herësh Departamentin, si shef i  emëruar (1995-1998) dhe si shef i  zgjedhur (1999-2000  dhe 2002 -2007).

 Më 1995 ka fituar titullin “Profesor”. Më 2011 ka fituar titullin “Akademik i asociuar”.

Veprimtaria shkencore e Gj. Shkurtajt është e gjerë dhe e shumënduershme. Vetëm artikujt në organet shkencore dhe në përmbledhjet e Kongreseve a të Konferencave e tubimeve të ndryshme  albanologjike ndërkombëtare, kombëtare dhe vendore shkojnë mbi 500 tituj: monografi dhe studime dialektologjike, libra dhe studime të gjera për sociolinguistikën dhe etnografinë e komunikimit dhe kulturën e gjuhës e nomën e sotme të shqipes standarde, kumtesa dhe artikuj studimorë me tematikë nga filologjia dhe dialektologjia e sociolinguistika, pyetësorë gjuhësorë dhe për mbledhjen e onomastikës shqiptare, probleme të gjuhës letrare të njësuar dhe të marrëdhënieve gjuhë-dialekt; trajtime  për filologjinë dhe ligjërimet arbëreshe, si dhe shumë recensione, parathënie librash studimorë ose monografish nga fushat përkatëse.

1. Krahas botimeve të shumta, kohët e fundit keni dalë përpara lexuesit me librin”Urgjenca gjuhësore”. Zakonisht nuk pyetet për titullin, por në këtë rast ai është mjaft intrigues dhe na “detyron” për një pyetje të tillë. Atëherë, pse ”Urgjencë gjuhësore”? Çfarë ka ndodhur?

Ideja për një libër të thjeshtë, që t’u shërbejë sidomos punonjësve të administratës shtetërore dhe të gjithë atyre që ua do puna të komunikojnë me shkrim e me gojë për arsye zyrtare e publike, më është përforcuar edhe nga përvoja e shteteve dhe vendeve të mëdha e me administratë shtetërore  me tradita e burokraci të regjur. E gjithë bota e qytetëruar, të gjitha shtetet e organizuara e me emër të mirë, që nga SHBA-ja, Gjermania, Anglia, Franca, Italia etj. kanë edhe kode të caktuara të formulave dhe mënyrave të shprehjes shtetërore, zyrtare, të cilave duhet t’u përmbahen me rreptësi të gjithë funksionarët e shtetit. Po përmendim shembullin e njohur    SHBA-së, ku, një libër i vogël, në format xhepi: The Elements od Style,  hartuar nga Strunk Wiliam, Jr.,  qysh nga viti 1918, me ribotime të shpeshta, vijon të jetë në përdorim dhe si bazë e stilit administrativ e zyrtar në të gjithë Amerikën, që nga Departamenti i Shtetit e në të gjitha zyrat dhe administratën qendrore e vendore të SHBA-së .

Një libër i tillë do të ishte shumë i vlefshëm edhe për shqipen e shkruar dhe ne po bëjmë një përpjekje të parë për të përmbledhur sa më shkurt, thjesht e qartë disa prej mëtimeve kryesore të gjuhës së administratës së shtetit.

Synimi i këtij libri si dhe Radios me të njëjtin emër ”Urgjenca gjuhësore” është të trajtojmë disa  nga dukuritë dhe rrjedhat e sotme të kulturës së  gjuhës shqipe.

 “Lënda e parë” dhe domosdoshmëria për këshillime të tilla nuk na mungon as në mjediset shqiptare, ku, jo rrallë ndeshim asish që ngatërrojnë demagogun me pedagogun, apo që në vend të infarkti thonë infrakti; që në vend të gjeti zgjidhje thonë gjeti zgjedhje (ose anasjelltas) dhe, deri në Kuvendin e Shqipërisë, kemi dëgjuar të ngatërrojnë jo vetëm reçesionin me recensionin, po edhe objektivin me objeksionin.

Gjuha shqipe ka sot një numër problemesh që duhen njohur  dhe sidomos shumë gabime e  shtrembërime ligjërimore që duhen shmangur e përmirësuar. Krahas punës që bën  shkolla dhe botimet  përkatëse të librave normativë për drejtshkrimin e drejtshqiptimin, për gramatikën, leksikun e frazeologjinë, ka vend edhe për këshillime e shpjegime dashamirëse për masën e gjerë të njerëzve, duke ua bërë të qartë se ditë për ditë edhe në botimet zyrtare, edhe në gjuhën e gazetave e të revistave, si dhe përgjithësisht, ndeshim jo pak gabime gjuhësore, shtrembërime kuptimesh dhe deri ngatërrim të termave e fjalëve të ndryshme, që lënë shije të keqe te lexuesit dhe të dëgjuesit.

Në mediet e shkruara e të folura, ka shkarje të normës e gabime trashanike, si p.sh.: nënpunës në vend të nëpunës; me patjetër në vend të pa tjetër, pa mëdyshje, apo që thonë te mua në vend të te unë; tek ty në vend të tek ti.

 

2. Kur thoni se gjuhën tonë të bukur “duhet ta mbrojmë, ta pasurojmë dhe ta pastrojmë...”, çfarë keni parasysh?

Nëpërmjet librit dhe bisedave në Radion tonë, nga një ditë në tjetrën do të flasim për raste të tilla, gjithmonë  jo për  t’i kritikuar e lënduar ata që  gabojnë, por thjesht për t’u dhënë atyre dhe të gjithë dashamirëve të shqipes e të shqiptarisë një mundësi më shumë për t’i njohur e mënjanuar format e gabuara, si dhe barbarizmat e huazimet e panevojshme që mund të zëvendësohen me fjalë shqipe ekzistuese ose të krijuara me brumin e shqipes e sipas rregullave  fjalëformuese të saj.

Natyrisht, në emisionet tona do të trajtohen edhe faktime e vlerësime për ngjarje e data më rëndësi kombëtare e gjuhësore, si dhe për ndihmesa të studiuesve shqiptarë dhe albanologëve të huaj për gjuhën shqipe.

3. Cili mendoni ju është roli dhe përgjegjësia që kanë për këtë “urgjencë gjuhësore” shteti, strukturat institucionale që drejtojnë arsimin, shkencën, artin etj.

Jam i bindur se të gjithë shqiptarët e kanë ndier dhe e përjetojmë, jo pa shqetësim, rënien e kujdesit të shtetit e të institucioneve zyrtare e publike ndaj gjuhës shqipe dhe po e shohin plojën e prurjeve të pamira e të pafalshme të fjalëve të papërshtatshme, jo vetëm të huaja, kur janë edhe të panevojshme, por sidomos të një fryme të pakrehur, shpesh edhe dukshëm të pagdhendur e të pahijshme, që nuk po na ndahet as në të shkruar, as në të folur.

Ka ardhur koha të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe  si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit  kulturor e kombëtar, për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është sot shenjë e tregues kulture. Gjuha letrare është një synim i përhershëm i njeriut tonë, sidomos i të rinjve të shkolluar e të profilizuar thellë e ethshëm në shkencën, artin e dijet bashkëkohore, prandaj edhe përbën një dukuri reale e që nuk është as thjesht punë gjuhësie, as thjesht objekt kundrimi vetëm për gjuhëtarët.

Mbi të gjitha, kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbeten me vlerë kujdesi dhe kërkesa e rreptë e shtetit për zbatimin gjuhës zyrtare. Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që shtrohet për herë të parë sot,por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmend  edhe një herë se, këtu e 103 vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë:

 Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies  së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit.Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a  lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se  kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”[1]

Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë  të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit”[2]si dhe në librin më të ri “Urgjenca gjuhësore” dhe në Radion on-line me të njëjtin emër. Ai synim i mbarë na ka shtyrë e na nxit edhe  në të gjitha qëndrimet,vlerësimet e shkrimet tona për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe nga shteti dhe nga krejt shoqëria shqiptare.

4. Çfarë masash mendoni se duhet të merren për ta mbrojtur gjuhën shqipe? Cili është roli i drejtpërdrejtë i disa institucioneve  qendrore si ai i Institutit të  Gjuhësisë, fakultetit të Histori -Filologjisë etj.?

Shqipja dëmtohet nga mungesa e kujdesit prej atyre që shkruajnë e botojnë pa kujdes, pa i kaluar artikujt e librat në procesin e redaktimit e të korrektimit gjuhësor ; nga programet shkollore të pamira e ku, për fat të keq, gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja e pamotivuar e të nxënit të saj si lëndë më vete në shkollat e mesme. Ka pasur një rendje të natyrshme pas nxënies së gjuhëve të huaja dhe veçmas të anglishtes. Kjo është punë shumë e mirë. Hyrja në Evropë nuk bëhet pa njohur gjuhët e mëdha të komunikimit, sidomos anglishten, frëngjishten etj. Mirëpo, të mësosh dhe të vlerësosh gjuhët e huaja, nuk do të thotë aspak të  mos vlerësosh (e aq më pak të nënvlerësosh) gjuhën tënde?! Tashti kemi shumë njerëz që i dinë mirë, (ndoshta edhe sa s’ka ku të vejë më mirë), gjuhët e huaja. Kjo duhet  vetëm të na gëzojë. Por, kemi pak, shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që mund ta shkruajnë e ta flasin bukur e pa gabime. Dhe kjo,natyrisht, nuk ka si të mos na shqetësojë.  Shikoni si  flasin e shkruajnë sot pushtetarët, zyrtarët dhe gazetarët tanë! Plot fjalë të huaja të panevojshme, plot shtampa gjuhësh të huaja, të pamira e kundër natyrës së shqipes, me dukuri që tregojnë mosnjohje të plotë jo vetëm të gjuhës  së njësuar (standarde), po edhe me elemente të çoroditjes së sintaksës. Pra, nuk dimë të flasim e të shkruajmë shqipen, gjuhën tonë amtare, ndërsa  mëtojmë (dhe arrijmë  përherë e më shumë) të flasim  dhe të shkruajmë jo pak gjuhë të tjera.

5. Disa herë është folur për rregulla të rrepta për mbrojtjen e gjuhës, madje janë marrë edhe shembuj shtete që mbrojnë me seriozitet të lartë gjuhët e tyre, po në vendin tonë çfarë duhet të bëhet më mirë për mbrojtjen dhe pasurimin e gjuhës shqipe? Çfarë qëndrimi mendoni ju se duhet mbajtur ndaj normëshkelësve ?

Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.

Jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si  mbërritje  me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të  kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam  i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme  gjeopolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem  ithtar i thënies urtake të Atë Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta”, si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi gjenial e largpamës se njeriu sipas rasteve e rrethanave “mundet me e dredhe g-juhën” duke iu përshtatur  rrethanave dhe mjediseve të caktuara. Pra, të njëjtit njerëz, edhe sot e gjithë ditën, sipas nevojës e rrethanave të shprehjes, mund të shkruajnë e të flasin në shqipen standarde, të cilën e nxënë në shkollë, po edhe në të folmen a dialektin e vendlindjes përkatëse. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që po quhet “standarde”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë tretën e bëhen pronë e shqipes standarde,por edhe mund të mbetën jashtë saj.Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes.Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.

6. Cila është përgjegjësia e drejtpërdrejtë e shkollës dhe institucioneve arsimore, studimore e kulturore për mbrojtjen dhe pasurimin e gjuhës shqipe?

Përgjigjen e kemi dhënë shumë herë, por le ta ritheksojmë:  mbrojtja e gjuhës u përket në radhë të parë shtetit dhe institucioneve  shtetërore e publike që varen a lejohen prej tij.

Shteti vepron me anën e ligjit, flet me gjuhën e vet zyrtare, drejton ekonominë dhe tregun e punës brenda territorit të Republikës me anë të ligjeve të shkruara në gjuhën shqipe standarde. Në qoftë se duam ta ruajmë dhe ta mbrojmë gjuhën tonë, ka ardhur koha që ligji t’ua zërë vendin interpretimeve politike dhe individuale, të ketë një ligj të shtetit që të zbatohet me rreptësi dhe të gjitha institucionet dhe strukturat administrative (publike ose private) të punojnë në përputhje me  rregullat e caktuara shtetërore. Dhe, pa dyshim, rregulli më i thjeshtë, por edhe gjithmonë themelor për çdo shtet të organizuar e modern, është zbatimi i gjuhës letrare zyrtare. Zbatimi i drejtshkrimit të njësuar dhe i normave të shqipes standarde duhet të jetë kërkesë e domosdoshme dhe e përhershme e hartimit, publikimit dhe botimit të të gjithë dokumentacionit shkresor të shtetit dhe të institucioneve publike të lejuara prej tij. Shteti duhet të vërë dorë, njëherë e mirë, dhe të ndërtojë bazën e plotë ligjore dhe administrative, duke parashikuar vende pune për redaktor e korrektor gjuhësor, që nga ligjet që miratohen në Kuvendin e Shqipërisë e deri në rregulloret e drejtorive arsimore rajonale, duke parashikuar me ligj ose VKM termat e referencës, që duhet të përmbajë vendi i punës për mësues, redaktor  a korrektor të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet zyrtare e publike, që botojnë dhe përhapin libra, gazeta, revista dhe ligjërata të shkruara në  territorin e Republikës së Shqipërisë

7. Ju keni shkruar se “nën flamurin e  “modernizimit” të shkollës janë dëbuar terma dhe togfjalësha të përdorur e të rrënjosur në gjuhën shqipe. Çfarë keni parasysh me këtë vërejtje?

Për fat të keq, ka më se njëzet vjet që, kujdesi  i shtetit dhe i institucioneve shtetërore ndaj botimeve e kumtimeve zyrtare ka rënë në mënyrë të pafalshme. Ka pasur shthurje e mungesë të disiplinës gjuhësore të Shtetit, prej nga ka ardhur edhe kjo gjendje pakujdesie gati masive ndaj gjuhës së shkruar e të folur në zyra, në botime, në gazeta, në radio e në televizione. Shkruhet e flitet dosido, me gabime e shkelje të rënda të normave drejtshkrimore, me fjalor të varfër dhe shpesh edhe të pakrehur nga fjalët e rënda e të papërshtatshme për  burokracinë zyrtare, qoftë shtetërore, qoftë private. Ka ardhur koha të zgjohemi nga përgjumja dhe ta mërgojmë këtë situatë pakujdesie e shthurjeje të qëndrimit ndaj shqipes.

Shteti dhe strukturat  institucionale,  që drejtojnë arsimin, shkencën, artin  etj. duhet të jenë më të ndjeshëm ndaj problemeve  dhe shqetësimeve të sotme të gjuhësisë shqiptare dhe të marrin masa e nisma për ta mbrojtur gjuhën shqipe. Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjesht e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu sikundër bëjnë  të gjitha kombet e qytetëruara. Shkollat shqipe, që nga klasa e parë e fillores e deri në mbarim të shkollës së mesme, me anën e programeve dhe planeve mësimore cilësore, duhet ta shterojnë e ta përsosin njohjen e rregullave e të pasurive leksikore të gjuhës shqipe nga nxënësit. Mbi të gjitha, meqë po flasim për shkollën, duhet të mbërrijmë patjetër që librat për shkollat të mos kenë gabime gjuhësore dhe as “risi” të pamira e të papranueshme nga shqipja standarde, si: “x u lind” në vend të: x lindi.

Shumë e keqe, e mbrapshtë dhe e qortueshme ka qenë edhe praktika e riemërtimeve të terminologjisë shkollore nga MASH, ku, nën flamurin e “modernizimit” të shkollës, u dëbuan (dhe po mënjanohen pa arsye) terma dhe togfjalësha të përdorur e të rrënjosur, si: viti shkollor (u bë viti akademik), dega e fakulteteve  u bë departamenti, planet dhe programet mësimore u quajtën kurrikula ose kurrikulumi, fjalë që, përveç se e huaj dhe e panevojshme, edhe mezi shqiptohet nga arsimtarët. Po ashtu, me zell  të pashpjegueshëm, por pa asnjë arsye a shkak të pranueshëm nga ana gjuhësore, u dëbuan e po mënjanohen shumë prej atyre fjalëve që, me shumë mundim e punë, qenë rrënjosur gati në krejt praktikën shkrimore e kumtuese, si përvojë (që tani po thuhet përsëri vetëm eksperiencë), vendore (që tani, deri në tekste shkollore, po shkruhet lokale) dhe shumë të tjera. Gjithmonë kemi thënë e shkruar, p.sh. nxënës (student) i shkëlqyeshëm ose që shkëlqen në mësime, kurse tani drejtuesit e Ministrisë dhe të universiteteve, zhurmojnë me "fond i ekselencës”, “rezultate ekselenete” etj. Pra, kanë të drejtë mbarë ata arsimtarë, pedagogë e dashamirë të gjuhës shqipe që, bashkë më mua, anembanë trojeve shqiptare, kudo që mësohet gjuha shqipe, thonë : “Quo vadis?!”

8. Ndërmjet të tjerash ju shkruani se “gjuha shqipe pranon huazime, por edhe e shton lëndën e vetë me krijime të reja”. Mund të na i shtjelloni më tej këtë mendim tuajin?

Ideja për pastërtinë e gjuhës shqipe kishte qenë shprehur edhe para Rilindjes, sidomos në veprat e autorëve të vjetër të Veriut. Mund të citojmë me këtë rast, një vlerësim të Pjetër Bogdanit, i cili në parathënien e veprës së tij gjejmë thënie si: “...me të shkruem bukurë, …për bukurinë e gjuhës, … dëshirova mirëfilli qish po flasmë italianisht, bukurë të kumbon e të kallëzon arbënisht”.

Veprimtarët e shquar të Rilindjes, duke ecur më tej në atë traditë sado modeste të pararendësve, e ripërtërinë gjuhën tonë letrare dhe e vunë atë në udhë të mbarë, të cilën do ta vijonin edhe mjaft lëvrues e mësues të shqipes. Ne i mbahemi parimit të shprehur nga E.Çabej, i cili theksonte: “Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet nacionale kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin e pastrimin e gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej fjalëve të huaja që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. /.../ Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht edhe kombëtare.”[3]

Shmangia e fjalëve të huaja të panevojshme e bën gjuhën letrare kombëtare më homogjene e më popullore, më të qartë e më të kuptueshme. Në përpjekjet e sotme për pastrimin e gjuhës vihet re se, ndryshe nga e kaluara, tehu kryesor drejtohet jo vetëm kundër turqizmave (“orientalizmave”), por kundër fjalëve e ndërtimeve që kanë depërtuar e depërtojnë në gjuhën e shkruar nga gjuhët e ndryshme evropiane. Një turr shqetësues kanë marrë sidomos anglezizmat dhe italianizmat. Kjo lidhet me marrëdhëniet e reja që janë krijuar në shqipen e sotme në mes të leksikut të vet dhe të huajit. Shumë fjalë me burim të huaj, që kanë hyrë në kohë të lashta janë bërë tashmë “mishi e ashti” i shqipes dhe as që mund të shtrohet më çështja e luftës ndaj tyre. Po kështu, nuk mund të mos qasen në shqipen e sotme edhe një numër i madh fjalësh e termash me karakter ndërkombëtar. Ndërkaq, futja e fjalëve dhe e ndërtimeve të huaja nga gjuhët evropiane, sidomos në ligjërimin libror (në fushën e shkencës e të teknikës, në publicistikë, në letërsinë e përkthyer) vijon të jetë mjaft e ndjeshme. Prandaj kërkesa që shtrohet sot për ta thelluar e zgjeruar më tej veprimtarinë për pastrimin e pasurimin e gjuhës letrare e për ta mbrojtur atë nga huazime të reja të panevojshme është plotësisht e përligjshme dhe duhet mbështetur në disa kritere të caktuara.

Në radhë të parë duhet dalluar mirë ç’janë fjalë të huaja të panevojshme dhe ç’janë huazime a ndërkombëtarizma të pranueshme. Lidhur me këtë, natyrisht, kërkohet shoshitje e njohje e mirë e lëndës, maturi e qëndrime të peshuara në mënyrë që të bëhet pastrim i shoqëruar me pasurim të mirëfilltë, pa cenuar askund dhe aspak aftësinë shprehëse, përndryshe, “po të bëjmë pastrim për pastrim, do të ishte varfërim i gjuhës”.

9. Veçanërisht komunikimi nëpërmjet internetit, celularit, televizionit etj.,e “detyrojnë” pranimin e termave dhe fjalëve të huaja. Duhen përdorur ato  ashtu siç vijnë, apo duhen zëvendësuar me fjalë shqipe?

Shtimi i termave ndërkombëtarizma në gjuhën shqipe është dukuri normale, që lidhet me zhvillimin e gjithanshëm të vendit tonë në fushat më të ndryshme, pra me faktorë jashtëgjuhësorë. Ndërkombëtarizmat e shqipes letrare të kohës sonë vlerësohen si mjete e vlera të nevojshme që pasurojnë leksikun. Ata tashmë kanë depërtuar thellë në gjuhë, janë bërë pjesë e pandashme e shqipes, ashtu si edhe e një vargu gjuhësh të tjera. Zëvendësimi i tyre disa herë është i pamundshëm e disa herë i padobishëm, sepse mund të dëmtojë shprehjen e qartë të nocioneve përkatëse. Lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj fjalëve ndërkombëtarizma është shumë mësimdhënës vlerësim i njohur dhe i zbatueshëm pothuajse kudo në marrëdhëniet ndërmjet gjuhëve kombëtare dhe nevojave të shtimit të fondit të tyre me fjalë e sidomos terma të përbashkët e të njëjtë me shumë nga gjuhët e botës: fjalët e huaja të domosdoshme, të përfaqësuara në shumicën e rasteve nga terma shkencorë-teknikë të pranuar përgjithësisht, nuk do të ishin të domosdoshëm, sikur të mund të përktheheshin. Edhe historia e shqipes na jep shembuj të vlefshëm për të vërtetuar se “purizmi” i skajshëm nuk ka pasur fryte të mira. Mund të kuptojmë se disa përpjekje të veprimtarëve të Rilindjes sonë Kombëtare për pastrimin e gjuhës shqipe ishin të natyrshme e të kuptueshme për atë kohë, porse sprova për të shqipëruar edhe terma me shtrirje ndërkombëtare si: gjeografi, satelit, vullkan, me fjalët dheshkronjë, pasës, mal që nxjerr zjarr, ose termat astronomi, anatomi, gjeometri, zoologji, me qiellshkronjë, njeritregonjë, dhematje, kafshëtregonjë etj., nuk gjetën jehonë në periudhën e mëpasme.

Sidoqoftë edhe për qëndrimin ndaj ndërkombëtarizmave nuk mund të jepen “receta” të sakta. Ka mjaft raste kur, edhe për terma që kanë shtrirje ndërkombëtare, shqipja ka gjetur mundësinë për të krijuar fjalë të përshtatshme e të motivuara nga burimi i vet. Këto vitet e fundit kanë marrë përhapje të gjerë terma si: drejtshkrim, drejtshqiptim, gjuhësi, gjuhësor, gjuhëtar në vend të ndërkombëtarizmave përkatëse: ortografi, ortoepi, linguistikë, linguistik,-e, linguist; asnjanësi për neutralitet; asnjanësoj dhe asnjanësim në vend të neutralizoj, neutralizim.

”Banka“ kryesore e huazimeve dhe e prurjeve të huaja në shqipen sot është anglishtja. Zhvillimet dhe shndërrimet e mëdha në fushat politike, ekonomike, kulturore etj., në Shqipëri, të cilat kushtëzuan kalimin e shoqërisë shqiptare nga ekonomia e mbyllur dhe e përqendruar në ekonominë e tregut të lirë (të mirëfilltë kapitalist) hapën shtigje të mëdha edhe për marrëdhëniet me botën anglishtfolëse: drejtpërdrejt me SHBA-në, me Anglinë dhe me dokumentacionin e literaturën e BE-së, tashmë kryesisht në gjuhën angleze. Anglishtja tashmë është bërë jo vetëm gjuhë e dytë kryesore në shkollimin e shqiptarëve, por edhe mjeti më i pëlqyeshëm e më i ushtruar gati masivisht nga rinia edhe si mjet i shprehjes artistike, me përhapje të gjerë në këngët, në mediet etj.

Duhet të jemi realistë dhe ta pranojmë që, pa fjalë të huaja, edhe pa anglezizma, nuk mund të mbetet as shqipja. Por, sot më tepër se kurrë, shtrohet nevoja e një politike gjuhësore e kulturore, e cila nuk do të përfundojë vetëm në hartimin e parimeve e të kritereve, por edhe të bëjë përpjekje edhe t’i jetësojë ato. Me planifikim të mirë gjuhësor mund të sigurohet një integrim i duhur i fjalëve të huaja brenda kufijve të qëndrueshmërisë elastike të gjuhës standarde dhe qëndrueshmërisë komunikative, sepse standardi gjuhësor vetëm në këtë mënyrë mund të ruajë identitetin dhe integritetin e vet.

10. Duke përfituar nga fakti  që ju jeni akademik, a ka Akademia e Shkencave ndonjë plan apo program për mbrojtjen, pasurimin apo pastrimin e gjuhës shqipe? Çfarë orienton e  këshillon ky institucion i rëndësishëm?

Qysh nga viti 2004, krahas punës që bëhet nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë  i QSA-së, si dhe  nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, është krijuar dhe mblidhet sipas një plani të caktuar edhe Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe. Anëtarët e tij, gjuhëtarë të njohur nga Shqipëria, Kosova dhe hapësirat e tjera shqiptare dhe arbëreshe, si dhe grupet e tij të punës kanë punuar dhe shqyrtojnë jo vetëm probleme të ngushta të drejtshkrimit, por edhe prirjet e sotme në gjuhën e publicistikës, duke dalë edhe me vlerësimet e duhura, qoftë edhe duke pranuar si normative ndonjë  prej prirjeve krejt të dendura. Mbi të gjitha Këshilli edhe në mbledhjen e tij të fundit para disa javësh ka ritheksuar me forcë shqetësimin e gjuhëtarëve (dhe jo vetëm të tyre), të cilët prej vitesh kërkojnë të ketë kërkesa të rrepta për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese, në mediet e shkruara dhe botimet shkencore, letrare etj. dhe të shtohet kujdesi edhe për ligjërimin e folur në mjediset publike e për funksione zyrtare. Të ndjekim shembullin e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës së qytetëruar, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit. Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde  duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh.

Ishte kënaqësi që bashkëbiseduam me ju,

Faleminderit!


[1]  ”Lajmim”, botuar  në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht 1913.

[2] Gazeta “Sot”, 20 nëntor, 2013, f.17.

[3] Shih: E. Çabej, Për pastërtinë e gjuhës, në “Gjuha jonë” 1, 1981, f. 36-47.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora