E diele, 28.04.2024, 09:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Sylejman Salihu: Valle mërgimtare

E premte, 25.12.2015, 03:04 PM


Valle mërgimtare

Nga Sylejman Salihu

Ata kanë mallë, kanë dhe nostalgji. Janë larguar nga vendi i tyre pa fajin e tyre, sepse vendi i tyre nuk u ka dhënë mundësi jetese, mundësi pune. Andaj kanë marrë kokën në duar dhe kah sytë, këmbët. Kanë kaluar fusha, male, lumenjë, madje edhe dete dhe diku kanë zënë vend, jo ku kanë dëshiruar se edhe dëshira nuk kishin. Por janë përplasur diku. U kanë dhënë një strehë, u kanë dhënë dhe një copë bukë. U kanë dhënë edhe veshëmbathje . Dhe sikur kanë filluar të mësohen me kostumin e tyre të ri prej kurbetçari , që rri dyerve dhe strehëve të botës. Por nuk ndihen rehat. Kanë dhimbje, kanë mallë për njerëzit e tyre, që kanë mbetur atje dhe të cilët i kujtojnë. Kushedi,  nëna e sëmurë e pret dot kthimin e djalit?Por ç’t’i bësh:jeta ka ndarje, mbase edhe takime e bashkime. Nuk i dihet. Kujtimi dhe dhembja nganjëherë kapërcen caqet:ngashërehen edhe në vaj. Por sërish nisin jetën e re, për aq sa jeta ofron atje ku kanë ardhur. Kërkojnë miqësira të reja, njohje të reja. Ku të venë?Nga të shkojnë?Nga t’ia mbajnë?Te një mik, te një i njohur apo kudo tjetër veçse le të jetë i gjakut dhe racës së tyre. Dhe ku mund të ketë të tillë?Në shoqata shqiptare, në klube, mbase. Ka gjithandej, por duhet kërkuar, duhet gjetur. Janë në Bielefeld. Aty është shoqata „Kosova“, çerdhe atdhetarësh. Dhe nisen. Shkojnë paksa drojshëm, trokasin por priten bujarisht. Sytë u ndriçojnë nga mikpritja. Fytyra të ngazëlluara shfaqen para tyre. Ja shyqyr, që ju gjetëm, thonë. Kemi kohë , që ju kërkojmë. Të rrimë pak, të çmallemi!Ngazëllehen nga pritja. Pinë gotat e para, pastaj i përplasin të tjerat miqësisht e më shumë vëllazërisht:gëzuar vëllezër!Një gotë, dy gota, shumë gota. Derdhen lumenjë gotash. Ndeja bëhet më e hapur, më e ngrohtë. Fillojnë muhabete të jetës, të punës, të shtëpisë, të familjeve. Çiftelitë bashkë me sharkinë rrinë varur në murin e shoqatës dhe rapsodët e kanë kohën t’ua heqin pak pluhurin telave të tyre. Ndaj ngrihen.  Salua, Kudreti dhe Isabegu i marrrin, i akordojnë, e dëgjojnë mirë njëri-tjetrin dhe më në fund ia bëjnë:bam. Fillon kënga. Repertoari vjen natyrshëm me këngë epike, lirike, këngë kurbeti. Këngë për Shqipërinë, Kosovën, për Oso Kukën, për Hajredin Pashën. Këngë të Jusuf Myzyrit, të Qamilit të Vogël, të Dervish Shaqës,  të Ismet Pejës. Ata nisin të parët pastaj u bashkohen zëra të tjerë. Kush si mundet. Rrethi sa vjen e zgjerohet. Por dikush kur afrohet dhe sikur ankohet edhe për zërin. Por ja befasia:zërat nxehen dhe jehon kënga. Të gjithë tok:një këngë, dy këngë, disa këngë. Zinxhirë këngësh ose më mirë tufa këngësh, buqeta këngësh. Këngë, këngë, këngë. Gotat ngriten:gëzuar dhe uruar!Tjetri uron:rrofshi!Secili më fort se tjetri. Emocionet ngriten. Preken telat e çiftelisë por sharkia sikur kumbon më shumë. Preken edhe telat e zemrave të të pranishmëve. Fatjoni , një fierak ngritet i tëri i entuziazmuar dhe i mallëngjyer. Kërkon t’i përplasim gotat. Pas tij Behari nga Durrësi mezi pret, kurse Ferit matjani, tashmë është ngritur dhe pret t’ia marrin. Ç’duan?Ç’kanë?

Fatjoni afrohet lehtas me buzagaz dhe kërkon bujarisht:mund të më shoqëroni me instrumentin tuaj një valle?Ju paça!-thotë. Çiftelia dhe sharkia sikur nuk bëjnë naze dhe ia nisin menjëherë. Fatjoni del në sheshin e vallëzimit. I mbajnë ison Behari dhe Feriti. Ç’gëzim apo ç’mallëngjim i madh, i natyrshëm, fare spontan. Jo, dhembje. Fatjoni, thotë,  jam mbushur, dua shkarkim, dua çlirim!Kam një lëmsh të madh dhe s’më lë rehat. Thellë përbrenda. Porse sadopak këtu gjeta diç të bukur që më çliron. Më shkarkon nga ngarkesa e mallit, e dhembjes për Shqipërinë time. Jam djali i saj. Po ç’thashë ore?Jam edhe djalë Kosove. Është vendi im. Nuk ia jap kujt. Të dyja nuk bëjnë dot pa njëra- tjetrën. Ndaj jemi një, si sonte këtu:një zë, një këngë, një gëzim, një dhembje. Nasua e tumirë valltarin fierak. Merr pjesë edhe ai në dhembjen dhe nostalgjinë e tij. Ngrihet dhe i përplasin gotat. Fatjoni ngre këmbën lart dhe pastaj i jep me vrull sinjale dyshemesë. Edhe shalli i tij sikur nuk përmbahet, merr pjesë në gëzimin e tij dhe sikur i thotë:çlirohu zoti im dhe zgjatet përtej tatëpjetë drejt tokës për ta çliruar të tërin. Kënga ngjitet lart e më lart. Jehona e saj shpërthen muret. Dollia sa vjen e shtohet, bashkë me mezerat. Ja, erdhëm mijëra kilometra për t’u njohur, për t’u parë, për t’u bërë një. Ju paça! thotë sërish Fatjoni. Jemi një. Kënga sikur nuk ndalet. “Oj Shqypni mos thuej mbarova“, sikur mbush sallën e ndejës së mërgimtarëve. Ngrihen sërish, nuk rrinë dot ulur. Duan të shkunden mirë. Shkundje, shkundje në ritme vallëzimi. Pastaj sërish biseda, përqafime, këngë. Gotat zbrazen pafundësisht. Na bashkoi kurbeti, thonë. Gjeografia shqiptare është e tëra këtu.  Rrinë bashkë:Gostivari, Shkupi, Tirana, Prishtina, Dardana, Ferizaji, Durrësi, Burreli, Fieri, Mati, Vushtrria, Dibra. Përplotësohen boshllëqet shekullore, shuhen etjet e mëdha. Një gjuhë, një gjak, një mallë, një atdhe!Vallja vjen dhe zgjatet e bartet deri në orët e vona të natës mërgimtare. Gëzuar valle mërgimtare!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora