E marte, 25.03.2025, 04:30 AM (GMT)

Kulturë

Hasko: “Vrima” nuk mund të marrë çmim kombëtar

E premte, 25.12.2015, 02:13 PM


Një shqyrtim i shkurtër analitiko-estetik se pse libri “Vrima” i poetes Rita Petro nuk duhet të merrte çmimin e një institucioni kombëtar

“Provokimi” i rëndomtë erotiko-seksual nuk mund të jetë ngjarje kulturologjike kombëtare

Nga Hyqmet HASKO

Zhurma e amplifikuar dhe e shumëfishuar me anë të mjeteve të informimit mediatik, me tituj të fryrë gazetash dhe titra buçitës televizonesh, shurdhoi këto ditë publikun- do ta quanim publikun poetik shqiptar-, me një libër me poezi që synon të thyejë tabutë dhe sinoret, me anë të shpalimit të gjërave të paturpshme që serviren si modernitet.

“Vrima” quhet libri i sapobotuar i poetes Rita Petro nga “Albas”. Autorja duket se ka vendosur të guxojë duke u shprehur sipas saj poetikisht, përmes një komunikimi të hapur me lexuesin e saj, që unë do ta quajë të pacipë, duke e shpalosur ndjesinë e saj erotike me anë të një zhargoni të rëndomtë nga kreu deri në fund të këtij vëllimi poetik.

Poetja tenton të kapë hapësirën disi bosh të kësaj letërsie, të kësaj poezie, për ta përcjellë trazimet e saj dhe egon poetike për të ndërtuar një urë të munguar erotike me lexuesin dhe kësaj pak a shumë ia ka arritur. Veçanërisht brezi i adoleshentëve të cilët ende nuk e kanë “çmitizuar” erosin dhe seksin, mund ta shikojnë këtë libër si një mundësi vetëkëndellje erotike, por asgjë më shumë, pasi standardi i komunikimit estetik të poetes, megjithë përpjekjet, lë shumë për të dëshiruar.

Provokimi i poetes nis me ndjesinë e të shprehurit të ndjenjave erotike që nisin jo vetëm brenda saj, por edhe në qenien e çdo vajze apo gruaje dhe ky fakt nuk përbën ndonjë ndalesë, pasi është normale që në një shoqëri të hapur si kjo e jona, të guxohet të preken temat delikate e të nxehta të erosit, seksit dhe gjithçkaje që sillet e përsillet mes tyre. Pra, nuk hyj në grupin e atyre kritizerëve shpatëzhveshur, që e hedhin krejt poshtë dhe e bëjnë “fërtele” këtë libër, vetëm për faktin se aty flitet açik dhe me gjuhë bordurash për seksin. Por dhënia e një çmimi kombëtar (unë e quaj kombëtar sepse një çmim i Bibliotekës Kombëtare, dhënë në 95 vjetorin e krijimit të saj, sigurisht që është një çmim kombëtar), është jo vetëm i pavend, e tepërt dhe provokuese ndaj seriozitetit të dhjetra shkrimtarëve e poetëve që bëjnë letërsi të mirë, por edhe ironike ndaj barrëve e problemeve të shumta me të cilat ballafaqohet ky vend i një mijë e një çudirave dhe që sigurisht kanë gjetur e gjejnë vend në këto letra e nuk do shumë mend për të kuptuar se nuk është “Vrima” ajo që duhej medoemos të merrte kurorën e radhës.

Pra dhënien e këtij çmimi për përmbledhjen poetike “Vrima”, unë e shikoj jo vetëm të pavend e të pamerituar, por dhe provokues e disi ironik ndaj halleve tona të shumta, që më së paku do të na I zbuste disi, aq sa mundet, një poezi e mirë, elitare e jo, kurrësesi jo, një poezi vulgare dhe që tenton gjuhën e bordureve dhe të shtretëve të vullkanosur nga ndjesitë kryengritëse të mishit ti kthejë në modele përkushtimi filozofik e shpirtëror, siç mëton të thotë dikush!

Rita Petro ka krijuar njëfarë poeme në vargje. Janë copëza poezish që autorja tenton me to të krijojë një tërësi artistike. Mund të lexohen veçmas, por edhe si pjesë të veçanta të një kënge të gjatë: këngë që nga fillimi në fund ka të njëjtin “refren”, atë të seksit të shfrenuar, pa korrniza, pa tabu, seksit të lirë, orgjisë, erotizmit fiksativ etj.

Nuk mund të mohoj tendencën e poetes për të formësuar një përmbledhje poetike me bazë metaforike, por rëndomësia e fjalëve që ajo tenton t’i ngrejë në simbolikë të fatit njerëzor, që përshkohet tej e ndanë nga erosi, nuk ia premton realizimin e ambicies, ndaj ky mund të jetë thjeshtë një libër prvokues për të gjitha mosnjohësit e të fshehtave të “seksit”, adoleshentet e “njerëzit me namuz” dhe asgjë më shumë.

“Po tani?

Tani fillon kënaqësia e dhunës Më hip sipër

Dhe rrotulloje ashtu nga brenda Kthehu para... anash... pas...

E ke parë demin

Kur ia ngul nga mbrapa lopës Hajde ngjeshu pas luleve të mia Tani nxirre dhe fute në gojë Thithe

jo aq shumë

Se s’dua të prishem Hip sipër

Shtrihu poshtë lëviz më shpejt ah ah ah

Më nnnngggaaadddaaalëëë…”

Është thënë në disa studio televizive si rubrikat “Opinion” e “Zona e lirë” në TV Klan se në këtë libër Rita Filipi projekton në poezi realizimet dhe mosrealizimet e ëndrrave erotike dhe dashurore, duke i ndezur me dritë të kuqe llambat e Erosit. Mbrojtësit e saj thonë gjithashtu që poezitë e Rita Petros janë gjithashtu edhe provokuese, ngacmuese dhe të çuditshme për nga trajta poetike. Sigurisht, vijojnë të arsyetojnë “mëtonjësit” e saj, pavarësisht mungesës së drojës me të cilin shpalos elementin erotik, poezia e Rita Petros, si autore me përvojë vjen e mbështjellë me një simbolikë të re që e lë të hapur rrugën e komunikimit me lexuesin e saj. Dhe kulmi arrin kur dikush thotë se kështu, me këtë frymë poetike që e karakterizon, Rita Petro sjell edhe një përvojë të re poetike në poezinë shqipe.

Mund të thuash e të stisësh gjithçka, mund të pëlqehen nga adoleshentë apo nga të rritur që kanë etje për të degjuar fjalë të piësta të shkruara në letër të bardhë, por këto vargje, që mbahen ndër më të zgjdhurat e kësaj përmbledhje, nuk mund të thuash se përcjellin cilësi të lartë estetike, siç thonë mbrojtëset e zjarrta të saj:

Mjafton të sjellim në kujtesën tuaj këto vargje, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një libër të shkruar me ngut, me qëllimin e vetëm për të bërë zhurmë dhe asgjë më shumë. Kemi të bëjmë me një libër që ashtu rrëmbimthi, në ngutjen e pasionit për t’u dukur e për të shkaktuar “rrëmujë”-aq sa mund të shkaktojë “rrëmujë” një libër, nuk ia dalin të bëjnë gjë tjetër veçse të servirin një variant të përzishëm të krevateve bashkëshortore apo në rastin më të keq të shtretërve të përdhosur të mëkatit në orët e vona. Këto vargje mund të konkurojnë fjalorin më të pacipë të bordurave të Tiranës apo të metropoleve të tjera shqiptare por kjo nuk mjafton për tu ngritur në nivelin e poezive e aq më pak të një përmbledhje poetike që fiton një trofe kombëtar.

Nuk mjafton të nxjerrësh në pah epërsinë sensuale dhe amësore të femrës, ku ekstaza dhe orgazma vijnë në trajtën e paralelizmit të fuqive natyrore, si tërmeti dhe vullkani dhe atyre që fshihen brenda trupit të njeriut, konkretisht të vetë femrës, për të fituar çmim kombëtar.Ajo që e dallon një vepër letrare nga një libër i rëndomtë është komunikimi estetik dhe më vjen keq ta them por ky komunikim në vëllimin poetik “Vrima” mungon. Burimin e poezisë duhet ta gjejmë tek e fshehta jo te lakuriqësia dhe rëndomësia; kur lexojmë poezinë e Petros kemi ndjesinë e një joshjeje të thellë e të papërbalueshme, të një furtune seksuale, që mund të na ftojë në orgjira a gostira të pafundme mishi, por jo një udhëtim imagjinar midis mitit, fiksionit dhe realitetit, cilësi kjo që bashkëshoqëron leximin e një poezie të mirë. Autorja përpiqet që në këtë përmbledhje poetike të rikrijojë  mitin shqiptar të Konstandinit dhe Doruntinës, duke tentuar të na japë jo fuqinë e fjalës së dhënë, por magjinë dhe forcën e pasionit, epshit, dashurisë. Ky është ndoshta i vetmi element esetik që e mban në këmbë këtë libër, por kjo është shumë pak në krahasim me lumin e fjalëve të rëndomta, fjalorit erotik të orëve të vona, që autorja më kot përpiqet ta kthejë në poezi të mirëfilltë. Të kuptohemi, nuk flasim për të çensuruar libra të tillë, pasi ato kanë lexuesit e tyre dhe shoqëria duhet të ballafaqohet edhe me këto produkte letrare, por për faktin se një poezi e tillë, kur nuk ka tipare thellësisht estetike, nuk mund të rrethohet me kurorën e “mbretëreshës”, pra nuk mund të marrë çmim kombëtar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx