E merkure, 01.05.2024, 10:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Diana Manole

E diele, 27.12.2015, 11:18 AM


Poezi rumune nga Kanada

Diana Manole

 

LADY. E NDERIT

(Lady. De onoare)

 

Djersa mbi ballin tonë shndërrohet në

verë për ndarje shpirtërore – pika të kuqe

që kullojnë me peshë gjatë tëmthave.

Një vizatues nga kohë e nga vende tjera,

na qëllon

për dyshemetë e ngarkuara me dëborë e dhe.

 

Shikimi yt bredh i trembur përgjatë trupit tim-

kurioziteti i një çuni që gabimisht ka gjetur

një revistë me femra lakuriqe.

Kur ta fshij ballin

krenaria të kaplon me befasi si një dhuratë

një fëmijë që e din se është i pafajshëm.

Fjalë të panisura, gjëmime të pafund,

britma që nuk arrijnë të ngjeshen –

ngase vetëm heshtja mund të na shërrojë

nga gjuha e Mbretëreshës.

 

Kokrra sheqeri mbi plantacione

që s’do t’i shohim asnjëherë

shkrihen në gjakun tonë

duke e trazuar.

Më çvesh me butësi nga të gjitha qarqet e skëterrës

shtrat pas shtrati

thuajse je përpjekur t’i riblesh

krejt mëkatet e burrave

që e kanë ngujuar gruan mes mureve të shtëpisë.

 

“Thank you for this moment of peace and quiet,”

më thua,

kurse dora të rrëshqet përgjatë kofshëve të mia

me mallëngjim

pas një kryqi mbi të cilin do të më kryqëzosh

pa u prëngutur,

duke riinventuar religjionet, duke e ripërshkruar

historinë e botës.

 

BINDJE. STËRVITJE

(Obedience. Dresur?)

 

Po prehesh mbi mua si fshatari gjatë një të diele –

me mëndjen e vajtur te të tuat.

Duart tona bashkohen në një lutje

të cilën unë dhe ti harrojmë

ta nisim.

 

“I love your Romanian accent!” murmuron

dhe menjëjherë harron se jetoj,

i kërrusur me lehtësi nën peshën e dhjetra botëve

të grumbulluara në ty,

i zhytur

me duart deri në bërryla

në shpirtin tim

si në glinën të cilën poçari e gatuan

duke përfytyruar

enën më të madhe.

(Vargjet vijnë e shkojnë sipas një orari personal.

Sot, shtatë poema të gjata u derdhën

në ekranin e kompiuterit

në një ritëm me ndërprerje të shkurtëra

duke na i kujtuar zhurrmat e xhunglës.)

 

Gjuha jote depërton e ndruajtur mes buzëve të mia –

delikatesa më e mirëseardhur

dhe leksioni më i përshtatshëm për nënshtrim.

„Kiss me,” më kërkon, “kiss me in

the middle of the square,

on the streetcar, on the subway,

in front of City Hall,

on top of the CN Tower, and

in Cabbagetown.”

(Kërkoj

pa e ditur se çka.)

“Kiss me, kiss me for the world to see.”

(Dridhem, pa e ditur përse.)

„Kiss me anf keep me!” lutesh,

duke tentuar

të më ndash në dy pjesë,

që të lamshërohesh në mitrën time,

duke e pritur Ringjalljen.

 

PUTHJE

(S?rut)          

 

Më puthe një mbrëmje të ngrirë të së shtunës

pranë Trinity Square

ku adoleshentët e ikur nga shtëpia zbaviten

duke e shkrirë rininë –

krahë të mbuluar me tatuazhe, zemra të mbuluara

me dregëza,

gojë të kalëruara me nxitim, të shpërlara me vodkë

"If it's oral it's not sex!"

dhe n’mëngjes mund të pretendosh se s’të kujtohet.

 

Më puth

nën shikimin e femrave të punës që na spiunojnë

kur fshijnë me aspiratorin në mall

duke u mahnitur për çdo ditë

nga gërmadha prezervativesh e seringash të një përdorimi

të hedhura në nevojtoret e Eaton Centre.


Më puth

nën mbikqyrjen diskrete të rojtarëve të natës

me doktoratë apo së paku me masterat

emigrantë nga vendet ku dollari është ende shenja e djallit

"Who else would kiss in minus 28 degrees in the snow?"

pyesin

të sigurtë se jemi rrugës për tradhëti bashkëshortore

meritojmë të gozhdohemi për një shtrati torturash, apo më mirë,

të mbytemi me gurë n’mes të rrugës

nga fëmijët pa mëkate

por mjafton për përvojën e parë mistike.

 

Më puth

falë një poezie dashurie të vitit 1600

derisa mbështillem me kaltërsi mbretërore dhe erë zambaku,

një ofshamë del me furi prej meje

e freskët si frymëmarrja e fundit

e një virgjëreshe të shenjtë

(eshtrat e holla të thërrmuara nga luanë të uritur përballë

shumicës që ndeshet me brohoritje –

një nga spektaklet e shumta

me gladiator, bisha të egra e të krishterë

drejt mbarimit të perandorisë).

 

Përkulesh të mi përkëdhelish flokët,

kurse fëmija prej meje fillon

të bëjë kodrina përgëzimi,

e riafirmon parimin e kënaqësisë dhe

riinventon ngrohtësinë e uterit të humbur kaherë.

 

Më përfshin

me krahë qelqi gadi të coptohen

në shenjën më të vogël të refuzimit

derisa palca fillon të dridhet në eshtrat e mia

tensioni po më rritet

përmbi 19-të,

kurse dëshira për seks bëhet dëshirë

për të qenë

 

1. NJË LUMË I NGRIRË

           

Nuk do ta dij kurrë ç’do ngjante nëse do ta përshkoja

atë lumë të shtangur mes orteqeve të dëborës

këmbët më shpien drejt tij në kohën kur mëndja

më tërheq prapa

vendos me ngulm të shkruaj vargje rumanisht dhe dashurohem

në çdo fjalë që paraqitet në ekranin e kompiuterit

pa e ditur nëse është fjala për afshin për të shkruar

apo për krenarinë e tekstit me rrumbullakësi që deri tani

nuk i kam vërejtur

ndoshta pastër e thjesht o-të dhe a-të i zbusin lapsërimet

duke ma zbutur nevojën për komunikim

shkruaj e mendohem kush do ta lexonte këtë tekst

pa i ngritur supet

një diktim automat

një anti-depresion që jep pavarësi njësoj si

të gjitha të tjerat

shkruaj furishëm, kurse lumi vazhdon të më ftojë

me një murmurimë qetësuese

mes dy reprizave ku dresoj zanoret e një gjuhe tjetër

 

njësoj sikur një kamxhik me caqe metalike

do kthehej kundër meje sa here që do të kishte

diçka për të thënë

fjalët nisin të vringëllojnë si një kapak tenxhereje

që vazhdon të vërtitet

përposhtë

me zhaurrimë

derisa i dëgjojnë edhe frinjqët e fqinjëve tanë

derisa konstatoj për here të pare përgjasimin grafik

mes “ligësisë” dhe “lumit”

e mjaftueshme është të dalloj shenjat diakritike që bota

të bëhet një univers konfuz

ku vrapoj përmes një dëbore t’imagjinuar drejt një lumi imagjinar

e kapluar nga një faj i përfytyruar, kurse fjalët më mbështjellin

si një thithëse duke më absorbuar.

 

4. NJË MACË E VARUR PËR BISHTI

 

Çuni im nuk do t’i dojë asnjëherë vargjet

e adoleshencës sime

ndoshta se në fakt nuk do të dashurrojë kurrë

asnjë lloj poezie

pra do mësojë të bukurshkruajë secilin çast

me kujdes e me një fare ndjenje estetike

“Make a difference!”

mendimet e mia nisin të tingëllojnë si slloganet publicitare

të trenave të metrosë dhe stacioneve të autobusit

gëzohem dhe e marr si një shenjë

adaptimi

edhe pse pëshpëris vjedhtas vargje nga doracakët e liceut

të Rumanisë së viteve ‘80

nuk u dhash kurrë rëndësi për tepër të madhe

kurrë, deri sot

duke notuar diku mes

botës së dytë, të tretë dhe një bote pa kurrfarë identiteti

ëndja e klisheve të përditshme dhe senzacioni i përkatësisë

më përkëdhelin si një mace të cilën një fëmijë e përkëdhel

në stomak

duke pyetur se si do të dukej e varur për bishti.

 

5. NJË YLL PREJ PLASTIKU

 

Hyrja është zhytur në erëtimën e kallamarëve

që gërhasin në tigan

si në restorantin e Ishullit Rodos

në mbarim të darkës më bindën ta thej pjatën

në prag dhe të vallëzoj

rrugës së gurtë me gurë të vjedhur nga amfiteatri antic

të cilin e demolonin copë pas cope

qe dy mijë vjet

i lidhja vithet në ritmin e një melodie

të cilën s’e dëgjonte kush

më shikonin mua

me ballin plot djersë dhe ajrin e atij që pyet

sa shije të çmendur paska cikuta.

Në mëngjes,

shkova në treg vjetërsinash brigjeve të liqenit Ontario

dhe e blevea një yll të madh

prej plastiku.

 

6. NË VEND TË FINALES

Fjalë të mbarsura rrokullisen

në majë të gjuhës

duke më sëmurë nga pritja.

 

(Përzgjedhje nga vëllimi “Engjëll me vizë për Kanada”, Brumar, 2011)     

 

(Shqipëroi: Baki Ymeri)

           

Diana Manole është shkrimtare, përkthyese, regjisore, hulumtuese dhe profesoreshë universitare. U lind në Rumani dhe aktualisht jeton në Toronto të Kanadasë. Absolevente e Universitetit të Bukureshtit, Fakulteti i gjuhëve moderne (1991) dhe e Universitetit Nacionale të Artit Teatral dhe Konematografik, Dega e Regjisë së teatrit dhe televizionit (1996). Ndërmjet viteve 1996-2000 ka qenë redaktore dhe pastaj produkatore-delegate në TV Rumania International, ku ka realizuar e prodhuar emisione kulturore, si dhe një seri dokumentare mbi komunitetet rumune të Hungarisë, Holandës, Izraelit dhe Gjermanisë. Më 2000 ka emigruar në Kanada ku ka vazhduar studimet universitare duke përfituar titullin Master of Journalism i Universitetit Carleton në Otava (2002) dhe të doktorit në Universitetin Toronto (2010), duke mbrojtur tezën “Poetika e Mohimit: Shprehje të identitetin kombëtar në dramën kanadiane dhe rumune.” Diana Manole ka publikuar studime mbi teorinë e teatrit dhe të kulturës në revista akademike dhe koleksione artikujsh në Kanada, Britani të Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Ka ligjëruar në disa universitete të Kanadasë (University of Toronto, Queen’s University, McMaster University, Trent University dhe Guelph University) dhe ka regjizuar pjesë teatrale.

 

Diana Manole ka filluar të shkruajë e të përfitojë çmime letrare gjatë liceut. Ka debutuar editorialisht me vëllimin poetik “Burra e gra. 29 sipas Rendit alfabetik” (1994), duke botuar në ndërkohë edhe pesë koleksione vargjesh, ndër të cilat: “Adete mbrëmjesh” (Çmimi i Unionit të Shkrimtarëve të Bukureshtit) dhe “Engjëll me vizë për Kanada” (2011), si dhe katër pjesë teatrale, duke përfshirë “Fëmija që s’donte të lindë” (1999) dhe “Revolucioni tekstil” (2007), me të cilat përfitoi Çmimin e Unionit të Shkrimtarëve për Debutim në Dramaturgji, si dhe Çmimin e II në Konkursin për Komedi Rumune. Profili letrar i znj. Diana Manole është i përfshirë në “Historinë e letërsisë rumune”, në fjalorin “Shkrimtarë rumunë të viteve 80-90” etj. Prezente me poezi në revista të panumërta në SHBA, Kanada, Angli, Rumani. Poezitë e saja rrëfejnë një përrallë dashurie të një erotizmi të turbullt, duke nënvizuar ndikimin që e kanë emigrimi, racizmi, post-kolonializmi dhe trashëgimia e skllavizmit mbi shoqërinë bashkëkohore kanadiane.



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora