Kulturë
Tefik Selimi: Poezi që prekin përditshmërinë
E diele, 27.12.2015, 09:57 AM
Poezi
që prekin përditshmërinë tonë përmes refleksioneve meditavive me ngjyra poetike
e artistike...
Nga Tefik Selimi
Për
herë të dytë po na paraqitet me vepër letrare Selvete Abdullahu, poete nga
Zhegra e Malësisë së Karadakut. Ajo pas 12 vitesh mungesë, po i rikthehet
përsëri fushës së letërsisë me vëllimin e dytë poetik, “Baladë e humbur”, vepër
kjo e botuar ditë më parë nga Shtëpisë botuese “Beqir Musliu” në Gjilan. Vepra
e saj e parë “Emërtimi i ditës së nesërme” është botuar nga Lidhja e
Shkrimtarëve të Kosovës, në vitin 2003, me mbiemrin e saj të vajzërisë, Selvete
Dërguti. Ndërsa tash, pas një “pushimi” frymëzyes e një përvojë, ajo i
rikthehet dashurisë së parë, ndjenjës së brendshme, poezisë. Ky vëllimi i ri i
saj poetik ka gjithsej 72 poezi të renditura në pesë cikle, tematikash të
ndryshme. Derisa cikli i parë “Jeton në zemrën time” preokupim kryesor ka
atdhetarizmin, cikli i dytë, “Me strajcën e zbrazur”, shtjellon dhe prekë anën
sociale të këtij populli. E, cikli i tretë, “Përqafimi yt jam”, trajton
tematikën “kryesore” të jetës, dashurinë, këtë ndjenjë univerzale dhe shumë
delikate e jetës. Ndërsa dy ciklet e fundit, “Nga gjithë këto trazime” si dhe
“Për teket e valëve të rrëmbyeshme” që janë dhe ciklet më të realizuara të
librit, prekë përditshmërinë tonë përmes refleksioneve meditative e ngjyrave
poetike duke dëshmuar një afinitet të kënaqshëm poetik. Vepra “Baladë e humbur”
në tërësi e karakterizohte me një bashkëbisedim të rrjedhshëm poetik, falë një
gjuhe të pasur artistike me figura të nduarduarta stilistike. Preokupimet
poetike të Selvete Abdullahut, poete, janë po ato preokupime të njeriut tonë të
përditshëm, të cilat shpërfaqin dromca të dhimbshme e të ndryshme të kësaj
jete, herë me tone pesimizmi e herë optimizmi. Po këtë mendim ka edhe
recensenti e kësaj vepre poetike, Nexhat Rexha, vlerësues, i cili thotë se
poezia e Selvetes në vëllimin poetik “Baladë humbur” është realizim e reflektim
i përditshmërisë sonë. Ajo ngërthen në brendi të vargjeve artikulimin e
pritjeve të mundimshme, të cilat vijnë me ofshamat e ditëve të humbura. Sipas
këtij kritiku të artit letrar, në të gjitha ciklet poetike, autorja ka shprehur
frymën lirike në suaza të përjetimit artistik e real. Tematika e shtruar në
libër ka afërsinë shtjellimit në shprehjen e vargut sa racional, po aq edhe
ilustrativ në shenjimin e arritshmërisë sa më origjinale. Autorja në vargjet e
saj
arrin të dokumentojë, dhembjen si kërkesë dhe si pritje për të shëruar
plagët e zjarrta të dashurisë njerëzore. Mënyra e parashtrimit poetik vjen si
shkrirje e refleksionit edukativ në këtë baladë të humbur, e cila kërkon rrugën
e ripërtritjes për një ditë të lumtur. Përditshmëria e dhembjes arrin të
pasqyroj frymën e arsyes në vargun e angazhuar si mesazh dhe si ndërtim e
kaheve orientuese për shpalosjen e botës me kontradita në zhvillimin e
proceseve shoqërore. Vepra e poetës në fjalë ka arritshmërinë e realizmit artistik
në suaza të prekjes, e përjetimit të gjërave në konkretizimin e vargut si
rezultat i qëndrimit objektiv, të motimivimit për të arritur tek universalja
ekzistenciale. Qartësia e vargut në tërësinë poetike arrin funksionalizimin
përmes figurave të godtitura artistike. Ky vëllim poetik, do të përurohet në
përmbyllje të manifestimit tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit”, më 26
dhjetor 2015, që për here të gjashtë organizohet radhazi para artdashësve
gjilanas e më gjerë.