E merkure, 01.05.2024, 04:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: I zgjasim duart kah lagështia

E hene, 28.12.2015, 10:35 AM


Adem Zaplluzha

 

Katër poezi nga libri më i riTë vizatosh një zog në mur''

 

I ZGJASIM DUART KAH LAGËSHTIA

 

Kur kalojmë një natë të keqe

Që s’mund të krahasohet

Me pagjumësinë e frikës

Makthet janë lodra fëmijësh

 

Nën çarçafët i fshehim gjunjët

Dhe gishtat e këmbëve me thonj të paprerë

Si naftalina e prishur

Nata kundërmon në dhomë

 

Dritaret nuk hapen

Mbyllen si ëndrrat tona të liga

Në derë të dhomës rëndohet çelësi

Si mund të dilet nga kjo skëterrë

 

I zgjasim duart kah lagështia

Dhe i fusim nëpër të çarat e mureve

Ku mund të preken zhgjëndrrat

E kohërave që ngufaten nga frika

 

Mëngjesi paska ikur diku larg

Askush nuk di se kur kthehet

Pagjumësia gërryen shpirtin e xhamave

Të çukitur nga lakuriqtë e natës

 

 

SHTËPIA IME NGJANTE NË NJË ËNDËRR TË LARGËT

 

Kur u ktheva në qytetin tim

Shtëpia ku banonim

Ngjante në një ëndërr të largët

Çatia të cilën e preknim me dorë

Qenka zvogëluar edhe më shumë

 

Po në atë oxhak të vjetër

Ku për çdo pranverë

Ktheheshin zogjtë shtegtarë

Nuk më prite lejleku i bardhë

Nga çatia kishin ikur edhe banorët e fundit

 

Lagjet e vetmuara të qytetit

Për herë të parë më shikojnë

Me një frikë të kujdesshme

Mbase jeta i mësoi

Të mos i besojnë askujt

 

Asnjë muzikë e trishtë

Nuk dëgjohej më sokakëve

Të kalldrëmta

Evgjitët diku tjetër i kishin ngrehur çadrat

Dhe atje s’pushonin pikëllimet e qemaneve

 

Në një kazan të madh bakri

Ziheshin rropullitë e ditës

Kuajt e dehur shqelmonin njëri-tjetrin

Muzika e trishtuar

Dëneste nën një çadër

E shiu i vjeshtës

Egërsisht trokite në ndërgjegjen e njerëzimit

 

 

DËPËRTON NJË STINË E ACARTË

 

Në një degë të ftohtë ulliri

Ku njerëzit i varin këmishët e lara

Këndojnë turtujt e bardhë

Sivjet nga lastarët e stinës

Po këputet nga një copëz e vogël mishi

 

Nëpër krahët e trishtilave

Depërton një stina e acartë

Dimri i sivjetmë

Në kopshtin e mollëve

I thau deri në rrënjë pemët e buta

 

Vjeshta me tërë durimin e saj

Kalon sokakëve

Ecën si një kardinal i lodhur

Pa ditur se ku mund të ndalet

 

Çelësat e ndryshkur

Besnikërisht rrinë të përgjumur

Nëpër dyert e mbyllura

Edhe kësaj here s’do të çilen

Po thonë se ky dimër i sivjetshëm

Ka me qenë tepër i vështirë

 

 

I SHOH GJËRAT PAKËZ MË NDRYSHE

 

Unë dhe duart e mia

Jemi të mbytur në pluhur

Një harabel i vetmuar

Në sqepin e tij të thyer

Mban një copë gace

 

Çuditërisht më duket se i përngjan

Neronit të çmendur

Kallet e tërë bota

Kurse ai si plaka e keqe i kreh flokët

 

Për të keq po më befason

Vetvetja ime

Disa ditë me radhë

I shoh gjërat pakëz më ndryshe

Se sa që i shohin të tjerët

 

Kungujt nëpër fusha më duken

Si gurtë e pjekur të vjeshtës

Kurse gurtë e murrmë

Sa shumë i përngjan kungullit

 

Ndonjëherë i jap të drejtë vetvetes

Dhe të gjithëve

Por në disa raste

Rreptësishtë kundërshtoj

Me të gjithë edhe me Zotin

Kur është në pyetje frymëmarrja e drurëve



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora