E merkure, 01.05.2024, 05:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Orët e fundit të Njeriut prej Bore

E hene, 28.12.2015, 11:58 AM


Orët e fundit të Njeriut prej Bore

Tregim nga Vangjush Saro

Në të gjithë lagjen, në të gjithë qytetin, madje edhe më tej, binte pareshtur dëborë. Miliona e miliona flatra të bardha, vezulluese, silleshin andej-këtej duke kënduar… Po po, pothuaj duke kënduar. Pastaj binin në tokë, mbi gardhe, nëpër degët e pemëve. Kjo e bardhë vezulluese sundonte tani botën.

Kështu. Pamja romantike i shty disa fëmijë të rrugës “Lugina e kaltër” të bëheshin bashkë dhe të sajonin një njeri prej dëbore. U gjendën sakaq atje kleçka, gurë të vegjël, kapuçë e shall, një karotë për hundë, kikirikë në vend të kopsave… Njeriu pre Bore mori jetë dhe u bë për një çast gjëja më e rëndësishme në atë shesh. Madje edhe më shumë se kaq. Sapo vuri re që kalimtarët filluan ta vështronin, madje disa shprehnin habi, admirim, Njeriu prej Bore nxori një si ofshamë:

“Ah, po e dija unë… E dija që jam më i miri. Jam yll. - Dhe pastaj: Oeee! Shikoni, njerëz, shikoniii… Ta-da! Iu mbetën sytë tek unë. Ha ha ha, i habita të gjithë… Ua ua ua!”

Pas një copë here, Njeriu prej Bore iu drejtua njërit prej fëmijëve që rrinte ende pranë tij:

-Ore, shushkamen! Hiqu që atje… se nuk më shohin njerëzit… E kupton ti që ata po lënë kokën për mua? Ha ha ha! Oeee! Këtu jam, këtu…

Por kot e lodhi veten, se fëmijët ngarendën sakaq për ndonjë lojë tjetër. Kështu, pak edhe nga pak, në vend të këngës së shtruar të flatrave të dëborës, në vend të thirrjeve gazmore të të vegjëlve, tani po dëgjoheshin vetëm britmat e Njeriut prej Bore. Dhe çfarë britmash:

“Oheee! Ja ku jam… Ha ha ha! Të gjithë kthejnë kokën dhe më vështrojnë… Të gjithë. Kjo ndodh ngase jam më i bukuri… Më i shkëlqyeri! Jam… Posi. Ha ha ha! Kimëni zili!”

?

Kishte një copë herë që Njeriu prej Bore bërtiste e mburrej në atë shesh të rrugës “Lugina e Kaltër”. Dikur kaloi andej pari një ketër. Pa pyetur fare për britmat e tjetrit, ketri rrëmbeu nga xhaketa e tij njërin nga kikirikët-kopsa dhe u ngjit sakaq në një prej bredhave aty afër.

-Ore! Ore ti! Si guxon? Kapeni! Unë jam ai i shkëlqyeri…

Por nuk nxitoi askush të kapte ketrin. Mirë. Por pas tij, i ra rruga andej një sorre. Ajo qëndroi një copë herë mbi kokën e Njeriut prej Bore dhe zuri të çukiste.

-Çfarë bën ti, moj e marrë? E di ti me kë ke të bësh?… Me më të shkëlqyerin… të ndritshmin… Ma hiqni, more, që këtej…

Askush nuk u ngut ta hiqte sorrën që andej. Pasi ia trazoi mirë e mirë kapuçin, krahët prej kleçkash, por nuk gjeti asgjë për të ngrënë, sorra iku vetë. Jo për gjë, por ishte duke u ngrysur. Pastaj, filloi të rigonte edhe nga pak shi. Heshtazi. Duke u përzier e bërë llohë me dëborën. Kështu, pak e nga pak, bota do të binte në gjumë.

Por nuk qe e thënë të mbyllej me kaq kjo histori. Shumë shpejt mbërritën në atë cep të rrugës “Lugina e kaltër…” nja dy rakunë të urritur. Ata, pa e bërë të gjatë, u hodhën dhe rrëmbyen hundën e njeriut prej bore. Domethënë… karrotën.

-Oh, ç’më gjeti mua! Ç’ishin këta, more! Çfarë po ndodh këtu? Dikush të më mbrojë…

Një makinë shkoi andej pak rrëmbyeshëm. Rrotat e saj hodhën përmbi Njeriun prej Bore një shkulm llohe. Njëri nga krahët (kleçkat) ra përtokë. Me sa dukej, punët po shkonin keq edhe më keq. Shiu vazhdonte. Koha zu të zbutej. Dëbora do të shkrinte pak e nga pak. Dhe Njeriu prej Bore nuk kishte më asnjë frymëzim për të lëshuar britma e mburrje… Atij i vinte gjumë. Por nuk flinte dot. Një makinë e dytë i hodhi në fytyrë një shkulm tjetër llohe… Donte të fliste, por nuk fliste dot. Filloi të shkrinte. Me pak fjalë, të qante… Nuk do ta ndihmonin lotët. Diku do të fluturonte ashtu duke qarë, mbase lart në qiell, për t’u kthyer sërish në një kohë tjetër, me pamje tjetër, ndoshta edhe me mendje tjetër… Krijesa e brishtë prej bore.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora