Kulturë
Qazim Shehu: Rrathë
E marte, 29.12.2015, 12:04 PM
RRATHË
QAZIM SHEHU
Rrathë uji, rrathë zjarri,
Rrathë dheu ,gjethesh,
Rrathë rrënjësh prej ajri,
Rrathë dekadash, shekujsh,
Rrathë hekurash drejt kokës,
Rrathë zemrash të forta,
Rrathë vështrimesh të kota,
Rrathë.
E rrimë shtërnguar si delet në vathë,
E rrimë ngujuar gjakshplarë,
E rrimë harbuar në rrathë të shkarë,
Shkojmë drejt tyre për t`u vetëvrarë,
Çasti kur vjen të na ndëshkojnë,
Të kryejnë punë prej rrathësh,
Duart e fatit i lirojnë,
Pa to ndihemi të zbrazët.
LULET
Kush i solli lulet e dashurisë?
Mos erdhe ti?
Fjalë kaq të errta dolën vetëm nga erinitë
Ose nga një ylber që u gënjye në stuhi.
Si vjeshta verdhane ,e kolme si pranvera
Në lule është fshehur një ndjenjë për vty,
Ti solla lulet,me një lutje tmerri
Para se t`i shkelë ai që të mban në gji..
NJË QEN MË VJEN PAS
Një qen më vjen pas,ai nuk është Mefisto,unë jo Faust,
Është qen që bashkia nuk e hedh në pus,
Në këtë kohë të braktisjes së taksave dhe të shtetit
Mban çuditërisht në veshë një matrikull prej hekuri.
Skërmit dhëmbët dhe ulërin kot.
Në rrugën me qen të tjerë plot,
Pa e ditur sa jam qenosur nga brengat e mia,
S`kërkon asgjë tek unë se e di që s`më ka në hesap bashkia…
PARA SE…
Të ngrihesh si feniksi s`është heroizëm,
Nga hiri i ndjenjave mund të gatuash një bukë fjalësh
Dhe t`ua japësh për të ngrënë të gjallëve.
Ç`pështymosje hidhet në ajrin e pasditës,
Nga gjithë lajmet që rrokullisen në delir pritës,
E në fundin humbin dhe i pret vetëm ai që e di,
Që në dëgjimin e tyre do kujtohet dikush,
Të ndreqë diçka nga vetja
Para se lajmi ta rrethojë në një rreth me prush…
BUZËQESHJE
Purpur në mollza kuqëlim i mollës
Në pritje të kafshimit.
Shenja të dashurisë mbeten të holla.
Zbardh një buzëqeshje që nuk arrin tek molla.
Ngrënë pa u pjekur.
Prej një drithme të etur…