Kulturë
Syrja Kurti: Ikja e vitit
E marte, 29.12.2015, 01:04 PM
SYRJA
KURTI
IKJA E VITIT
Cikël poetik
Ikja e vitit
Po ikën i lodhur, i kërrusur ky vit
mbahet fort në shkop se mund të bjerë pa të
i kanë mbetur këtu dhe fare pak ditë
aq sa dhe po të dojë nuk ndryshon më asgjë.
Punë të bëra keq, të tjera të parealizuara
nuk diti a nuk mundi dot, të ishte më i butë
ditë mbushur plot dhimbje e tek tuk të gëzuara
me pak caste të paqta, me shumë uri dhe luftë
Do më pëlqente të kishte thënë më shumë të vërteta
dhe disave mirë tua kishte treguar vendin
mos të lejonte muajt të mbusheshin plot me gënjeshtra
dhe në ditët e tij njerëzit, më shumë veten të gjenin.
Por nuk mundi dot dhe i kërkoj pak si tepër
se të drejtën e gjykimit për të ndoshta s'e kam
vetëm nëqoftëse si ai e transformoj edhe veten
të bëhem dhe unë vit i kalendarit gregorian.-(1)-
Ik dymijëepesëmbëdhjetë, i zvarritur nga mundimet
dhe thuaji dicka atij tjetrit se ndoshta më mirë do sillet.
-(1)- Kalendari që ne përdorim quhet i tillë për nder të Papës Gregori që e futi në përdorim kete kalendar..
Në bar "Bukowski"
E takova këtë fundvit Bukowskin në Durrës ,-(1)-
doli në derën e xhamtë dhe më ftoi brenda të hyj,
ja pashë fytyrën brenda gotës së birrës dhe shkumës
ja ndjeva praninë kudo në barin me emrin e tij.
Më tha vetullngrysur"Bëre mirë që hyre"
të prisja, sepse e dija që do të vije një ditë
madje mund të ftosh për të pirë dhe ndonjë lavire
por vetëm kujdes se mos të vjedh poezitë."-(2)-
"Duhet pranuar ashtu si të vjen kjo jetë
dhe keq nuk bën sikur të kthesh ndonjë gotë
shijoje kohën në cdo qelizë të saj o poet,
se sido që të sillesh , prapë do të shajë kjo botë.
E takova Bukowskin sot në barin me emrin e tij në Durrës
por nuk e di nëse qeshte apo skërmitej mes shkumës.
-(1)-Në Durrës ka nje bar me emrin e poetit te madh
-(2)- Bukowski ka nje poezi te titulluar"Lavires qe vodhi poezitë e mia"
Bisedë me dimrin.
Ti dimër kot e ke që kërkon të mbahesh hijerëndë
sepse kështu si po sillesh nuk ma fut fare frikën
s'të ndjej dhe s'po më tremb me praninë tënde
se vetëm si në dhjetor nuk po më ngjajnë ditët.
S'të dija gënjeshtar por shumë më burrëror
ndaj bëj atë që duhet dhe mos u sill ndryshe
mos na jep ditë të ngrohta sikur të jemi në shtator
se duam dhe pak ftohtë për të pritur Babagjyshin.
Ndaj sillu si një burrë, bëje tamam dhjetor
na sill të ftohtë krishtlindjesh, ndoshta dhe pak dëborë...
Galaktikë tjetër
Ti më thua e cuditur se si iku edhe një vit
sa shpejt erdhi koha të bëhej gjysh me mjekër
por të them të drejtën unë s'e mas si të gjithë
se kam një sistem dhe një galaktikë tjetër.
Sistemi im s'ka ditë treqindegjashtëdhjetëepesë
as muaj dymbëdhjetë, as katër nuk janë stinët
kur ti ndrin si diell, për mua është pranverë
dhe kur 'të zënë retë, këtu ka vetëm dimër.
Për mua është pranverë dhe numëroj vec ditët
kur rrotullohet rreth teje sistemi im planetar
ndërsa kur nuk je ,s'i numëroj as si shifër
dhe as kohën, as stinët , s'i shënoj në kalendar.
Në fakt ështe pak si e cuditshme galaktika ime
por mua më pëlqen dhe as ti s'ke kundërshtime....