E shtune, 03.05.2025, 10:13 PM (GMT+1)

Faleminderit

Baki Ymeri: Mihail Sotir Xoxe - një jetë për Shqipërinë

E hene, 10.06.2013, 05:59 PM


Negovanasit e Bukureshtit: Mihail Sotir Xoxe

Patriot i moçëm që punoi për Shqipërinë një jetë të tërë

(Shqiptarët dhanë rëke gjaku, thesarë të arta dhe miliona jetë për të huajt.)

Nga Baki Ymeri

Në kuadrin e rubrikës Letra e florinjtë, botuar në Bukuresht, në të përjavshmen Shqiptari të Nikolla Naços (19 Gusht 1888), kuptojmë se banorët e Negovanit dhe Bellkamenit, ishin “ndër mëmëdhetarët më të devotshëm të Shqipërisë”. Fjala është për  banorët e dy fshatrave shqiptare, të ndodhura në rrethin e Manastirit, të okupuar nga Greqia përmes vendimeve të kobshme të Konferencës së Ambasadorëve (1913). Po qe se i njeh këta, mund të krijosh përshtypjen se “këta janë pasardhësit e drejtëpërdrejtë të Akilit, ngase ata, ngado që janë të shpërndarë, përhapin rrezet e zjarrta të atdhedashurisë, porsi një diell që të jep jetë, pas një furtune shkretërimtare. Ngado që ti kërkosh: në Greqi, në Rumani, apo në Atdhe, ata janë gjithnjë të mëdhenj në shpirt dhe të pasur në fakte. Përmes ndihmave të tyre, arritën të themelojnë më shumë degë të shoqërisë në Vllahi.” Nga  Negovani dhe Bellkameni ishin edhe vëllezërit Sotir dhe Mihail Xoxe, ky i fundit, gazetar dhe pronar i Shtypshkronjës Albania, që pat funksionuar në Konstancë, që nga viti 1912, e deri sa qe nacionalizuar nga kameleonët e komunizmit (1948).

Ka dhënë Zoti që në këtë vend të varfër, të gjejmë bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, të pasur përnga shpirti, kujtesa dhe atdhedashuria. Njëra ndër to është edhe e bija e Anastas Xoxes, zonja Maria Dreosi, që jeton në një lagjë të Bukureshtit, në moshën e admiruar tetëdhjetë vjeçare. E mbesa e saj, Viktoria, ishte e bija e Mihail Xoxes. Jetoi ndërmjet viteve 1923-1998. Maria ka dy djem: Viktorin, elektronist, dhe Florinin, inzhenier. Ekzistojnë edhe anëtarë tjerë të kësaj familje fisnike. Shquhet ndër to, zonjusha Xhulia, absolvente e stomatologjisë në Bukuresht. Gjatë një rrugëtimi në Greqi (1995), kanë kthyer ta vizitojnë edhe Negovanin, fshat shqiptarësh të famshëm, vendlindje e gjyshit të tyre. I ati i Maries, Anastas Xoxe, jetoi ndërmjet viteve 1893-1985. Gjyshi i saj, Sotiri, përmendet në dokumentet e Komunitetit si arkëtar i Bashkësisë Kishtare “Sfantul Gheorghe/Shën Gjergji”, që funksiononte në kuadrin e Shoqatës Shqiptare në Brailë, që nga 23 prilli i vitit 1910, një vit pra, para se të vijë Fan Noli, për të kontaktuar shqiptarët e këtij qyteti. Ungji i saj ndërkaq, Mihail Xoxe, pronar i Shtypshkronjës Albania, ishte njëherit, edhe bashkëpunëtor i Kalendarit kombiar të Sofjes dhe Shqipërisë së Re të Konstancës. Kontributet e tij kombëtare datojnë që nga viti 1898, kur krahas Asdrenit, Jani Vruhos, Loni Logorit, Gjuzepe Skiros, artikujt e tij e pasuronin shtypin shqiptar të Rilindjes.

Gjatë shekullit të shkuar, që nga viti 1900, shoqërinë Dëshira dhe shtypshkronjën Mbrothësia të Sofjes, do ta përkrahin edhe shqiptarët e Krushovës, ndër të cilët, miku i Mihail Xoxes, Sotir Ollani. Sotir Ollani dhe Shahin Kolonja, për talentin e tyre në fushë të atdhedashurisë do të konsiderohen më vonë, si Apostuj të Shqiptarizmës.  Shqipëria e Re është një margaritar i publicistikës shqiptare që i bën një shërbim të madh dijes historiografike dhe patriotike. Vlen ta ripotencojmë faktin se që nga numri i parë i vitit të dytë (10 korrik 1920), Shqipëria e Re filloi të botohet në Konstancë, në shtypshkronjën Albania, duke patur për redaktor Guri Malësorin (Gjergj Bubani). Meqë I. Qafëzezi qe kthyer në Shqipëri si pasojë e moshës dhe shëndetit të brishtë, redaktimin dhe botimin e saj e marrin përsipër Mihal Xoxe dhe Guri Malësori, të cilët një vit më vonë do të theksojnë:  “Gazeta jonë afron të mbushnjë dhe motin e tretë. Që kur se hyri në motin e dytë, dyke shkuar nënë-kujdesjen tonë, mundet të mburemi se është e vetmja gazetë që ka dalë në rregull, pa fjalë veç gazetës Dielli e cila ka prapa krahëvet Federatën e madhe Vatra e cila më çdo nevojë i hap qesen.”

Si u ngrit Shtypshkronja Shqiptare Albania në Konstancë?

Botuesi i Shqipërisë së re, Mihal Xoxe, ishte njëherit kopronar i Shtypshkronjës Albania në Konstancë, në të cilën janë botuar një numër të madh veprash letrare dhe shkencore autorësh rumunë dhe shqiptarë. Për Tipografinë Albania të Konstancës, fare pak gjëra dinë shqiptarët, ngase ata që janë të paguar për mbarëvajtjen e diasporës shqiptare, i kanë qitur në harresë bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, madje edhe pasardhësit e pronarëve të kësaj shtypshkronje të famshme në kohën e Mbretërisë, atje ku e panë dritën e botimit veprat e Lasgushit, Asdrenit, Kutelit, Visar Dodanit, atje ku shtypej Atdheu, Shqipëria e re, Kosova, Flamuri i Shqipërisë, libra e broshura, kalendarë, atje ku kishte një repart për lidhje librash, stereotipi dhe papiteri. Dhe ajo që impresionon më shumë, është fakti se i panumërt është numri i librave që janë shtypur në tipografinë Albania me shpenzimet e drejtorit Mihal S. Xoxe dhe vëllaut të tij, Anastas Xoxe.

“Kur u refugjiatmë në Rumani, më 1914, nga shkaku i trazimeve të brëndshme, edhe atëhere nuku ndenjmë reat. Formuam  një Komitet dhe me konkursin e z-t Hristo Kosta, Ahile Eftimiu, Avram Marko, Sotir Vasili dhe Hristo Xoxe, ngritmë shtypëshkronjën “Albania” dhe nismë të nxjerrim gazetën “Flamur’ i Shqipërisë”, të cilën gazetë e drejtonte i ndyeri Thoma Grigori, student i Robert Kollegjit të Stambollit. Kjo gazetë dolli me rregull gjer atë kohë që ryri në luftë Rumania dhe e cila ndaloj botimin e gjithë gazetave të huaja.” Me këto fjalë, e përshkruan themelimin e shtypshkronjës Albania, drejtori i saj, Mihail Xoxe, në të përjavshmen Shqipëri’ e Re, nr. 86/1922. Në njërin nga ekzemplarët e kësaj gazete që kemi në disponim, konstatojmë se më 4 Nëntor 1928, drejtori i Organit Kombëtar-Popullor Shqipëria e Re, Mihail Xoxe, boton për lexuesin shqiptar, këshillat e dijetarit francez Paul Moriaud: “Të punojmë për të vërtetën dhe mes  saj për triumfin e drejtësisë. Të luftojmë ndarjet dhe armiqësitë midis popujve, për t’i afruar shpirtërat e tyre. Ja se cili është qëllimi që duhet të ndjekim.” Ai preferonte poashtu, që Shqipëria e Re të botojë edhe artikuj në gjuhën frenge, dhe kjo vërehet, që nga ky numër. Në kuadrin e shënimit Një dhuratë e çmuar, bëhet fjalë për gjestet filantropike të patriotit të mirënjohur Hristaq Tarpo, mik dhe përkrahës i çdo lëvizjeje kombëtare që bëhet në gjirin e komunitetit të këtushëm shqiptar. Për dhomën që vu në disponim për aktivitetet e shqiptarëve, si dhe për gjestet e tjera fisnike që ka bërë ky atdhetar, artikullshkruesi, në emër të komunitetit, i uron “jetë të gjatë e plot shëndet për të mirën e shqiptarismës.”

Një atdhetar i dëshmuar shqiptar: Mihail S. Xoxe

Një kontribut të denjë, për mbarëvajtjen e atdhedashurisë shqiptare në Rumani, ka dhënë edhe gazetari Mihail Sotir Xoxe. Ishte drejtor i Shqipërisë së Re (që nga 7 janari i vitit 1923), e vetmja gazetë e diasporës shqiptare, që doli 16 vjet rregullisht, pa e krahasuar me Diellin, e cila kishte pas krahëve Federatën e madhe “Vatra”, e cila në çdo nevojë, i hapte qesen. Aq i drejtë dhe aq i sinqertë ishte pronari i Shqipërisë së Re të Konstancës, Mihail S. Xoxe, saqë në njërin nga numrat e saj, merr e i drejton një letër të hapur Asdrenit, në të cilën e qorton, për vërejtjet që ia kishte bërë kohë më parë kësaj gazete, edhepse Shqipëria e Re do të botojë më vonë faqe të panumërta për Asdrenin dhe vlerat e tij. Po e ribotojmë fragmentarisht, sa për të vërejtur shpirtin polemik të asaj kohe: “Z. Aleks Drenova (Asdren), Sekretar i Kollonisë së Bukureshtit, punon kundër gazetës dyke thënë se nuku është serioze. Po e vërtetë është që je kundër kësaj gazete se nuku të pëlqen një tjetër njeri të të dalë përpara. Megjith(ë) lutjet tona, nuku ke shkruar në kjo gazetë, dyke gjetur për shkak se bëhen gabime. Po mos haro se ato shkrime që pate shkruar, na i dërgove dhe u botuan. Të tjera nuk na dërgove, jo nga gabimet po nga tembellëku që të ka zënë. Na thuaj të lutem që më 1914 gjer më sot, në cila gazetë kini shkruarë dhe çfar gjë tjetër kini bërë zotëria juaj?…Zotëni! Nuk doni të çani kokën. Nuk u pëlqen një tjetër të dalë këtu në Rumani më lart se ju (…). U kërkuam kaqë herë të na jepni ca drejtime prej atyre që marrin pasaporta. Na u përgjigjtë që nuku kini nge. U lutmë, që atyre që marrin pasaporta t’u propononi në duan të marin gazetën dhe përgjigja ishte, që nuku kini nge. U dërguam libra për t’i dhënë,  (po) prapë nuku çani kokën, se nuku kini nge.”(27 Nëntër 1921).

12 vjet më vonë (1933), po përmes kësaj gazete, në kuadrin e artikullit polemik Hyqymeti i Tiranës dhe Shqiptarët e Rumanisë, Mihail Xoxe vë në thumb të satirës qeverinë e Tiranës, “në ballë të së cilës qëndron një sakat nga mëndja si Pandeli Evangjeli, (që) ka një urrejtje të pashoqe për Shqiptarët e Rumanisë. Kjo urrejtje ka rrënjë aq të thella, në shpirtërat e zinj të atyre që kanë zaptuar sot Shqipërinë, saqë përpiqen t’i humbasin. Përpara pak kohë, një farë zyrtari, përfaqsues memec i hyqymetit të klikës, ka thënë se për Shqipërinë do të jetë një lumturi e madhe sikur mos të ekzistonte asnjë Shqipëtar në Rumani, sepse këta janë rebela dhe i prishin punë qeverisë. Të mos çuditet as njeri sepse rebelët e atjeshmë i quajnë rebelë patriotët e vjetër që kanë punuar për Shqipëri një jetë të tërë.”

Patriot i patrembur që i fshikullonte veglat e qeverisë

Një patriot i patrembur shqiptar që i fshikullonte veglat e qeverisë, ishte edhe Mihail S. Xoxe. Ja se ç’shkruan në kuadrin e artikullit Petro Goxhamani u thirr në Tiranë, që e botoi Shqipëria e Re, më 22 shkurt të vitit 1934: “Kemi marrë vesh prej shumë kohë se kini thirrur nga Bukureshti, spiunin e njohur Petro Goxhamani, që t’ju japë lajme për lëvizjen e shqiptarëve të jashtëm kundër gjendjes së sotme në Shqipëri. Me anën e kësaj, ne do përpiqemi t’u rekomandojmë Petro Goxhamanin siç e njohim ne të Rumanisë prej shumë vjet që kur rrojmë në këtë vënt. Goxhamani është një njeri që nuku ka pasur kurrë donjë herë punë e ka rojtur vetëm me hafijellëk e me intriga, duke gënjyer njerin e tjatrin dhe shumë kohë ka qenë në shërbim të shumë shtetevet të huaja si hafije, duke çpifur e duke gënjyerë ata që e mbesojnë që të nxjerrë para për të rojtur. Tërë Shqiptarët e Bukureshtit e të gjithë Rumanisë e njohin si hafije edhe nukë gjendet as një që të mos dijë se cili është ky, jo vetëm si hafije po edhe nga morali, dhe as një nukë e qas në shtëpi e në familje. Të këtillë njerëz ka zgjedhur i mjeri shtet si atashat shtypi në Rumani. Përveç intrigës e hafijellëkut, ky njeri nuk ka haber të bëjë asgjë të mirë, dhe merr më kot rrogën që i jep shteti. Tërë kohën gjendet në kafene a në lokale të tjera e çpif intriga e ngjarje që të tregohet se punon e se meriton të marë të hollat që i jep shteti. Si atashat i shtypit të Shqipërisë, kurë donjë herë nukë ka shkrojtur as një fjalë për Shqipërinë, se nukë është i zoti të nisë e të mbarojë një artikull gazete, e prandaj këtu në Rumani Shqipëria është fare pakëz e njojtur. Ne e bëjmë detyrën t’u rëfejmë cili është ky Goxhamani e cila është gjendja e tij  këtu, që ta dini të ruani arkën e Shtetit nga ky njeri. Puna më e mirë që muntni të bëni është që me të hollat që mirrte ay të merrni me qira një a dy oda për Konzullatën shqiptare të Bukureshtit, gjë e cila mund t’i bëjë shtetit njëqind herë shërbime më tepër se Petro Goxhamani.”

Artikulli, që e prezentuam fragmentarisht, del në faqen e parë, në emër të redaksisë. Nga shënimi Poshtë maska, që boton në numrin e ardhshëm Shqipëria e Re, del se autor i këtij teksti polemik, është vetë pronari i gazetës: Mihail S. Xoxe. Nuk është lehtë të deshifrosh dhe demaskosh në shtyp, në një vend të huaj, një spiun shqiptar. Shqiptari i patrembur i Negovanit, e bën këtë me takt, me mençuri dhe atdhedashurri: “Kaqe për tani! Në numurin e arthmë, të tjera akte më senzacionale për Musa Jukën, klyshin Bubanë dhe spiunin Petro Goxhamanë”, përfundon autori. Nga një bisedë që kemi patur me gruan e ish/ambasadorit të Shqipërisë në këtë vend, zonja Elena Pema theksonte faktin se edhe dijetari i famshëm, Nikolla Jorga, dyshonte se Goxhamani ishte spiun i disa qeverive. Këtë e argumentonte Jorga, në bazë të asaj që kish dëgjuar, duke e deshifruar madje, edhe portretin psikoanalitik të tij. Dyshimet e këtilla për një shqiptar të shitur, refletohen edhe në kuadrin e artikullit Suflet de kërpa murdara (Shpirt prej lecke të ndotur), që e pat botuar rumanisht, Shqipëria e Re e Konstancës, në numrin 560.

Ëndërronte për një Shqipëri Reale, pa bejlerë e agallarë

“Më kot lehnim para ca vitesh, kundër atyre që e përqafuan komunizmin si rrugë e vetme për të shpëtuar nga bejlerët dhe agallarët, gjakpirësit e kombit shqiptar.” Kështu shprehet një shqiptar i këtushëm. Është e drejtë e tij, ta mbështesë njërën, apo tjetrën ideologji. Në numrin 555, Mihail Xoxe i drejton një letër të hapur Viktor Eftimiut, ndërsa në nr. 561, përmes artikullit Për të përparuar Kombi ynë, duhet çrrënjosur regjimi, publicisti M. Xoxe inkuadrohet në rradhën e shqiptarëve të Rumanisë, që për ideal kombëtar kishin çlirimin e atdheut nga zgjedha e monarkisë. Koha ishte e tillë, dhe atdhetarizmi i tyre mbështetej mbi do ideale të larta për përparimin e shqiptarëve përmes botëkuptimeve të demokracisë sociale. Nga ana e zotit Thanas K. Rëmbeci, donator i fotografisë me antizogistët e Bukureshtit, kuptojmë se përveç Mihail S. Xoxes, pjesëbërës të këtij grupi ishin edhe inzhenier Akil Eftimiu, Dhimtër Kristo Rëmbeci, Themistokli Duro, Kostë Boshnjaku dhe avokati Jon Mihail Lehova, drejtor i gazetës Atdheu. Emri i Mihail Xoxes figuron edhe në numrin 572 të Shqipërisë së Re, që doli me rastin e Ditës së Flamurit: “Dita e Independencës, 28 Nëntori, do të jetë një ditë krejt e lumtur vetëm atëhere kur regjimi i sotmë uzurpator dhe rrëmbenjës i lirsë, do të bjerë dhe do të lajë gjynahet që i meriton.”

Publicistika e tij siç shihet, ka karakter të angazhuar. Kjo vërehet edhe në kuadrin e artikullit Memeci i Zyrës së Shtypit në Bukuresht, përmes të cilit, përsëri e demaskon figurën e shëmtuar të Petro Goxhamanit, të cilin e konsideron si “parazit që ushqehet nga buxheti anemik i Shqipërisë.” Shqiptari i ndershëm i Negovanit kërkon që përfaqsuesi për shtyp i Shqipërisë në një vend të huaj,  “parasëgjithash duhet të jetë inteligjent dhe me kulturë të zgjedhur, me karakter, moral dhe seriozitet, cilësira këto që e bëjnë të zotin të mbajë marrëdhënie të afërme me gazetat dhe gazetarët.” (Shqipëria e Re, nr. 573/1935). Goxhamani përmes djallëzisë së tij informative, do ta ndërlidhë Ministrinë e Jashtme të Rumanisë me atë të Shqipërisë, për të bërë kobin më të madh në historinë e publicistikës shqiptare: ndërprerjen e botimit të Shqipërisë së Re, në bazë të rekomandimeve zyrtare që ia bëri Tirana zyrtare, Bukureshtit zyrtar. Numri i fundit të saj (575), doli më 25 janar të vitit 1935.

Atdhedashuria e Mihail Xoxes dëshmohet me aktivitete të shumta, ndër të cilat edhe ato të editurës Albania. Në kuadrin e shtypshkronjës së tij, janë botuar mijëra ekzemplarë të librave shqipe. Nga nr. 574, i Shqipërisë së Re, kuptojmë se “Libri “Proverbe albaneze” (Fjalë të urta shqiptare), u shtyp në tipografinë Albania të “Shqipërisë së Re”, me shpenzimet e zotërinjve Mihail S. Xoxe dhe Anastas Xoxe. Për këtë vepër patriotike, meritojnë gjithë lëvdatat.” Kjo broshurë e Dhimitër Paskut ka 33 faqe, me një parathënie të profesorit universitar, dr. Camil. Mureshanu, Laureat i Akademisë Rumune. Parathënien e ka shkruar në Konstancë, më 8 Nëntor të  vitit 1934. Ja si i përshkruan një shkencëtar i huaj, kontributet e një shqiptari fisnik: “Kujt t’i falënderojmë më parë? Do fillojmë me të parin ndër të barabartët, pra me Mihail Sotir Xoxen, tipograf, gazetar dhe njeri i një energje mirëbërëse. Dhe si një kurorëzim, ç’prej moti, mik i mirë dhe i devotshëm i atdheut tonë. Poashtu do të përkujtojmë përjetë madhështinë e zotit Anastas Xoxe, që ka dhuruar letrën e nevojshme për ta botuar në pesëmijë ekzemplarë “Proverb albaneze”. Ja pra një fakt kulturor që meriton të njihet në krejt vendin! Shembujt shëmbëllejnë. Ja se çfarë shembulli të dhembshëm shpirtëror, na japin zotërinjtë: Mihail Sotir (Xoxe), Anastas Xoxe dhe dr. Dhimitër Pasku (Mitrush Kuteli). Ne u mbetemi përjetë borxhlinj.”



(Vota: 49 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx