Faleminderit
Traboini-Lushaj: In Memoriam - Toninit tonë të dashur
E hene, 29.04.2013, 07:06 PM
Tonin Shtjefnit - In Memoriam -
TONINIT TONË TË DASHUR
-Tonin Shtjefni, me profesion gazetar, ka lindur ne vitin 1949 dhe ka ndrruar jete ne vitin 2009. Pas mbarimit te studimeve universitare per gazetari ka punuar ne organe te shtypit, gazeta "Studenti" gazeta "Zeri i Rinise", Revista " Ylli". Mjaft vite ka qene punonjes aparati, ndersa mbas vendosjes se demokracise eshte ngarkuar me detyren e shefit te zyres se shtypit ne Kuvendin Popullor e pas kesaj drejtor i Bibliotekes se Universitetit Politeknik te Tiranes. Ka botuar shtate libra, poezi, publicistike dhe dy novela.-
Nga: Traboini-Lushaj
REQUIEM PËR
HESHTJEN…
”Ku shkove kështu, cilat zemra të mbuluan e më nuk të pamë, si një dashuri mes dashurive në qiej të hapur, ikën e ikën e asnjë fjale s’të thamë.”
Nga Kolec Traboini
Në rininë tonë në
Shkodër, Tonin Shtjefni konsiderohej si një nga poetët e rinj më të talentuar
dhe me një të ardhme të padyshimtë. Ishte një lirik i spikatur dhe ne
fillestarët në fushë të letrave e ndiqnim me admirim krijimtarinë e poetin të
ri gjimnazist. Në atë kohe në Shkodër shkruanin autorë tashmë të njohur
Frederik Reshpja, Aleksandër Gera, Fadil Kraja, si dhe disa të tjerë që
nomenklatura i imponoi përdhunshëm, por u harruan shpejt.
Nga autorët
fillestarë binin në sy grupi i Profesor Hasan Lekaj, i cili drejtonte rrethin e
letrarëve të rinj para e pas vitit 1970, ndër të cilët ishin Tonin Shtjefni,
Alfred Çapaliku, Riza Lahi, Fluturak Gërmënji, Mehmet Gucia e tjerë. Binte në
sy dhe studenti i Institutit të Lartë Petagogjik Dodë Kaçaj, që bëri karrierë
në politikë, u zgjodh deputet demokrat, ndërroj jetë në moshë relativisht të re
dhe një shkollë në Malësi të Madhe mban emrin e këtij mësuesi e poeti.
Siç kishim të
njëjtin pasion për letërsinë, rasti e solli që të studionim në të njëjtin
fakultet, atë të gazetarisë, në Universitetin e Tiranës. Pas librit per femije
“Endrra të këputura” do te botonte dy vellime publicistike. Tonin Shtjefni
krahas studimeve do të bënte punën e kryeredaktorit të gazetës universitare
"Studenti". Mbas mbarimit të studimeve do të punonte në disa organe
shtypi si "Zëri i Rinisë" dhe revista “Ylli" dhe më pas mjaft
vite si punonjës aparati. Gjatë kësaj kohe boton edhe dy libra të cilat nuk i
takojnë sferës së letërsisë artistike.
Në vitet të
demokracisë, kur ishte me detyrën e drejtuesit të Bibliotekës së Universitetit
Politeknik të Tiranës, tashmë me fytyrë të kthyer nga letërsia, botoi dy
librat: "Krishti e ka fajin", impresione personale, 2003; si dhe
vëllimin me esè në vargje "Filozofia e jetës".
Të dy këto botime
me sasi faqesh modeste, por me mendime të thella reflektive, spikasin si
arritjet më të mira në krijimtarinë e Tonin Shtjefnit. Ndersa “Shtegtarët e
Velushit” dhe “Pallati i miqësisë”, të botuar në 2007, ishin punime të viteve
`80, ndoshta për këtë, nuk shënojnë arritje përkundër dy titujve që cituam.,
Në librin
"Krishti e ka fajin" ka vëzhgime të imta të ngjarjeve të vitit 1990
dhe më pas, në ato mjedise ku ai ishte dëshmitar autentik. Si leitmotiv ka vënë
vargjet sinjifikative: "Pse ngecëm në mes të ferrave/ ku jemi /na ndihmo o
Zot, na ndihmo Shën Mëri. /Ja kryqin e ngritëm të lodhur, të djersitur /por
robër të mëkatit mbetëm përsëri."
Që në krye të
librit "Filozofia e jetës" Tonini Shtjefni shkruan, "…Vendosa ta
botoj këtë libër i shtyrë jo vetëm nga malli për vitet e largëta, atëherë kur
mendoja se poezia ishte gjithçka....".
"Kam parë yjet
që binin nëpër qiejt e Europës/kam kujtuar shumë gjëra/dhe kam harruar shumë/
nëpër këtë lotim qiejsh kam kërkuar vetveten/dhe kam thirrur me forcë:/
Në faqet e librit
gjen vargje të goditura që të vënë ndër mendime:
“Ne dëshmitarët e
kësaj bote çdo të kujtojmë nesër? / Nesër, kur bota më e bukur do të jetë/do i
themi njeri-tjetrit/si në një marrëveshje të heshtur/rob të kujt ishim/dhe rob
të kujt kemi mbetë.”
Dhe ja një fund i
trishtë, i rënduar tej mase në një ecje të autorit që meditonte në të gjallë
për fatin e të shuarve, shpesh herë të harruarve:
“Unë ecja në
trotuar/sipër kokës sime degët e thata kërcitën dhe ranë/unë i shkela me
këmbë/por ato sikur pëshpëritën./ Kështu vitet e tua kanë filluar të thyhen/dhe
kur ti të biesh i gjithë përtokë/dikush mbi to do të ecë rëndë-rëndë.”
Nuk e dimë se cilat
ishin shkaqet e brendshme që e shtynë autorin në konkluzionin se “në rini
mendohet se poezia është gjithçka”, apo kur shkruan: “Në këtë shekull
erdha/asnjë gjurmë për të mos lënë/në mes të miliona anonimëve për të mbet
anonim/fletoren e bardhë e mbylla/ për ta dorëzuar ashtu/me fletë të bardha, pa
asnjë shënim./Ndonëse gjysma ëndërr më thoshte / shkruaj diçka/gjysma tjetër më
thërriste “JO””.
Ishte kohë
antipoetike. Tonin Shtjefni e dinte këtë më mirë se kushdo, sepse koha në
invers, aty nën hijen e Piramidës, i vuri talentet të hartonin raporte,
analiza, të shkruanin për një dritë që nuk shihej kurrkund, vetëm në kokën e
ideologëve të demagogjisë. Ja si e shtjellon më tej mendimet e dilemat e tij
tek “Filozofia e jetës”: “Ndonëse kisha shumë gjëra për të thënë/si në një morg
të rëndë/unë vetëm heshta/gjersa në një mëngjes si somnambul/ në trotuar, mes
njerëzve/veten gjeta./ Po qenka shumë vonë /më kuptoni miq më ndjeni shokë/gjysëm
zgjuar, gjysëm ëndërr/ përsëri do të vazhdoj të endem nëpër botë.”
Poezia në të
vërtetë është gjithçka, por ajo kërkon hapësira lirie, është e vërteta më pranë
diellit, në kuptimin e artit të arteve, gjithdimensionale, që shkruhet e
pëlqehet pa dallim moshe apo profesioni, poezia është gjithëçka për ata që i
përkushtohen asaj dhe nëse i jep poezisë shumëçka nga jeta jote, ajo ta kthen
madhërisht përkushtimin.
Ndoshta kthimi i
vonuar i Tonin Shtjefnit përkah poezia ka qenë një pendim i thellë, një dramë
personale për pasionin e harruar të rinisë, të cilën nëpër vite si punonjës i
një strukturë hijerëndë
Sa e vërtetë është
kjo e thotë vetë poeti në vargjet e tij si testament poetik: “Ju të gjithë më
shikoni të çuditur,/ku shkon ky nëpër muzg,/nëpër natë,/pa e ditur se ç’bren e
ç’gërryen një njeri, /memecllëku i gjatë.”
Drama e mospohimit
të vetvetes ka peshën e saj emocionale në mesazhin poetik të Tonin Shtjefnit.
Ajo është e vërteta e dhembshme që na bën ta sjellim në kujtesë si një autor
premtues që e bëri harakiri talentin e tij apo se ndoshta nënvleftësoi vetveten
si letrar, se harroi nëpër vite se veprat krijuese janë jeta e dytë e njeriut
në art. Kryekreje ky autor përjetoi një dramë, të cilën e mbarti tërë jetën me
vete dhe që tashmë kthehet në një mesazh të krijimtarisë së tij.
Të gjitha harrohen,
edhe ato të cilat i konsiderojmë aq të qenësishme në jetën tonë, por ato pak
çfarë shkroi me dashuri e dhembje një autor, i kujtojmë dhe i rilexojmë me
endje edhe atëherë kur emri i tij të jetë kthyer në një kujtim.
Ikja e Tonin Shtjefnit kaloi në heshtje. Nuk lexuam kurrkund dy fjalë për këtë autor kur në kryeqytetin tonë dalin vandakë gazetash e revistash e ku shkruhen marrëzira të pafund, perversitete politike, llafeollogji mjerane dhe servilizëm i shpifur partiak, ndaj dhe e shohim me vend ta mbyllim këtë Requiem për një mik të rinisë, një talent që heshti pa arritur të thoshte deri në fund fjalën e vet, t`i drejtohemi pra Tonin Shtjefnit me vargjet që ai vetë shkroi nga fundi i jetës : ”Ku shkove kështu?/Cilat zemra të mbuluan e më nuk të pamë?!/ Si një dashuri mes dashurive në qiej të hapur /ikën e ikën e asnjë fjalë s’të thamë.”
-Tiranë 2010 -
-------------------
MBUROJË SPARTANE
-Shokut dhe kolegut tim, (të ndjerit),poetit Tonin Shtjefni- (Pastmortum, 2010)
Nga Zeqir Lushaj
…!
Me erdhi fjala
jote,
Thuej Zeqos:
-Eja e më tako!!
Këmbët, merrnin
rrugën,
Zemra thoshte:
-Ku po shko?!
…!
Nuk erdha Tonin,
Miku im i mirë i
rinisë,
Të të shihja në
çastet e fundit,
Në rrugën pa kthim
ku ishe nisë!
Mos më qorto,
O Tonçe Shkodrani,
Prap , bashkë do të
jemi,
Prap, bashkë do të
rrimë,
Si në radhën e
qumshtit,
(Në kohën e
Tufzimit),
Tek dera e
varrezave,
Rradhën presim që
të hyjmë!
…!
Në shenj
autokritike ndaj teje,
Në të gjallë tim po
të nisi letër,
Ta mbajë si mburojë
spartane,
Ndaj “sulmeve” në
botën tjetër.
./.
FILOZOFIA E JETËS
Nga
Tonin Shtjefni
Tonin
Shtjefni në kohën e studimeve universitare
Me këmbët e
zbathura në rrathët e ferrit,
ecim dhe mundohemi
këtë shteg të
kalojmë,
duke shtyrë
njeri-tjetrin,
ne të burgosurit e
lirisë në mëkatin tonë.
Jemi të gjithë
këtu, me nga një kryq mbi supe,
duke u përgjakur
mbi ferrat ku ecim,
duam të bindim
vetveten se jemi të ndershëm,
Por ç’do të thotë
ndershmëri,
pyesim dhe heshtim.
Përse ngecem këtu
në mes të ferrave,
ku jemi,
na ndihmo Zot na
ndihmo Shën Mëri,
Ja kryqin e ngritëm
të lodhur, të djersitur,
por robër të
mëkatit mbetëm përsëri.
Në këtë shteg të
lodhshëm po na zë nata,
ditët po i presim
në këtë shteg me rradhë,
duke urryer
njeri-tjetrin,
duke e rrëzuar
njeri-tjetrin,
njeri-tjetrin duke
pështyrë dhe sharë.
* * *
Dje ishte një ditë
me diell,
por kopshti i
mendimeve kishte ngrirë nga ngrica,
unë shkela në
truadhin që kërciste mjerueshëm,
shkela përdhunshëm,
dhe përdhunshëm
ika.
Mu dhimbs kopshti
im që e lashë në të ftohtë,
ktheva kokën dhe e
pashë përsëri,
i bindur se një
ditë prap këtu do të kthehem
kur të vijë
pranvera e ngrica të shkrijë.
* * *
Një kalë trokon
nëpër heshtjen time,
trokon,trokon e
ikën papushim,
sa larg ai qënka,
sa kohë paska
shkuar,
sa kohë paska
shkuar,
duke trokuar në
ditët pa kthim.
Ky kalë i vetmuar
qënkam unë vetë,
i lodhur, i
djersitur,
nëpër diell e shi,
njerëzit kthejnë
kokën dhe I thonë njeri-tjetrit,
nga vjen e ku shkon
ky kalë në vetmi.
Tonin Shtjefni,
fragment nga libri “Filozofia e jetës”,
Enti botues “Gjergj
Fishta” 2003
-----------
Drejtues
i Bibliotekës së Universitetit Politeknik të Tiranës.
----------------------
-Ky botim në shenj kujtimi per mikun, shokun e kolegun tonë të paharruar Tonin Shtjefni-
-Nga Kolec Traboini e Zeqir Lushaj-
(Si montazh trio, ekskluziv per ZSh-në, Prill 2013)