E merkure, 07.05.2025, 05:05 AM (GMT+1)

Faleminderit

Pjeter Logoreci: Zweig, Chaplin dhe Kafka për Moisiun

E shtune, 06.04.2013, 05:42 PM


Stefan Zweig, Charlie Chaplin dhe Franc Kafka për Aleksander Moisiun

Nga Pjeter Logoreci

Shumë vite më parë, si tashti, në mesin e marsit të vitit 1935, në sanatoriumin Cottage të Vjenës, i semurë rëndë, Aleksander Moisiu luftonte me vdekjen. Lajmi i vdekjes së tij me 22 Mars, tronditi  jo vetëm familjen e miqtë, por të gjithë opinionin dhe publikun artëdashës botëror. Arti skenik humbi përfaqesuesin më në zë të kohës. Bota akademike, letrare e kulturore pat një reagim të menjëhershëm. Shtypi i gjithë vendeve të zhvilluara të botës, ku ai me talentin e tij kishte lënë gjurmë të pashlyeshme, pasqyroj shumë lajme, komente apo intervista me personalitete të spikatura botërore që e kishin njohur apo ndjekur Moisiun. Dëshëroj të sjell këtu për lexuesin shqiptare , FJALIMIN – HOMAZH, të shkrimtarit të madh Stefan Zweig i cili ishte mik dhe bashkëpunetor i ngushtë i aktorit  Aleksander Moisi. Këtë homazh ai e mbajti ditën e varrimit të tij dhe disa ditë më pas, në universitetin e Milanos.

Duke mos qënë përkthyes nga profesioni, jam përpjekur ti jap këtij Homazhi sensin dhe kuptimin e duhur emocional, duke u munduar të mos ndikohem nga emocionet përsonale për humbjen e këtij gjigandi të skenës, të këtij bashkëatdhetari të vyer, i cili me personalitetin e tij, bëri të njohur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Homazh: Ndarja dhe lamtumira e fundit nga Aleksandër Moisiu

Fjala e mbajtur nga Stefan Zweig në  universitetin e Milanos me 5.6.1935

N? fillim të këtij qindvjecari kumboj në skenën e teatrit gjerman për herë te parë zëri  i një aktorit të ri, krejt të panjohur. Kishe kënaqesi ta degjoje. Ishte një zë i ri, në kuptimin, ndryshe prej të tjerve, një ton me një embëlsi të panjohur deri atëherë, që sa e ndigjoje, nuk mund ta harroje më, apo  ta ngatrroje me zera të tjerë. Ishte shumë me harmonik, me i butë, më melodioz se të gjithë zërat e aktoreve gjerman, një zë i artë, një ton i ngrohtë e vibrues ndihej në atë zë, sikur të ishte flladi i ngrohtë i jugut që fryn mbi male, ...e ne, ne dallojshim dicka italiane në të, si këngët  e mrekullueshme të tyre. Po aq melodioz e plot harmoni si zëri, ishte  dhe trupi ti tij,  i lehtë dhe i zhdervjellët, me hirin e një fëmije, por me fuqinë e një luftëtari. Ishte një mrekulli të shikoje  këtë burrë të ri, i cili në të gjitha transformimet e rolet e shumta,  mbeti i njëjtë në magjinë e tij, në pjesën e padronit apo të shërbëtorit, të  kontit e po ashtu të një mëkatari dhe në më të bukurin e më të këndëshmin rol, atë të dashnorit. Këtu zëri i tij shëndrrohej në muzikë, i gjithë trupi i tij përcillte një ëmbelsi, dhe po ti hidhje një shikim dalloje menjëherë mëndyrën e të folurit me plastikën e gjestikën karakteristike italiane...pasqyrë e fjalëve që do fliste më pas. E kush mund ti rezistonte kësaj? Një gjeneracjon i tërë e ka dashur atë,  “dashnorin e pakrahasueshem” i cili nëpërmes  zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman... Por në këtë trup të brishtë fëmijnor, përpëlitej një shpirt i trazuar e rebel, në këtë kokë të bukur si ajo e grekërve të lashtë, digjej një shpirt i zgjuar dhe lakmues...Bota e madhe dhe e ëmbël e ndjenjave mbrenda këtij artisti, duke luajtur gjithmonë vetëm dashnorin apo të riun e dëshiruar, ndihej shumë e ndrydhur e kerkonte hapsirë; një etje e madhe që kërkonte të zbulonte të fshehtat e thella  të jetës, e pushtonte atë. Ishte deshira e tij të shndërrohej në heronjë që vuajnë e që kuriozohen me pyetje  të ethëshme, në guximtar fuqiplotë, nuk donte që të mbetej vetëm Romeo edhe pse e luajti atë në njëmijë forma, i riu i përjetshëm, por donte të ishte edhe Fausti- i sëmuri ëndërrues, edhe Mephistopheli - mohuesi i përjetshëm, dhe Edipi- luftëtari kundër fatkeqësive të mbinatyrshme, dhe  Hamleti- i papërgjegjëshem, peng  i mendimeve të tija , ....një shpirt që digjet e që askush tjetër si ai nuk mund të jetë, shpirt  që nuk mund ta mbyllesh në hapsirën e ngushtë të një “sirtari”(si thuhet në zhargonin e teatrit), ai donte të depërtoje tek  njerzit me të gjitha mënyrat e shpirtit krijues, për tu ndjerë gjithmonë në naltësitë e ndjenjave. Cdo formë krijese tokësore, në të cilën ai gjente hapsirë, e zhvillonte në mëndyrë njerzore deri në atë kufi, sa arrinte të prekte dicka hyjnore, ...e kjo e tërhiqte atë, jo heronjtë klasikë të ngrirë në armaturat e luftës, por heronjtë e vuajtjes ishin qëllimi i tij . Si të gjithë ne artistët, ashtu edhe ju (artdashësit), nuk do të arrini të harroni se si luajti ai personazhin e  Fedjas tek Kufoma e Gjallë, rolin e tij më të dashur, të një njeriut të rrenuar e të mbytur nga pesha  e fajit te tij, por edhe të vetëdiejshëm ndaj tij, që e bënte ta pohonte atë, që ajo me e kushtueshmja,  pastërtia tek një njeri, është qëndresa e tij, që fatkeqësia që bie,  në vend që ta zhdukë njeriun, e pastron atë nga të këqijat tokësore, që të mbijetojë pastaj i pastër e i lirë nga mëkati .

 

Foto 1: Faksimile nga fjala e shkrimtarit të madh Stefan Zweig, homazh për vdekjen e Moisiut

Thellësia e karakterit njerzor e tërhiqte ate përherë e më shumë në mbrendësitë e enigmes së saj,  në labirinthet e cmendura të shpirtërave mëkatar,  që ai kishte knaqësi ti nxirrte në pah, të tregonte se si një njëri ringjallej përsëri nga rrenojat e jetës së tij. Dëshira për të zbuluar fshehtësitë e shpirtrave të hutuar ishte pikësynimi i Moisiut, sepse edhe ai vetë ishte një shpirt i tillë i komplikuar. Ky problem e trazonte atë përmbrenda, e kush pat fatin ta njohë atë nga afër, e din mirë që kjo temë shpirtërore ishte kënaqësia më e madhe për te, e ku ai përfshihej në diskutime të  zjarrta. ....Oh, netë të gjata  pa gjumë:..... ku shkoj kujtimi  juaj...., kur uleshim me te, e përjetonim kënaqësi të papërshkruara, kur ai shpërthente në diskutime shpirtërore e morale? Si digjej ai  nga pasioni i këtyre bisedave, si arrinte të përmbahej nga shpërthimet e tij, sa me elegancë dhe e zhdërvjelltësi,  si vringëllimat e shpatave në një ndeshje floreti kryqëzoheshin argumentet, mëndyra harmonike  se si ai futej  në diskutim, forca e shpirtit të tij, gjithshka.... e tija..., ishin kënaqësia më e madhe e thellësive shpirtërore e njerzore të këtij gjeniu të teatrit. Ai ishte gjithnjë i angazhuar në punë dhe asnjëherë nuk u mburr për  famën e tij, ai “jetonte pa pasqyrë”, ai nuk futej pompoz dhe “i ndritshëm” në shoqëri, dhe sallonet më në zë të qyteteve të famëshme europiane, kureshtarët e thashethemegjinjtë e tyre, nuk arritën kurrë “ta shohin”.  Kontaktet me poetë, muzikantë, e kolegë artistë, ishin nxitje që ai  të realizonte nevojat e tija shpirtërore duke mbledhur eksperianca të reja nga realiteti e duke i vënë më vonë në jetën e tij private e profesionale. Drama e tij për Napoleonin ishte një sprovë e kësaj eksperience, dhe kush, ...kush tjetër (kam të drejtën të pyes) nga aktrorët e njohur të ditëve tona, ka arritur ti afrohet botës krijuese të shkrimtarit, sa ai me këtë vepër? Ai kishte arritë të njohë mirë të fshehten e teatrit, duke mos lakmuar botët e tjera, atë të së qenit “ e verteta”, jo vetëm për rolin që vjen pas, por të vërtetën dramatike e të përbideshme të jetës në kohën e sotme, e kjo e ngaconte pasionin e tij. Sa më shumë që ai ishte pjesë e kësaj, aq më i ndjeshëm bëhej, asgjë nuk ishte më e panjohur apo e vështirë për te, e kjo ishte rruga e drejtë për atë që u bë aktori me universal e më i besueshëm i kohës tonë, i mvarun prej askujt, por i lidhur me të gjithë – Proteus, zoti i ndryshimit të përjetshëm e që gjithmonë mbeti me pamjen e Zotave. Por kjo tashma është e kaluar. E kaluar ...., një fjalë e pakuptueshme,  thuhet diku tek Fausti. E me të vërtetë, nuk mund të besohet që dicka që ishte pjesë e botës sonë të brendëshme, në njëmijë forma, cka ishte figura artistike kryesore në sytë tonë, muzika e veshve tonë, që na emocionon akoma e që ishte ushqim i ndjenjave tona, duhet ta pranojmë si e “ kaluar”, ...që “cfarë nuk është e pranishme” nuk përjetohet më.  Si mund ta pranojmë që ne  therrasim Moissi - duke menduar të gjallin,  e nuk marrim më përgjigje, nuk dëgjojmë më frymëmarrjen e tij, nuk shohim më shkëlqimin e tij. ....Jo, mos ta mendojmë më atë që nuk mundemi ta pranojmë, që ai nuk është më në mesin tonë, por të mendojmë që nuk harrohet, që vetëm prezenca e tij nuk është, ...të kthehemi  në mbrëmjet e kohës së rinisë, të mbyllim sytë që të kërkojmë në mbrendësinë e qenies tonë muzikën e zërit të tij, të shikojmë me syrin e mendjes levizjet dhe gjestiken e tij të paharrushme, të ngjitemi me hov mbas skene ta perqafojmë apo ti shtërngojmë dorën, që të ndjejmë ngrohtesinë e dorës së tij që ai nuk e kursej për njerzit, sepse ishte njeri me zemër të madhe, që arriti të dëpertojë në shpirtrat e miliona njerzve. Të kujtojmë atë që smund të pergjigjet më..., talentin e tij, njeriun e mirë e  shpirtin e paepur  që u bë mësim për ne, e unë mendoj se nuk ka tjetër deshirë te njerzit, vecse të mësojnë nga ai,  atë cka tek ai njerzore ishte. Ai që na e solli këtë Art të shenjtë qoftë i bekuar, e kush mundohet për ta mësuar atë qoftë i mirëpritur. Në personin e tij, ne artistët  dhe ju që e doni teatrin, kemi humbur një artist të pashoq e të mrekullueshem. Kujtdo i  lind vetëvetiu pyetja, cka ishte Aleksandër Moisiu në taban? Cka ndjehej ai, një gjerman apo një italian? ....JO, të dyja kto nacionalitete bashkë nuk mjaftojnë ta percaktosh madhështinë e tij. Në SHPIRTIN e një artistit të madh si ai, jetonin shumë shpirtëra, në shkallën më të persosur e që pershtateshin me të gjithë. Kush ka arritur këtë naltësi shpirtërore nuk i perket me një kombi, por gjithë botës. Një shpirt i tillë është Aleksandri jonë. Ai perjetonte në mijëra jetë njerzore jetën e tij. Ai ishte një grek si Sofokliu, një anglez si Shekspeare, një gjerman si Goethe, një Hauptaman e Hofmansthal, një rus si Tolstoi dhe Dostojewskij, një italian si D´Annunzio e Pirandelo, ai ishte interpretuesi i “JEDERMANN-it” (cdo njeriut), i   “Everyman-it”, i  “Ognuno-os”, artisti me kombësi botërore, një qënie  tokësore që ka kapur qiellin (perenditë), ai që personifikoj jo thjeshtë artistin e skenës, por artistin shumëngjyrash (në kuptimin social). Ai erdhi nga një botë hyjnore dhe u kthye në botën heronjëve. Ishte fat i perbashkët që jetoj në mesin tonë sikurse është e perbashkët dhimbja që nuk është më ne mes nesh. Me ndjenjë vëllazerore perjeton cdo njëri nga ne këtë orë të veshtirë. Ti drejtojmë në heshtje atij nga shpirti jonë falenderime, të perjetojmë në heshtje kujtimin e zërit të tij, të mundohemi me një perpjekje shpirtërore të  ndjejmë figurën e tij të dashur, sejcili nga ne në ndergjegjen e tij. E kështu  nuk është i vetmuar në vdekjen e tij, nuk është i zhdukur, por si një mik i dashur është kurdo në mesin tonë, artisti i madh që dheu i tokës  italiane i dhuroj botës, ai Aleksandër Moisiu, ylli që ndricoj rininë tonë, personifikimi i bukurisë njerzore, asaj fizike dhe shpirtërore, miku i mirë, bashkëshorti model, që u nda prej nesh, por që ne nuk dëshirojmë ta humbim. E ne do ti qendrojmë besnik shembullit të forcës së tij shpirtërore, ndershmërisë dhe mirësisë së mendimeve të tij.

 

Foto 2: Cmimi MJESHTER I MADH dhënë aktorit Aleksandër Moisiu me 1917 (1) Foto Pjeter Logoreci

Në muajin mars 1935 kur aktori vdiq, miku i tij i ngushtë shkrimtari Stefan Zweig, po perkthente aktin e katërt të një komedie të cilen mbajtësi i cmimit Nobel Luigji Pirandelo po e shkruante posacërisht  për Aleksandër Moisiun.

 

Foto 3:  Aleksandër Moisi

Pirandelo e kishte parë disa herë Moisiun në skenë dhe ishte apasionuar mbas tij. Nga një leter që mban datën 22 korrik 1934, i biri i Pirandelos, Stefano, e informonte  avokatin Mauri që ishte sekretari i babait të tij, se Luigji Pirandelo po krijonte për Aleksandër Moisiun një punë të re (nuk dihet akoma cfarë) dhe që ai mund ta informonte aktorin per këtë....

Foto 4: Përshëndetje dhe Ftesë për Aleksandër Moisiun nga Pirandelo (2)

Moisiu këshillohet me  mikun e tij Pio Campa (3): ....Luigji Pirandelo më ka shkruar që është gati të më ofrojë komedinë e tij të fundit që po shkruan e dëshiron të takohet me mua perpara se ta mbarojë veprën, sepse protagonisti do të ketë fisionominë time. Pirandelo gjindet pranë Livornos e deshiron të më ketë për disa ditë pranë tij.....

Me 31 Korrik  Campa i pergjigjet: ..ti je me fat, kjo do të ishte një njohje nderkombëtare, një kënaqësi e nder i vecantë....

Një muaj më vonë në gushtin e po këtij viti,  Aleksandri takon Pirandelon në Castiglioncello pranë Viareggio-s dhe në praninë e mikut  të tij Pio Campa e të aktores Wanda Capodaglio, njihet  me dy aktet e para të punës së re teatrale nga vetë autori. Moisiu i propozon Pirandelos që komedinë ta perkthejnë në gjermanisht dhe ta losin premiere në muajin tetor

Foto 5: Pamje nga rolet që Moisiu luajti në pjesët e Luigji Pirandelos

në Volkstheatrin e Vjenës, duke marrë përsiper rolin e ndërmjetësit në mes dy kulturave (sic do ta thotë më vonë në një intervistë në gazetën Neue Freie Presse të 23 dhetorit 1934).

Autori Pirandelo deshironte që premiera të luhej në Milano në gjuhën italiane dhe kjo ngjalli shumë diskutime në mes të tij dhe Moisiut. Me mirëkuptimin e autorit, Stefan Zweig merr persiper perkthimin e komedisë në gjermanisht duke bërë që teatri i Vjenës të ishte skena ku do të luhej premiera.

Aleskandër Moisiu ishte shumë kritik ndaj punës së Pirandelos dhe e detyroj autorin të rishikonte tabllo të tëra. Me 15 shtator ai i shkruan Campa-s: ...i kam shkur persëri Pirandelos duke i bërë disa kritika dhe sugjerime e sidomos per aktin e tretë. Pirandelo na ka derguar deri tashti shumë pak pjesë dhe kjo do të na kushtojë shumë punë kur ta vejmë në skenë, e kjo gjë më bën të trembem ....

Ndërkohë Pirandelo arriti të sigurojë bashkëpunimin e aktorve që ai vetë deshironte, e për të cilët kishte krijuar figurat e komedisë: Romeo Daddi - Aleksandër Moisiu, Bice Daddi -  Wanda Capodoglio, Giorgio Vanzi - Carlo Ninchi, në rolin e Ginevres gruas së tij Marta Abba, Markezi - Nikola Respi, Enzo Biliotti.

Me 6 tetor Moisiu i shkruan Campa-s: ....nuk e di pse, por kjo asht një fatkeqësi, jo puna jonë, por përshtypja që komedia bëri tek drejtori i teatrit dhe dramaturgët këtu. Akti i parë u pelqy, i dyti asht i papranueshem, krejt i bardhë pa emocione pa dramacitet, pa jetë. Kurse akti i tretë na bindi të gjithëve që kjo komedi, këtu  në Vjenë, është e destinuar të deshtojë. Eshtë i rëndë fakti që në tre aktet nuk mundesh as për të qare e as për të qeshë. Mbas aktit të parë shumë interesant: merzi, merzi, merzi. Mendo shqetësimin tim, nuk më mbetet tjetër vetëm se ti shkruaj Pirandelos të vertetën e papelqyeshme. Për sa i perket përkthimit në gjermanisht, ai është mjeshtëror dhe origjinal....

Kjo letër e fundit ku Moisiu tregohet sekptik për tekstin e shkruar nga Pirandelo mund të kenë qënë shkaku i një efekti negativ që solli një ftofje të mardhenieve në mes  tyre.

Me 18 tetor 1934 Campa informon Moisiun (4) që gjatë mbledhjes së komitetit organizator të festivalit Fiorentin: Mussolini kishte deklaruar që Moisiu “ është një aktor i madh”. Ajo cka thohet për te (se është cifut), nuk është e saktë. Jam marrë personalisht me rastin e tij. Do ti jap shtetësinë italiane. Kam dëgjuar se tek KUFOMA E GJALLE, asnjë aktor tjetër nuk arrin një forcë të tillë interpretimi.

Nga kujtimjet e Johanna Terwin mësohet që ditën e fundit të jetës së tij, Moisiut ju bë e ditur nga e shoqja që i ishte derguar  shtetësia italiane nga Mussolini: Tardi, troppo tardi, troppo tardi..... (vonë ...tepër vonë..) përshpëriti me fuqitë e fundit aktori i madh...e nuk pranoj ta shohë dokumentin....

 

Foto 6: Pjesë nga gazeta Il Tevere, 25 mars 1935, mbi dhënien e shtetësisë italiane Moisiut

Humbja e papritur e Moisiut me 22 mars 1935 ishte një goditje e rëndë për Pio Campa-n e Wanda Capodaglio-n. Edhe më pas Pio Campa mban korespondencë të regullt me bashkëshorten e Aleksandrit aktoren Johanna Terwin, për vendosjen në skenë të pjesës të shkruar nga Moisiu “ I Burgosuri”.

 

Foto 7: Drama “I Burgosuri” shkruar nga Aleksandër Moisiu (5) 

Titani Aleksandër Moisi, pat shumë kontakte me njerëz të mëdhej të kohës, në mes tyre edhe me yllin e kinemasë moderne Charlie Chaplin, me të cilin ishte njohur gjatë turneut të tij në Amerikë .(6)

Gjatë vizitës së dytë të Chapli-it në Europë (e para ne 1921), në marsin e vitit 1931, kur ai gjindej në majat e suksesit të filmi pa zë, e fillimeve të filmit  të folur, turmat e simpatizuesve të tij vershonin nëpër stacionet e trenave apo hotelet europiane ku ai flinte. Një pritje e tillë ju bë edhe me 17 mars 1931 në Vjenë, kur ai erdhi nga Berlini për të promovuar filmin City Lights (të parin film me zë), kur zbriti në stacionin hekurudhor Franc Josef. Turma të ekzaltuara duke brohoritur emrin e tij, e mbajtën atë në krahë. Njerzit si edhe vetë Chaplin-i ishin mësuar tashmë me filmin pa të folur dhe ishin skeptike për zhvillimin e filmit me zë. Figura e endacakut e interpretuar nga Chaplin ishte bërë shumë e dashur për masat e njerzve pasi ishte sinteza e gjendjes aktuale ekonomike dhe financiare të kohës.

Në Vjenë ai u shoqerua nga Curtis Melnitz, perfaqësues i United Artists në Austri i cili ishte një njeri shumë i besueshëm i Chaplin-it dhe që e shoqëroj në të gjithë udhëtimin europian. Në darkë ai kerkoj të takohej me “të njohurin e vjeter” aktorin Aleksander Moisiu dhe aktoren Irene Palsthy.

Moisiu ishte nder ato pak njerëz që bëri një bisedë personale me mbretin e kinemasë. Chaplini dhe Moisiu biseduan për udhëtimet ne Rusi dhe Amerike Latine, ku Moisiu kishte luajtur disa herë. Më vonë Aleksandri do ti thotë një gazetari: Unë e kam shetitur botën, në disa vende, dicka më tepër se Chaplin, prandaj duhej që ti tregoja eksperiencen time për vendet që ai akoma nuk i ka njohur.

Moisiu ishte 10 vjet më i vjetër se Chaplini e megjithatë ai e respektonte artin e tij, sepse edhe ai vetë ishte internacional si Chaplini. Aktori i teatrit duhet që të udhetojë shumë – thoshte ai, që të arrijë publikun me artin e aftësitë e tij, kurse filmi perhapet vetë, aktori i filmit nuk ka nevojë të jetë personalisht aty ku filmi shfaqet.

Në kohën që Moisiu shoqëroj Chaplin-in në Vjenë, kishte  pas vehtes një karrierë të njohur në kinematografi të cilën do ta trajtoj me hollesi në shkrimet e tjera.

Gjatë karrieres së tij, Moisiu provoj të sillte te spektatori ne  shumë mëndyra të reja e shumë krijuese, veprat artistike të autoreve më në zë të kohës e po ashtu edhe të poeteve e shkrimtareve klasike. Qysh në skenën e teatrit gjerman të Pragës, ai organizonte mbrëmje letrare artistike ku merrnin pjesë qindra admirues të tij, e ku ai  recitonte apo lexonte pjesë monumentale nga letersia botërore. Në një nga këto mbrëmje, atë të 28 shkurtit 1912, mbas 10 vjetësh që ishte larguar nga Praga, ai do të rikthehej prap me recitimet e tija aty në skenën e dikurshme (Rudolfinum), por tashmë si aktor i famshëm, si aktori kryesor i ansamblit të Max Rainhardit.

Atë natë në mes të publikut ishte i ulur një i ri (nënpunës sigurimesh) i quajtur Franz Kafka, i cili sapo kishte filluar të bëhej i njohur me artikujt e tij të parë e shumë “provokues” nder gazeta, e që më pas do të botojë dhe librin (e mirëfilltë) e tij të parë “Betrachtung” – SODITJA.

Kafka nuk ishte fans i madh teatri (me kenaqësi shihte filmat), por atë natë vendosi të shkojë me një grup shokësh, të shohë aktorin Moisi i cili ishte bërë heroi kryesor i kritikave në shtypin e ditës. Kjo mbrëmje i la atij mbresa të pashlyeshme të cilat i hodhi në ditarin e tij: ...shkarkim i menjëhershëm emocionesh, ....mund ti dallosh vetëm majen e gjuhës që fshihet në mes të fjalëve që ai thotë.... mëndyra se si ai e nxjerrë të ndarë fjalën: no...vem..ber...wind (Novemberwind - era e nëntorit) dhe krijon një erë të vertetë me këtë fjalë që fluturon lart me fishkëllimë.... të bën të shikosh tavanin e sallës, e të duket sikur po ngjitesh i rrëmbyer nga fjalët e tij..  Por ai shikon me syrin kritik Moisiun e ulur në skenë, ....i cili  i kushton shumë rëndësi efektit zanor të fjalës deri në melodi, gjë që pengon të ndigjohen qartë vargjet...Ai (Moisiu) rri  i ulur natyrshëm, i qetë, para nesh me një shikim që perfshinë të gjithë sallën, me duart e bashkuara dhe të vendosura në mes të dy gjunjëve... një libër është i vendosur para syve të tij...dhe lëshon mbi ne zërin e tij, me një frymëmarrje të crregullt ...sikur po vrapon...Djaloshi Kafka e vrojton me mosbesim në fillim recituesin: ...salla ka një akustike të mirë e kjo gjë bën që të mos humbase asnjë fjalë të cilat kthehen tek ti si një vegim, ato zmadhohen në hapsirë dhe mbajnë pezull zërin që vjen e lartësohet, bëhet më i kumbueshëm e na përfshin ne të gjithëve si në një vorbull....të duket sikur shikon zërin tënd të fluturojë në sallë..kështu e bën akustika e sallës zërin e Moisiut

Kafka e pershkruan këtë si ....”një magji e cila të prek në mëndyrë të pavullnetëshme, pa të lejuar që të perpunosh në kokë ato që dëgjon”...ose e quan këtë atmosferë artistikisht: një lloj “sulmi i paturpshëm i ndjenjave” ....të papriturat që ndodhin të bëjnë ti largosh sytë ....të shikosh poshtë tokën...shkruan ai. Që në fillim ai filloj ti kendojë vargjet.....”Flej...flej, Mirjam, bija ime..... ishte  një zë që bredhte mbrenda një melodie....

Atë natë Moisiu interpreton “Novemberwind” (Era e nëntorit) një poezi të Emile Verhaerens dhe “Schlaflied für Mirjam” (ninulle për Mirjam) nga Richard Beer Hofmann, që ishin pjesët e zgjedhura të tij. Sipas përshkrimeve  në ditarin e tij , duket që Kafka e perjeton Moisiun me mish e me shpirt,  sepse emrin e tij e shenon në rreth kudo në kujtimet e tij. Ai perpiqet që mbrenda botës së tij intelektuale ti rrezistojë forcës interpretuese të Moisiut, duke u munduar të mos ndikohet, duke forcuar qëndrimin e tij.  Kafka ishte vetë lektor, ai e dinte se cka do të thotë të luash para publikut, e njihte këtë magji. Ai e kuptonte më mirë se kushdo ndryshimin në mes të “atij që lexon” dhe atij që “dëgjon leximin”.

Analisa e Kafkës per interpretimin e fuqishëm të Moisiut përblidhet në fjalët Idyllike: ... si një varkë e lehtë që perkundet në ujë... Moisiu arrinë që të joshë njerzit me tingujt e zërit të tij.....

 

Foto 8:  Aleksandër Moisiu (Foto Pjeter Logoreci)

Shenime:

1.         Titulli Mjeshtër i Madh i skenës: i dhënë Moisiut nga udhëheqësi gjerman Princi  Fridrich von Anhalt në vitin 1917

 

2.         Perkthimi i mesazhit të Pirandelo-s për Moisiun:

Pershëndes bashkëkombasin tim Aleksandër Moisi, për të cilin kam detyrim një falenderim të përhershëm, si interpretuesi i mrekullueshëm i shumë pjesëve të mia. Më ka ardhur thellësisht shumë keq, i dashur Moisi, që unë nuk munda të mrekullohem personalisht prej  lojës tuaj te Henriku i IV, i cili, sic më njoftuan, ka qënë interpretimi më i bukur i bërë ndonjëherë. Shpresoj që Ju, do të vini së shpejti në Itali, për të na kënaqur me Henrikun tënd e me shfaqjet e tua të mrekullueshme, të na befasoni  me gjeninë tuaj. Nga larg, Ju shtërngoj dorën në shenjë respekti dhe miqësie.

Luigji Pirandelo Maj 1927

3.         Pio Campa aktor nga Firenze (1881 – 1964) i cili së bashku me gruan e tij Wanda Capodaglio dhe aktorin Uberto Palmarini themeluan një shoqëri teatrale private.

 

4.         Fragmenti është marrë nga shkrimi “Aleksandër Moissi, një shok që kemi humbur, por që nuk duam ta humbim”, i  autorit Adriano Dugulin.

 

5.         Drama “I Burgosuri” e shkruar nga Moisiu pershkruan historinë e ditëve të fundit të Napoleonit. Kjo dramë u shfaq premiere në teatrin e Hamburgut me 31 tetor 1931

 

6.         Pershkrimet mbi Franz Kafkën dhe Charlie Chaplin janë marrë nga pjesët e gazetave ditore të kohës.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx