Faleminderit
Besim Muhadri: Gjergj Dedvukaj kultivues dhe ruajtës i vlerave kulturore të shqiptarëve të Amerikës dhe ushqyes i ëndrrës së Bashkimit kombëtar
E diele, 10.03.2013, 12:45 PM
Me rastin
e 15-vjetorit të themelimit të Shoqërisë Kulturo-Artistike “Bashkimi Kombëtar”
të Nju Jorkut dhe 60-vjetorit të themeluesit të saj, Gjergj Dedvukajt
Gjergj Dedvukaj kultivues dhe ruajtës i vlerave kulturore të shqiptarëve të Amerikës dhe ushqyes i ëndrrës së Bashkimit kombëtar
Ekskluzive nga Besim Muhadri, Nju Jork
Restoranti
i Gjergj Dedvukaj që ndodhet në Arthure Avenue të Bronxit (Nju Jork) njëkohësisht është edhe seli e aktiviteteve
të shumta kombëtare. Seli dhe qendër e
takimeve të shumta të grupeve, jo vetëm kulturore, por edhe të atyre politike.
Atë e kanë vizituar personalitete të shquara të jetës politike dhe kulturore të
Amerikës. Në mesin e atyre që kanë qenë në “Giovani’s” të Gjergj Dedvukajt në “Arthure Avenue” të
Bronxit është edhe ish presidenti i
SHBA, Gjorgj Ë. Bush (Juniori). Po ashtu, në këtë restorant, ka qenë edhe ish
sekretarja e shtetit, zonja Hilari Klinton, ish prefekti i Nju Jorkut, Rudoloph
Giuliani, e shumë e shumë personalitete të tjera. Të jetës politike amerikane,
si senatorë e kongresmenë. Aty kanë qenë dhe vazhdojnë të frekueentojnë
vazhdimisht personalitete të jetës shoqërore dhe politike nga Shqipëria, Kosova
dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë. Po ashtu, gjatë kohës së luftës së
UÇK-së në Kosovë, në restorantin e Gjergj Dedvukajt janë bërë shumë takime dhe
janë marrë vendime të rëndësishme për financimin e luftës së Kosovës. Për këtë
dëshmojnë fakte, qoftë me anë të dokumenteve të ndryshme, qoftë të fotografive të
shumta, shkrime nëpër gazeta, të cilat ai i ruan me shumë kujdes.
Po cili,
në të vërtetë, është Gjergj Dedvukaj dhe cila është veprimtaria e tij?
Gjergj
Dedvukaj, baba i katër fëmijëve, i Nikut, Pjetrit, Franit dhe i Dritës si dhe
bashkëshort i Shaqe Dedvukajt, që në moshë të re ka kontribuar shumë për
çështjen kombëtare, në afrimin dhe bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha viset
e vendit, pa dallim feje, krahine apo krahu politik, sepse qëllimi i tij ka
qenë uniteti kombëtar dhe ndihmesa për çështjen madhore kombëtare. Një
kontribut të jashtëzakonshëm për vite me radhë ka dhënë në zhvillimin e
aktivitetit të Klubit “Jusuf Gërvalla”, në kuadër të të cilit u zhvilluan
aktivitete kulturore, sportive dhe arsimore. Për vite me radhë në kuadër të
këtij Klubi funksionoi Klubi i Futbollit “Kosova ‘81”, pastaj Shkolla “Naim
Frashëri” e viteve të fundit edhe Ansambli “Bashkimi Kombëtar”. Promotor i të
gjitha këtyre zhvillimeve, por jo vetëm i këtyre, në çdo kohë ishte Gjergj
Dedvukaj. Përherë i palodhur, përherë i gatshëm për të dhënë atë që mundi dhe
diti. Për të kontribuar për popullin e tij, për vëllezërit dhe motrat
shqiptare, qoftë për atë që jetonin në Kosovën e robëruar dhe viset e tjera
shqiptare të robëruara, qoftë për ruajtjen e etnitetit shqiptar në diasporë,
për ta ruajtur nga asimilimi. Në ballë të aktiviteteve kulturore që për qëllim
kanë ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturë shqiptare. Ndërmarrës i shumë
iniciativave për të mirën e kombit të tij. Aktualisht kryetar i Ansamblit apo
Shoqërisë Kulturore “Bashkimi Kombëtar”, iniciativa për themelimin e të cilës i
lindi gjatë marrjes me aktivitete në Klubin “Jusuf Gërvalla”, përkatësisht pas
shuarjes së këtij klubi, që ishte një humbje e pakompensueshme për komunitetin
shqiptarë të Nju Jorkut.
I lindur
më 1953 në katundin Spin të Hotit, Gjergj Dedvukaj për hallet kombëtare, si i
ri mësoi nga babai Pashko Marku, që ishte një burrë shumë i nderuar në Malësi.
Ishin kohë të vështira atëherë. Varfëri e madhe dhe mungesë e çdogjëje. Në
fshat por edhe në Malësi, në atë kohë askush nuk kishte çifteli. Baba i Gjergj
Dedvukajt, Pashko Dedvukaj, i cili i binte ngapak çiftelisë një ditë del në
pazarin e Pejës dhe blen një çifteli dhe një radio, sepse në fshatin e tij në
atë kohë nuk kishte as radio. Ata ishin të parët në fshat që blenë radio, nga
ato radiot e mëdha që ishin aso kohe. Shtëpia ku lindi dhe bëri fëmijërinë e
hershme Gjegj Dedvukaj ishte në mal, mbi gjithë katundin dhe më afërta me
themelet e shtëpisë ku më 6 prill 1911 Dedë Gjo Luli, pas Skënderbeut ngriti flamurin
kombëtar. Pas kësaj kohe Gjegji, që ishte i vogël dhe shkonte në shkollën
fillore të fshatit nisi t’i binte çiftelisë ngapak. Meqë ishte instrumenti i
vetëm jo vetëm në familje, por edhe më gjerë, babai i tij jo gjithmonë e linte
t’i binte, sepse kishte frikë se do ta thyente. Shpesh ia merrte nga dora dhe e
fshihte diku kua ai nuk mund te gjente, por ia jepte vetëm kur ishte edhe ai
aty. Ndërkaq, kur është fjala për radion, Gjegji shpesh e merrte atë, e nxirrte
jashtë në shkallët e shtëpisë dhe ia lëshonte zërin, për ta dëgjuar emisionin e
Radio Tiranës për shqiptarët jashtë atdheut. Ia lëshonte zërin në mënyrë që ta
dëgjonin tërë fshati.
Gjegji në atë kohë vazhdonte mësimet në shkollën fillore në fshatin e lindjes dhe deri në klasën e tetë udhëhoqi grupin e shkollës, ku u mor me rënien e çiftelisë, të cilës u mësua t’i binte pasi që babai ia kishte blerë në pazarin e Pejës. Në kuadër të këtij grupi ishin edhe disa shokë të tij, të cilët jepnin shfaqje në festat e ndryshme në ambientet e shkollës. Një ditë ai përfundoi shkollën tetëvjeçare dhe ishte koha për të vazhduar mësimet në shkollën e mesme, mirëpo kushtet ishin shumë të vështira për të bërë një gjë të tillë. Pashko Dedvukaj, ndonëse kishte dëshirë të madhe, nuk kishte mundësi t’i çonte fëmijët e tij në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë, ku në atë kohë shkolloheshin shumica e shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre, mjerisht të mbetura nën administrimin e Jugosllavisë, përkatësisht të Malit të zi, ku përveç shkollimit fillore, shkollimi i mëtejmë në gjuhën shqipe ishte i ndaluar. Babai i Gjergj Dedvukës, duke parë se situata nuk është e mirë, sepse UDB e shikonte me sy të keq, një ditë vendosi të merrte rrugën e mërgimit dhe të shkonte në Amerikë me krejt familjen. Mori nënën e tij, mori bashkëshorten (do të thotë nënën e Gjergjit) dhe krejt fëmijët dhe erdhi në Amerikë. Ishte viti 1969, kur Pashko Dedvukaj, bashkë me familje arriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo me vete nuk e kishte marrë djalin e madh, Gjergjin, i cili në atë kohë vazhdonte mësimet për prift në Split. Gjergj Dedvukaj thotë se i kishte vazhduar mësimet për prift ngase nuk kishte kushte për vazhdimin e shkollimit diku tjetër, ndërsa aty në Split ku shkollohej për prift shkolla ishte falas, në të cilën shkollë ai ndoqi mësimet dy vjet. Mirëpo, pas shkuarjes në SHBA të pjesës tjetër të familjes ai u detyrua të ndërpresë shkollën dhe t’i bashkohet pjesës tjetër të familjes që tashmë ishin në Nju Jork. Por, para se të shkonte në SHBA ai fillimisht qëndron në Itali (siç ishin disa procedura para se të niseshin për në SHBA). Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Itali ai merret me futboll, sepse, pas muzikës atë e kishte për pasion. Në vitin 1970 arrin në Amerikë dhe meqë i pëlqente sporti, veçanërisht futbolli, edhe këtu vazhdon të merret me këtë sport, ndonëse në SHBA nuk ishte shumë i popullarizuar. Në Amerikë, bashkë me bashkatdhetarët e tij shqiptarë, formojnë një grup dramatik, ku vënë në skenë dramën “Shtatë shaljanët” e Ndrekë Lucës. Kjo ka ndodhur më 1972. Në atë kohë edhe në Amerikë jeta ishte e vështirë. Gjegj Dedvukaj nuk vazhdova shkollimin e mëtutjeshëm, sepse sapo arrin i vdes e ëma, e cila ishte në moshën 39 vjeçare. Babai i tij, i cili ende nuk e kishte marrë vetën në Amerikë jetonte ende në kushte shumë vështira ekonomike, ndërsa Gjergji, që ishte më i madhi nga vëllezërit, duhej t’i bëhej krah dhe të mbante familjen e cila po përjetonte momente të rënda të jetës.
Si u hap Klubi “Jusuf Gërvalla” dhe cili është aktiviteti i Gjergj Dedvukës në këtë Klub?
Kur
flasim për Klubin “Jusuf Gërvalla”, i cili për vite me radhë kishte zhvilluar
aktivitetin e tij në Nju Jork, është e pamundur që të mos përmendet emri dhe
kontributi i Gjergj Dedevukës. Dhe për këtë ai tregon vet: “Para së të formohej
Klubi “Jusuf Gërvalla” ne kishim një qendër që quhej “Naim Frashëri”, përmes së
cilës kemi zhvilluar aktivitete rreth dy vite. Pas tri jave të vrasjes së Jusuf
Gërvallës dhe vëllait të tij Bardhoshit e Kadri Zekës, më 1982 në Gjermani,
hapëm Klubin që ia dhamë emrin “Jusuf Gërvalla”, në po të njëjtin vend, këtu në
Bronx. Faktikisht ndërtesa ku ishte selia e Klubit, ishte e Rrok Nikçit, i cili
na lëshoi vendin dhe aty u bashkuam prej të gjitha trojeve shqiptare. Ishim ne
anëtarët e Klubit të mëparshëm që quhej “Naim Frashëri”, dhe shumë të tjerë nga
të gjitha viset shqiptare. Mirëpo shumica ishim malësor, nga Malësia e Madhe,
sepse kishim ardhur më herët këtu, ndërsa kosovarët sapo kishin filluar të
vinin në Amerikë. Në të njëjtën kohë ishim të lidhur ngushtë më misionin
shqiptar pranë OKB-së, prej të cilëve furnizoheshim me libra, gazeta e revista
nga Shqipëria, si “Zëri i popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i rinisë”, “Shqipëria e
re” e shumë gazeta e revista të tjera që dilnin në atë kohë në Republikën
Popullore Socialiste të Shqipërisë. U zgjodh kryesia e Klubit Kombëtar “J.
Gërvalla” dhe pastaj aktivistët u ndanë që të hapin degë të ndryshme. Si fryt i
këtij aktiviteti të Klubit, së pari është hapur Shoqëria Kulturo-Artistike
“Dedë Gjo Luli”, nën të cilin emër kemi zhvilluar aktivitetin rreth tri vjet
dhe gjithmonë në suaza vullnetare dhe pa asnjë kompensim. Kemi marrë pjesë
nëpër aktivitete në ndryshme kombëtare këtu në SHBA, në mesin e komunitetit
shqiptar, por edhe në Festivalin kombëtar të Gjirokastrës më 1983 dhe 1988.
Pastaj, po në kuadër të Klubit, është hapur shkolla shqipe me emrin “Naim
Frashëri”, që ka funksionuar dhjetë vjet, madje edhe pas mbylljes së Klubit.
Meqë në mesin e anëtarëve të Klubit kishte njerëz që e donin sportin dhe
merreshin me të, u vendos që të formohej edhe një ekip futbolli, të cilin e
emëruam “Kosova ‘81”, sepse sapo kishin ndodhur demonstratat studentore të
tetëdhjetenjëshit, klub i cili për disa vite me radhë dhe në mënyrë shumë të
suksesshme e vazhdoi aktivitetin. Po në kuadër të Klubit “Jusuf Gërvalla” u hap
edhe radiostacioni “Zëri i Malësisë”.
Në kuadër të klubit zhvilloheshin shumë aktivitete. Në mesin e atyre njerëzve që zhvillonin aktivitet dhe kontribuonin në aspektin kulturor dhe kombëtar, ishte edhe rapsodi i mirënjohur kosovar, Bajrush Doda. Gjergj Dedvukaj thotë se ky rapsod na ka ndihmuar shumë në afirmimin e vlerave folklorike kombëtare këtu në Amerikë. Mirëpo, pas disa vitesh shumë të suksesshme, vjen momenti më i padëshiruar, ai i shuarjes së aktivitetit të Klubit “Jusuf Gërvalla”, që ishte një goditje e rëndë për komunitetin shqiptar të Nju Jorkut. U mbyll një Klub, i cili, bashkë me Ligën Shqiptaro-Amerikane, kishte bërë një punë shumë të madhe në afirmimin e çështjes kombëtare shqiptare, veçanërisht në sensibilizimin e opinionit botëror për çështjen shqiptare të Kosovës. Vendimi për mbylljen e klubit aktivistit të shquar dhe të palodhur Gjergj Dedvukajt i vjen befasishëm dhe e përjetoi shumë rëndë. Pas këtij momenti komuniteti shqiptar në Nju Jork për një kohë vazhdon të jetojë i paorganizuar dhe filloi të humbiste interesimin për aktivitete kulturore.
Shuarja e aktivitetit të Klubit dhe formimi i Shoqërisë Kulturo-artistike “Bashkimi Kombëtar
Mirëpo,
megjithë shuarjen e Klubit, kjo nuk ndodhi edhe me SHKA “Dedë Gjo Luli”, sepse
ishte Gjergj Dedvukaj ai që kujdesej për aktivitetet e kësaj shoqërie. Pastaj u
hap Shoqata “Dedë Gjo Luli”, të cilës vendosën t’ia ndërronin emrin dhe t’ia
jepnin një emër më gjithëpërfshirës, siç ishte Bashkimi Kombëtar. “Vendosëm
t’ia jepnim këtë emër sepse nuk dëshironim që të shkonim me dy emra, ngase në
mesin e Shoqatës “Dedë Gjo Luli” kishte anëtarë që ishin edhe anëtar të
Shoqërisë Kulturo- Artistike “Dedë Gjo Luli”. Nuk donim të ishim njëkrahinor,
por me një përfshirje më të gjerë të komunitetit shqiptar që jetonte dhe
vepronte këtu në Nju Jork, sepse në mesin tonë kishim anëtarë nga të gjitha
viset shqiptare. Dhe që nga ajo kohë e deri më tani jemi duke ecur me këtë
shoqëri, me të cilën kemi marrë pjesë pothuajse në të gjitha festivalet”,
spikat në mes tjerash Gjergj Dedvukaj.
![]() |
Logoja e SHKA “Bashkimi Kombëtar” |
Dhe formimi me këtë emërtim në mesin e komunitetit u prit mirë dhe kjo po vazhdon edhe gjatë kësaj kohe. Fillimisht kishte probleme të vogla, për shkak të ndonjë propagande kundër bashkimit kombëtar. Ashtu sikurse që ishte edhe me Klubin Kosova ’81 që njerëzit frikoheshin të shkonin e të luanin, sepse njerëzit e UDB-së që operonin në Nju Jork bënin presion të vazhdueshëm duke iu thënë se nëse luani për këtë klub, e keni të ndaluar shkuarjen për vizitë familjeve në atdhe. E njëjta gjë ndodhte edhe me Bashkimin Kombëtar. Mirëpo me kalimin e kohës gjithçka erdhi duke rënë në vendin e vet. Bashkimi Kombëtar, siç thotë Gjergj Dedvukaj tash nuk është pengesë, sepse përmendet edhe në Mal të Zi, edhe midis Serbisë, Maqedoni dhe njerëzit nuk e kanë problem të shkojnë lirshëm dhe të vizitojnë vendlindjet e tyre atje.
Aktivitet e SHKA “Bashkimi Kombëtar”
Kur flet për SHKA “Bashkimi Kombëtar”, e cila u formua në vitin 1998, Gjergj Dedvukaj ndien një krenari të madhe. Kur kujton rrugëtimin e kësaj shoqërie, vështirësitë etj., ai thotë natyrisht se asgjë nuk ishte e shtruar me lule. Kishte pengesa, vështirësi, mirëpo gjithçka u tejkalua dhe sot ndihet krenar që ka bërë gjithë atë rrugëtim të mbushur suksese dhe krenari kombëtare. Ai kujton pesë gjashtë vitet kur në Nju Jork, bashkë me misionin shqiptar që në atë kohë ishte në OKB kanë marrë pjesë në festën e flamurit, pra 28 Nëntorin, kur në hotelin Sheraton në Manhatten mblidheshim rreth dymijë-tremijë shqiptarë për të festuar së bashku festën e flamurit. “Në atë kohë, thotë Gjergj Dedvukaj, nuk kishte shoqatë tjetër me përjashtim lëvizjes sonë, pra Klubit “Jusuf Gërvalla” dhe misionit shqiptar që ishte pranë OKB-së. Ishin edhe disa grupe të tjera, si ballistët, zogistët etj., që e festonin këtë ditë ndaras nga ne, mirëpo ata ishin shumë pak në krahasim me ne. “Vatra” ishte kundër misionit shqiptar. Më pas, pas luftës së Kosovës kemi bërë shumë aktivitete, si epopenë e Adem Jasharit, por edhe festa të tjera, si festën e 28 Nëntorit, atë të pavarësisë së Kosovës. Përveç këtu në Nju Jork, aktivitete kemi bërë edhe në vende të tjera të SHBA-së, si në Detroit etj.”
Një ndër
momentet më emocionuese për Gjegj Dedvukajn është ai i pjesëmarrjes për herë të
parë në festivalin e Gjirokastrës. Kjo kishte ndodhur në vitin 1983, traditë që
vazhdoi edhe në vitet 1988, 2004, 2009. Shkuarja e shqiptarëve të Amerikës në
një kohë kur ende nuk kishte rënë regjimi komunist dhe Shqipëria nuk kishte
marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, ishte një storie interesante dhe shumë e
veçantë. Prezantimi i tyre si Grupi nga
Amerika dhe paraqitja me këngën Ku po
shkoni djem të ri, kujt ia leni këtë Malësi, me tekst të Sali Manit, të
kënduar nga Gjergj Dedvukaj dhe vëllai i tij, Gjoni, këngë që për tematikë
kishte ikjen e të rinjve në mërgim dhe braktisjen e atdheut, lënien djerrë të
tokave të të parëve, kishte sjellë shumë emocione, shumë lot në mesin e të
pranishmëve që përcillnin festivalin folklorik kombëtar në Kalanë e
Gjirokastrës.
Vargjet: Ku po shkoni djem të ri/ Kujt po ia leni këtë Malësi/ Ku po i leni babë e nanë/ Kullat kujt ia keni lanë, janë vargje të thurura me shumë mall e lot. Gjatë interpretimit qanin ata që i interpretonin, që i digjte malli i atdheut, por edhe të pranishmit që e dëgjonin. Ajo këngë më pas u bë shumë e popullarizuar dhe vazhdoi të këndohej në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni dhe kudo ku kishte shqiptarë. U këndua atëherë e vazhdon të këndohet edhe tani pas 30 vitesh.
![]() |
SHKA “Bashkimi Kombëtar” gjatë defileut nëpër rrugët e Rapshës |
Shoqëria
Kulturore “Bashkimi Kombëtar” ka marrë pjesë edhe në shumë festivale e
aktivitete të tjera kulturore, qoftë në organizimet kulturore të shqiptarëve të
Amerikës, qoftë edhe në festivale të tjera, si në Rapsha të Malësisë së Madhe,
pastaj në Berlin e gjetiu. Ne festivalin e Rapshës SHKA “Bashkimi Kombëtar” ka
marrë pjesë në vitet 2000, 2003, 2005
dhe 2009, festival që pos me pjesëmarrje e kanë mbështetur edhe materialisht.
Nëse
flitet për sukseset e arritura në këto evenimente kulturore, duhet të thuhet se
ato kurrë nuk kanë munguar. Pos në festivalin e Gjirokastrës ku nuk janë futur
në konkurrencë për çmime, pra ku nuk i kanë pranuar si grup garues por vetëm si
grup përshëndetës, në festivalet e tjera, si në dy festivalet e fundit të Rapshës,
përkatësisht më 2005 dhe 2009 kanë zënë vendet meritore. Në kuadër të grupeve
garuese më 2009 si grup e kanë zënë vendin tretë, ndërsa solisti Haki Krasniqi
zë vendin e parë më kengën për dëshmorin e kombit, Vezir Ademaj.
Në Gjermani, në Berlin më 13 nëntor të vitit 2004 zënë vendin e parë, me ç’rast marrin mirënjohjen “Ansambli i flamurit”. Pjesëmarrja në këtë manifestim kulturor ka ndodhur menjëherë pas pjesëmarrjes në festivalin e Gjirokastrës. Shkuarja në festivalin e Gjirokastrës shoqërohet nga një atmosferë tepër madhështore në mesin e pjesëtarëve të ansamblit. Shkuarja për herë të parë në Shqipëri e shumë anëtarëve të cilët kishin lindur e rritur në Amerikë dhe pritja madhështore nga ana e nikoqirit të festivalit dhe në përgjithësi popullit gjirokastrit e më gjerë ka mbetur e paharruar në kujtesën e të gjithëve e në veçanti të atyre që kishin shkuar për herë të parë atje e që ishin lindur e rritur në Amerikë. Të pushtuar nga një entuziazëm i madh, kur kthehen në Amerikë gjejnë ftesën për pjesëmarrje në festivalin e Berlinit. “Kishim vetëm një muaj kohë për përgatitje, thotë Gjegj Dedvukaj. U tregova anëtarëve se kishim një ftesë të tillë dhe se ishte e vështirë të përballohej edhe materialisht shkuarja në Gjermani, ku së paku na duheshin 50-60 mijë $, aq sa na u desh që të shkonim në Gjirokastër, mirëpo që të gjithë pranuan që të mobilizoheshin dhe të bënin ç’është e mundur që të shkonim në Berlin. Na u desh të linim shumë gjëra personale, familjet, bizneset etj. dhe t’i përvisheshim punës e të shkonim atje. Mirëpo nuk u zhgënjyem, sepse u shpallëm më të mirët. Dhe kjo flet shumë”, thotë Gjegj Dedvukaj.
![]() |
Solisti Haki Krasniqi, i cili zuri vendin e parë në festivalin e Rapshës më 2009. |
Ndërkaq,
kur e pyet Gjergj Dedvukaj se a mendon se ka bërë mjaft për kulturën shqiptare,
për ruajtjen e vlerave kulturore të kombit të tij, ai, pa u menduar shumë, të
përgjigjet: “Ndonëse kemi punuar pareshtur, prapë se prapë mendoj se është
dashur të bëjmë më shumë. Megjithë se nga gjiri i ansamblit tonë kanë dalë emra
të njohur, madje që kanë hyrë edhe në Holivud, siç është Albert Stanaj, mendoj
se është dashur të bëhej edhe më shumë. Qëllimi ynë është vërtet ruajtja e
vlerave tona etnokulturore, ruajtja nga asimilimi i etnisë shqiptare këtu në
diasporë, por qëllim yni është edhe përtëritja e ansamblit me njerëz të ri,
sepse vetëm kështu ne kemi arritur diçka. Shpesh kam biseduar me shokët, si
Shaban Lajçin, Tomë Gjergjin, Haki Krasniqin etj. se çka duhet të bëjmë më
tutje. Kemi shumë kërkesa nga populli, nga komuniteti ynë që në mesin e
ansamblit tonë të jetë qoftë djali apo vajza e atij apo e këtij. Kjo ka ardhur
si rezultat i punës së palodhur dhe shumë sakrifikuese të të gjithë neve.
Koloriti i veshjeve kombëtare nga të gjitha krahinat e atdheut, interpretimet e
ndryshme dhe mjaftë të suksesshme të anëtarëve tanë nëpër festivale që behën
këtu në mesin e shqiptarëve të Amerikës, e veçanërisht në festivalin
tradicional që organizon Kisha “Zoja e Shkodrës” në Harsdale këtu në Nju Jork,
ku marrin pjesë shumë grupe dhe solistë nga e gjitha diaspora shqiptare e
Amerikës, festival që përcillet nga tremijë veta, ka bërë që të kemi kërkesa të
shumta nga prindërit shqiptarë që këtu të anëtarësohen bijtë dhe bijat e tyre.
Kjo edhe ka ndodhur, mirëpo problemi është te mungesa e vendit të duhur për
zhvillimin e aktivitetit. Dhoma që kam në biznesin tim Xhovani pica është e
ngushtë dhe nuk lejon që të bëhen shumë aktivitete. Një ditë iu thash shokëve,
ta hapim një shkollë shqipe, ku përveç mësimeve që do të bëhen për disa lëndë
në gjuhën shqipe, do të bëhej edhe mësimi i këndimit, me luajtje me instrumente
muzikore popullore shqiptare siç është çiftelia, vallëzimi etj. Dhe kjo ndodhi me të të vërtetë (sot kemi një
grup prej 25-30 fëmijësh të moshave të ndryshme deri në 14 vjeçare, ku
vallëzojnë, këndojnë dhe natyrisht edhe mësojnë. Mësuesja e muzikës, Albina Zajmi,
që është një mësuese e përgatitur mjaft mirë, e cila ka kryer shkollën e
muzikës në Tiranë, është edhe këngëtare, këndon këngë operistike dhe u bie të
gjitha veglave, madje edhe çiftelisë. Ajo është vërtet pedagoge e mirë dhe
punon me takt pedagogjik dhe është shumë e pranueshme për fëmijët”.
Gjergj
Dedvuka, krahas aktiviteteve të shumta kulturore, prioritet ka edhe biznesin,
nga i cili siguron ekzistencën e familjes. Mirëpo të marrit me aktivitete
kulturore dhe kombëtare shpesh i shkakton marrje kohe dhe ngecje në biznes,
sepse të merresh me të dyja është punë e vështirë e veçanërisht në Amerikë, ku
jeta është shumë dinamike, mirëpo kur këtë vend, sikur edhe pjesën më të madhet
globit e ka përshirë kriza ekonomike. Megjithë këto vështirësi, këto sfida, ai
mundohet t’ia dalë disi dhe kurrë nuk është bërë “pishman” pse është marrë me
aktivitete kombëtare dhe kulturore duke lënë anash biznesin.
Sipas
tij, biznesi është një punë që duhet ta bëjë përditë për të jetuar, sepse kjo
të mundëson edhe marrjen edhe me aktivitete kulturore. Bie fjala në festivalin
e vitit 1988 e ndonjë tjetër, Gjergj Dedvukaj të gjithë pjesëmarrësit i dërgon
me financat e tij. “Sikur të kisha punuar me një rrogë të thjeshtë ta zëmë
javore, thotë ai, kjo do të kishte qenë e pamundur, mirëpo marrja me biznes ma
ka mundësuar këtë. Në atë kohë unë i kisha punët mirë me biznes dhe dëshiroja
që çështja kombëtare të ecte përpara. Më vonë filloi të bie puna dhe gjërat
erdhën dukë u vështirësuar. U desh të kërkonim mbështetje nga ndonjë donator,
por edhe nga vetë anëtarët. Përveç kësaj, na është dashur që të japim para të
mëdha për senatorët dhe kongresistët amerikanë të cilët duhet të flisnin për
Kosovën. Kjo natyrisht se na ka kushtuar, por ka dhënë edh rezultate”.
Nga kjo bisedë shihet se Gjergj Dedvukaj pos me folklorin, është marr edhe me Ligën shqiptaro-amerikane, që do të thotë me çështjen e Kosovës. Kjo natyrisht se është sakrificë dhe do angazhim të madh, mirëpo këtë ai e ka parë gjithmonë si obligim kombëtar, të cilin duhet ta kishte çdo shqiptar me vetëdije të plotë kombëtar.
Jezu Krishti im janë Skënderbeu dhe Adem Jashari
Kthimi
nga Gjirokastra dhe më pas nga Berlini, ku rrëmbyen çmimin e parë, në selinë e
Gjergj Dedvukës shkon për të bërë një reportazh gazetari, tash editori i gazetës
shqiptaro-amerikane “Ylliria”, Vehbi Bajrami, i cili pasi përgatit reportazhin
që do ta botonte në një nga numrat vijues të gazetës, ku do ta botonte në një
nga faqet më meritore, siç është ajo e mesit ilustruar me fotografi kolor, e
thërret në telefon Gjegjin dhe i thotë: Dua të marrë opnionin tuaj në lidhje me
titullin që dua t’iua vëjë reportazhit. Po çka të të them, o Vehbi, i thotë Gjergji. Ti je
gazetar, gjeje vet titullin. Jo, i thotë Vehbiu, dua të marr mendimin tënd se
ashtu dua. Pasi që gazetari ishte këmbëngulës, më në fund Gjergj Dedvukaj i
thotë: “Meqë po insiston, atëherë shkruaje kështu siç të them unë: Nuk kam ba
asgja çka asht dasht me ba. Po si kështu, ti ke bërë mjaft, i thotë Vehbiu. Jo,
i ia kthen Gjergji. Unë ende nuk e kam përfunduar programin tim kombëtar. Unë
nuk jam Adem Jashar që kam shkrirë veten me 50 e më shumë anëtarë të familjes
me më vu lapidar, por kam punua atë që kam mundur dhe që e kam ndie obligim ta
punoj. E kam lanë edhe veten keq, ashtu edhe familjen dhe ka qenë rrezik t’i
humbja edhe fëmijët, por për fat kjo nuk ka ndodhur”.
Gjergj Dedvukajn shpesh e kanë kritikuar pse nuk ka shkuar në kishë, sepse rrallë e fare shkon atje, por ai nuk ka pasur kohë t’i japë ndonjë përgjigje. Ai thotë se këtë e ka bërë për shkak të mungesës së kohës, por edhe për shkak të asaj se ai nuk ka ngarkesa fetare. “Unë, në radhë të parë e shoh kombin më të madh se fenë. Jezu Krishti im janë Skënderbeu e Adem Jashari”, shprehet ai, i bindur plotësisht se ka të drejtë.
Shkolla shqipe e Bronxit dhe funksionimi i saj
Një nga
dëshirat e mëdha të Gjergj Dedvukës ka qenë ajo e hapjes së një shkolle laike
shqipe në Nju Jork. Ai ka punuar edhe më parë në atë shkollën që kishte emrin
“Naim Frashëri” që p[unonte në kuadër të Klubit “Jusuf Gërvalla: Për dhjetë
vite me radhë Gjergji ka qenë përgjegjës i asaj shkolle. Dhe kur flet për atë
shkollë dhe atë kohë të funksionimit të saj, ai flet me nostalgji dhe me shumë
krenari. “I merrja katër fëmijët e mi e të shokëve dhe duke i bashkuar prej të
gjitha anëve, i dërgoja në shkollë me një minibus. Më ka ndihmuar Bekë Bruçaj
si mësues, pastaj Gjergj Domgjonaj. Dhe kështu kemi ecur, mirëpo nuk patëm
mundësi ta mbanim shkollën, sepse pas mbylljes së Klubit “Jusuf Gërvalla”
prindërit nuk i binin më fëmijët. Si përgjegjës i asaj shkolle natyrisht se nuk
e ndieja veten mirë dhe pas mbylljes së saj kam qenë shumë i mërzitur dhe
vazhdimisht më ka brejtur dëshira që ta hapnim prapë një shkollë shqipe, në të
cilën do të mësonin fëmijët shqiptarë. Këtu ka shkolla shqipe, natyrisht, por
në kuadër të shoqatave e të krahinave të ndryshme shqiptare dhe të kishave e të
xhamive, mirëpo mua gjithmonë më ka trokitur dëshira që të kishim një shkollë e
cila do të ishte e të gjithëve e jo vetëm e një krahu krahinor apo fetar, sepse
kjo nuk i bën mirë kombit dhe komunitetit shqiptar që jeton dhe vepron në Nju
Jork e kudo në Amerikë”.
Dhe më në
fund vendos që një dëshirë të kamotshme ta bënte realiet. Në lokalin e tij, në dhomën që e ka të
rezervuar për aktivitete kulturore e kombëtare, e cila i shëmbëllen edhe një
muzeu etnografik ai fton Mustafë Qosjen, që ishte kryetar i fondit për Plavë e
Gusi, pastaj Ymer Ahmetajn, sekretar i atij fondi, të cilëve iu thotë: “Kam
vendos me e hap një shkollë shqipe këtu, sepse i ka ardhur koha. E shoh se të
dy jeni njerëz të duhur që mund të më ndihmoni dhe të bëhemi tre e më pas dua
të thërrasim nga një përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, në mënyrë që
të bisedojmë”.
Kështu
edhe ndodhi, pas një takimi, ku përveç dy të përmendurve më lart, ishin edhe
shumë të tjerë, pothuajse nga të gjitha viset, si Dr. Hasan Ademaj, intelektual
dhe humanist nga Gjakova, Shaban Lajçi nga Rugova e Pejës, aktor dhe aktivist i
palodhur në fushën e kulturës dhe njëherësh edhe pjesëtar i Bashkimit Kombëtar,
Zef Bala, biznesmen dhe aktivist i
shquar si dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët, pas takimeve të njëpasnjëshme,
vendosën të thërrisnin edhe konsullin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës, Driton
Mishton dhe Arta Ramën. Dhe pas disa takimeve u vendos që të hapej shkolla
shqipe në Bronx, Me rastin e hapjes së kësaj shkolle, më 15 janar të vitit
2011, ishin prezentë edhe dy konsujt e lartpërmendur, të cilët prenë edhe
shiritin. Me hapjen e kësaj shkolle sikur u realizua një pjesë e programit
kombëtar të Shoqërisë kulturo- artistike “Bashkimi kombëtar”.
Shkolla
filloi punën e saj me mjaft sukses dhe shoqërohej nga një entuziazëm nga të
gjithë themeluesit dhe përkrahësit e saj. Mirëpo me kalimin e kohës, në
sipërfaqe dalin edhe pengesa, të cilat i krijojnë shqetësime Gjergj Dedvukës, i
cili jo pak shprehet i hidhëruar: “Populli ynë është aq i mirë sa edhe i keq
nganjëherë, shprehet Gjergji. Ppo e them këtë, sepse për 35 vite të aktivitetit
tim kam shumë përvoja. Jemi euforikë. Japim fjalë të mëdha, por kur vjen puna
lodhemi shpejt. Bordi i shkollës ka 11 anëtarë, mirëpo gjysma e më shumë e
këtyre anëtarëve të këtij bordi nuk e kanë dhënë asnjë cent. Madje nuk vinë as
në takimet që duhet të jenë. Ata le që nuk kanë dhënë nga xhepi i vet, por as
nuk kanë kërkuar nga ndonjë donatorë. Mësuesit duhet mbajtur. Madje disa le që
nuk punojnë dhe nuk ndihmojnë, por edhe bëjnë propagandë nëpër kafe në dëm të
shkollës. Gjë nuk japin e pengojnë nga jashtë. Pesë ndihmojnë e gjashtë
shkatërrojnë. Kjo e vështirëson punën
tonë, aktivitetin tonë”, thotë Gjergj Dedvukaj.
I
shqetësuar për pengesat që i behën projektit të tij Gjergj Dedvukaj përmend për
të mirë anëtarët e Bordit të shkollës, Mustafë Qosjen, Sabri Gjonin, Dr. Hasan
Ademajn, të cilët siç shprehet ai, “janë njerëz që ndihmojnë dhe kanë dëshirë
të flaktë që gjërat të ecin përpara”.
Sipas
Gjergj Dedvukajt, njerëzit më të rrezikshëm janë ata që nuk punojnë, që nuk
ndihmojnë, por vetëm shantazhojnë. Këta njerëz ai i quan njerëz me tendenca të
sëmura. Ai tregon se si pas hapjes së
shkollës, kur lajmi ishte lansuar në gazetë, shkon njëri në lokalin e
tij dhe i thotë:
“E hapët
shkollën, a?”
“Po, i
thotë Gjergji.”
“Kam
dashur ta hap unë.”
“Mirë, po
pse nuk e hape?- ia kthen Gjergji’
Dhe këso
tipash ka shumë në Nju Jork e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Këta, thotë
Gjergj Dedvukaj asgjë nuk punojnë, vetëm kritikojnë gjithandej kafeneve e
mejhaneve ku rrinë e dehen shqiptarët këtu në Arthur Avenue të Bronxit.
Megjithatë
mësimi u zhvillua dhe me mjaft sukses. Për një kohë të shkurtër pati rezultate
të theksuara. Mirëpo duhet punuar ende më komunitetin në mënyrë që ai të bindet
që t’i dërgojë fëmijët në shkollë, ku do të mësonin gjuhën shqipe. Por në këtë
drejtim ende ka mungesë mendësie dhe duhet punë, angazhim, por edhe përkrahje.
Kur u hap
shkolla shqipe në Bronx, në janar të vitit 2011, një plak nga Malësia, i cili e
dërgonte nipin e tij në shkollë i thotë
Gjergj Dedvukës: “Gjergji, dy herë gjatë
jetës sime këtu në Amerikë e kam ndie veten mirë dhe krenar. Njëherë kur u
formua batalioni Atlantiku dhe u nis për në luftën e Kosovës dhe hera e dytë,
tash hapja e kësaj shkolle. Vërtet ia keni qëllue”.
Këto fjalë të këtij plaku janë për t’u vlerësuar dhe flasin shumë.
![]() |
Prerja e shiritit të hapjes së shkollës shqipe në Bronx të Nju Jorkut: Dy konsujt, ai shqiptar, Driton Mishto dhe ai kosovar, Arta Rama, Gjergj Dedvukaj dhe të tjerët. |
Në këtë
pikë shihet se Gjergj Dedvukaj është i zhgënjyer, por nuk dorëzohet. Ai ka edhe
planet që dëshiron t’i realizojë përmes ansamblit “Bashkimin Kombëtar”. Në
mesin e anëtarëve të këtij ansambli ka njerëz që kanë kryer shkolla të larta të
muzikës, ka instrumentistë të talentuar të veglave popullore shqiptare, ka
aktorë, deklamues shumë të talentuar të cilët me përvojën e tyre jetësore dhe
profesionale janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në fushat që kërkohet
të japin. Ansambli në fjalë është komplet shkollë. Madje njëri nga njohësit e
folklorit shqiptar, prof.dr. Agron Fico, i cili për disa vite jetoi dhe veproi
në Nju Jork, duke parë punën dhe aktivitetin e Gjergj Dedvukës dhe duke parë
rezultatet e këtij Ansambli, në një shkrim të tij, të publikuar në një gazetë,
Shoqërinë Kulturo-Artistike “Bashkimi Kombëtar” e quajti Instituti të
folklorit.
Qëllimi i
Gjergj Dedvukës dhe i shokëve të tij është që kur të shkojnë në festivale
kombëtare të vjetrit një ditë të ulën dhe t’i shikojnë të rinjtë në skenë duke
performuar talentin e tyre. Kjo është jo vetëm dëshirë, por edhe detyrë e
vazhdueshme e Gjergj Dedvukajt dhe e shokëve të tij Shaban Lajçit e Tomë
Gjergjit që përherë i ka në krah dhe punojnë pa u lodhur.
Një dëshirë që si duket do të mbetet vetëm dëshirë e Gjergjit dhe e shokëve të tij si edhe e shumë shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në Nju Jork, është hapja e një qendre kulturore shqiptare, në të cilën shqiptarët mund t’i zhvillonin aktivitetet e tyre kulturore, sepse ambientet në lokalin e Gjergj Dedvukës janë të ngushta dhe nuk ofrojnë atë që duhet. Gjergji thotë se ata që punojnë në kultivimin dhe ruajtjen e kulturës kombëtar e kanë për obligim që të angazhohen maksimalisht në këtë drejtim. Bie fjala, thotë ai, ndonjë multimilioner shqiptarë ( që këtu në Nju Jork ka mjaft) mund ta blejë një objekt të tillë dhe ta lëshojë për shfrytëzim për mërgatën shqiptare këtu, mirëpo nuk e bën, sepse nuk ia di vlerën kësaj pune. Dedvukaj thotë se për mundësinë e hapjes së një qendreje kulturore shqiptare në Nju Jork që nga viti 2005 ka marr premtime nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mirëpo deri më tani nuk është realizuar një premtim i tillë. Dhe kjo është duke i shkaktuar humbje të pakompensueshme shqiptarëve. Dikush mund të thotë se kjo nuk është ashtu, mirëpo a ka më humbje më të madhe se sa të asimilohesh si popull, kur i ke të gjitha mundësitë për të mos e bërë një gjë të tillë. Kur ke mundësi të ruash etnitetin tënd, kulturën tënde, gjuhën tënde. Kërkesat për hapjen e një qendreje të tillë kanë qenë e vazhdueshme, sa herë që kanë ardhur delegacionet shqiptare, por edhe në konsullatën shqiptare dhe atë të Kosovës, por nuk ka ndodhur që të realizohet kjo kërkesë. Por duhet ta dimë se hapja e shtëpisë së kulturës këtu në Nju Jork është shumë e nevojshme. Për këtë do të bindemi vetëm kur ta shohim funksionimin e saj.
![]() |
Aktivistët e SHKA “Bashkimi Kombëtar” Shaban Lajçi ( në rolin e Ismail Qemalit) dhe Tomë Gjergji (në rolin e Isa Boletinit), sjellin emocione të papërsëritshme në mesin e komunitetit shqiptar të Amerikës |
![]() |
Gjergj Dedvukaj (me çifteli) dhe Haki Krasniqi (me daulle) në plan të parë si dhe anëtarë të tjerë të SHKA “Bashkimi Kombëtar” duke defiluar rrugëve para hapjes së festivalit. |