Faleminderit
Don Lush Gjergji: E lumja Nëna Tereze ...
E enjte, 07.03.2013, 07:00 PM
E LUMJA NËNA TEREZE, SHENJTËRESHË APO... ?
Nga Don Lush GJERGJI
Gjatë
jetës dhe veprimtarisë së bujshme të së Lumes Nënës Tereze, pati shqyrtime,
vrojtime, vlerësime të ndryshme, por me një theksim te tiparet e përbashkët, që
mund t’i shprehim edhe kështu: mahnitja, nderimi, falënderimi ndaj flijimit të
saj, në të mirë dhe në dobi të të varfërve ndër më të varfër, të të sëmurëve
ndër më të sëmurë, të të gërbulurve, të atyre që ishin në buzë të vdekjes, në
mbrojtje të jetës njerëzore kudo që ajo ishte në rrezik.
Këtë e
kishte thënë dhe zbatuar me shumë përpikëri dhe dashuri Nëna Tereze me këtë
parim: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.
Mirëpo,
aty-këtu kishte edhe “zëra” të tillë, të cilët jetën dhe veprën e saj, por edhe
të rregujve që ajo kishte themeluar, edhe më gjerë, të Kishës Katolike, si dhe
organizatave joqeveritare bamirëse, e shikonin dhe vlerësonin me “sy kritikë”.
Ndër
ta, pa dyshim dallohet CHRISTOPHER HITCHENES (1949-2011), me shkrime, botime
dhe intervista radio-televizive, i cili kryekëput Nënën Tereze, por edhe Papën
Gjon Pali II, Benedikti XVI, Kishën Katolike e sulmonte me çdo mjet dhe mënyrë.
Unë kam
lexuar pothuaj të gjitha shkrimet e tija kundër Nënës Tereze, të cilat
mund të përmblidhen në disa pika.
1. Sipas tij
Nëna Tereze ishte “jo mike e të varfërve, por më tepër e varfërisë...”.
2. “Ajo e
lavdëronte varfërinë, sëmundjen, vuajtjen si dhurata prej së Larti dhe u
thoshte të varfërve që t’i pranonin ato dhurata me gëzim dhe në përgjasim me
Jezu Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur...”.
3. Nëna Tereze dhe motrat e saja
“Misionaret e Dashurisë” ishin “pak profesioniste në shërbimin, mjekimin dhe
shërimin e të sëmurëve dhe nevojtarëve, nëpër spitale, klinika, strehimore...”.
4. “Qëndrimi i saj antiabortist
dhe antidivorcist, paraqiste mendimin dhe qëndrimin e Kishës Katolike dhe të
Papës lidhur me abortin dhe shkurorëzimet...”.
5. “Nëna Tereze kishte mbledhur
para, mjete financiare edhe nga personat apo institucione e “dyshuara”, pa
pyetur për prejardhjen e tyre, si p. sh. diktatori i Haitit Duvalieri, ose
CharlesKeating... Ku kanë shkuar gjithë ato para, nëse jo në Bankat e Vatikanit
dhe të Kishës Katolike, apo nëpër organizata që ajo i kishte themeluar dhe i
kontrollonte?...”.
6. “Nëna Tereze nuk i ka zgjedhur
hallet e të varfërve, çështjet shoqërore të botës bashkëkohore, sepse gjendja
vazhdon të jetë e rëndë dhe për shumë edhe e pashpresë...”.
7. “Nëna Tereze ishte mjekuar
nëpër klinika të njohura dhe luksoze në botë..., edhe pse të varfëritë nuk e
kanë këtë mundësi...”.
8. “Nëna Tereze ka ndërtuar shumë
kuvende rregulltare, strehimore, më pak shkolla dhe spitale, klinika, që do të
ishin më të dobishme për nevojtarë...”.
9. “Ajo ishte fanatike
katolike dhe shpesh i kovertonte pa dije, ndoshta edhe me dhunë njerëzit në
fenë e krishterë..., me një lloj prozelitizmi të dëmshëm...”.
10. “Ajo është përfaqësuesja më e
njohur e Kishës Katolike, Gruaja më e popullarizuar e shekullit XX, dhe këtë e
ka shfrytëzuar në çdo vend dhe hap, duke pasur edhe shumë privilegje, takime me
njerëz të shquar dhe të dalluar, me privilegje në udhëtime dhe fluturime...”.
Këto
dhjetë pika ishin “sulmi dhe kritika” kryesore e Christopher Hitchnes-it kundër
së Lumes Nënës Tereze, të cilat pastaj aty-këtu përsëriten, përpunohen,
plasohen edhe ditëve tona në mjetet pamoro-dëgjimore ndërkombëtare, aty-këtu
edhe shqiptare..
Unë,
asnjë herë nuk jam përgjigjur në këto akuza, sepse më duket së paku të cekta,
qëllimkeqe, të pabaza, shpesh edhe trillime të një mendjeje të ngarkuar dhe
urrejtëse, armiqësore ndaj fesë, në veçanti ndaj krishterimit, Kishës Katolike,
prandaj edhe ndaj Nënës Tereze.
Kjo gjë
më duket edhe më e vështirë tash, pas vdekjes së tij, që ka ndodhur më 15
dhjetor 2011, pas vuajtjes dhe sëmundjes së rëndë të kancerit. Vite të tëra
ishte shumë i lodhur dhe i mërzitur, deri edhe i dëshpruar nga jeta dhe
veprimtari. Dy herë i martuar dhe i shkurorëzuar, njeri alkoolist i mvarur,
pirës i duhanit dhe konsumues i drogës.
Ja
vetëm një fjali e tij, që na ndihmon ta kuptojmë gjendjen e tij psiqike dhe
shpirtërore: “Kam vendosur të sillem në këtë mënyrë, sepse kështu më pak
mërzitem, njerëzit nuk më mërzisin si më parë... Nuk besoj në asgjë përpos në
shkencë dhe në komunizëm...” thoshte ai.
Megjithatë
ja përgjigjia ime sipas ndërgjegjes dhe bindjes, sipas njohurive dhe shoqërisë
time afro 30 vjeçare me Nënën Tereze, sipas asaj çka kam arritur të kuptoj dhe
mësoj lidhur me të, që kam trajtuar dhe shpaluar nëpërmjet 15 botimeve që ia
kam kushtuar asaj dhe të cilët janë të përkthyera në shumë gjuhë evropiane dhe
botërore..
1. Nëna
Tereze ishte mike e pashoqe e të varfërve, të mjerëve, të pashpresëve, të
gjithë atyre që vuanin në trup apo në shpirt. Ajo me dashurinë e saj vepruese e
ka gjetur “mjekimin” apo “barin” kundër çdo sëmundjeje: DASHURINË FLIJUESE
DHE DHURUESE . Kuptohet, në trajtimin e tyre, ajo ua kishte dhënë vetveten,
jetën, dashurinë, ua kishte kthyer shpresën. Ky aspekt cekej në analizat e saja
kur thoshte, p. sh. “Asnjë sëmundje, as gërbula, nuk mund ta shëmtojnë
njeriun, që unë mos të njoh në ata vëllaun apo motrën time, edhe më tepër, vetë
Jezu Krishtin...Asnjë i gërbulur apo njeri në buzë të vdekjes, nuk ka vdekur i
dëshpëruar. Kanë jetuar si kafshë apo bishë, kanë vdekur si engjëj, me kujdes
dhe dashuri...”. Kjo, në asnjë mënyrë nuk domethënë se Nëna Tereze “ishte
më tepër mike e varfërisë se e të varfërve”.
2. Christopher
Hitchnes, si hebrenj, ateist, komunist, antikrishterë, apo si e kanë definuar
disa mjaft mirë “si një fundamentalist reakcionist”, nuk e shihte
botëkuptimin fetar dhe të krishterë në trajtimin e sëmundjes, gërbulës,
varfërisë, vdekjes. Në “optikën e zezë” të tij dhe tejet
pesimiste, nuk e duronte askënd, as vëllaun e tij të vogël, që është i
krishterë i bindur, as Nënën Tereze, e cila mendonte, jetonte dhe vepronte
ndryshe prej atij, as Papën Gjon Pali II për të cilin pa turp thoshte “se
erdhi tepër vonë dhe jetoi shumë gjatë”.
3. Një ndër pikat kryesore të
fesë së krishterë është pranimi i vuajtjes, sprovës, vështirësisë, “kryqit” me
fe dhe dashuri, ashtu si na mëson dhe ka vepruar vetë Jezu Krishti, i cili
lirisht, vullnetarisht, me dashuri ka pësuar dhe vdekur në kryq për ne, për çdo
njeri, për ta dëshmuar dhe dhuruar jetën e re, ngjalljen, shëlbimin. Pa këtë fe
dhe dashuri, Nëna Tereze s’kishte pasur mundësi as 24 orë të jetonte dhe
vepronte në mesin e të gërbulurve, të atyre që janë në buzë të vdekjes, të
varfërisë dhe mjerimit të paparë në Kalkutë, në Indi, në botë. Shumë njerëz
s’kanë fuqi as t’i shohin me sy, jo më t’i prekin me dorë dhe zemër njerëzit e
tillë, edhe më pak të jetojnë dhe veprojnë në mesin e tyre, siç ka bërë Nëna
Tereze dhe vazhdojnë guximisht “Misionaret e Dashurisë”. Pa fe dhe dashuri,
jeta dhe veprimtaria e Nënës Tereze dhe motrave të saja, do të ishte një
çmenduri në rrethana të tilla.
4. “Pak profesioniste”...,
më tepër humaniste...Ja përgjigjja e Nënës Tereze: “Njeriu ka etje dhe
nevojë për bukë, ushqim, veshmbathje, barna, mbi të gjitha për dashuri.
Sëmundja më e rëndë nuk është gërbula, kanceri, por vetmia, mungesa e
dashurisë... Të sëmurët kanë nevojë për barna, mjekime, por edhe më shumë për
kujdesin dhe dashurinë tonë... Preke të gërbulunin me zemër!”.
5. Antiabortizmi dhe
antidivorcizmi i Nënës Tereze buron nga feja e krishterë, është në mbrojtje të
jetës së palindur dhe të familjes së shpartalluar. “Rreziku më i madh për
paqe në botë është aborti, vrasja e fëmijëve të palindur dhe të pambrojtur...
Nëse nëna e vret fëmijën e vet, pse të mrekullohemi që luftojnë kundër
njri-tjetrit popujt, shtetet, sistemet...” tha në
6. Nëna Tereze nuk merrej kurrë
me thashetheme, me hulumtime të njerëzve apo pasurive të tyre. Ajo i kishte
afruar dhe miqësuar botën e të varfërve dhe të të pasurve në këtë mënyre: “Të
varfëritë u dhurojnë më shumë, nderimin dhe falënderimin e tyre. Ata iu bëjnë
të lumtur, nëse ju e jepni një pjesë të pasurisë tuaj, nëpërmjet saj vetveten.
Jepe pjesën më të mirë të vetvetes – DASHURINË...”.
7. Akuza se Nëna Tereze nuk i ka
zgjedhur çështje shoqërore të botës bashkëkohore, vërtet është shumë e
çuditshme dhe qëllimkeqe, sepse ajo kurrë nuk ka menduar apo pretenduar një gjë
të tillë, por me shumë thjeshtësi dhe përvuajtëri thoshte: “Unë jam vetëm
një pikë në oqean. Mirëpo oqeani pa këtë pikë do të ishte i mangët. Varfërinë
nuk e ka krijuar Zoti, por ne. Ne të gjithë jemi të varfër para Zotit...”.Mëposhtja
e varfërisë në botë kërkon shumë punë dhe bashkëpunim ndërkombëtar dhe botëror,
është një proces tejet i gjatë dhe shumë i vështirë, sidomos tash kur ekonomia
botërore është në recesion.
8. Mjekimi i Nënës Tereze nëpër
klinika të njohura dhe luksoze, kurrë s’ka qenë dëshira, kërkesa, përcaktimi i
saj. E kundërta. Motrat dhe miqtë e saj shpesh e kanë “detyruar”, mos të thek
se e kanë “bartë” në spitale dhe klinika të tilla për ndonjë kontrollim apo
mjekim. Ajo ka jetuar si e varfëria ndër me të varfër, me këtë logjikë: “Të
varfëritë janë të tillë, sepse i kanë detyruar rrethanat, jeta. Ne jemi të
varfëria vullnetarisht dhe lirisht për dy arsye: për dashuri që kemi për Zotin
dhe për të varfëritë...”.
9. Nëna Tereze kurrë nuk ka pasur
fonde as për veti, as për motrat dhe rregujt e saj, por ka jetuar si të
varfëritë ndër më të varfër. Edhe kur e mori Shpërblimin Nobel për Paqe në
Osllo, më 10 dhjetor 1979, bankat norvegjeze i ofruan kamata të larta nëse ajo
do të kursente dhe afatizonte mjetet në bankat e tyre. Përgjigjja e saj ishte e
qartë dhe e vendosur: “Kur të varfëritë e mi do të kenë xhirollogari
bankare, atëherë edhe unë, ne do t’i kemi... Unë me këtë Shpërblim do ta
ndërtoj “Qytetin e Haresë” për të gërbulurë të Kalkutës dhe të rrethit... Ne
jetojmë plotësisht të mvarura nga Provania e Zotit dhe bamirësia e
njerëzve...”.
10. “Fanatike – katolike –
proselite”, është fyerje e madhe për Nënën Tereze dhe jetën e saj në
shërbim shembullor ndaj Zotit – Dashuri dhe Vëllaut – Njeri. E Lumja Nëna
Tereze kurrë nuk ka themeluar ndonjë shkollë, spital, klinikë, strehimore
katolike, por për Njeriun, pa asnjë dallim dhe përjashtim. Ajo është Misionarja
e parë në 2000 vjet të krishterimit që s’kishte qëllim dhe veprim për
konvertim, por vetëm për flijim, dhurim dhe dashuri. Ajo më pat thënë kështu: “Pasi
e kuptova se Zoti është Dashuri, unë s’duhet të bëja më asgjë, përpos t’u
dhuroja dhe dëshmoja njerëzve këtë Dashuri”. Është e njohur urata e saj, ku
ndër të tjera thotë: “që induisti të jetë induis më i mirë..., myslimani të
jetë mysliman më mirë..., i krishteri të jetë i krishterë më i mirë...”.
Ja,
këto, ishin vetëm disa mendime dhe konstatime që ndoshta na ndihmojnë ta
kuptojmë botën, jetën dhe veprimin e së Lumes Nënës Tereze. Ajo thoshte: “Pa
dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim” dhe vazhdonte: “Vetëm dashuria do
ta shpëtojë botën”.
E tillë ishte dhe është e Lumja Nëna jonë Tereze!