Faleminderit
Mustafë Rugova: Dymbëdhjetë vite pa mikun tim Afrim Loxhaj
E hene, 22.04.2013, 05:59 PM
Dymbëdhjetë
vite pa mikun tim Afrim Loxhaj
Redaksi e
nderuar e ZSh-së!
Këtë fjalë të shkurtër kujtimi i kam kushtuar mikut tim të shtrenjtë e të paharruar, i cili ketu e dymbedhjetë më parë humbi jeten në një aksident trafiku. Duke botuar këtë shenim per Afrimin dhe kete foto të tij, e kujtojmë e nderojm e Atë, familjen e të afermit, shoket e miqtë e shumtë që nuk mund ta harrojmë kurrë. Ju faleminderit.
Nga Mustafë Rugova
Me Afrim
Loxhën dhe me të tjerë miq, të afërt e dashamirë, mërgimi më ndau për së gjalli
ashtu si shumë kend në këtë jetën tonë mërgimtare per rrafsh trembëdhjetë vite
me rradhë. Por, edhe pse larg njëri-tjetrit, tmerrësisht shume larg, unë kurrë
nuk i pata ndërprerë lidhjet me vendlindjen dhe njerëzit e mij atje, natyrisht
as me Afrimin, mikun tim të shtrenjtë. Një ditë motmoti, kur unë po vegoja në
mërgim dhe derisa isha në banesën e azilit, më thërrasin me altoparlant prej
recepsioni, duke më njohtuar se kisha vizitë. Kush mund të ishte, -pyesja
vetën? Për befasinë time të këndshme shoh dy miqtë e mij të shpirtit, Rexhep
Maksutin dhe Afrim Loxhën (shpirti dritë iu bëftë të dyve),të cilët kishin
ardhë në Perëndim per vizitë pune. Gjatë kësaj vizite pune miqtë e mij kishin
vendosur të më takonin me mua, ndaj kjo vizitë ishte ndër më të këndshmet në
mërgim. Atë dite të paharrueshme ne mundoheshim të bashkëbisedonim e të
kujtonim gjithë kohën e humbur me vite. Asnjëri prej nesh nuk mundi të çmallej
as për së afërmi, pasi kishim aq shume për t'i thënë njëri-tjetrit. U ndamë me
shumë mall dhe me lot në sy, por edhe me shpresën e madhe që një ditë të bukur
do të takoheshim sërish në vendlindje. Dhe, kështu ndodhi. Në qershorin e madh
të vitit 1999, kur u çlirue Kosova mërgimtarët e mallëngjyer e të lumtur si
asnjëhere në jetën e tyre, ia kishin mësy Atdheut të mohuar, tashmë të
lirë. I pari njeri që pati ardhë për të
më dëshiruar mirëseardhjen në vendlindje, ishte Afrim Loxhaj, i cili nuk mund
të përmbahej prej mallit dhe prej dëshirës që po përjetonte ne takimin me mua.
Kurre nuk me hiqet nga mendja një fjalë e Tij, përderisa na drejtohej me fjalët
e tij njerëzore: -Ju dua të gjithëve
njësoj, por dua t'a dallojë Mustafë Rugovën, me të cilin ndaj kujtime të
veçanta, sepse bashkë me të kam kaluar një pjesë të mirë të rinisë sime.. .
Kur e kujtoj
me mallëngjim atë kohë, atë kohën e shtrenjtë kur ishim bashkë e që me
njëri-tjetrin na ndante vetëm nata e lume, buza me dridhet, damaret e gjakut me
ngushtohen, mendtë më mirren për Afrimin tim të mirë, i cili ishte gjithmonë i
qeshur, përherë i disponuar, në çdo kohë i këndshëm dhe gjithnjë elegant, e mbi
të gjitha, një shok dhe një njeri i mirë. Githçka të mire që kishte rrethi ynë,
sikur po shuhet ngadale, duke na lënë ne të gjallëve përherë të ngrysur dhe të
mërzitur për ata që po na ikun para syve tanë.
Sa herë e
kujtoj Afrimin, përherë ndjej një dhimbje dhe pikëllim të madh në shpirt, por
edhe ndihem krenar që kisha një shok të mirë i cili më ka dhuruar çaste të
këndshme gjatë gjithë rrugës sonë të përbashkët në jetë!
I përjetshëm qoftë kujtimi Yt, Afrim vëllau, Afrim miku i paharruar!