E shtune, 03.05.2025, 09:56 PM (GMT+1)

Faleminderit

Gani Mehmeti: Heroi Muharrem Mehmeti - e kishte dëgjuar thirrjen e Atdheut

E merkure, 15.05.2013, 06:00 PM


NË KATËRMBËDHJETË VJETORIN  E RËNIES HEROIKE NË KOSHARE TË MUHARREM FADIL MEHMETIT

E KISHTE DËGJUAR THIRRJEN E ATDHEUT

-Nuk e kam ditur fare për  Muharremin se ka shkuar në luftë. E kam ditur se është duke punuar në Gjermani, ku pat shkuar para dy vjetësh. Po, edhe se dikush duhet të flijohet për liri nga familja ime, më pat shkuar mendja, por unë pata menduar për vetveten, e jo për dikë tjetër. Qenka shkruar që    flijohet biri im, Muharremi.  Natyrisht, ndjej që të dyja – dhembje dhe krenari, që kreu obligimin ndaj atdheut-

EKSKLUZIVE NGA GANI I. MEHMETI

Serbët në Kosovë luftuan gjithçka shqiptare. Po, edhe të gjithë shqiptarët qenë në luftë kundër tyre. Në këtë luftë u inkuadruan edhe shumë shqiptarë që erdhën nga shtetet tjera në mënyrë vullnetare, disa prej të cilëve ishin përqëndruar në  kufirin ndërshqiptar. për ta thyer atë njëherë e përgjithmonë.

Njëri ndër këta vullnetarë qe edhe Muharrem Fadil Mehmeti, i cili kishte ardhur  nga Gjermania, duke lënë atje të gjitha të mirat. se ato nuk e kishin kënaqur. Thirrja e atdheut për ta çliruar nga çetnikët serbë nuk qe e shurdhër për Muharremin. Kishte vendosur të nisej për në front, për t’i ndihmuar atdheut të “plagosur” e të vrarë. “Kurrë nuk e kam parë më të gëzuar, kurrë nuk është ndier më i lumtur, kurrë nuk ka qenë më i disponuar se prej momentit kur e kishte blerë uniformën për vete dhe për gjashtë vullnetarë të tjerë në Gjermani, të gjitha me të hollat e veta. Thirrjen e atdheut e kishte dëgjuar  si thirrjen e nënës, në mos më shumë,  sepse atdheu  është  nënë e të gjithëve”, -rrëfen Ramushi, xhaxhai i Muharremit, që bashkë kishin punuar për dy vjet më rradhë në Gjermani. Atje ishte fotografuar, atje ishte gëzuar se po kryente obligimin ndaj çështjes së atdheut  dhe kombit, duke shkuar  në front për çlirimin e Kosovës prej çizmes së armikut.

Plotë tre autobusë ishin nisur me ushtarë nga Gjermania bashkë me Muharremin për në Shqipëri, vullnetarë të Lirisë së Kosovës. Pas ushtrimeve, hyn në front në kufirin shqiptaro-shqiptar që nga Kosharja e deri në Junik. Serbët të armatosur deri në dhëmbë dhe me armët më moderne, detyrohen të zbrapsen prej një armatimi të paktë dhe të lehtë, detyrohen të zbrapsen prej djelmoshave me Lirinë.

Sa mirë është kur e kryen  obligimin  ndaj atdheut! Nuk ka asgjë më të shenjtë. E Muharremi, që u hypte në maje lisave të Pakashticës së Podujevës, sikur kishte fluturuar si zogu  në Koshare, shkoi e ra si burrat në maje të Junikut, atje tek Rrasa e Zogut.

Derisa Muharremi po ëndërronte lirinë, shtëpinë, prindërit, vëllezërit, motrat etj., aty nga vija e parë e frontit, një granatë e kishte qëlluar nga larg dhe e kishte lënë në vend. Ishte kjo dita e parë e javës  së tretë  të majit  të vitit 1999, që ia la përgjysmë  ëndrrën e shtëpisë, në të cilën s’kishte qenë  dy vjet, po që shumë kishte dashur  të kthehej në të bashkë me lirinë.

-           Muharremi kurrë nuk ka ditur së ç’është frika. Ai ka pasur një frikë, atë se mos  nuk do ta  pranonin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse tek sa i kishte mbushur të tetëmbëdhjetë pranverat  e jetës së tij - rrëfen bashkëluftëtari i tij, me të cilin ishin nisur që nga Gjermania.

Në të njejtën kohë, derisa Muharremi luftonte në Koshare e Junik, i ati i tij është i mobilizuar në krye të mbrojtjes  civile në fshat, thotë: ”Unë nuk kam ditur fare për Muharremin se ka shkuar në luftë. Disi më ka shkuar mendja se dikush sikur e kemi borxh të vritemi, të biem për liri, por, thënë të drejtën, duke mos ditur fare për djalë, unë kam menduar vetëm për vete se do të flijohem, për çka kam qenë i gatshëm, por ja, qenka thënë  që ai të bie e unë të jetoj. Ka shkuar pa më bërë me dije, por ani, se për liri nuk e dashka të pyetet  as prindi, se ajo është çështja më e madhe dhe e kemi borxh të gjithë. Prandaj, hallall i qoftë prej meje”! -përfundon fjalën Fadili, i ati i Muharremit.

Me rastin e rivarrimit të lufëtarëve të rënë të Brigadës 138”Agim Ramadani” në Koshare, më 23 gusht 1999, vinin bashkëluftëtarët e tij dhe me lot në sy përkuleshin para trupit të Muharremit. Atë e mbanin në mend dhe e njihnin të gjithë - edhe komandanti i batalionit në Junik, edhe i kompanisë, e të mos flasim për komandantin e skuadrës së tij, zotëri Xhabir Toçani, i cili kishte shkruar holl e gjatë për të gjtha cilësitë e vetitë e Muharremit dëshmor, i cili kishte rënë më 15. V. 1999 në orën 2 e30 minuta të mëngjesit në vijën e parë të frontit.

-           Muharremi ishte një djalosh i ri. Ishte ne formën kulminante për ushtarin e llojit të vet. Ishte fizikisht dhe moralisht në nivel të lartë për kryerjen e detyrave ushtarake. Ishte i bukur dhe simpatik, i  gjatë dhe i dobët, por me trup sportisti. Karakteristikë e tij ishte shkathtësia e tij fizike, ishte elastik dhe me ushtrimet që i bënte na fasciononte të gjithëve!- shkruan në mes të tjerash në ditarin e tij komandanti i skuadrës, Xhabir Toçani.

Muharrem Fadil Mehmeti lindi më 3 shkurt 1981 në fshatin Pakashticë të Epërme të Podujevës.

Në betejën e zhvilluar trembëdhjetë vite më parë në Koshare në një dyluftim me forcat serbe, në mesin e shumë dëshmorëve, bie dëshmor edhe Muharrem Mehmeti nga Pakashtica e Podujevës,  në moshën 18-vjeçare, duke lënë kujtimin e ëmbël për luftëtarët që me të luftuan krah për krah deri në momentet e fundit.

Pas rënies,  fillimisht është varrosur në Bajram Curr të Shqipërisë, mirëpo më pas është rivarrosur në Koshare me nderime të larta ushtarake bashkë me dëshmorët  e tjerë të rënë këtu. Muharremi është i vetmi dëshmor llapjan që është varrosur në Koshare.

Familja Mehmeti nga Pakashtica e Llapit ështe e njohur për trimëri. Gjyshi i dëshmorit të kombit, Mehmeti ishte pjesëmarrës i Luftës së Dytë Botërore i radhitur në anën e Ballit Kombëtar. Ai ishte një ballist i shquar gjatë LDB i cili ka marr pjesë në luftë kundër partizanëve shkie  në Brigadën e Hakif Rimanishtës, pastaj në atë të Shaban Polluzhës, e, pas marrjes së pushtetit nga ana e partizanëve, ai del në mal dhe bën jetë kaçaku bashkë  me Ukë e Tal Mavriqin, Avdi e Sejdi Tashefcin, Jahir Metollin, Ismail Thaçin,  Ali e Brahim Sollovën, Behram Halitin etj.

Shkollimin fillor Muharremi e filloi dhe e kreu në shkollën e fshatit, shkollimin e mesën e nisi në Shkollën e Mesme Ekonomike "Isa Boletini" në Podujevë. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike ai e lë përgjysmë shkollimin e mesëm dhe në vitin 1997, kur kishte vetëm 16 vjet, shkon në Gjermani tek i vëllai Ekremi, për t’i ndihmuar familjes. Muharremi, falë të vëllait, Ekremit, nuk e pati vështirë që të gjente punë dhe fitoi lejeqëndrimin në Gjermani. Atje filloi një jetë të re,  e cila nuk zgjati shumë. Pas një qëndrimi prej dy vjetësh në Magdeburg të Gjermanisë, kur në Kosovë kishte krisur lufta dhe jeta ishte bërë e padurueshme nën çizmen serbe, tani trimat e lirisë të organizuar në UÇK, Muharremi dëgjoi thirrjen e Atdheut për Liri, ai iu përgjigj asaj, duke lënë punën, vëllain,  axhën,  shokët dhe jetën luksoze në Gjermani.

Sa ishte gjallë pasion i tij ka qenë sporti, ku si thonë të afërmit e tij pothuaj se në vendlindjen e tij në Pakashticë nuk ka mbetur lis që ai nuk i ka hipur në maje. Ai ishte shumë i afërt si me familje ashtu edhe me shokët e tij dhe askush nuk mban mend që dikujt i është hidhëruar ndonjëherë.



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx