Kulturë
Një copëz... ndeshje
E diele, 22.08.2010, 06:57 PM
Një copëz... ndeshje
Nga Suzana Kuqi
Vetëm rastësia dhe … zori mund ta sillnin punën në atë mënyrë që të më bënte të ndiqja pjesën e dytë të ndeshjes. Nuk kam asgjë kundër futbollit, sinqerisht asgjë, por ama që të bëhem tifoze... Ndeshja e parë dhe e fundit që kam ndjekur nga fillimi deri në fund i përket adoleshencës sime dhe ishte finalja e botërorit të 1974 ku luante Hollanda me Gjermaninë. Im atë ishte tifoz me Hollandën e Krojfit e unë bashkë me të. Por Hollanda... humbi. Tani nuk e mbaj mend se sa gola hëngri dhe si e qysh, por më ka mbetur ende ajo shije e hidhur e humbjes, tërë ato emocione të bukura që më kishin mbajtur lidhur aty para ekranit të thërmoheshin brenda një sekonde. U zhgënjeva keq, e kur e them këtë, merret me mend se sa me shpirt e kam ndjekur atë ndeshje. Që atëhere nuk e mora më mundimin të bëja tifozllëk, ishte si një lloj pakti që kisha bërë me vehten.
Vazhdojmë më poshtë. Rritem, fejohem. I fejuari më qëlloi tifoz i çmendur i gjermanëve. Në futboll e kam fjalën. Jo, nuk kisha asgjë kundër tifozllëkut të tij, dhe as kam, kushdo ka të drejtën e padiskutueshme të jetë tifoz siç mund ta ketë të mos jetë. Veçse më vinte keq për ato mbrëmje apo pasdite kur ai gozhdohej para ekranit. Nuk bëja zë, prisja me padurim të mbaronte ndeshja e ndërkohë mbërtheja ndër thonj ndonjë libër e i ulesha pranë.
Bukur fort deri këtu e po të kish mbetur këtu. Por problemi ish se atij ju fiksua që unë i sillja shans atij, domethënë skuadrës së tij të zemrës. Në këtë rast, unë nuk mund të luaja vendit as edhe për ndonjë nevojë vetjake sepse sapo unë të dilja nga dhoma... hanin gol. Po po gol, e provuar, aq e provuar sa ai e kish ndarë mendjen e për pak më lidhi mbi divan, ma hoqi me lezet edhe librin nga duart që unë të shikoja ndeshjen. U mundova me atë timen por e kotë. Madje sa më shumë stërmundohesha t'ja bëja qejfin aq më keq ishte, aq sa... nga zelli ngatërroja portat e golat. Aq ma shpifi kjo punë sa e mblodha mendjen top të mos shikoj më as edhe një ndeshje futbolli. Ditët që luheshin nxirrja ndonjë punë a problem, e edhe se ai vinte për të më marrë në shtëpi, nuk luaja vendit.
Vazhdojmë ca më poshtë. U martova, u bëra me fëmijë, ishim gjithnjë të dashuruar e të pandashëm, me përjashtim... të mbrëmjeve të ndeshjeve. Me kohë ai kish hequr dorë nga ajo lloj këmbënguljeje të pakuptimtë që të më ngulte përpara ekranit. Tani as që e zë më me gojë, shkon dhe e sheh ndeshjen në dhomën tjetër, e do të thoja se e kish harruar fare atë muhabet nëse nuk do ta kisha dëgjuar një ditë që psherëtiu padashur:
- Ah, si nuk të bëra dot tifoze moj grua...
Bëra sikur nuk e dëgjova. Sepse problemi në fjalë nuk ishte thjesht të bëhesha tifoze por... të bëhesha me skuadrën e tij të zemrës... dhe e dini ju ç'do të thotë kjo... pasi ajo skuadër ma kish rrëmbyer sa e sa pasdite apo mbrëmje të bukura... e unë jo vetëm duhej t'ja falja këtë padrejtësi por duhej edhe t'i dhuroja zemrën... Le ta harronte atë muhabet...
E mirë, bukur fort deri këtu. E prej këtu në fakt nuk ka mbetur shumë për të thënë. Finalja e kampionatit të fundit të futbollit, botërorit, atij që u bë në Afrikë. Paraditen e kisha kaluar në plazh ku si zakonisht mblidhemi të djelave me të gjithë të afërmit e kushërinjtë që dora e fatit i ka hedhur këtu, e të gjithë muhabetin e sportit. Parashikimet ishin për Spanjën, madje edhe ai dreq oktapodi atë kish përzgjedhur. Kisha degjuar se përzgjedhjet i kishin qëlluar por nuk bindesha, vetëm nëse... nëse ai dyshim budalla që më kish përshkuar trurin si padashje se... mbase edhe e kish atë dhunti. E përse jo... fundja është qënie ujore e si e tillë është krijuar përpara nesh e ruan dhuntitë e zanafillës, ato që janë lënë rrugës së zhvillimit të llojeve e të specieve e kanë mbetur aq të reduktuara kur kanë mbërritur tek njeriu, sa nëse ashtu papritur shfaqen tek një në një milion i quajmë fenomene anormale apo u vëmë atë emrin tjetër të cilin unë kurrë nuk e kam marrë vesh se ç'do të thotë me gjithëmend, paranormale. Para... normale... Vërtet ç'ka pasur para normales...? Duhet të gjej kohë e të ulem e t'i kërkoj ndihmë internetit për këtë punë, por e di se me siguri do të më servirë përçartje të tjera që do të ma pluhurëzojnë këtë timen. Si merreshin vesh njerëzit e parë që ende nuk e kishin aq të zhvilluar mendimin sa të kish lindur fjala, kur i besonin instiktit... Në një farë mënyre ja kanë dalë mbanë, ndryshe nuk do të mbijetonin e për rrjedhojë nuk do të kishim lindur ne. Ne, të pajisur me një llogjikë për t'u pasur zili, me gjuhë e bagazh fjale të pasur... Gjuha, fjala, tendenca për të krijuar kushte më të favorëshme për t'u mbrojtur e për të jetuar, (kushte për të cilat e kemi vrarë dhe e vrasim mendjen aq shumë), i bënë gjërat më të thjeshta dhe ato sense u përdorën gjithnjë e më pak deri sa nuk u përdorën fare. Se me thënë të drejtën, njeriu vdes për kollajllëqe apo jo... Po e lë këtu edhe këtë arësyetim sepse bëhem lëmsh me duart e këmbët e mia. Veç do të theksoja se ajo fjalë “ Besoji instiktit”, në kushte të caktuara të bën më shumë punë se sa të shtrydhësh trutë gjithë ditën.
Por atë ditë, si gjithë ditët e zakonshme, nën trusninë e bisedave se për kë mund të luhej ajo ndeshje, nuk i kërkova ndihmë as atij dhe as arësyetimit sepse ishte diçka që nuk më prekte personalisht. Ja këputa ashtu kot:
- Po ta luaja, do ta luaja për Hollandën që duket sikur ka më pak shanse. A nuk ndodh që …
E njëjta ditë, në mbrëmje kur mbaroj turnin e pasdites. Im shoq më priste me padurim.
- Shpejt se më iku ndeshja. Pas pak fillon pjesa e dytë.
- Të thashë të mos vije, e bëja rrugën më këmbë,- ja kthej me atë lloj inati që më kap ndonjëherë kur më duket vetja si një robot i programuar për të punuar, i cili ngarkohet në makinë për t'i ndërruar destinacion, me të vetmin qëllim që t'i pakësohet koha e transportit në favor të asaj të punës. Me siguri ka mbetur pa darkë, fëmijët ja kanë mbathur e kanë dalë... Ke parë ti, turfulloja me vehte, bën sikur i rreh për mua, pret të vij nga puna që...
- Duhet të shkojmë tek mamaja jote se është me temperaturë.
Ah, këtu ndryshonte puna. Duhej, medoemos, ndryshe nuk do të më zinte gjumi.
Për çudi, mamanë nuk e gjeta në shtrat, ish ulur mbi divan, me sy që i shkëlqenin... nga temperatura apo padurimi i pritjes së fiillimit të pjesës së dytë të ndeshjes... ende nuk e kam të ftilluar. Pranë saj ish ulur nipi im, që ja marrsha të keqen sa i bukur dhe inteligjent që është me ato e dymbëdhjetë vjetët e tij, e më pas vinte im vëlla. Im shoq nuk e zgjati, zuri karriken e parë që i doli përpara, ndërsa im bir unë dhe kunata zumë divanin tjetër. E kotë të them se pyetjeve të mia mbi shëndetin e gjërave të tjera të parëndësishme ose nuk ju përgjigjën fare ose u dhanë ca përgjigje fare pa kuptim, e kur them pa kuptim, nuk gjeje as edhe një fijëzë t'i lidhje. Ndeshja kish filluar.
- Po ta marr vesh me kë jeni tifozë?
- Me Hollandën ! - ma prenë të gjithë me një gojë.
- C'ne me Hollandën, ti je me gjermanin, ndërsa ti me... - ju ktheva tim shoqi e tim vëllai.
- Mbylle! -ma mbylli gojën ime më.
- Pse edhe ti je bërë tifoze!? Po ti me kë?
- Me Hollandën sepse me të ish edhe yt atë. Edhe ti me të duhet të jesh!
Pas këtij urdhëri ndënja urtë e u përpoqa të krijoj ca konfidencë me ndeshjen. Pasi lexova gjithë reklamat rreth e qark fushës, admirova jeshilen e bukur të barit, vijat e bardha, portat, ngjyrat e uniformave e të këpucëve, arrita të ndaja se cila ngjyrë i takonte njërës e tjetrës skuadër. Nuk donte as mend e as kalem, isha me Hollanden, nuk mund të vihej në dyshim, sepse... edhe im atë... U mundova ta thërras e ta risjell në mendje një fushë e një lojë të një epoke të kaluar, por përveç shijes së hidhur të humbjes që nuk vonoi, tjetër nuk më erdhi. Para syve mu fanit një fytyrë e dashur ashtu siç nuk do të doja kurrë ta kujtoja, të mërzitur ... Ndoshta fati, rasti, e sjell që atë gabim që bënë hollandezët atë kohë ta korrigjojnë sot, e ndoshta... ndoshta ai është këtu mes nesh dhe e ndjek ndeshjen... Ndoshta... I kish ardhur rradha. Padashur nisa të ndiqja topin i cili ju afrua portës së spanjollëve, ashtu siç di të afrohet ai, shpejt dhe i paparashikueshëm... E befas...
- Jepi!Jepi!Bëje gol! - im shoq ish ngritur më këmbë e pata pështypjen se do të kërcente brënda ekranit.
- Jepi! - im vëlla briti njëzëri me të duke u ngritur më këmbë.
- Mos! Jo! Jo! - brita njëzëri me ta dhe unë, e megjithëse nuk u çova më këmbë, për çudi zëri im i mundi zërat e tyre. Dhe mrekullia ndodhi, goli nuk u bë. Nuk di të përshkruaj emocionin tim të atij çasti, as të spjegoj sepse papritur isha bërë tifoze e spanjollëve, di vetëm se sa hap e mbyll sytë kisha mbërritur në katin e shtatë të qiellit... Por zbrita shpejt kur pashë se të gjithë e kishin fshirë ekranin nga fusha e tyre e pamjes, e më fokusonin në një mënyrë, po në një mënyrë të tillë që nuk e kishin bërë kurrë më parë.
- C'pate!? Je në vete?!- ma pat pa pikë takti im shoq.
- Mbylle e mos ta dëgjoj më zërin!- m'u shfry im vëlla.
- Do të të rrah! - më tregoi pëllëmbën ime më. Nuk e di se kush e kish lëshuar në telefon atë llaf se ishte pa qejf e i mungonin forcat, pasi mua m'u duk aq e re e plot forcë si atëherë kur isha fëmijë e ajo që nisej si pëllëmbë përfundonte si topuz bajlozi mbi mua.
- Me gjithë mend e keni?! Përse juve do t'ju pyes se me kë do të bëhem tifoze? Se mos ju ndërhyj, un....
- Mbylle!- më urdhëruan me një gojë dhe unë e mbylla për momentin por ama nuk kishte rast goli që të mos e hapja prapë. Ishte më e fortë se unë...
Kush e pa ndeshjen e di mirë se ajo u mbyll me barazim e u bë me kohë shtesë, kohë kjo që gjendja ime emocionale nuk e përballoi dot. Një herë që më kishin zbritur nga qielli i shtatë m'u duk budallallëk të ngjitesha prapë. Pak nga pak arrita në atë pikë se aq më bënte se kush humbte a fitonte, veç të mbaronte e t'ja mbathja në shtëpi. Për habinë time të madhe, vura re se edhe të tjerët kishin mbërritur po në këtë pikë. Nuk u interesonte tjetër, veç të mbaronte dhe unë t'ju zhdukesha sa më parë nga sytë. Nuk ma shprehën me fjalë, por unë e ndjeja deri në ajrin që thithej në atë dhomë. Desha ta thyeja pak atë atmosferë mbytëse ndaj ju ktheva sime mëje me dhe i vura dorën mbi ballë:
- Të ka rënë temperatura?
- S'ke turp! - ma shtyu dorën me inat ajo sikur do t'i ngjiste zgjeben.- Për hir të babait tënd...
- Më lër rehat me këtë muhabet, për hir të tim eti, hollandezët ta kishin fituar atëherë kampionatin, e jo ta mërzi...
... Mërzisnin, desha t'i them por fjala m'u zu në fyt nga një tufë letrash që m'i hodhën në prehër.
- Ai goli që ktheve mbrapsht... katër mijë euro... katër mijë na ikën nga duart!
Bileta llotarie. E... kishin luajtur për... Hollandën. Kjo sikur më ndezi një shkëndijëz shprese...
- Ndeshja nuk ka mbaruar, po e kthej tifozllëkun nga Holl...
- Nuk ja vlen, nuk parashikohet ai!- kjo përgjigje ma shoi aty për aty atë shkëndijëzë sikur të mos ishte ndezur fare. Por nga ana tjeter më hipi inati, pale po e mbanin veten dhe për ekspertë aq sa të luanin paratë... E si nuk e menduan xhanëm se një ndeshje mund të mbyllet edhe me barazim, top është ai i shkretë, se mos ishte hera e parë që nuk shënonte as edhe një portë... Por nuk pata guxim t'ua thosha, ama vendosa të nis e të nxjerr mllefin tim duke bërë lëvizje të matura mirë.
- E ç'i dua unë këto!?
- Piju lëngun!!! - toni i tim shoqi më bëri të ditur se mllefi i tij ja kalonte shumë herë atij timit i cili u tremb e bëri prapakthehu, ndërsa unë nuk e hapa më gojën sa kohë isha aty.
U prish bota, mendoja ulur në sediljen e pasme të makinës tek po shkonim në shtëpi. Nuk të lënë as të bëhesh tifoz, një herë që të qëllon kështu aksidentalisht... të fluturojnë katërmijë euro nga duart. Jo se kanë luajtur katër mijë, duhet të jenë të çmendur po të luajnë kaq, katër mijë ishte parashikimi i fitimit por... Edhe sikur një grosh ta kishin hedhur ashtu kot më vinte inat. Po kujt po i bënin tifozllëk xhanëm... Skuadrës së zemrës...? Jo! Europes..? Jo! Të dyja skuadrat ishin europiane, nuk mund të pretendonin se kupa dilte nga kontinenti. Parasë... Mirë t'u bëhet, ende nuk e kanë mësuar se paraja shkon tek paraja e perëndia nuk na ka futur në atë kategori, tjetërkujt ja ka bërë rrisk jo vetëm të mos e djersijë, por të mos ketë të ngopur duke thithur djersën e gjakun tonë për t'i shumuar...Sa herë jam mëdyzur dhe unë të blej bileta llotarie me shpresë se... vdektë kush nuk do të fitojë një të tillë, nga ato që bëjnë të mbledhësh mëndjen për tërë jetën tënde, atë të fëmijëve të tu, të fëmijëve të fëmijëve të tu e me rradhë... Mbaj këmbët para sportelit e pastaj vazhdoj tej sepse nuk e di se nga ç'hone të zanafillës më ngrihet ai instikt që më thotë: Ta ka qejfi hë? Kot e ke, nuk ke për të fituar!
Dhe nganjëherë i besoj instiktit... si në këtë rast... Nuk e konsideroj veten as frikacake e as humbëse... madje parë ndryshe, jam e fituar... sepse nuk luaj.